Hoyt Brian Ji në Shqipëri: Partitë që vetëpërjashtohen nga zgjedhjet, vetëdëmtohen
Zëvendës Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Ji gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri u ka prezantuar partive politike edhe njëherë paketën e propozimeve që prezantuan negociatorët Mcallister e Flekenshtejn para dy javësh, duke deklaruar se ai është një propozim i mirë. Gjatë një takimi pune me përfaqësues të mediave, Hoyt Ji tha se pavarësisht nëse opozita merr pjesë ose jo, në zgjedhjet e 18 qershorit, nëse ato certifikohen si të rregullta nga OSBE, Shtetet e Bashkuara do t’i njohin. Diplomati amerikan theksoi se bojkoti i zgjedhjeve nga demokratët dëmton partinë demokratike dhe imazhin e vendit. Mbërritja në Tiranë e Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Ji ka rihapur mundësinë e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Prej paradites Ji ka zhvilluar një axhendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit e tre partive kryesore.
Hoyt Brian Ji është parë në një mëngjes pune me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ku tema e diskutimit mendohet të ketë qenë situata politike në vend.