Kërçova dydimensionale?!
Për të pasur një transparencë të së vërtetës kërçovare të funksionuari të qytetit me të gjitha kategoritë e saj, dëshmi paraqesin netët e errëta e të pandriçuara, festat e ndryshme gjatë vitit, në të gjitha akset rrugore në tërë qytetin e Kërçovës. Kjo dukuri i bie në sy edhe shoqatës multietnike ”Forumit Shkollor të Rinjve“ (MOV), e cila organizon një defile nate në rrugët e Kërçovës duke mbajtur në dorë qirinj të ndezur e duke dërguar mesazhin e tyre te kompetentët me parullën ”ndriçoni Kërçovën”.
Në aspektin funksional të infrastrukturës ajo nuk është njëlloj në gjithë shtrirjen e saj, ndriçohen rrugët si ajo e Bulevardit të Lirisë dhe ajo e Mirko Mileskit, ndërsa pjesa e vjetër e qytetit nuk ka as ndriçim publik rrugor të zakonshëm, e lëre më të bisedohet për festat madhështore.
Kjo vetë të bën të kuptosh se sikur rryma elektrike nuk rrjedh për të gjithë njëlloj, edhe pse çdo banesë e shtëpi private, njëlloj e paguan ndriçimin publik në tërë Komunën e Kërçovës.
Këtu ka edhe dukuri tjera shumë me rëndësi që sigurisht ua tërheqin vëmendjen shumicës kërçovare,por që për arsye të ndryshme edhe nuk gjejnë adresën e duhur për ta shprehur atë që i mundon.
Frekuentimi i komunikacionit rrugor është i orientuar në periferi të qytetit që për të hyrë në qendër duhet medoemos të gravitoni kah perëndimi, pra ka bulevardi kryesor i Kërçovës, i cili është mjaft i ngarkuar, e ndërsa pjesa verilindore ka një hyrje tepër të cunguar,dhe atë në një kahe ,ku frekuenton pjesa më e madhe e popullsisë, e banuar kryesisht me popullsi shqiptare, si edhe nga dy komunat rurale si ajo e Osllomesë dhe e Zajazit me rreth 23 000 banorë.
Tash vërehen edhe lokale të shumta e të zbrazëta afariste në këtë pjesë të qytetit që dikur ishin përplot me mallra, dhe ishte rëndë që të gjeje ndonjë lokal të zbrazët. Për këtë shkak, tash biznesi kërçovar është orientuar në dy anët e bulevardit të qytetit prej tek sheshi i cunguar e deri tek semaforët e stacionit hekurudhor. Lokacioni i një rrethqarkullimi rrugor gjendet në afërsi të Komunës së Kërçovës, ku komunikacioni rrugor nuk është i dendur, në vend se te ishte diku ne pjesën tjetër ku frekuentimi është edhe më shumë i ngarkuar. Në pjesën veriore të qytetit nuk gjen dot parkingje automjetesh, parqe, e lëre më të bisedohet për sinjalizimin e rrugëve, të cilat dukshëm reflektohen në afarizmin e qytetarit. Me këtë rast i është humbur vlera ekonomike e pjesës veriore të qytetit të Kërçovës dhe zhvillimi i pjesës jugore të saj e banuar kryesisht me popullsi joshqiptare.
Aspekti i veprimtarive të qytetit, gjithashtu, është disperziv. Lokacioni i objekteve me rëndësi ekonomike si Tane Caleski, Oteksi, Zhito Karaormani, Hotel Unioni, gjykata, shkolla e mesme, spitali, komuna, tash fakultetet e disperzuara e të tjera, janë të dislokuar në pjesën jugore, ndërsa ajo veriore e qytetit nuk ka asnjë kapacitet me rëndësi ekonomike, përveç atij të sektorit privat me modesti, por për pjesën veriore “pasuri e veçantë dhe privilegj” mbetet kazerma dhe policia.
Lugina e Kërçovës është njëra ndër hapësirat më të pasura, jo vetëm me resurse natyrore, por edhe me vlera të mëdha etnografike si doket, zakonet, veshjet, këngë të bukura burimore që rrallë mundë të krahasohen me hapësira tjera etnografike etj, që të jep mundësinë e organizimit të manifestime të ndryshme kulturore, por që, ja edhe kjo s’lëviz nga vendi.
Të lë përshtypjen se sikur ky vendbanim urban anashkalohet edhe nga organizimet e aktiviteteve të ndryshme nga komunat tjera. Shumë irituese por edhe ofenduese është kur në hartat sinoptike për parashikimin e motit në disa televizione se gjen dot Kërçovën.
Po të vërehet aspekti fizionomik-morfologjik i pjesës së vjetër te qytetit të lë përshtypjen se ajo dëshiron ta ruajë “besnikërinë e lashtësinë” e saj, e të mos themi “Uskanën e vjetër”, meqë nuk investohet aspak nga Komuna me përjashtime të vogla nga sektori privat. Këtu në Kërçovë thuhet një proverb i vjetër kur thotë: “Nuk ka luajtur o vëlla nga vendi”. Kjo asimetri e shpërndarjes së infrastrukturës, veprimtarive dhe pamjes fizionomike-morfologjike të këtij lloji, sjell tek një zhvillim parcial të qytetit dhe stagnimin e pjesëve të tjera, e sidomos në rritjen e papunësisë, dhe emigrimin e tyre në vendet perëndimore për sigurimin e ekzistencës, dukuri që sa vjen e rritet me pasoja të mëdha katastrofave, e sidomos me liberalizimin e vizave nga BE.
Politika urbane duhet të mbështetet nga pushteti me qëllim të një revalorizimi të të gjitha pjesëve të saj, sidomos atyre më pak të zhvilluara me qëllim të barazisë midis tyre, në të gjitha pjesët e saj, me qëllim të një frymëmarrje sa më të lehtë të qytetit, e madje pse të mos të merren edhe përvoja evropiane sikurse disa qytete të tjera në Republikë. E kjo ka rëndësi të madhe meqë do të siguronte dhe do të përforconte një kohezion shoqëror dhe social në këtë ambient urbanistik.
Rezymeja e përbashkët e gjithë kësaj, apo emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre fakteve është ajo që quhet vetadministrim lokal i Kërçovës, por edhe atyre në nivel ministror shikuar nga këto aspekte. Kjo pasqyrë duket sot kështu, ndërsa pas katër apo tetë viteve, e të mos bisedojmë më vonë,ajo do të jetë qytet një dimenzional, pra me pasoja katastrofale që do t’u përngjajë disa qyteteve të tjera në rajon.