Ish-deputeti i PD, Hoxha: Nuk drejton Basha, partia po shkon drejt përçarjes
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, thotë se Lulzim Basha e ka nisur mbrapsht me fushatën e zgjedhjeve në PD. Sipas tij, njerëzit që shkaktuan humbjen e PD-së, janë duke udhëhequr sërish fushatën brenda partisë.“Dhe këta njerëz nuk kanë moral të drejtojnë analizat mbi problematikën e zgjedhjeve nëpër rrethe apo nëpër qarqe. Kjo është “disfata”. Prandaj them se ky fillim nuk është i ri,” tha ai për Channel One.
Hoxha thotë se edhe PD ka blerë vota, ndërsa shton se politika është shumë e kriminalizuar.
“Kjo nuk është dukuri e re. Edhe na kanë blerë, edhe kemi blerë në vite. Është mëse e vërtetë. Por fenomeni i blerjes së mandatit të deputetit është i hapur në Shqipëri. Sot ne kemi një shkallë të kriminalizimit të politikës dhe të parlamentit që i shkon për shtat krahasimit vetëm me Kolumbinë apo Meksikën, ku qeveria në vazhdimësi bën negociata me grupet rebele,” tha Hoxha.
Hoxha thotë se Berisha duhet ta lërë Bashën që të drejtojë PD-në, ndërsa hedh dyshime se kjo parti mund të përçahet.
“Ky zë që po flas unë nuk është zëri i vetëm. Nëse vijon në këtë linjë, detyrimisht do të ketë ndarje”.