image

Gjithë kohën aleatët strategjik tanët (së paku ashtu ata na konsiderojnë) i bëjnë lutje Zotit që udhëheqësve tanë t’ua kthejë mendjen e cila, si duket, shumë lartë u ka fluturuar, por më kot kur lutjet nuk zënë vend kur janë në pyetje ateistët. Këtyre akoma u pëlqejnë “këngët” e të njëjtëve që mesazheve qëllimmira nga miqtë tanë strategjikë para 2001 u vënin bisht apo i pritnin në thikë. Akuzonin Brukselin dhe Uashingtonin për gjoja përzierje në punë të brendshme të Maqedonisë, për gjoja veprim të paskrupullt kërcënues dhe frikësues ndaj popullatës së këtushme për gjoja konspiracion në favor të shqiptarëve etj. Tani serish jemi në udhëkryq, në mes asaj që është racionale dhe nacionalizmit destruktiv, i cili tani dy dekada na mban peng të ngatërruar në rrjetin e thurur nga liderë me zemër të vogël, me mendje mesatare dhe me ambicie të mëdha.

Mersel BILALLI-Nisur nga logjika se budallait duhet lëshuar rrugën, pa demonstruar prezencë, atëherë shumë shpejt të gjitha rrugët do të jenë të tija, kështu që s’do të kemi kah të lëvizim

Ja tani dy dekada, aq sa zgjat pjesa më kreative e jetës, jemi pjesë e një magjie të zezë të imagjinuar nga liderë të cilët në vend që problemeve t’u gjejnë zgjidhje, zgjidhjeve u gjejnë probleme. Si duket, do të na duhet kohë sa të kuptojmë që më e logjikshme është që kur këta liderë të hapin gojën ne duhet t’i mbyllim veshët. Atëherë do të mund të flasim për shpëtim nga vuajtjet dhe për çlirim të shpirtit, për ikje nga errësira dhe për dalja në dritë, për përshëndetje me të kaluarën dhe për përqafim të së ardhmes. Tani për tani mbetemi peng i energjisë së “ndritshme” nga programi famoz apo famëkeq “njëqind hapa”, i cili njerëzve u premtoj shkëlqimin, kurse u siguroj terrin. Ideologji të tilla, madje edhe kur të hasin në ndonjë dritë në fund të tunelit, menjëherë vrapojnë që ta shuajnë, sepse bëhet fjalë për kod mental të bazuar në fuqitë e errëta dhe aty është e padëshiruar drita.

Premieri u në stilin e “vozhdit” të ndjerë serb tregoj se s’ka forcë që mund ta detyrojë që të bëjë lëshime për emrin. Dhe se ashtu menduakan dy milionë njerëz që paskan ndjenjat e veta që aspak nuk u dalluakan nga ato të premierit. Askush nga politikanët tanë nuk u thirr në ndjenjat e elektoratit të vet. Mbetet të mendojmë se ndoshta ata nuk kanë ndjenja. Mungesa për një kundërvënie frontale paraqitjes anakrone të premierit, sikur tregon dakordimin tanë të heshtur jo vetëm për devalvimin e proceseve euroatlantike, por edhe për nënçmimin e të gjithë atyre që nuk mendojnë si kreu i VMRO-së. Në fakt, ai tregoj se është patron i pakontestuar, jo vetëm i Qeverisë, por edhe i të gjitha institucioneve të tjera, madje edhe i vetë shtetit. Nisur nga logjika se budallait, duhet lëshuar rrugën, askush nuk përdori as mjetet elementare demokratike për demonstrim të prezencës, që deklaratat e pamatura të përfundojë atje ku e kanë vendin. Nëse budallait i lëshohen të gjitha rrugët, shumë shpejt do jenë të gjitha të tija dhe s’kemi kah lëvizim.
Shthurja afrohet, por vetëm modalitetet mbeten akoma të paqarta. Nëse ne nuk dimë apo nuk dëshirojmë t’i luajmë lojërat politike, shthurja mund të përfundojë me kataklizma. Nga kjo do të varet se a do të ndodhë shthurja nën rretë e zeza apo nën qiellin e kthjelltë, nën mashtrimin e gëzueshëm apo nën të vërtetën e hidhur, nën rrugën e djallit apo nën atë të Zotit. Po ashtu, shtrohet dilema se a do të pushojë definitivisht premieri që me metoda teatrale të dëshmojë para popullatës së lodhur e të varfëruar, se mbetet faktor i fundit që akoma nuk ka lëshuar pe lidhur me çështjen e emrit. Para së njëjtës popullatë të cilës nuk i jep më tepër vlerë se një grup votuesish të thjeshtë. Së fundi, do të pushojë premieri që timonin e anijes ta orientojë drejtë santa akullit të rrezikshëm, i udhëhequr me lajthitjen se anija e tij është më e fortë se sa akulli nga i cili pësoj Titaniku.

Populizmi, nacionalizmi dhe klerikalizmi vazhdojnë të jenë aperitiv dhe desert i preferuar në menynë e politikës ditore në kuzhinën politike të premierit. Ai vuan (apo aktron se vuan) nga nevoja hipohondrike që ta mbrojë popullin e tij nga rreziqe të cilat vetëm atij i janë të dukshme. Kurse, po të njëjtit popull rreziqet më të mëdha i vijnë po nga i njëjti premier, i cili fatkeqësinë e vet e përjeton si fatkeqësi të të gjithë popullit. Historia është përplot me udhëheqës që kanë pasur zemër të vogël, mendje mesatare dhe ambicie të mëdha. Një kombinim i tillë, gjatë historisë u ka kushtuar tragjedi qindra miliona njerëzve.

Tani në çdo kënd lutje njerëzish – dhëntë Zoti të kemi paqe. Por, paqja nuk nënkupton vetëm mungesë konflikti. Nuk kemi paqe nëse varfëria troket në shumë dyer të vogla si pasojë e grabitjes nga ata të dyerve të mëdha, nuk ka paqe nëse institucionet e shtetit janë totalisht të uzurpuar, mediume të kontrolluara, shoqata joqeveritare të dirigjuara, sindikata të manipuluara, nuk kemi paqe kur servohet urrejtja në vend të progresit, kur trazohen shpirtrat, kur heshtet ndaj padrejtësive, kur shkelet dinjiteti i njeriut, nuk kemi paqe atje ku priftërinj e hoxhallarë në vend të dashurisë shpirtërore, praktikojnë urrejtje dhe kriminal, nuk ka paqe aty ku njerëzit s’kanë kohë të gërmojnë tokën pasi janë të zënë duke gërmuar sytë njëri-tjetrit. Paqja është diçka që është krejt në të kundërtën. Paqja është aty ku ka zgjidhje të problemeve. Duhet kuptuar se rruga drejt zgjidhjes së problemit është vetëm një, kurse nga problemi e në drejtim të kundërt çojnë qindra rrugë, e që të gjitha përfundojnë në ferr.

Mesazhet e fundit nga dashamirët strategjikë janë sa serioze aq edhe shqetësuesee. Edhe durimi i tyre ka fundin e vet. Nuk është e tolerueshme që interesa individësh vite me radhë të jenë në kolizion me strategjitë dhe gjeopolitikat e lojtarëve botërore kyç. Jashtë këtij rreshtimi kemi vetëm të keqen. Maqedonia është tepër e vogël për këso lojërash të mëdha. Tani më jemi shndërruar në faktor potencial për destabilizim rajonal. Në brendi jemi para një detonacioni të fuqishëm social, etnik dhe fetar. Kur këtyre t’ua shtojmë edhe ambientin ekonomik dhe institucional gjer në fund të kriminalizuar, atëherë me të drejtë do të duhet të konstatojmë se jemi para një kaosi të vërtetë. Tani më ekonomia jonë i ngjason asaj të Burkina Fasos, fëmijët na zhduken sikur të jemi Kolumbi, njerëzit vriten sikur në Afganistan, kurse bankat grabiten sikur në Somali.

Premieri definitivisht do të duhet të përcaktohet se a mbetet edhe më tej me Maqedoninë antike apo evropiane, a do të predikojë histori të rrejshme apo realitet të hidhur, a do të merret me përmendoret e vdekura apo me njerëzit e gjallë. Ky vit do të jetë krucial për politikën e tij, por edhe për ardhmërinë e të gjithë neve këtu. Ai tani e ka shansin që të mbetet në histori apo të shkojë në histori. Dhëntë Zoti që për shkak të kësaj të fundit të mos përfundojmë të gjithë në aso historie. T’i lërë përmendoret dhe t’u kthehet problemeve. Në të kundërtën, fare lehtë mund të ndodhë që të mbetet ndonjë monument që do të dëshmonte për një çmenduri individuale dhe kolektive.

Miku më i mirë i së vërtetës mbetet koha, kurse kundërshtarë më të mëdhenj të saj mbeten mashtrimet dhe paragjykimet. Shqiptarët vazhdojnë të shoqërohen me vetëmashtrimet