Viti 2016 do të mbahet mend me një ngjarje letrare të veçantë: në Danimarkë, në gjuhën daneze, u botua libri “Kosova”. Autori i saj është Niels Henrik Hooge.

Ky libër voluminoz për Kosovën shpreh një dashuri për qytetarët, për përpjekjet për liri e të drejta, për çfarë autorit i mori disa vite punë këmbëngulëse për ta shkruar. Ky libër është një dëshmi e ngjarjeve në Kosovë, të para dhe të shkruara nga një danez. Duke shfletuar këtë libër, shihet se Nielsi ka mbajtur shënim për gjithçka që ka parë, ka dëgjuar në media e nga njerëzit, ka lexuar gazeta e portale, për çfarë shpesh duket si një kronologji e atyre ditëve të vrullshme të shndërrimeve të mëdha dhe autori dukej si një kronist që zor se i shpëtonte ndonjë gjë nga vëmendja.
Ky danez ka një veçanti: ishte ushtar i UÇK-së. Shpirti liridashës i Nielsit me shpërthimin e luftës në Kosovë nuk e la të rrinte duarkryq para atyre skenave nga masakrat e gjenocidi që ushtronin ushtria dhe falangat serbe ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Në pranverë të vitit 1999 iu bashkëngjitë radhëve të UÇK-së. Këtë vendim të tij, para nisjes, Nielsi e komunikoi denjësisht dhe me emocione para opinionit danez në kanalin qendror të televizionit danez.
Shumë këmbëngulës në vendimin e tij, Nielsi fillon rrugëtimin më të rrezikshëm dhe më të rëndësishëm në jetën e tij: iu bashkëngjitet radhëve të UÇK. Kështu, ai përjetoi luftën e pabarabartë nga afër, heroizmin e luftëtarëve të UÇK-së fitimtarë dhe në fund edhe ngazëllimin e të mbijetuarve nga lufta duke u kthyer në vatrat e tyre, në shumicën e rasteve të kthyera në rrënoja.
Me përfundimin e luftës Nielsi nuk kthehet në Danimarkë për t’u mburrur si fitimtar, por vazhdon të qëndrojë në Kosovë dhe nga afër t’i ndiejë përpjekjet sfilitëse të popullatës në rifillimin e jetës së re, ku shpeshherë me mundësitë e tij iu ndihmoi edhe personalisht. Këto dhe shumë përjetime të tij, autori i përshkruan në librin e tij më të ri “Kosova”, titull ky që, sipas autorit, i është dhënë për shkak të emrit zyrtar që ka vendi, përkatësisht shteti.
Libri është shkruar në formë romani. Autori bën përshkrime në nivele të ndryshme, të pamjeve, të ngjarjeve dhe të shumë portreteve të njerëzve me të cilët u takua, u njoh dhe bashkëpunoi. Me syrin e mprehtë të një të huaji, sjell edhe informacione të pasura të dorës së parë. Për shembull, në të gjendet edhe numri i saktë i 876 varrezave masive në Kosovë.
Në libër përshkruhet, gjithashtu, edhe angazhimi i vet autorit në lëmin e mbrojtjes së ambientit në Kosovë. Duke qenë një natyrëdashës, Nielsi u anëtarësua në Partinë e të Gjelbërve të kryesuar nga Daut Maloku, ashtu që nëpërmjet saj ta jepte kontributin e tij markant për ndalimin e ndotjes së ambientit nga shkritorja e plumbit dhe zinkut në Zveçan, gjegjësisht mbylljes së shkritores që kontrollohej nga serbët. Si ndëshkim i këtij angazhimi, vjen deri te hedhja e një granate në pjesën e Parlamentit të Kosovës, aty ku ishte edhe zyra e Partisë së të Gjelbërve të Kosovës.
Nielsi duke qenë edhe aktivist me përmasa ndërkombëtare i mbrojtjes së ambientit, për sensibilizimin e gjendjes së rëndë të ndotjes në Kosovë, arrin në Prishtinë të organizojë dy konferenca ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes së ambientit.
Romani përfundon me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj nga shumë shtete kryesore të botës.
Mesazhi kryesor i librit është se ia vlen mbështetja e lëvizjeve çlirimtare dhe lufta për liritë dhe të drejtat e njeriut kudo në botë.
Libri ka gjithsejtë 563 faqe dhe është botuar nga shtëpia botuese daneze “Mellemgaard”.