Janjiq: Kompromisi e shpëton rezolutën
Beograd, 29 gusht – Nëse nuk arrihet kompromisi rreth rezolutës, Serbia me siguri do të pësojë disfatë në Asamblenë e Përgjithshme të KB, është shprehur Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, njofton B92.
Janjiq është i bindur se asnjë shtet i rajonit në Asamblenë e Përgjithshme nuk do të mbështesë versionin aktual të rezolutës për Kosovën që e ka dorëzuar Serbia.
“Aktualisht nuk është më e rëndësishmja se si do të duket teksti i rezolutës, por që të pengohet konfrontimi i mëtejshëm i Serbisë me Brukselin. Politika që po zhvillon Tadiqi ka nisur të përjashtojë perspektivën evropiane të Serbisë”, vlerëson Janjiq.
Ai ka shtuar se “Gjermania u përpoq t’ia thotë Serbisë se përveç problemit të Kosovës ka edhe shumë probleme të tjera dhe që të mos komplikohet më tutje situata, së paku jo rreth Kosovës, rreth së cilës të gjithë pajtohen se nuk pajtohen”.
Paralajmërimi i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për konsultimet e Serbisë me Brukselin e Washingtonin, dhe mundësinë e kompromisit rreth rezolutës për Kosovën që ia ka dorëzuar Asamblesë së Përgjithshme të KB, ka ndeshur në reagime të ndryshme në Serbi.
Kryetarja e Këshillit të Politikës së Jashtme, Sonja Liht, ka vlerësuar se qëllimet jo fleksibile rreth kësaj nuk janë të mençura e as të pranueshme në afat të gjatë. Por sipas saj, në atë dokument ka gjëra thelbësore, nga të cilat Serbia nuk mund të heq dorë.
Çështja e shqyrtimit të versionit aktual të rezolutës serbe për ish-ambasadorin në Francë, Predrag Simiç, paraqet moment të rëndësishëm, meqë në fokus ndodhen dy qëllime kryesore të politikës së jashtme të vendit – mbrojtja e integritetit territorial dhe procesi i mëtejshëm i afrimit nga BE-ja.
Paralajmërimin e bisedimeve me BE-në e ka dënuar ashpër Partia Demokrate e Serbisë (DSS), e cila ka thënë se pranimi i Serbisë për negociata me BE-në paraqet “akt kapitullues të dorëzimit të interesave shtetërore e nacionale”.
Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Tomisllav Nikolliq, ka thënë se “do të provonte” që bashkë me Brukselin të hartojë Rezolutën për Kosovën, për të siguruar kështu mbështetjen e shumicës me rastin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të KB.
“Mendoj se atë shumicë ne e kemi në kokat e popullit dhe të shtetarëve që e përfaqësojnë popullin në Asamblenë e Përgjithshme të KB, por në votim, nëse do të kemi kundër haptas qëndrimin e SHBA-së, BE-së, Japonisë, nuk mund të sigurojmë shumicën për atë tekst të rezolutës”, është shprehur Nikolliq. Ai ka shtuar se askush nuk ka të drejtë që në emër të Serbisë të thotë “nuk kemi dashur me ta të hartojmë rezolutën, nuk pajtohemi dhe është e pamundur të hartohet”. Ai ka thënë se tani rreth Kosovës na duhet “konsensusi nacional”. “Ne duhet ta kemi të qartë se në Kosovë është stabilizuar njëfarë pushteti kosovar, por ne asnjëherë nuk guxojmë të pranojmë se ajo është bërë shtet. Dhe ne duhet me çdo kusht ta ruajmë sovranitetin juridik mbi katër komuna në veri të Kosovës. Duhet të bisedohet me përfaqësuesit e fuqive të mëdha, t’u thuhet se shqiptarët nuk mund t’i marrin ato, meqë do të futemi në konfrontim të ashpër, konflikt që do ta mbështeste SNS-ja”, është shprehur Nikolliq. Ai ka saktësuar se shteti duhet të mbrojë veriun e Kosovës.
“Ne po shihet qartë më nuk mund të mbledhim tatimin në Kosovë, nuk mund të zbatojmë ligjet tona, Kushtetutën tonë, të gjitha këto unë i pranoj. Megjithatë, ajo është territor i yni derisa të mos dalë një njeri e të thotë se nuk është më dhe ta nënshkruaj këtë si person zyrtar i zgjedhur. Por, edhe kjo do të dështonte para Gjykatës Kushtetuese, meqë Kushtetuta e Serbisë, Kosovën e definon qartë si pjesë të territorit të Serbisë”, është shprehur kryetari i SNS, Nikolliq.