Lëvizje me letërnjoftime me Shqipërin
Ambasada e Shqipërisë në Shkup sot është njoftuar me rastet e moslejimit të kalimit të shtetasve shqiptarë me karta identiteti drejt Maqedonisë nga ana e autoriteteve maqedonase.
Sipas ambasadës, janë ndërmarrë të gjitha masat për të evituar këtë situatë, e cila pasoi për shkak të mos informimit të autoriteteve kufitare nga ana e Maqedonisë.
“Prej ditës së sotme qytetarët e dy vendeve tona kanë edhe një hapësirë më të gjerë për lëvizjen e lirë, ata do të lëvizin edhe me karta të identitetit, si kjo këtu. Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Brendshme e Shqipërisë kanë njoftuar të gjitha pikat e kalimit kufitarë me Republikën e Maqedonisë për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, po ashtu edhe Ministria e Jashtme e Republikës së Maqedonisë ka kryer procedurën e saj për njoftimin e pikave të kalimit kufitarë”, theksoi ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben ]ejku.
Sipas ambasadës shqiptare, pala e Maqedonisë sot pasdite po informon të gjitha pikat kufitare për hyrjen në fuqi të marrëveshjes për lëvizje të lirë me karta identiteti.
14: 40 – Në një komunikatë të MPJ-së theksohet se prej sot hyn në fuqi Marrëveshja midis qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë për udhëtim të qytetarëve me letërnjoftime biometrike.
MPJ vlerëson se kjo marrëveshje edhe një herë vërteton marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, mundëson komunikim më të mirë midis qytetarëve të të dyja vendeve mike, si dhe zhvillimin e turizmit dhe ndërtimit të partneritetit në frymën e vlerave evropiane.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha lidhur me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se kjo marrëveshje është një hap i shumëpritur të qytetarëve të të dyja vendeve, pasi që mundëson komunikimin dhe lidhjet më efikase midis dy vendeve. “Kjo marrëveshje është pjesë e synimeve tona që në të ardhmen sa më shpejt të kemi edhe Marrëveshjen me Kosovën dhe vendet e tjera”, theksoi zëdhënësi Hoxha.