image
Dështim i partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, si dhe pozita e saj nënçmuese dhe qëndrimet ekstreme të kryeministrit Gruevski dhe partisë së tij ndaj çështjeve shqiptare, por edhe moszgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë, janë problemet e vetme që ngadalësojnë proceset integruese të vendit. Kështu deklaroi kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani duke shtuar se parterët qeveritarë kanë mungesë të oferte për të dalë nga situata kur vendi po përjeton një bllokadë të integrimeve euroatlantike.
‘Politika shqiptare po përjeton krizën më të thellë, me poshtërimin më të madh për shkak të veprimit tejet nënçmues dhe inferior të partisë shqiptare në pushtet. Partia tjetër shqiptare parlamentare, në opozitë është jashtë parlamentit, po vazhdon helmimin e politikës shqiptare, me denoncime, sharje dhe ofendime duke i mbetur besnik dhunës politike brenda shqiptare. Ortakët qeveritar, VMRO DPMNE dhe BDI nuk kanë vullnetin, nuk kanë guximin politik që të zgjidhin këto çështje të hapura. Demokracia e Re kërkon që këto parti politike të japin dorëheqje dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.’, ftoi Imer Selmani, kryetar i DR-së.
Edhe kryetari i Rinisë së Demokracisë së Re, Visar Ramadani tha se arsyeja e vetme për mos anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE është kryeministri, Nikolla Gruevski.
‘Ne nuk do të lejojmë që një Kryeministër i vetë-pëlqyer dhe të ngjashmit me të, të na vrasin ardhmërinë tonë në integrimet euro-atlantike. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të zgjedhim mes kapriçove dhe obsesionit të tij personal për rejting të lartë dhe ardhmërisë së sigurt në NATO dhe BE. Ne e duam këtë të dytën! Nga këtu, i dërgojmë porosi të fuqishme edhe kryeministrit Gruevski edhe Qeverisë VMRO-BDI: o vetë-dijësohuni dhe punoni për të mirën tonë, o shkuat, do t’ju ndërrojmë ne!’, porositi Visar Ramadani, kryetar i Rinisë së Demokracisë së Re.
Thirrjet u lëshuan në Kongresit të parë të Rinisë së Demokracisë së Re, ku për kryetar me shumicë votash u zgjodh Visar Ramadani. Në këtë kongres të pranishëm ishin edhe përfaqësues të të rinjve të BDI, LSDM-së, PLD-së si dhe kryetari i rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Valmir Kuçi