Integrimi Maqedonisë në BE, dëshirë apo nevojë???
Imer Dervishi-Integrimi i Maqedonisë drejt BE-së, nuk mund të lëvizë pa u integruar në radhë të parë vetë Qeveria, spektri i përgjithëshëm politik, gjyqësia, mediat dhe mbarë shoqëria civile. Të ecësh rrugës së proceseve integruese nuk është vetëm një çështje dëshire, por paraqitet si nevojë, si detyrim dhe parasëgjithash si një moral politik. Maqedonia me gjithë sugjerimet që vijnë nga qendra të ndryshme të vendimarjes, se procesi eurointegrues për vendin është imediat dhe i pa alternativë, ajo, në fakt elitat udhëheqëse të sajë vazhdojnë me kokfortësi të mos ndryshojnë kursin e veprimeve dhe hapave që duhet ndërmarë që kjo aspiratë edhe të bëhet e realizueshme.
Maqedonia akoma vazhdon të jetë një shoqëri ku manipulimi më i madh bëhet në emër të popullit, një shoqëri ku injoranca dhe dhe mediokriteti zë vendin kryesorë drejt konsolidimit të vendit dhe raporteve ndëretnike dhe ndëfetare, një shoqëri ku ideologjia partiake në derë të madhe hyn dhe plasohet si ideologji dhe si koncept shtetërorë, në një shoqëri ku sistemi i vlerave është i përmbysur, në një shoqëri ku rekomandimet për ndryshimin e legjislativës dhe përputhjes së sajë me ate të BE-së, has në refuzim dhe indiferencë të skajshme, në një shoqëri ku vërejtjet dhe letrat që vijnë nga institucionet e BE-së, humbasin labirinteve institucionale duke mos u ndier fare përgjegjësi për këtë, në një shoqëri ku nuk lejohet liria e shtypit, e organizimit dhe e protestës, në një shoqëri ku nuk ekziston ndarja e pushteteve në atë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqsorë ( këta tre pushtete vështirë se dikush mund ti dallon, pasi të gjitha janë nën diktatin dhe kontrollin e plotë të ekzekutivit ), në një shoqëri ku Marveshjes së Ohrit aspak nuk i kushtohet vëmendje edhe pse e njeta është parakusht për integrimin e vendit, dhe kur e njejta në të gjitha segmentet apo anekset ka dështuar edhe atë; në pjesën ku flitet për procesin e decentralizimit, atë të përdorimit të simboleve, të përdorimit të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, atë të përfaqësimit adekuat dhe proporcional dhe atë të risocializimit të pjesmarësve në konflikt ( pra kryekëput e dështuar ), në një shoqëri ku akoma kusht i vetëm për punësim në sektorin publik dhe atë institucional është përkatësia partiake, e të tjera defekte dhe veçori që shoqërojnë përditshmërinë e realitetit të Maqedonisë. Nga këtu vështirë të shihet epilogu i procesit integrues, pasi institucionalizimi i këtyre tipareve është shëndruar në digë e cila pengon çdo alternativë integruese.
Me fjalë të tjera të jetosh në Maqedoni në ktë situatë të krijuar politike, arma e vetme që duhet të kesh me vehte është DURIMI, kam fjalën për shqiptarët, kurse sa u perket maqedonasve ata këtë ves të durimit e kanë që nga lindja andaj edhe pjesa dermuese e emrave te tyre duke përfshi edhe heronjtë mitik të tyre perfundon me ,,TËRPE,, (në shqip – Durim). Sa do të zgjat ky durim, tash më është më se e qartë se kjo s’mvaret nga ne. Nëse bëhet një retrospektivë pak më e afërt e aspiratave eurointegruese të Maqedonisë, mund të konstatohet se Bashkimi Europian, mjaft tolerues është treguar kundrejt Maqeonisë, dhe se këtë përkëdhelje, asnjë vend s’e ka gëzuar dhe se vështirë se do ta gëzon në të ardhmen, mirëpo edhe ky fakt nuk e inkurajon politikën aktuale vendore që të ndërmarë hapat e nevojshëm. Sa jemi te durimi duhet të bëjmë dallim mes ,, durimit Europian,, dhe ,, Durimit Ballkanik-Maqedonas,, se durimi Europian për dallim nga ai i Tërpes ka kufij. Kufijt e këtij durimi u pasqyruan në Samitin e fundit të Qershorit ku Maqedonia bashkë me Islandën ishin vendet favorite dhe të vetme që duheshin të marin datë për fillim të negociatave me Bashkimin Europian, mirëpo shkaku i mosgadishmërisë së elitave udhëheqëse për kompromisin e nevojshëm, bëri që durimi europian të humbasë e që rezultoi me mospërfshirjen e maqedonisë edhe në rendin e ditës të Samitit. Mospërfirja në rendin e ditës për një vend aspirant dhe deri më parë lider i grupit të shteteve të ballkanit perëndimorë në procesin e eurointegrimeve flet shumë.
Këtu nuk bëhët fjalë për presion ndërkomëtarë apo të fqiut jugorë, por thjeshtë për humbje durimi, që procesi të jetë pafund dhe pa epilog. Në gjithë këtë odisedadë të bllokimit të procesit integrues, roli i faktorit politik shqiptarë që përfaqëson shqiptarët në ekzekutiv është minimizues dhe i padukshëm edhe përkundër faktit që 100% e shqiptarëve janë PRO proceseve integruese, por njëkohësisht edhe për zgjidhjen e statusit të tyre brenda përbrenda kufijve ekzistues të shtetit dhe institucioneve shtetërore. Gjithsesi në ktë situatë, nuk duhet minimizuar edhe rolin e faktorit ndërkombëtarë me theks të veçantë atij të përfaqësuesit Europian në Maqedoni, që deri më tani ka kontribuar që raportet për Maqedoninë kryesisht të jenë pozitive edhe pse realiteti ndoshta ishte pak me ndryshe për sa i përket politikës së brendëshme në vend, reformave, marëdhënieve ndëretnike, respektimit të të drejtave dhe shtetit ligjorë. Nuk flas për përgjegjësi por për ryshqyrtim të politikave dhe metodologjisë kundrejt pregaditjes së raporteve të vendit, për përparimet që bën në rafshin integrues.