Komisioni Evropian ka bërë gati raportin me vlerësimet për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Komisioni vlerëson se Shqipëria ishte e vonuar në plotësimin e kushteve, pasi shumica e legjislacionit u miratua vetëm në tre muajt e parë të 2010-s, ndërsa kriteret ishin përcaktuar që më 4 qershor 2008, dy vjet më parë. Ndërsa nënvizon se kriteret përgjithësisht janë plotësuar në letër, raporti kërkon të shohë zbatimin në praktikë të ligjeve. “Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar, për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit; kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete dhe zbatim efikas të kuadrit ligjor; për emigracionin duhet monitorim dhe koordinim i mëtejshëm për strategjinë kombëtare; duhet të garantohet dhe zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumente identifikuese; sistemi MEMEX është operacional, por duhet të eksplorohet potenciali i plotë i tij”, thuhet në raport. Për trafikun e qenieve njerëzore vlerësohet se shumë pak çështje i kaluan gjykatës gjatë vitit 2009. Kërkohet zbatim i mëtejshëm i Konventës së Këshillit të Evropës ndaj këtij fenomeni, veçanërisht për të integruar dhe shkolluar fëmijët e trafikuar, si dhe duhet parë zbatimi i ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit. Për KE ka pasur progres sa i përket teknologjisë, por kërkon trajnimin e kapaciteteve njerëzore, sidomos policisë. “Policët kufitarë duhet të trajnohen për çështje specifike, për të rritur aftësitë e tyre. Kërkohet forcim i kapacitetit investigues për policët dhe prokurorët që mbulojnë çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Operacionet e njësisë së krijuar në Policinë e Shtetit, falë ligjit antimafie, duhet të koordinohen me ato të hetuesisë dhe stafi duhet trajnuar siç duhet. Nevojiten më shumë trajnime të specializuara në Policinë e Shtetit dhe ndërrimet e shpeshta të personelit të trajnuar duhet të reduktohen. Duhet trajnuar policia dhe prokuroria në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor, për të rritur vetëdijen e sistemit të përbashkët operues për çështje të trafikut ilegal”, thuhet në këtë raport të KE-së.

Ligjet e miratuara

“Ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit u miratua në shkurt 2010; plani i aksionit ndaj korrupsionit u miratua në mars 2010; ligji antimafie u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në janar 2010; plani i ri i aksionit kundër drogës u miratua në mars 2010; ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt 2010; në fushën e azilit, rregullat për apel u qartësuan me udhëzim ministror në mes të shkurtit 2010”, përmenden në 44 faqet e raportit.

Rekomandimet e KE

Të forcohen kapacitetet e agjencive që merren me trafikun e qenieve njerëzore.

Për trafikun e drogës duhen zhvilluar më tej metodat investiguese, që çojnë në hetime më komplekse.

Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste kërkohet që të përmirësohet në disa fusha.

Të miratohet një strategji me masa konkrete, për të lehtësuar kthimin dhe integrimin e personave të riatdhesuar.

Të miratohet ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Administrimin e Aseteve të Konfiskuara.

Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet të rritet, veçanërisht për luftën ndaj krimit të organizuar.

Amendimet në ligjin për Policinë Gjyqësore duhet të garantojnë autonominë e oficerëve të kësaj policie brenda kuadrit të Prokurorisë.

Duhen përcaktuar qartë kompetencat dhe të diferencohen çështjet që i takojnë Policisë së Shtetit nga struktura e 6 njësive të hetimit të përbashkët rajonal kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Shqipëria duhet të plotësojë dhe dy rekomandimet e bëra nga GRECO, struktura e Këshillit të Evropës për luftën ndaj korrupsionit”.