Katër vjet provokime
Provokimet etnike filluan në 2006 kur Qeveria përbëhej nga koalicioni VMRO-DPMNE e PDSH, derisa me avaz identik vazhdoi edhe me partneritetin VMRO-BDI. Rasti i Brodecit, zgjedhjet e përgjakshme të 2008-s, botimi i Enciklopedisë, si dhe projekti qeveritar “Shkupi 2014”, janë vetëm disa nga provokimet iniciuar nga kryeministri aktual Gruevski
Katërvjeçari i fundit mund të konsiderohet si kulmi i provokimeve të raporteve ndëretnike në Maqedoni. Moratoriumin që kryeministri aktual, Nikolla Gruevski ka shpallur ndaj çështjeve shqiptare, edhe më tepër ka ndezur fitilin e këtyre raporteve maqedonase-shqiptare.
Filloi në 2006 kur Qeveria përbëhej nga koalicioni VMRO-DPMNE e PDSH, derisa me avaz identik vazhdoi edhe me partneritetin VMRO-BDI. Kryeministri aktual nuk ndryshoi politikën. Sa për ilustrim, gjatë qeverisjes 2006-2008, ndodhi rasti i Brodecit ku u vranë gjashtë veta, ndërsa 13 civil asaj ane u arrestuan dhe u dënuan me gjithsej 192 vjet burg. Opinioni i gjerë është i njohur madje me zgjedhjet e përgjakshme të vitit 2008, derisa ky provokim vazhdoi edhe në aspekte tjera. Ishte edhe botimi i Enciklopedisë ku shqiptarët u paraqiten në formën më të përçudnuar të mundshme si dhe “Shkupi 2014” që ishin kulmi i këtyre provokimeve.
Sipas analistit Alajdin Demiri, situata e këtillë e tendosur është një realitet të cilin Gruevksin me mjeshtëri e menaxhon. Sipas tij, lojtarët shqiptarë Thaçi e Ahmeti, janë vetëm koautorë të këtij dirigjimi dhe siç shton “marrin pjesë aktive në tendosjen e këtyre situatave politike”.
“Në të vërtetë është hakmarrja e kryeministrit për atë që ndodhi në 2001 dhe për guximin që patën shqiptarët të bëjnë një luftë. Ajo hakmarrje është modifikuar e kamufluar mirë, mirëpo nuk fshihet ajo që nga larg duket. Dhe, gjithsesi se kjo do rezultojë me animozitet ose destabilizim të ardhshëm. Këto janë arsyet që Gruevski nuk dëshiron ta demokratizojë Maqedoninë, nuk dëshiron të zhvillojë raporte normale dhe nuk dëshiron ndoshta edhe ta federalizojë Maqedoninë, që në një farë forme do ishte zgjidhje afatgjate dhe stabile”, ka thënë Demiri.
Madje, sipas analistit tjetër Jeton Shasivari, është fakt se raportet ndëretnike që nga vitit 2006 shënojnë përkeqësimin e raporteve, derisa në dy vjetët e fundit është kulmi. Faktori kryesor për këtë, sipas tij, është moratoriumi ndaj çështjeve ndëretnike, i shpallur nga vetë Gruevksi në 2006, në kuptimin e asaj se Qeveria e tij do të merret vetëm me çështje ekonomike dhe sociale, jo edhe ata ndëretnike. “Por, në realitet Gruevski këtë moratorium e shfrytëzon vetëm për vete dhe këtë e zbaton vetëm ndaj shqiptarëve, jo edhe për maqedonasit. Për këtë arsye ai me sukses të lartë i realizon të gjitha kërkesat dhe nevojat etnike të maqedonasve. Pra, është fakt se si pasojë e kësaj politike, pjesa dërmuese e shqiptarëve sipas disa sondazheve, nuk pajtohen me politikat e tilla të Gruevskit, me ç’rast edhe polarizimet ndëretnike janë më të shprehura se kurdoherë”, ka thënë Shasivari. Sidomos, shton ai, pasi të bëhet e qartë se Gruevski dhe struktura e tij nuk ka ndërmend të zgjidhë kontestin e emrit me Greqinë në mënyrë që të zhbllokohen proceset integruese dhe kjo, siç shton Shasivari, “është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet shtetit për shkak se nëse për diçka ekziston konsensus ndëretnik midis maqedonasve e shqiptarëve, ai ishte integrimi në NATO e BE”.
BOX
Politika antishqiptare
– Loja me partitë shqiptare kush do futet në qeveri
– Devalvimi i partnerëve shqiptarë në koalicion
– Moratoriumi dyvjeçar për çështjet etnike
– Ligji i cunguar për përdorimin e gjuhës shqipe
– Ligji për stimulimin e natalitetit vetëm te komunat maqedonase
– Injorimi i Shqipërisë dhe Kosovës
– Injorimi i nevojës për ligjin e familjarëve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së
– Stimulimi sistematik i incidenteve zgjedhore te shqiptarët
– Enciklopedia fyese për shqiptarët
– Shkupi 2014
– Buxhetet etnocentrike
– Maqedonishtja nga klasa e parë
– Evidenca pedagogjike në maqedonisht