Historiku i 30 ditëve të agresionit rus në Ukrainë
Në këtë përmbledhje sjellim lajmet kryesore nga konflikti Rusi-Ukrainë, që nga dita e parë e pushtimit. Pushtimi i Ukrainës nisi mëgjesin e së enjtes, më 24 shkurt, me sulmet raketore ruse në qytetet dhe bazat ushtarake në Ukrainë. Sulmet nga ana e Rusisë ishin parashikuar për javë të tëra nga Perëndimi. Ky po cilësohet si konflikti më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore.
Përgatiti: Valjeta Kosumi
Dita 30
- Për herë të parë që nga fillimi i invazionit rus, janë shkëmbyer të burgosuirit ndërmjet palëve ndërluftuese. 10 ushtarë ukrainas janë shkëmbyer me 10 ushtarë rusë. Në një rast tjetër, 11 marinarë civilë rusë, të shpëtuar nga një anije që po fundosej, jo shumë larg brigjeve të Odesës, janë shkëmbyer me 19 marinarë ukrainas, nga një anije të kapur nga forcat ruse.
- Autoritetet në Mariupol paralajmërojnë se banorët e qytetit do të vdesin nga uria, nëse nuk vjen ndihma.
- Bashkimi Evropian pritet të njoftojë për një marrëveshje për gazin me SHBA-në. Kjo marrëveshje parasheh funizimin e BE-së nga SHBA-ja me gaz natyral të lëngshëm, në përpjekje për të zëvendësuar atë me importet ruse.
- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë tha se 135 fëmijë janë vrarë dhe 184 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
- Zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ka njoftuar për hapjen e një korridori humanitar, me qëllim të largimit të qytetarëve të ngujuar nëpër bodrume të qytetit port të Mariuopolit. Largimi i tyre është planifikuar që të bëhet me vetura private.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar të enjten se numri i viktimave që nga fillimi i luftës në Ukrainë ka kaluar 1000, por me paralajmërimin se numri mund të jetë shumë më i madh.
- Këshilli i qytetit të Mariupolit ka njoftuar se në bazë të dëshmitarëve, besojnë se rreth 300 njerëz u vranë nga sulmi në teatrin e Mariupolit, para 9 ditësh.
- Situata humanitare në qytetin e Mariupolit në Ukrainë vazhdon të përkeqësohet, me palën ruse që vazhdimisht bllokon shpërndarjen e ndihmave humanitare, ka thënë kryetari i qytetit. Qyteti strategjik është i rrethuar nga rusët që nga ditët e para të pushtimit, pa rrymë, pa gaz dhe pa ujë. Shumica e qyetit ka mbetur e shkatërruar e nën rrënoja.
- Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) paralajmëroi të premten se civilët në Ukrainë po përballen me “krizë shëndetësore humanitare”, në kohën kur sulmet ndaj objekteve shëndetësore po limitojnë mundësinë në qasje në “shërbime dhe pajisje mjeksore”.
- Kremlini thotë se asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë nëse SHBA dhe aleatët e saj vendosin ta përjashtojnë Rusinë nga G20, grupi i ekonomive më të mëdha botërore.
- Ministria britanike e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase kanë rimarrë qytetet dhe pozitat mbrojtjëse deri në 35 kilometra në lindje të Kievit.
- Presidenti amerikan, Joe Biden paraqiti iniciativën e re që ka për qëllim t’ia marrë Rusisë përfitimet nga energjia, të cilat Putini po i përdorë në “makinerinë e tij luftarake”. Duke folur në Bruksel bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, Biden tha se Rusia po përdorte furnizimin që po i bënte Evropës me naftë dhe gaz për të “detyruar dhe manipuluar fqinjët”. Biden tha se SHBA do t’i ndihmojë Evropës për të reduktuar varshmërinë që ka në naftën dhe gazin rus, dhe se do të siguronte kontinentin për furnizim të mjaftueshëm për dy dimrat e ardhshëm.
- Katër civilë janë vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar pas sulmeve ruse që goditën një qendër mjekësore në Kharkiv, ka thënë policia lokale.
- Drejtuesja e ekipit për Ukrainën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka thënë se monitoruesit kanë marrë informacione të shtuara rreth varrezave masive në Mariupol, përfshirë një të tillë që mendohet se ka rreth 200 trupa.
- Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Ukraina dhe Rusia kanë arritur “një mirëkuptim” për katër nga gjashtë temat e kryesore të diskutuara gjatë negociatave mes të dy vendeve.
- Më shumë se çerek milioni refugjatë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Gjermani. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, deri javën e kaluar në vend kanë hyrë 253,157 refugjatë dhe numri aktual i refugjatëve mund të jetë dukshëm më i lartë, për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë.
- Fuqitë perëndimore kanë ndërmarrë veprime të reja që synojnë destabilizimin e ekonomisë ruse të goditur nga sanksionet perëndimore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 6 fuqitë tjera ekonomike njoftuan se po bllokojnë transaksionet financiare që përfshinin rezervat ndërkombëtare të arit të bankës qendrore ruse.
- Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet të shtunën me refugjatët ukrainas dhe ekipet humanitare amerikane në Poloni. Po ashtu ai do të takohet me presidentin polak, Andrzej Duda dhe do të mbajë gjithashtu një fjalim të veçantë.
- Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych ka njoftuar se trupat ukrainase kanë zmbrapsur një sulm të forcave ruse në qyteza Slavutych, ku jetojnë disa punëtorë që centralit bërthamor të Çernobilit. Autoritetet lokale thanë më herët se qyteza Slavutych ishte “plotësisht e izoluar”, nga forcat ruse.
- Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, për Ukrainën, ka thënë sot se përdorimi i mjeteve eksplozive nga Rusia me efekte të gjera në zonat e populluara, përfshirë raketa, predha artilerie të rënda si dhe sulme ajrore” mund të përbëjnë krime lufte.
- Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin se po përpiqet të “anulojë kulturën ruse”, përfshirë ,sipas tij, edhe veprat e kompozitorëve të mëdhenj si Pyotr Tchaikovsky. Duke iu referuar anulimit të ngjarjeve kulturore e sportive të atyre që vijnë nga Rusia, Putin e quajti këtë një veprim kundër kulturës ruse.
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbërritur në Rzeszóë të Polonisë. Ai nuk është pritur nga homologu i tij polak, Andrzej Duda, sipas agjendës, ngase aeroplani me të cilin po udhëtonte presidenti polak, nga Varshava për në Rzeszów, u detyrua të bënte një ulje emergjente. Duda tani ka mbërritur në aeroportin e Rzeszow me aeroplanin e tij rezervë, pas një problemi teknik dhe pritet të ketë një takim me Biden.
- Sergey Rudskoy, kreu i Departamentit Operacional të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse ka thënë se tani Rusia do të përqendrojë përpjekjet e saj kryesore të luftës në “çlirimin e plotë” të rajonit lindor Donbas në Ukrainë. “93% e rajonit Luhansk dhe 54% e rajonit Donetsk janë nën kontrollin rus”, ka thënë ai.
- Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka njoftuar se dhjetëra zyrtarë, gazetarë dhe aktivistë ukrainas janë arrestuar ose zhdukur me forcë nga forcat agresore ruse, duke thënë se disa prej rasteve janë “marrje pengjesh”.
- Partia në pushtet e Rusisë, Rusia e Bashkuar, ka hapur një zyrë në Mariupol, ka thënë këshilli i qytetit, duke cituar raporte nga banorët vendas.
- Ushtria ruse ka njoftuar sot se 1.351 trupa të saj janë vrarë në Ukrainë dhe 3,825 janë plagosur që nga fillimi i agresionit , në përditësimin e parë më të madh publik të viktimave që nga 2 marsi.
- Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan ka thënë se SHBA ka kapacitete për të imponuar masa shtesë ndaj Rusisë. “Ne mendojmë se sanksionet do të kenë gjithnjë e më shumë efektin e presionit dhe kufizimit të ekonomisë dhe makinerisë ruse të luftës. Kjo do të minojë kapacitetin e tyre për të luajtur një rol agresiv në botë”, shtoi ai.
- Presidenti amerikan, Joe Biden falënderoi organizatat humanitare në Poloni për ndihmën për Ukrainën dhe refugjatët e saj, në një takim njoftues mbi gjendjen e refugjatëve.
- Guvernatori i rajonit Donetsk në Ukrainë, Pavlo Kyrylenko, ka thënë se forcat ukrainase ende kontrollojnë Mariupolin, qytetin jugor port në Detin Azov, i cili që disa javë është i rrethuar nga forcat ruse.
- Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj kanë vrarë gjenerallejtënantin rus, Yakov Rezantsev gjatë luftimeve në Chornobaiivka, në rajonin Kherson në jug të Ukrainës.
Dita 29
- Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk thotë se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shtatë korridore humanitare, për të lejuar evakuimin e civilëve, në ditën e enjte.
- Grupet monitoruese dhe agjencitë e inteligjences nga Britania e Madhe dhe SHBA kanë thënë se forcat ukrainase kanë filluar të rrimarrin kontrollin e pjesëve të territorit, të cilat ishin okupuar nga ushtria ruse.
- Qeveria ruse nuk ka interes që të negociojë një armëpushim në Ukrainë tani për tani, përderisa ushtria e saj nuk i ka arritur qëllimet e saj ushtarake, ka thënë të enjten kryediplomati evopian, Josep Borrell.
- Ushtria e Ukrainës thotë se një anije e madhe ruse është shkatërruar në afërsi të qytetit detar, Berdyansk. Marina ukrainase, në një postim në Facebook, thotë se një anije e madhe e quajtur “Orsk” është goditur dhe ka marrë zjarr, mëngjesin e sotëm në detin Azov.
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përshkruar luftën në Ukrainë si “krizën më serioze të sigurisë në një gjeneratë”.
- Boris Johnson thotë se presidenti rus, Vladimir Putin është “haptazi i vendosur ta dyfishojë rrugën e tij të dhunës dhe agresionit” në Ukrainë. Kryeministri britanik tha se aletatët duhet ta rrisin mbështetjen për Ukrainën dhe të ndërmarrin “shtrëngime ekonomike rreth Putinit, duke sanksionuar më shumë njerëz”.
- Gjiganti i madh rus i energjisë, Gazprom, thotë se ende është duke e furnizuar Evropën me gaz natyral, përmes Ukrainës, në linjë me kërkesat e konsumatorëve evropian
- Një muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka humbur rreth 15,800 ushtarë, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Sipas shtabit, rusët kanë humbur gjithashtu 530 tanke, 1,597 mjete të blinduara, 108 aeroplanë, 124 helikopterë dhe 50 dronë.
- Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se Rusia po planifikon të angazhojë trupa mercenarësh në terren, për të mbuluar humbjet që ka përjetuar deri më tani në Ukrainë.
- Rusia thotë se ka marrë kontrollin e qytetit të Izyumit, në rajonin e Kharkivit në lindje të Ukrainës, raporton media ruse Rossiya 24.
- Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur sanksione të reja ndaj 65 individëve dhe organizatave ruse, përfshirë ‘banka, kompani dhe oligarkë”.
- Qeveria e Zvicrës ka njoftuar se deri më tani ka pranuar raporte që tregojnë se vlera e aseteve ruse të prekura nga sanksionet në Zvicër arrinë në rreth 6 miliardë dollarë.
- Në një video të lëshuar më herët të enjten, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se nga samitet e NATO-s, BE-së dhe G7-ës, do të mësohet se “kush është vend mik” i Ukrainës.
- Kremlini thotë se miliarderi rus që është sanksionuar nga Perëndimi, Roman Abramovich, ka luajtur rol në fazat e hershme të bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, tash procesi është në duart e dy ekipeve negociatore.
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) tha se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas janë zhvendosur. Shifrat përfshijnë edhe më shumë se 1.8 milion fëmijë që kanë kaluar kufirin në vendet fqinje si refugjatë dhe 2.5 milionë të tjerë që janë zhvendosur brenda Ukrainës.
- Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka kërkuar Evropës të injorojë këmbënguljen e Rusisë që pagesa për furnizimet e ardhshme të gazit rus të duhet të bëhet në rubla.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë ndihmë, në takimin me dyer të mbyllura me liderët e vendeve të NATO-s, duke thënë ” Na jepni vetëm 1% të asaj që keni”.
- Kremlini e ka etiketuar kryeministrin britanik, Boris Johnson, si liderin botëror më aktiv “anti-rus”, duke paralajmëruar se qasja e Britanisë ndaj Rusisë shpie te një “ngërç në politikën e jashtme”.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallin sot sanksione të reja ndaj më shumë se 300 deputetëve të Parlamentit rus dhe më shumë se 40 kompanive ruse të mbrojtjes.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende po refuzojnë t’i japin Ukrainës avionë luftarakë, pavarësisht se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përsëriti këtë kërkesë për liderët e NATO-s.
- Udhëheqësit e aleancës ushtarake transatlantike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë sot dakord të forcojnë mbrojtjen përgjatë krahut të saj lindor.
- Presidenti amerikan Joe Biden po zhvillon një takim me liderët e grupit të 7 vendeve më të industrializuara për të diskutuar sanksionet e reja dhe veprime tjera për të ndëshkuar Rusinë për agresionin e saj në Ukrainë.
- Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s ranë dakord të zgjasin edhe për një vit shtesë mandatin e Jens Stoltenberg si sekretar i përgjithshëm, pasi aleanca ushtarake perëndimore po vazhdon t’i përgjigjet agresionit rus në Ukrainë.
- Ministria e mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se trupat e saj i kanë zmbrapsur forcat ruse nga disa zona përreth Kievit, por paralajmëroi se Moska shpreson për të pushtuar së shpejti kryeqytetin ukrainas.
- Ushtria e Ukrainës thotë se Rusia po transferon armë dhe pajisje të tjera ushtarake në shtetin fqinj, Bjellorusi.
- Papa Françesku ka kritika vendet për rritjen e shpenzimeve ushtarake, derisa po vazhdon agresioni rus ndaj Ukrainës, duke e quajtur “çmenduri” ngritjen e kostos për armë e ushtri.
- Liderët e Bashkimit Evropian nisin sot një takim dy ditor në Bruksel për të diskutuar përgjigjen e mëtejshme të bllokut ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
- Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka thënë se forcat ruse po pengojnë civilët që të largohen nga qyteti port i rrethuar, Mariupolit.
- Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka votuar sot një rezolutë që i bën thirrje Rusisë që të ndalojë luftën e saj në Ukrainë dhe ndërmarrë veprime që ndërlidhen me mbrojtjen e civilëve.
- Një sulm rus me raketë ka goditur pasdite një parking në një qendër tregtare në Kharkiv, duke lënë të vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 15 të tjerë.
- Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e G7 paralajmëruan Rusinë se do të ketë pasoja nëse përdor në Ukrainë armë kimike, biologjike ose bërthamore.
- Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych ka thënë se trupat ruse nuk kanë burime të mjaftueshme për vazhduar me ofensivën e tyre në shumë zona të Ukrainës.
- Ministria e Jashtme e Ukrainës ka akuzuar forcat ruse se kanë marrë kundër vullnetit të tyre më shumë se 6,000 banorë të qytetit Mariupolit dhe i kanë dërguar në Rusi.
Dita 28
- Presideti i Ukarinës, Volodomyr Zelensky ka thënë se se më shumë se 7000 banorë arritën të arratiseshin nga Mariupoli të martën .
- Zëdhënësi kryesor i Putinit refuzoi të përjashtonte përdorimin e armëve bërthamore, në një intervistë që ai dha për CNN-in, duke thënë se ato do të përdoren vetëm në rast të një “kërcënimi ekzistencial” për Rusinë.
- Ministria britanike e Mbrojtjes, në të dhënat e fundit, ka thënë se trupat ruse po lëvizin nga veriu në jug për të “rrethuar forcat ukrainase në lindje të vendit”. Trupat po avancojnë nga Kharkivi për në Mariupol.
- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë tha se që nga fillimi i pushtimit rus, në Ukrainë janë vrarë 121 fëmijë dhe janë lënduar 167 të tjerë.
- Guvernatori i rajonit Luhansk në lindje të Ukrainës tha se një marrëveshje është arritur për një armëpushim lokal, për të evakuuar civilët, në kohën kur luftimet po vazhdojnë.
- Kreu i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar do të ngrisë “çështje urgjente humanitare” që kanë të bëjnë me situatën në Ukrainë, gjatë një vizite në Moskë, ka njoftuar Agjencia.
- Tre njerëz, dy prej të cilëve fëmijë, janë vrarë gjatë një sulmi në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhnes, ka thënë kreu i ushtrisë në Luhansk.
- Është arritur marrëveshja për nëntë korridore humanitare për të evakuuar civilët në qytete të ndryshme ukrainase, ka thënë zëvendës kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk. Por, ajo tha se nuk kanë arritur të dakordohen me Rusinë për një kalim të sigurt nga Mariupoli.
- Kryeministri i Italisë, Mario Draghi ka kërkuar nga Kina që të mos e mbështesë Rusinë pas pushtimit të saj në Ukrainë dhe të bashkohet me përpjekjet për të arritur paqe në Ukrainë.
- Raportohet se trupat ukrainase po rimarrin territor nga Rusia. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, u ka thënë gazetarëve se Ukraina po mbron vendin “shumë, shumë mençur, në mënyrë shumë kreative”.
- Dërgimi i një misioni paqësor të NATO-s në Ukrainë do të ishte veprim “shumë i pamatur” dhe “shumë i rrezikshëm”, thotë Moska.
- Kina ka thënë se asnjë vend i G20-ës nuk ka të drejtë “të përjashtojë një vend tjetër”, në kohën kur po flitet se SHBA dhe aleatët po bëjnë një vlerësim për mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga ky grup.
- Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se një emargo e plotë kundër furnizimeve ruse të energjisë do të duhet të përjashtohet, pasi ndikimi i saj do të ishte shkatërrues për Evropën.
- Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych ka thënë se ai pret që faza aktive e pushtimit rus të përfundojë kah fundi i prillit, me pretendimin se avancimi rus veçse ka hasur në pengesa në shumë fusha.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga Japonia që t’i rrisë presionet ndaj Rusisë me një embargo tregtare, në një kërkesë direkte para parlamentit të vendit.
- Presidenti amerikan, Joe Biden i bashkohet sot liderëve të vendeve perëndimorë në Bruksel, për të diskutuar me aleatët e BE-së dhe NATO-s një samit të jashtëzakonshëm të aleancës Veri-atlantike për agresionin rus në Ukrainë.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë sot se herët a vonë pilotët rusë do të mbahen përgjegjës për vrasjen e civilëve.
- Kryebashkiaku i qytezës Irpin, që është periferi e kryeqytetit Kiev, ka njoftuar se forcat e Ukrainës kanë marrë kontrollin e 80% të këtij qyteti.
- Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se aleatët perëndimorë duhet të sigurohen që të mposhtet Vladimir Putin. “Duhet të jetë qëllimi i përbashkët. Kjo është një çështje sigurie, për të ardhmen e Evropës dhe për të ardhmen e botës”, i ka thënë Michel CNN.
- Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, thotë se Varshava ka dëbuar 45 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh.
- Forcat ruse kanë bombarduar dhe shkatërruar urë kryesore mbi lumin Desna në qytetin e rrethuar Chernihiv.
- Autoritet në Ukrainë kanë njoftuar se forcat ruse kanë shkatërruar laboratorin afër termocentralit të braktisur bërthamor të Çernobilit që përdorej për të monitoruar mbetjet radioaktive.
- Gjigandi i ushqimit, Nestle, ka njoftuar se pezullon markat e tij të ushqimit, përfshi edhe KitKat dhe Nesquik, në Rusi, pas kritikave gjatë fundjavës nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për lidhjet me Rusinë.
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden paralajmëroi se kërcënimi i përdorimit të armëve kimike nga Rusia në luftën e saj ndaj Ukrainës është “real”.
- Dërgesat e para me ndihma ushtarake në vlerë prej 800 milionë dollarë janë dorëzuar në Ukrainë. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se së shpejti do të bëhet transferimi edhe i pjesës tjetër të paketës së ndihmave, që javën e kaluar u aprovua nga Kongresi amerikan.
- Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se çdo përdorim i armëve kimike nga Rusia do të ishte absolutisht i papranueshëm dhe do të “ndryshonte tërësisht natyrën e konfliktit” në Ukrainë.
- Pentagoni i ka ofruar Shtëpisë së Bardhë një sërë opsionesh për trupa të mundshme shtesë amerikane në Evropën Lindore, pas agresionit rus në Ukrainë.
- Ambasadori i Ukrainës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Sergiy Kyslytsya, i ka bërë thirrje Asamblesë së Përgjithshme të votojë për një rezolute që bën thirrje për ndalje të menjëhershme të armiqësive nga Federata Ruse.
- Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskyy, u ka bërë thirrje kompanive franceze që të largohen nga Rusia. Kompania Renault është kritikuar ditët e fundit, pasi prodhuesi i makinave rifilloi prodhimin në fabrikën e tij në Moskë.
- Lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë e ka vënë “absolutisht në rrezik” NATO-n dhe vendet anëtare të saj, u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar i Shtabit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SHAPE).
- Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka thënë se agresioni rus në Ukrainë po rrit krizën ushqimore në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Dita 27
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka deklaruar se akuzat e rreme të Rusisë se Kievi ka armë biologjike dhe kimike, tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin po mendon t’i përdorë ato vetë në luftën kundër Ukrainës dhe SHBA-së.
- Sulmet ruse kanë lënë të vrarë dy persona dhe tre të tjerë të plagosur në qytetin Lysychansk, në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk, sipas zyrtarëve lokalë, raporton Al Jazeera.
- Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë rezerva të municionit dhe ushqimit, të cilat nuk mund të zgjasin më shumë se tri ditë.
- Shërbimet Shtetërore të Emergjencave në Ukrainë kanë thënë se më shumë se 1,000 ndërtesa janë shkatërruar në qyetin Kharkiv nga sulmet ruse.
- Ushtria ukrainase ka raportuar se një kompani ruse që prodhon dhe riparon tanke ka suspenduar punën, në objektin që ndodhet në rajonin qendror rus të Chelyabinsk, për shkak të mungesës së pjesëve të importuara.
- Rreth 15,300 trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes. Ministria gjithashtu përmend 509 tanke, 1,556 mjete luftarake të blinduara dhe 252 sisteme të artilerisë në mesin e humbjeve ruse, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, më 24 shkurt.
- Më shumë se 3.5 milionë refugjatë kanë ikur nga Ukraina, sipas shifrave të fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
- Presidenti i Ukrainës,Volodymyr Zelensky ka folur me Papa Françeskun dhe i ka sugjeruar Vatikanit që të luajë një rol si ndërmjetësues për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
- Forcat ruse kanë deportuar dhunshëm 2,389 fëmijë nga Donetsku dhe Luhansku në Ukrainë, thotë Ministria ukrainase e Punëve të Jashtme. Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se 16,434 njerëz, përfshirë 2,389 fëmijë janë evakuuar nga këto krahina dhe se ata janë larguar sipas vullnetit të lirë.
- Zëvendës kryeministrja e Ukrainës ka kërkuar nga Rusia që të lejojë furnizimet me ndihma humanitare në Mariupol dhe t’i lejojë civilët që të evakuohen nga qyteti i rrethuar.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i është drejtuar parlamentit italian përmes një video lidhjeje, në vazhdën e adresimeve të tij para asambleve kombëtare të shteteve rreth botës. Ai u tha ligjvënësve italianë se vendi i tij ndodhet në prag të mbijetimit të luftës me Rusinë dhe ka paralajmëruar se Moska po synon të depërtojë në pjesën tjetër të Evropës.
- Ukraina po tregon rezistencë “heroike” ndaj pushtimit rus, ka thënë kryeministri italian, Mario Draghi.
- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka njoftuar sot se që nga fillimi agresionit rus, më 24 shkurt, janë vrarë të paktën 117 fëmijë dhe janë plagosur më shumë se 155 të tjerë.
- Gazeta e pavarur ruse Novaya Gazeta ka njoftuar se do të nxjerrë në ankand medaljen e Çmimit Nobel për Paqen të fituar nga kryeredaktori i saj, Dmitry Muratov për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
- Disa shpërthime të forta u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas Kiev të martën, ndërsa qyteti ishte nën një shtetrrethim 36-orësh. Një nga shpërthimet ishte aq i fortë sa që ndezi alarmet e makinave në qendër të qytetit, dëshmoi një ekip i CNN.
- Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se rreth gjysmë milioni refugjatë nga Ukraina që kanë ikur në Poloni kanë nevojë për mbështetje për probleme që ndërlidhen me shëndetin mendor.
- Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Moska mund të jetë duke u përgatitur për të kryer sulme kibernetike, në përgjigje të sanksioneve perëndimore.
- Presidenti ukrainas thotë se kompromisi mbi rajonet e kontestuara dhe ambiciet e Kievit për NATO-n do të kërkojnë një referendum.
- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i ka bërë thirrje Rusisë për t’i dhënë fund “luftës absurde”. “ Kjo luftë që është intensifikuar dhe nga ora në orë po bëhet e paparashikueshme, po shkakton vuajtje të tmerrshme njerëzore ,” ka thënë Guterres. Në një fjalim nga selia e OKB-së në New York, sekretari gjeneral e quajti “të pafitueshme” luftën e Rusisë dhe bëri thirrje për negociata serioze .
- Zyrtarë të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë se e Bjellorusia “së shpejti” mund t’i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.
- Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka njoftuar se në Kherson, qytetin e parë më të madh që ka arritur ta pushtojë Rusia, furnizimet ushqimore dhe mjekësore pothuajse kanë mbaruar.
- Fondi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) ka thënë se të dhënat e të larguarve nga Ukraina tregojnë se që nga fillimi i agresionit rus në çdo sekondë një fëmijë është bërë refugjatë.
- Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se kanë siguruar “prova të qarta” që tregojnë se forcat ruse kanë qëllimisht “vënë në shënjestër infrastrukturën civile, spitalet, shkollat dhe strehimoret.
- Autoritet në Francë kanë njoftuar se kanë nisur një plan kombëtar për të përgatitur strehim për të paktën 100. 000 refugjatë ukrainas.
- Zyrtarët e mbrojtjes amerikane kanë njoftuar se forcat ruse kanë filluar të godasin Mariupolin nga Deti Azov, duke përdorë një grup prej rreth shtatë anijesh luftarake, në përpjekje për të marrë kontrollin në këtë qytet port të Ukrainës.
- Zyrtarët në Ukrainë kanë njoftuar se të paktën një person është vrarë pasi një raketë ruse goditi dhe shkatërroi stacionin e trenit Pavlohrad-2 në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk.
- Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, u ka thënë mediave se administrata nuk ka parë që Kina po i jep Rusisë pajisje ushtarake, që nga e premtja, kur presidenti Joe Biden foli me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
Dita 26
- Ukraina refuzoi të hënën thirrjet ruse për të dorëzuar qytetin port të Mariupolit, ku banorët janë të rrethuar me pak ushqim, ujë dhe energji, në një krizë humanitare që po rrit presionin ndaj liderëve evropianë për të ashpërsuar sanksionet ndaj Moskës.
- Të paktën katër persona u vranë në bombardimin gjatë natës në një qendër tregtare në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
- Shifrat e fundit tregojnë se 10 milionë njerëz janë zhvendosur, brenda dhe jashtë Ukrainës, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Më shumë se 2.1 milionë njerëz kanë ikur për në Poloni, ka thënë Garda Kufitare Polake.
- Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Rusia nuk planifikon dhe nuk ka sulmuar asnjë objekt të industrisë kimike në Ukrainë, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
- Zyrtarët thonë se një rezervuar 50 tonësh me amoniak është dëmtuar, pasi objekti në Sumykhimprom është goditur nga forcat ruse.
- Zëvendës kryeministrja e Ukrainës e ka përshkruar si shumë të vështirë situatën në qytetin e Mariupolit, në kohën kur Ukraina ka refuzuar ultimatumin rus për ta dorëzuar qytetin.
- Kremlini ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian do të goditet rëndë nëse do të vendosë një embargo në naftën ruse.
- Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha se BE “nuk do të lodhet” nga vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, apo ta ndihmojë Ukrainën.
- Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka paralajmëruar “orë policore” në kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, nga ora 8:00 e mbrëmjes të së hënës, deri në 7:00 të mëngjesit të ditës së mërkurë.
- Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme ka paralajmëruar se fëmijët ukrainas janë në rrezik “të madh” nga trafikimi, gjatë ikjes së tyre nga pushtimi rus.
- Kina do të ofrojë ndihmë humanitare shtesë në vlerë prej 1.57 milionë dollarëve për Ukrainën, “bazuar në zhvillimin e situatës dhe nevojat aktuale”, ka thënë të hënën Ministria e Jashtme e Kinës.
- Bursa në Moskë është hapur pjesërisht, për herë të parë që nga 25 shkurti, një ditë pasi filloi lufta në Ukrainë.
- Kryetari i qytetit të Odesës ka akuzuar forcat ruse për sulmin e ndërtesave të banimit në periferi të këtij qytetit, duke e bërë këtë raportimin e parë për ndonjë sulm atje.
- Një lider i seperatistëve të mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës ka thënë se nevojitet më shumë se një javë për ta marrë nën kontroll Mariupolin, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
- Forcat ruse kanë hedhur raketa dirigjuese që fluturojnë ulët dhe me shpejtësi konstante në disa objektiva në Ukrainë. Gjeneralmajori, Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ka deklaruar sot se raketat kanë pasur cak kryer një qendër trajnimi ushtarak ukrainas në qytetin Nova Lyubomyrka, në Rivne, rajonin veriperëndimor të Ukrainës.
- Zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas ka njoftuar se 8 persona është konfirmuar të jenë vrarë nga sulmet ruse në disa shtëpi dhe një qendër tregtare mbrëmjen e së dielës në Kiev.
- Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, ka thënë se mbrojtësit e qytetit Mariupol luajtën një “rol të madh në shkatërrimin e planeve të armikut”.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Gjermanisë për të shpëtuar kryeqytetin, Kiev, duke thënë se ky qytet që dikur quhej një “Berlin i ri”, i ngjashëm në frymën e tij të “hapjes, emocioneve, lirisë në sheshe, sinqeritetit të njerëzve, bareve e partive, tani është i mbyllur”.
- Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se gjashtë sulme të tjera ruse janë regjistruar, në 24 orët e fundit, në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë.
- Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do të mbledh në një takim krerët kompanive të naftës dhe bankave, ExxonMobil, JPMorgan, Bank of America dhe kompanive të tjera të mëdha për të diskutuar çështjen e agresionit rus në Ukrainës.
- Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian Josep Borrell, në takimin me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel e ka quajtur sulmin e Rusisë në qytetin port ukrainas, Mariupol “një krim masiv lufte”.
- Të gjitha portet e Ukrainës në Detin e Zi dhe Detin Azov mbeten përkohësisht të mbyllura për anijet që kërkojnë të hyjnë ose të dalin në portet e këtij vendi. Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës, ka njoftuar se nuk mund të ofrojë aktualisht kushtet e nevojshme teknike dhe të sigurisë për transportin detar.
- Forcat ruse në orët e fundit kanë humbur terren në betejën për të marrë kontrollin e qytetit, Mykolaiv, por ato vazhdojnë të sulmojnë autobusët civilë që largohen përmes rrugës nga Khersoni, qyteti i parë dhe i vetëm i madh i marrë deri më tani nga Rusia.
- Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) thotë se që nga 24 shkurti, kur filloi agresioni rus në Ukrainë, ka arritur të konfirmojë vrasjen e të paktën 925 civilëve.
- Të paktën 12 persona raportohet të jenë plagosur, pasi trupat ruse shpërndanë një demonstratë qytetare në qytetin e pushtuar jugor, Kherson, në Ukrainë, duke qëlluar me armë mbi protestuesit.
- Rusia ka thirrur në një takim urgjent ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Moskë, John Sullivan për ta paralajmëruar se deklarimet e e presidentit, Joe Biden, për presidentin rus, Vladimir Putin, i kanë çuar në prag të kolapsit marrëdhëniet dypalëshe.
- Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov ka thënë në Londër se Rusia po kryen “terrorizëm shtetëror” në Ukrainë dhe shihet qartë se do të vazhdojë të sulmojë vende të tjera.
- Zyrtarët e lartë amerikanë të mbrojtjes thonë se agresioni rus mbetet kryesisht i bllokuar në të gjitha linjat e avancimit, me trupat të cilat që nga java e kaluar, nuk kanë lëvizur më tej drejt Kievit.
- Presidenti, Voldymyr Zelensky u ka thënë pasdite mediave se Ukraina nuk do t’i përkulet kurrë ultimatumeve nga Rusia dhe qytete të tilla si Kievi, Mariupoli apo Kharkiv nuk do ta pranojnë pushtimin rus.
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka njoftuar se që nga fillimi i sulmeve ruse, të paktën 10 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre në NATO, si dhe Bashkimin Evropian do të diskutojnë të enjten pozicionin e Kinës ndaj Rusisë, në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s, në takimin e Grupit të Shtatë Ekonomive më të mëdha të botës dhe në një samit të Këshillit Evropian.
- Bashkimi Evropian ka miratuar një strategji të re të mbrojtjes, që synon rritjen e kapaciteteve të bllokut për të vepruar, përfshirë ngritjen e një force të reagimit të shpejtë prej 5,000 trupash. Plani fillestar i BE-së kishte qenë që kjo forcë të krijohej brenda dy vitesh, por iu nënshtrua një rishkrimi të shpejtë për të rritur fokusin në kërcënimin e Rusisë pasi Moska sulmoi Ukrainën.
Dita 25
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dënoi bombardimet e pandërprera të Rusisë në Mariupol, qytetin port të rrethuar nga trupat ruse në juglindje. Në një video fjalim të së shtunës, Zelensky tha se Rusia do të hyjë në histori si përgjegjëse për krimet e luftës.
- Kryeministri i Australisë, Scott Morrison bëri të ditur për ndihmën shtesë ushtarake humanitare dhe ushtarake që shteti i tij do t’i japë Ukrainës, teksa njoftoi se do të vendosë ndalesë të menjëhershme në eksportet ruse të aluminit dhe mineraleve të aluminit. Paketa përfshin 15.3 milionë dollarë amerikanë në ndihmë të mbrojtjes ushtarake për Forcat e Armatosura ukrainase, duke e sjellë në 66.3 milionë dollarë ndihmën ushtarake të ofruar nga Australia.
- Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë, ku 400 persona po strehoheshin. Sulmi u tha se ka ndodhur të shtunën.
- Forcat ruse kanë kryer një sulm të dytë me raketa hipersonike kundër objektivave ukrainase, tha Ministria ruse e Mbrojtjes. Zyrtarët thanë se sulmi, duke përdorur sistemin e ri raketor Kinzhal të Rusisë, shkatërroi një vend depozitimi karburanti në jug të vendit.
- Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishyna ka akuzuar Rusinë për akte gjenocidi gjatë agresionit të saj në shtetin ukrainas. Në një program për BBC-në, ajo tha se ‘absolutisht beson’ që janë kryer akte të gjenocidit nga regjimi rus dhe se presidenti Putin dhe liderët e Kremlinit janë ‘kriminelë lufte’.
- Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ukraina dhe Rusia janë afër arritjes së një marrëveshjeje për çështje “kritike”. Ai shtoi se shpresonte për një armëpushim, nëse të dy palët nuk tërhiqen nga përparimi i arritur deri më tani.
- Zyra e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara thotë se më së paku 902 civilë janë vrarë në Ukrainë, sipas të dhënave të 19 marsit. Kjo organizatë shton se numri i të vrarëve është sigurisht më i lartë. Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës thotë se 112 fëmijë janë vrarë.
- 10 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë, tha komisionari i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ka “kompromise” që Ukraina nuk mund t`i bëjë në negociatat me Putinin. Në intervistën e tij për CNN, Zelensky tha se është i gatshëm të negociojë me presidentin rus, Vladimir Putin, por paralajmëroi se nëse ndonjë përpjekje për negociata dështon, kjo mund të nënkuptojë se lufta midis dy vendeve do të çojë në “një Luftë të tretë Botërore”.
- Pesëdhjetë e gjashtë banorë të moshuar të një shtëpie të kujdesit në qytetin lindor të Ukrainës, Kreminna, u vranë kur një tank rus hapi zjarr në një shtëpi kujdesi, sipas kreut të rajonit të Luhansk.
- Zyrtarët rusë kanë konfirmuar se zëvendëskomandanti i flotës ruse të Detit të Zi, kapiteni i rangut të pare, Andrei Paly, u vra në luftimet në Mariupol.
- Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky i bëri thirrje Izraelit t`i jep armë Ukrainës dhe pyeti pse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
- Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, deklaroi se presidenti rus,Vladimir Putin nuk duhet ta fitojë luftën në Ukrainë, duke shtuar se ishte “zemërthyese” të shihje se çfarë po bën Rusia në Ukrainë.
- Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe deklaroi se forcat ruse nuk kanë arritur ende të fitojnë epërsi mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, raporton CNN.
- Katër nga shtatë korridoret humanitare të krijuara nga qyteti i rrethuar jugor i Ukrainës, Mariupol, ishin funksionale të dielën, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.
Dita 24
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka ftuar Rusinë për bisedime paqësore. Ai tha se kjo është mundësia e vetme e Rusisë për të kufizuar dëmet nga gabimet e saj që nga fillimi i agresionit.
- Guvernatori i regjionit lindor të Ukrainës, Luhansk, thotë se korridori i evakuimeve do të hapet pasditen e së shtunës. Serhiy Gaiday, në një postim në Telegram, thotë se forcat ruse janë pajtuar që t’i lejojnë banorët të evakuohen në disa qytete në regjion.
- Ministria britanike e Mbrojtjes ka paralajmëruar se një ndryshim në taktikat ruse mund të rezultojë në më shumë vdekje civilësh. “Kremlini deri tash ka dështuar të arrijë objektivat fillestare”, postoi ministria në Twitter, duke shtuar se Rusia ishte “e habitur nga përmasat dhe egërsia e rezistencës së Ukrainës”.
- Rusia thotë se ka përdorur raketat e reja hipersonike Kinzhal, për herë të parë në Ukrainë të premten, duke shkatërruar një depo të armëve në perëndim të vendit, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
- Deputeti i Ukrainës, Dmytro Gurin ka përshkruar gjendjen në qytetin e rrethuar Mariupol si ‘mesjetare’. Gurin, prindërit e të cilit kanë ngecur në këtë qytet, tha për BBC-në se furnizimet me ushqim dhe ujë po pakësohen gjithnjë e më shumë.
- Forcat ruse kanë kryer një sulm me raketa në një depo të raketave dhe municioneve në vendbanimin Deliatin, në rajonin Ivano-Frankivsk në perëndim të Ukrainës, tha një zyrtar ushtarak ukrainas. Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat, tha se ende nuk është konfirmuar nëse raketa e përdorur nga rusët ishte me të vërtetë një Kinzhal, raketë më e re hipersonike, apo bëhet fjalë për ndonjë lloj tjetër arme.
- Të paktën 112 fëmijë kanë humbur jetën në Ukrainë si pasojë e pushtimit rus. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet e Kievit, duke shtuar se 140 fëmijë u plagosën që nga fillimi i luftës.
- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dënoi agresionin rus në Ukrainë, në kohën e intensifikimit të luftimeve, që hynë në javën e katërt të tyre. Gjatë një vizite në Bullgari, Austin nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të gatishmërisë ushtarake të këtij vendit dhe kapaciteve ndërvepruese të NATO-s, si jetike në këto momente që po kalon Evropa. Në një konferencë shtypi në Bullgari me kryeministrin Kiril Petkov, Austin ritheksoi edhe njëherë qëndrimin amerikan se do të mbrohet çdo centimetër tokë e territorit të NATO-s.
- Forcat ruse kanë avancuar më thellë në qytetin ukrainas të Mariupolit, i cili ishte i rrethuar dhe i dëmtuar. Për shkak të luftimeve të ashpra, aty është mbyllur fabrika e madhe e çeliku, ndërkaq autoritetet lokale po bëjnë thirrje për më shumë ndihmë nga Perëndimi.
- Të paktën 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, u vranë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt e deri më 18 mars, tha Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR). Po ashtu, sipas OHCHR-së, 1,399 civilë të tjerë, duke përfshirë 78 fëmijë, u plagosën, kryesisht nga bombardimet dhe sulmet ajrore.
Dita 23
- Si pasojë e sulmeve të forcave ruse mbi qytetin Merefa, që ndodhet rreth 25 km në jugperëndim të qyteti Kharkiv, të paktën 21 persona janë vrarë e 25 tjerë janë plagosur, 10 nga të cilët janë në gjendje kritike. Këshu kanë njoftuar nga zyra regjionale e prokurorit. Nga sulmi është shkatërruar një shkollë dhe një klub arti.
- Organizata joqeveritare, Human Rights Watch, ka bërë të ditur se në tre raste, brenda një periudhe një javore, forcat ruse kanë përdorë raketa me municion thërmues, apo bomba kasetore në qytetin Mykolaiv.
- Një person është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur, pasi mbetjet e një rakete të rrëzuar ruse ranë në një ndërtesë banimi në pjesën veriore të Kievit, kanë thënë shërbimet e emergjencave. Në njoftimin e tyre thuhet se 12 njerëz janë shpëtuar dhe 98 janë evakuuar nga ndërtesa pesë-katëshe.
- Rreth 2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina për në Poloni, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, ka njoftuar të premten Garda Kufitare Polake. Vetëm të enjten, 52,500 njerëz kanë kaluar kufirin. Vlerësohet se më shumë se gjysmë milioni refugjatë veçse kanë ikur nga Polonia për në vende të tjera.
- Rusia ka humbur të gjitha iluzionet rreth mbështetjes te Perëndimi dhe Moska nuk do të pranojë kurrë një këndvështrim të botës që dominohet nga SHBA, e cila dëshiron të paraqitet si “police” e botës, ka thënë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
- Banorët e Lvivit kanë thënë për BBC-në se kanë dëgjuar një varg shpërthimesh mëngjesin e sotëm, dhe më pas kanë parë një shtëllungë tymi të dendur nga pjesët periferike të qytetit.Kryetari i Lvivit ka thënë se raktetat ruse kanë goditur zonën në afërsi të aeroportit, duke goditur një fabrikë për riparim të aeroplanëve, por jo edhe aeroportin. Nuk njoftohet për të lënduar nga këto shpërthime.
- Qeveria ukrainase njofton për një marrëveshje për evakuim të banorëve përmes nëntë korridoreve të evakuimit, nga qytetet që po sulmohen rëndën nga forcat ruse. Një nga korridoret lidhë qytetin e rrethuar të Mariupolit me Zaporizhzhian, e cila është ende nën kontrollin e Ukrainës.
- Ofcom, Rregullatori i Komunikimeve në Britani të Madhe, e ka anuluar liçencën e kanalit rus, Russia Today, në Britani të Madhe. Këtë vendim Kremlini e ka quajtur “çmendi”, raporton Reuters.
- Polonia zyrtarisht do të dorëzojë një propozim për një mision paqësor në Ukrainë, në samitin e radhës së NATO-s, ka thënë kryeminisri Mateusz Moraëiecki.
- Një person është vrarë dhe 11 janë lënduar, si pasojë e bombardimeve në një institucion të edukimit të lartë dhe në ndërtesa banimi në Kharkiv, kanë thënë shërbimet e emergjecës.
- Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se zixhiri i furnizimeve ushqimore në Ukrainë është duke kolapsuar, pasi një pjesë e infrastruktës është shkatërruar dhe shumë shitore ushqimore e dyqane të tjera tani janë të zbrazëta.
- Ombudspersoni ukrainas, Lyudmyla Denisova ka thënë se 130 njerëz janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat e teatrit në Mariupol, i cili u godit nga sulmet ajrore ruse të mërkurën.
- Rreth 6,500 viza janë lëshuar nga Britania e Madhe për refugjatët ukrainas, bazuar në skemën britanike për familen, ka njoftuar Zyra e Emigracionit.
- Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe huadhënësit më të mëdhenj në botë kanë paralajmëruar për pasoja të gjera ekonomike nga lufta në Ukrainë dhe janë shprehur “të tmerruar” me “katastrofën shkatërruese humanitare”.
- Wladimir Klitschko, vëllau i kryetarit të Kievit dhe njërit nga simboleve të rezistencës në kryeqytet kundër forcave ruse, i ka thënë Al Jazeera-s se pushtimi rus është një luftë që ka target civilët.“Neve na duhen armë mbrojtëse dhe na duhen tani, përpara se të jetë vonë”, ka thënë Klitschko.
- Forcat e armatosura të Ukrainës thonë se që nga fillimi i agresionit rus janë vrarë rreth 14.200 ushtarë rusë.
- Ndalimi i skuadrave ruse të futbollit në garat e FIFA-s u miratua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka njoftuar se ka folur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke thënë se Ukraina pret të bëhet përparim në aplikimin e saj për t’u anëtarësuar në BE në muajt e ardhshëm.
- Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi Kievin për vonesën e procesit të negociatave. CNN raporton se gjatë një bisede telefonike me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Putin ka fajësuar Ukrainën për zvarritje e vonesa në procesin e negociatave mes të dy palëve, që në dy raundet e fundit është mbajtur përmes video-linkut.
- Këshilli i qytetit të Kievit ka njoftuar se 60 civilë, përfshirë katër fëmijë, janë vrarë në qytet që kur Rusia filloi sulmet e saj më shumë se tri javë më parë.
- Në qendrën historike të Lvivit, janë vendosur sot 109 karroca para ndërtesës së bashkisë në sheshin Rynok, për të kujtuar fëmijët që janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se nevojat humanitare në Ukrainë “po rriten në mënyrë rapide”, duke paralajmëruar për një përkeqësim dramatik.
- Të paktën pesë ushtarakë rusë, përfshirë edhe komandantin e forcave ajrore rajonale, Sergei Sukharev, raportohet të jenë vrarë në një fushëbetejë në Ukrainë.
- Presidenti rus, Vladimir Putin ka përshëndetur atë që Rusia e quan operacionin e saj special në Ukrainë, duke u shfaqur në një tribunë të një tubimi në stadiumin Luzhniki të Moskës. Para mijëra njerëzve që valëvitnin flamujt rusë, Putin tha se po i jepte mbështetje operacionit në Ukrainë.
- Presidenti amerikan, Joe Biden, ka diskutuar sot në një bisedë përmes video-linkut me homologun e tij kinez, Xi Jinping, ku sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë në qendër të bisedës ishte menaxhimi i konkurrencës mes dy vendeve si dhe pushtimin rus i Ukrainës.
- Zyra e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se është konfirmuar vrasja e të paktën 816 civilëve dhe plagosja e mbi 1,330 të tjerëve. Sipas OKB-së, shumica e viktimave civile u vranë nga armët e rënda ajrore dhe sistemet e raketave.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se bombardimet ruse po i pengojnë autoritetet në qytetin e rrethuar jugor , Mariupol që të hapin korridoret humanitare.
- Papa Françesku ka dënuar “shpërdorimin pervers të pushtetit” të shfaqur në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe bëri thirrje për ndihmë për ukrainasit.
- Takimi Biden – Xi Jinping është vlerësuar se kaloi frikën e politikës së jashtme për rrezikun e një përplasje të hapur me Kinën, ndërsa përballet njëkohësisht me Rusinë, duke dërguar një mesazh për Kremlinin që shpreson në mbështetjen ushtarake kineze në Ukrainë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, SHBA po bën një paralajmërim se kompanitë kineze do të paguanin një çmim serioz nëse qeveria e Pekinit mbështet ushtarakisht veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë. Presidenti kinez citohet të ketë thënë se “kriza në Ukrainë është diçka që askush nuk e dëshiron. Këto ngjarje po na tregojnë edhe njëherë se marrëdhëniet midis shteteve nuk duhet të arrijnë deri në pikën e konfrontimit ushtarak”.
Dita 22
- Agresioni rus në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet”, deklaroi te enjten Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe. Në këtë vlerësim është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”.
- Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, ka thënë për BBC se bombardimi i teatrit në Mariupol është një tjetër shenjë se forcat e presidentit rus, Vladimir Putin, u janë drejtuar taktikave më brutale. Przydacz ka thënë se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan, Joe Biden, se lideri rus është “kriminel lufte”.
- Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se ai pret të një “valë më të madhe refugjatësh” në javën e ardhshme nga Ukraina.
- Zyrtarët ukrainas thonë se shpresojnë të hapin nëntë korridore humanitare nga disa qytete përgjatë vendit, përfshirë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit. Zëvendës kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk thotë se qeveria po shpreson që nga dita e enjte të hapin rrugë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përfunduar fjalimin e tij në Bundestagun gjerman. Ai e falenderoi Gjermaninë për ndihmën e saj, por u tha ligjvënësve se përkrahja e tyre ‘ndodhi shumë vonë për të ndalur luftën’. “Pse shprehja ‘kurrë më’ nuk aplikohet? Cila është përgjegjësia historike e Gjermanisë ndaj Ukrainës sot?”, pyeti Zelensky. Presidenti ukrainas kritikoi liderët gjermanë për interesat e tyre të biznesit në Rusi.
- Bisedimet paqësore janë një “gjë e mrekullueshme”, por Perëndimi nuk duhet të “shpërqendrohet” nga to, thotë gjenerali Sir Nick Parker, ish-komandant i forcave tokësore në Ushtrinë Britanike.
- Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sistemin raketor Sky Saber dhe 100 trupa në Poloni. Këtë e bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, të enjten gjatë një vizite në Varshavë.
- Sekretarja britanike e jashtme, Liz Truss thotë se ka “evidencë tepër, tepër të fuqishme” që presidenti rus Vladimir Putin është “një kriminel lufte”.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia tashmë ka kaluar “të gjitha vijat e kuqe”. Në një intervistë për NBC , i pyetur nëse një sulm kimik nga Rusia do të ishte një vijë e kuqe që shtyn Perëndimin të përfshihet më aktivisht në luftime, Zelensky tha se ” kur filluan të bombardojnë civilët, rusët i kanë kaluar tashmë të gjitha vijat e kuqe”.
- Zyrtarët në Kremlin kanë thënë se negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës janë duke vazhduar te enjten online. Zëdhënsi i i Kremlinit, Dmitry Peskov, citohet t’i ketë thënë agjencisë së lajmeve Interfax se po vazhdon puna e ekipeve negociatore.
- Gazetarja e televizionit shtetëror rus, Marina Ovsyannikova, që organizoi një protestë kundër luftës gjatë një edicioni të drejtpërdrejtë, i ka thënë BBC-së se “nuk mund të qëndronte mënjanë”. “Unë me të vërtetë doja t’i tregoja audiencës perëndimore se rusët janë kundër luftës. Jo të gjithë rusët janë të tillë,” ka thënë Ovsyannikova.
- Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden do të ketë të premten një bisedë telefonike me udhëheqësin kinez Xi Jinping. CNN raporton se në qendër të diskutimit të Biden me homologun tij kinez do të jetë menaxhimi i konkurrencës mes dy vendeve si dhe pushtimin rus i Ukrainës.
- Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka njoftuar se sipas shifrave zyrtare të të regjistruarve më shumë se 187,000 refugjatë që ikën nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Gjermani.
- Trupat ruse kanë bombarduar te enjten një zonë banimi në qytetin Merefe afër qytetit Kharkiv, duke shkatërruar një shkollë, një qendër kulturore dhe disa shtëpi private.
- Forcat ruse raportohet të kenë vrarë të paktën 53 civilë në qytetin verior, Chernihiv në Ukrainë.
- Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka thënë pas një takimi me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba se presidenti Volodymyr Zelensky dhe lideri rus Vladimir Putin mund të takohen në kushtet e mundshme për zgjidhjen e konfliktit.
- Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) njoftoi sot se ka pezulluar misionin ruso-evropian “Mars” për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
- Të paktën 25 persona janë vrarë dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur nga një sulm i forcave ruse në qytetin, Merefa afër qytetit jugperëndimor, Kharkiv në Ukrainë.
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka njoftuar se do të sigurojë një sasi fillestare prej 125 jelekësh dhe helmetash antiplumb për të ndihmuar gazetarët ukrainas të zhvendosur që të vazhdojnë punën e tyre dhe të mbështesin rrjedhën e lirë të informacionit gjatë luftës.
- Më shumë se 30,000 njerëz raportohet të jenë larguar nga qyteti lindor, Mariupol, përderisa autoritetet në qytetin e rrethuar thanë se gati 90% e ndërtesave në qytet janë shkatërruar nga bombardimet e përditshme të forcave ruse.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se që nga sulmi rus në Ukrainë më shumë se 3.2 milionë njerëz janë larguar nga vendi.
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e quajti “bandit” presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një fjalimi për Ditën e Shën Patrikut. Ai tha në drekën vjetore tradicionale në Capitol Hill, se Putini është një “diktator vrasës, një bandit që po bën një luftë të ndyrë kundër popullit të Ukrainës”.
- Rrjeti Twitter ka njoftuar se ndërhyrjet dhe kufizimet e tij kundër mediave shtetërore ruse kanë frenuar shtrirjen e asaj përmbajtjeje së informacionit propagandues, duke e ulur atë me 30% në këtë platformë.
- Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se ndihet i detyruar të bëjë gjithçka për t’i dhënë shans diplomacisë dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Pas fjalimit të presidentit të Ukrainës ,Volodymyr Zelensky, në parlamentin gjerman, Scholz theksoi se ndjen një obligim të pashmangshëm për ta ndihmuar Ukrainën. “Jam thellësisht i prekur nga ajo që tha Zelensky”, ka theksuar Scholz.
Dita 21
- Raundi i katërt i negociatave të paqes ka bërë disa përparime. Kjo vjen pasi tre udhëheqës evropianë – kryeministrat e Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovenisë – rrezikuan një udhëtim me tren për në Kiev, për t’u takuar me Zelenskyn dhe për të treguar mbështetje për Ukrainën.
- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se SHBA ka ndarë edhe 186 milionë dollarë ndihmë humanitare shtesë për të mbështetur refugjatët ukrainas dhe personat e zhvendosur brenda vendit për shkak të luftës në Ukrainë.
- Rusia ka targetuar infrastrukturën civilë në qytetin juglindor të Zaporizhias, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit, ka thënë kreu i ushtrisë rajonale ukrainase.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë zyrtarëve të lartë rusë dhe udhëheqësve të medieve që të japin dorëheqje nga postet e tyre dhe njëkohësisht të mbajnë qëndrim kundër pushtimit të vendit të tij.
- Bisedimet për paqe në mes të Rusisë dhe Ukrainës nuk janë “të lehta” por ka “shpresë për kompromis”, ka tënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov
- Zyrtarët ukrainas thonë se kanë vrarë një general rus, i katërti me radhë. Anton Gerashchenko, një këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, ka thënë në Telegram se forcat ukrainase kanë vrarë gjeneralin rus Oleg Mityaev, gjatë luftimeve të ashpra në periferi të Mariupolit.
- Delegacioni i përbërë nga kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë kanë arritur në Poloni, pas vizitës së tyre në Kiev, ka thënë një zëdhënës i qeverisë polake.
- Më shumë se 1.89 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina për në Poloni që nga fillimi i luftës, ka njoftuar Garda Kufitare polake.
- Si pasojë e sulmeve ruse në Kharkiv, një person ka mbetur i vdekur, njoftojnë Shërbimet ukrainase të Emergjencave. Gjithashtu janë dëmtuar edhe dy ndërtesa banimi.
- SHBA dhe anëtarët e tjerë të NATO-s thanë të mërkurën se bota duhet të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, duke adaptuar njëkohësisht sigurinë e aleancës me “realitetin e ri”.
- Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës ka thënë se 103 fëmijë janë vrarë deri më tani në Ukrainë, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
- Shërbimet e Emergjencave të qytetit ukrainas të Kharkivit thanë se ta paktën 500 njerëz janë vrarë në këtë qytet që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
- Mykhailo Podolyak, një prej negociatorëve ukrainas në bisedimet me Rusinë, tha se në “tavolinën e negociatave” është mundësia e një garancie të sigurisë për vendin e tij, nga një grup aleatësh, në rast të ndonjë sulmi në të ardhmen.
- Forcat e Ukrainës kanë thënë se pozicioni mbrojtjes nuk ka ndryshuar, duke theksuar se i ka shkaktuar një “goditje shkatërruese trupave okupuese”.
- Një predhë e hedhur nga forcat ruse raportohet të ketë lënë të paktën 10 persona të vrarë në qytetin Chernihiv në Ukrainë.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim virtual para anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kërkoi më shumë ndihmë ushtarake amerikane për të frenuar agresionin rus.
- Komiteti i ministrave prej 47 vendeve anëtarë të Këshillit të Evropës ka njoftuar se nga sot Federata Ruse pushon së qeni anëtare e Këshillit të Evropës.
- Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavroiv ka thënë se nuk ka pengesa për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por sipas tij një takim i tillë do të bëhet vetëm për të nënshkruar një marrëveshje specifike.
- Presidenti amerikan, Joe Biden, në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, pritet të shpallë vendimin për një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë e Ukrainës, duke e çuar në total në 1 miliard dollarë ndihmën e dhënë vetëm javën e fundit.
- Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Perëndimi nuk do të ketë sukses në atë që ai e quajti përpjekje për dominim global dhe për të copëtuar Rusinë.
- Ukraina është lidhur me rrjetin kryesor evropian për energjinë elektrike, duke e ndihmuar atë për të përballuar ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga dëmet e sulmeve ruse.
- Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtarë të NATO-s në takimin e sotëm janë pajtuar në mbështetjen e aleancës për Ukrainën, por jo edhe për t’iu përgjigjur kërkesës së Kievit për ta shpallur vendin e sulmuar nga Rusia zonë të ndalim-fluturimit.
Dita 20
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u zotua se do të vazhdojë furnizimin e Ukrainës me armë, ushqime dhe para.Në një postim në Twitter, Biden tha se SHBA-ja do t’i mirëpresë edhe refugjatët ukrainas me krahë hapur.
- Dy shpërthime të fuqishme tronditën kryeqytetin Kiev para agimit, kurse sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në rajone të ndryshme, duke përfshirë Odessën, Chernihivin, Cherkasy dhe Smila. Shërbimet e urgjencës thanë se dy persona vdiqën kur një ndërtesë apartamentesh në Kiev u sulmua.
- Kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë pritet të udhëtojnë për në Kiev, për tu takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zekensky.
- Një këshilltar i presidentit ukrainas ka thënë se lufta në Ukrainë ndodhet në udhëkryq, që mund të çojë drejt një marrëveshje përme bisedimeve me Rusinë, apo drejt një ofensive te re ruse.
- Mbrëmjen e së hënës, një grua që mbante një parullë anti-luftës në Ukrainë, u shfaq në sfondin e edicionit të lajmeve në kanalin shtetëror rus, Channel 1. Parulla, që shihej prapa prezentueses së lajmeve, shkruante “jo luftë, ndalojeni luftën, mos i besoni propagandës, ata po ju gënjejnë”. Gruaja është identifikuar si Marina Ovsyannikova, një prej redaktoreve në këtë kanal televiziv. Zëri i saj dëgjohej gjatë transmetimit, duke theskuar mesazhet “Jo luftë! Ndalojeni luftën!”, para se regjisori të kalonte në një reportazh televiziv. Raportohet se redaktorja është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
- Kremlini ka thënë se veprimet e një gruaje, që pengoi programin e drejtpërdrejtë të lajmeve në televizionin shtetëror rus, Channel 1, mund të cilësohen si huliganizëm.
- Rreth 300 civilë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit kanë arritur në qytetin Zaporizhzhia, pas largimit përmes evakuimit të parë të suksesshëm, ka thënë këshilli i qytetit. “Siç është raportuar, rreth 160 vetura janë larguar nga Mariupolit dje. Deri në orën 10:00, ka informacione që rreth 300 banorë të Mariupolit kanë arritur në Zaporizhzhia”, thuhet në njoftim.
- Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes thotë se forcat ruse kanë marrë nën kontroll të plotë rajonin jugor të Khersonit.
- Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ekonomia e Ukrainës ka humbur të paktën gjysmë trilionë dollarë, ka thënë ministri i Financave, Serhiy Marchenko.
- Ora policore do të hyjë në fuqi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, nga ora 8 e mbrëmjes të martën deri në 7 të mëngjesit të enjten, pas bombardimeve të fundit në qytet.
- Kryqi i Kuq po shpreson që të organizojë evakuimin e dy konvojeve me rreth 30 autobusë me civilë nga qytetiiI rrethuar Sumy, që ndodhet në verlindje të Ukrainës.
- Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur deri më tani nga Ukraina, që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara.
- Kancelari gjermani, Olaf Scholz ka thënë se duhet të mbahen të hapura të gjitha kanalet diplomatike dhe të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në Ukrainë.
- Ekipet negociatore të Rusisë e Ukrainës kanë paralajmëruar për të martën vazhdimin e raundit të katërt të bisedimeve për korridoret humanitare dhe armëpushim, por ende nuk është qartësuar nëse do të vazhdojë takimi që u ndërpre të hënën.
- Autoritet në Ukrainë kanë njoftuar se sulmet ruse me raketa kanë shkatërruar pistën e aeroportit në qytetin lindor, Dnipro.
- Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se edhe në skenarin më të keq lufta me Rusinë mund të përfundojë deri në mes të prillit.
- Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore ruse mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev ka arritur në katër, përderisa ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin njerëz të tjerë nga një ndërtesë banimi që është përfshirë nga flakët pas goditjes me raketa.
- Krerët e shteteve anëtare të NATO-s po shqyrtojnë mundësinë e një takimi urgjent javën e ardhshme në Bruksel. CNN citon burime diplomatike që thonë se NATO ka gjasë të mblidhet në një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar për luftën në Ukrainë.
- Raundi i fundit i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar ka përfshirë oligarkët rusë, përfshirë edhe zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov dhe zëdhënësen e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u tha udhëheqësve të Forcës së Përbashkët të Ekspeditës të udhëhequr nga Britania e Madhe se pothuajse 100 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse në vendin e tij, që nga fillimi i agresionit rus.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov ka thënë se Moska ka marrë garanci me shkrim nga Uashingtoni se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk do të ndikojnë në bashkëpunimin me Iranin në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
- Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë sot se Rusia “po hedh pretendime absurde për laboratorët biologjikë dhe armët kimike” në Ukrainë.
- Administrata amerikane ka njoftuar se ka vendosur sanksione të reja kundër presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, një aleat i Rusisë në luftën e saj në Ukrainë.
- Rusia ka njoftuar se ka vendosur sanksione kundër presidentit amerikan, Joe Biden, sekretarit të shtetit, Antony Blinken dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë.
- Rrjeti Fox News ka njoftuar se Pierre Zakrzewski, fotoreporteri shumëvjeçar i këtij mediumi, është vrarë të martën në Ukrainë. “Me trishtim të madh dhe me zemër të thyer ndajmë lajmin se këtë mëngjes është vrarë fotografi ynë i dashur, Pierre Zakrzewski”. Në njoftimin e shefes ekzekutive të Fox News, Suzanne Scott, thuhet se “Pierre u vra në Horenka, në periferi të Kievit, Ukrainë.”
- Presidenti amerikan, Joe Biden do të udhëtojë javën e ardhshme për në Bruksel, për të diskutuar me aleatët e NATO-s një samit të jashtëzakonshëm të aleancës Veriatlantike.
- Të paktën 100 bomba raportohet të jenë hedhur nga forcat ruse mbi qytetin juglindor Mariupol në Ukrainë, në ditën e 20 të agresionit të Rusisë.
- Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë arritën të marten në Kiev për bisedime me krerët e Ukrainës, në kulmin e përshkallëzimit të luftimeve në kryeqytet. Në një njoftim në Facebook, kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki ka treguar se kanë hyrë në Kiev, duke shtuar se duhet të marrë fund ajo që po ndodhë në Ukrainë. “ Ne duhet ta ndalojmë tragjedinë që po ndodh sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi ai.
- Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), ka njoftuar se në një operacion “kalimi të sigurt”, më shumë se 100 autobusë dhe mjete tjera kanë arritur të largojnë mijëra civilë nga qyteti i rrethuar i Sumy në verilindje të Ukrainës.
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden planifikon të shpalos të mërkurën paketën e ndihmës për Ukrainën, pas adresimit online në Kongres të presidentit, Volodomyr Zelensky.
Dita 19
- Të paktën 2 persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur, nga një sulm ajror rus në një ndërtesë banimi në Kiev. Zjarrëfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, pas sulmit. 63 persona u evakuuan pas bombardimit të katit të 9-të të ndërtesës në distriktin Obolon.
- Një sulm rus në një bazë ushtarake ukrainase në afërsi të kufirit polak, të dielën, ishte përpjekje për të “kërcënuar” NATO-n, tha zv/ministry i Jashtëm polak, Marcin Przydacz. Të paktën 35 njerëz janë vrarë në një bazë në Yavoriv, rreth 20 km nga kufiri me Poloninë, e cila është anëtare e Aleancës veriatlantike.
- Ukraina vazhdimisht u bën thirrje vendeve perëndimore që të ndihmojnë më shumë në luftën kundër Rusisë dhe këtë thirrje e ka përsëritur sërish ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
- Më shumë se 2,500 banorë të qytetit bregdetar të Mariupolit janë vrarë që nga 24 shkurti, kur filloi agresioni rus në Ukrainës, tha këshilltari i presidentit të Ukrainës, Oleksiy Arestovych.
- Ministri i Shëndetësisë i Britanisë së Madhe tha se ky vend ka dërguar ndihma humanitare për në Ukrainë, në vlerë prej 400 milionë funtave.
- Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë ka njoftuar se 90 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
- Instagrami nuk funksion më në Rusi, pas akuzave të Moskës ndaj kompanisë bazë, Meta, se po lejon në platformën e saj thirrjet për dhunë kundër rusëve, përfshirë edhe ushtrinë. Ky vendim vjen pasi Facebook dhe Twitter u bllokuan në fillim të marsit, pas tentimeve të autoriteteve ruse për të kontrolluar informacionin lidhur me luftën në Ukrainë. Të hënën, Instagrami shfaqet në listën e burimeve online në Rusi si “i kufizuar”.
- Kina thotë se nuk ka pranuar kërkesë nga Rusia për pajisje ushtarake apo ndonjë lloj ndihme tjetër për ta mbështetur luftën e saj në Ukrainë. Dy zyrtarë amerikanë i kanë thënë CNN-it të dielën se Rusia ka kërkuar nga Kina përkrahje ushtarake, përfshirë dronë, e po ashtu edhe ndihmë ekonomike. Ministri i Jashtëm kinez, Zhao Lijian tha të hënën se SHBA “po shpërndanë dezinformata”.
- Autoritetet ruse dhe ukrainase kanë nisur një rund të katërt të bisedimeve, me qëllim të ndaljes së konfliktit. Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak tha se këto bisedime do të fokusohen në arritjen e një armëpushimi, tërheqjen e trupave ruse dhe një garancioni për siguri në Ukrainë.
- Sulmet ruse vazhduan edhe të hënën me bombardime që goditën një bllok ndërtesash dhe një fabrikë për prodhimin e avionëve në Kiev.
- Ukraina do të bëjë përpjekje që të evakuojë civilët përmes 10 “korridoreve humanitare”, nga qytetet në afërsi të Kievit, e po ashtu edhe nga rajoni lindor Luhansk.
- Kina thotë se nuk ka pranuar kërkesë nga Rusia për pajisje ushtarake apo ndonjë lloj ndihme tjetër për ta mbështetur luftën e saj në Ukrainë.
- Reuters raporton se India është duke e konsideruar mundësinë që ta pranojë ofertën e Rusisë për të blerë naftë të papërpunuar, me një çmim me zbritje, në kohën kur po vazhdojnë sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.
- Një nga negociatorët ukrainas ka ndarë një fotografi nga bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, që tani kanë hyrë në rundin e katërt të tyre, përmes një video lidhjeje. Zyrtari ukrainas, Mykhailo Podolyak tha se të dyja palët i kanë paraqitur pozicionet e tyre.
- Autoritetet ukrainase thanë se dy persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas një sulmi të forcave ruse në një fabrikë për prodhimin e aeroplanëve në Kiev.
- Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, u zotua sot se Izraeli nuk do të përdoret nga rusët për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
- Kremlini ka deklaruar se kishte planifikuar të shmang viktimat civile dhe të përmbahet nga sulmet në vendbanimet kryesore, përfshirë edhe Kievin. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë sot për TV Rossiya 24, se lufta urbane “pashmangshëm” shpie te një numër i madh viktimash civile.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky , në një video-mesazh të Twitter, ka thënë se po vazhdojnë “bisedimet e vështira” me Rusinë dhe më vonë në mbrëmje do ta publikojnë rezultatin e tyre.
- Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov do të diskutojnë të martën në Moskë, për programin bërthamor të Republikës Islamike, pasi Tehrani akuzoi Shtetet e Bashkuara se po pengojnë një marrëveshje në bisedimet në Vjenë për rikthimin amerikan në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
- Qyteti port i Ukrainës, Mariupol, po vazhdon të bombardohet nga sulmet ruse dhe pamjet e fundit tregojnë për një shkatërrim masiv të qytetit.
- Pas dy orë bisedimesh, kryenegociatori ukrainas në bisedimet me Rusinë, Mykhailo Podoliak, ka njoftuar se është vendosur për një “pauzë teknike” në bisedimet mes palëve. Sipas Podoliak, bisedimet do të vazhdojnë të martën, ngase nevojitet “një punë shtesë në nëngrupet punuese dhe sqarimi i përcaktimeve individuale” .
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) ka njoftuar se më shumë se 2.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për në vendet fqinje, duke përfshirë 127,000 shtetas të vendeve të treta.
- Shefi i Gardës Kombëtare të Rusisë, Viktor Zolotov ka thënë se ofensiva ushtarake ruse në Ukrainë nuk do të planifikohet. Reuters raporton se deri më tani ky ishte pranimi më i rëndësishëmn nga një zyrtar i Kremlinit që konfirmon se ka agresioni rus në Ukrainë po has më shumë rezistencë se sa që pritej.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të mërkurën do të mbajë një fjalim virtual në Kongresin Amerikan.
- Zyra e Komisionerit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka njoftuar sot se ka arritur të konfirmojë vrasjen e të paktën 636 civilëve dhe plagosjen e mbi 1,120 të tjerëve, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.
- Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka njoftuar se OKB-ja do të ndajë edhe 40 milionë dollarë të tjera për të rritur ndihmën humanitare për Ukrainës.
- Presidenca e BE-së, që aktualisht udhëhiqet nga Franca, njoftoi se ambasadorët e 27 vendeve anëtare të bllokut miratuan një paketë të katërt sanksionesh, duke goditur individë dhe kompani ruse “të implikuar në sulmin ndaj Ukrainës”. Emrat e tyre pritet të bëhen publikë në një botim “të shpejtë” të Gazetës Zyrtare të BE-së, duke shpallur ligjërisht të gjitha vendimet e Bashkimit Evropian.
- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njoftuar sot se të mërkurën do të mblidhet për të vendosur për çështjen që Ukraina ka ngritur kundër Rusisë. Ukraina i kishte kërkuar gjykatës së OKB-së që të urdhëronte Rusinë të ndërpresë aktivitetet ushtarake, duke argumentuar se agresioni rus në Ukrainë bazohej në një interpretim fals të traktatit të gjenocidit të OKB-së.
Dita 18
- Kjo e diel shënon ditën e 18-të të luftës në Ukrainë, ndërsa situata sa vjen e tensionohet edhe më shumë. Të shtunën u arrit evakuuimi i rreth 13,000 ukrainasve. Po ashtu 7 civilë, gra dhe fëmijë vdiqën gjatë bombardimeve pasi nuk përdorën korridorin e gjelbër humanitar, teksa po tentonin të largoheshin nga një fshat afër Kievit.
- Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka dhënë paralajmërimin që Ukraina e ka informuar se Rusia po planifikon të marrë kontrollin e plotë të centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Por, ky pretendim mohohet nga vetë Rusia.
- Rusët kanë goditur bazën ushtarake në Lviv, pranë kufirit polak, mëngjesin e së dielës me orën lokale, njofton zyra e shtypit e qeverisë rajonale të Lviv. Sipas të dhënave paraprake, Rusia lëshoi tetë raketa pranë Lvivit, tha qeveria rajonale. Zyrtarët po shqyrtojnë nëse ka viktima. Shpërthime të shumta u dëgjuan edhe pak para orës 6 të mëngjesit me orën lokale pranë qytetit, sipas një ekipi në terren të CNN.
- Pothuajse 1.7 milionë njerëz nga Ukraina kanë ikur në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, njoftoi sot në Twitter Roja Kufitare polake. Vetëm të shtunën rreth 79 800 persona kanë kaluar kufirin, një rritje prej 5% krahasuar me një ditë më parë. Fluksi ishte veçanërisht i madh në pikën kufitare Medyka në provincën Subcarpathia.
- Papa Françesku ka dënuar ashpër sulmin rus në Ukrainë. “Në emër të Zotit, ju kërkoj të ndaloni këtë masakër”, tha ai gjatë lutjes së tij javore të së dielës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
- Një gazetar amerikan është vrarë dhe një tjetër është plagosur në Irpin, në veri të Kievit. Autoritetet ukrainase kanë thënë se ai është vrarë nga forcat ruse. Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP në Irpin e kanë parë trupin, i cili është identifikuar si Brent Renaud, fotograf dhe regjisor, i cili ka kontribuar për të përditshmen amerikane, New York Times.
- Zyrtarët ukrainas dhe ata rusë janë shprehur optimistë për bisedimet që po zhvillojnë për luftën në Ukrainë, duke sugjeruar se mund të ketë rezultate pozitive brenda ditësh.
- Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka folur të dielën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Një zëdhënës i kryeministrit tha se “Johnson lavdëroi presidentin dhe popullin ukrainas për qëndrueshmërinë dhe tha se veprimet barbare të Putinit po testojnë jo vetëm Ukrainën, por gjithë njerëzimin”.
- Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak, tha se të hënën, më 14 mars, do të paraqesin rezultatet e para të bisedimeve me delegacionin rus. Podolyak, që është pjesë e delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë, tha se bisedimet me Moskën po vazhdojnë pandërprerë.
Dita 17
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje nënave ruse që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në fushën e betejës dhe të ushtrojnë vigjilencën për vendndodhjen e tyre.
- Bombardime të fuqishme u regjistruan në periferi të Kievit. Si pasojë e sulmeve me raketa nga ushtria ruse mori flakë një depo e ushqimeve. Kjo u bë e ditur nga Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës.
- Banorët në qytetin ukrainas të Melitopolit kanë dalë për të protestuar kundër rrëmbimit të dyshuar të kryebashkiakut nga forcat ruse.
- Forcat ruse kanë bombarduar një xhami në qytetin Mariupol, ku janë strehuar më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë, përfshirë shtetas turq, ka thënë Ministria e Jashtme ukrainase.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën se çdo negociatë me Rusinë nuk mund të fillojë para se të arrihet një marrëveshje e armëpushimit ndërmjet forcave të Kievit dhe Moskës.
- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë. Sipas Presidencës franceze, Macron dhe Scholz kanë kërkuar nga Putini që ai t’i japë fund luftës. Por, një zyrtar i Presidencës franceze, i citur nga Reuters, ka thënë se Putin nuk dukej i gatshëm që t’i jepte fund luftës.
- Ushtria ukrainase tha se trupat ruse kanë hapur zjarr ndaj një konvoji që po evakuonte civilët nga qytetet e rrethuara ukrainase, duke vrarë shtatë persona.
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka autorizuar një mbështetje të mëtejshme ushtarake në vlerë prej 200 milionë dollarësh për Ukrainën, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Dita 16
- Programi Botëror i Ushqimi thotë se lufta e Rusisë në Ukrainë po rrit nivelin global të urisë. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur sot alarmin se lufta e Rusisë në Ukrainë ndikon në gati një të tretën e eksporteve botërore të grurit dhe elbit.
- Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar ndihmën për Ukrainën në vlerë prej 14 miliardë dollarëve. Ndërkohë, është paralajmëruar largimi i statusit të veçantë tregtar të Rusisë nga SHBA, BE dhe grupi G7, si dhe është paralajmëruar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me kërkesë të Rusisë.
- Si pasojë e sulmeve ajrore në qytetin qëndror ukrainas të Dnipros ka mbetur një person i vrarë, kanë thënë shërbimet shtetërore të Emergjencës. Ky vlerësohet të jetë sulmi i parë direkt në qytet.
- Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia duhët t’ua mundësojë vullnetarëve që duan të luftojnë në Ukrainë, të marrin pjesë në ofensivën ruse. Sipas zyrtarëve rusë, 16 mijë vullnetarë nga Lindja e Mesme janë të gatshëm të shkojnë në Ukrainë, për të luftuar përkrah forcave rebele.
- Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, zv/presidenti ukrainas ka thënë se Ukraina është e hapur për neutralitetin e vet nëse NATO-ja nuk është e gatshme ta pranojë Ukrainën. Ndërkohë, presidenti Zelenski është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.
- Forcat ruse kanë vrarë më shumë civilë ukrainas sesa ushtarë, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ka thënë ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.
- Kriza me refugjatë po rritet nga dita në ditë. Sipas komisionerit të Lartë për Refugjatë, Filippo Grandi, numri i refugjatëve ukrainas ka arritur në 2.5 milionë. Prej tyre, 116 mijë janë shtetas të vendeve të treta, njofton agjencia e lajmeve AFP. Rreth 2 milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës.
- Forcat ruse kanë goditur një spital psikiatrik në afërsi të qytetit ukrainas Izyum, kanë njoftuar zyrtarët rajonal, të cilët e kanë përshkruar sulmin si “krim lufte”.
- Kryetari i Kharkivit, qytetit verilindor të Ukrainës, thotë se ky qytet po bombardohet vazhdimisht nga forcat ruse. Në një intervistë televizive, Ihor Terekhov tha se të paktën 48 shkolla në Kharkiv janë shkatërruar si pasojë e sulmeve.
- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paraqitur planet për t’u larguar nga varësia e BE-së në energjinë ruse deri në vitin 2027. Këto janë prezentuar në samitin e Versajës.
- Liderët e Bashkimit Evropian do të votojnë të premten për dyfishim të përkrahjes financiare të bllokut për Forcat e Armatosura të Ukrainës, ka thënë shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
- Ministri rus i Mbrojtjes ka thënë se pushtimi i Ukrainës po realizohet me sukses, pavarësisht pretendimeve të Perëndimit se ushtria ruse po përballet me vështirësi të paplanifikuara.
- Presidenti rus, Vladimir Putin ka takuar në Moskë, presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko – një aleat kryesor rus në këtë rajon dhe citohet t’i ketë thënë se “ka disa ndryshime pozitive në bisedimet me Ukrainën”. Një takim me udhëheqësin bjellorus, Putin ka folur gjithashtu për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë, duke pohuar se ato mund të kenë një efekt pozitiv në vend.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka thënë sot se Ukraina ka arritur një pikë kthese strategjike në luftën e saj me Rusinë dhe do arrij ta përballojë ofensivën e Moskës.
- Imazhet e reja satelitore tregojnë se karvani rus i gjatë prej mbi 64 kilometrave, që po lëvizte drejt Kievit, është shpërndarë kryesisht në zona të banuara, përderisa po vazhdon beteja për kryeqytetin.
- Kryebashkiaku i qytetit Odesa në Ukrainë, Gennadiy Trukhanov ka paralajmëruar se forcat ruse së shpejti mund të rrethojnë në tri fronte këtë vend, gjë që mund ta shkëpus qytetin port në Detin e Zi nga pjesa tjetër e Ukrainës.
- Zyra e Komisionarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se deri më tani është konfirmuar vrasja e 564 civilëve, përfshirë edhe 41 fëmijë, duke shtuar se numri real besohet të jetë dukshëm më i lartë, pasi nuk mundur të vërtetojë raportet nga zonat ku po vazhdojnë luftime intensive.
- Inspektorati Shtetëror Bërthamor i Ukrainës ka njoftuar se furnizimi me energji elektrike në centralin bërthamor të Çernobilit nuk është rikthyer ende, pavarësisht se ministria ruse e energjisë pretendoi të enjten se specialistët bjellorusë e kishin rikthyer furnizimin.
- Forcat ajrore të Ukrainës kanë njoftuar se avionët rusë kanë qëlluar në mesditë në një vendbanim në Bjellorusi, pranë kufirit me Ukrainën. Sipas një deklaratë të ushtrisë së Ukrainës, sulmet janë kryer nga hapësira ajrore ukrainase, në përpjekje për të nxitur në luftë Bjellorusinë.
- Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris e quajti “të hekurt” angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e NATO-s. Duke folur gjatë një vizite në Bukuresht, skajin lindor të aleancës, Harris ka thënë se Shtëpia e Bardhë po e merr shumë seriozisht rolin e saj në marrëdhëniet brenda aleancës së NATO-s.
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se nëse Rusia vazhdon ofensivën e bombardimeve, atëherë sanksionet aktuale të Bashkimit Evropian kundër Rusisë “duhet të jenë më të forta”.
- Zyrtarët perëndimorë kanë konfirmuar se një gjeneral major rus, i treti me radhë në hierarkinë ushtarake, është vrarë në Ukrainë, duke shtuar ai ishte nga një distrikt ushtarak lindor i Rusisë.
- Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi për një varg sanksionesh ndaj Rusisë, përfshirë edhe anulimin e statusit të përhershëm tregtar.
- Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan ka njoftuar se është hapur një portal në internet për të mbledhur prova të krimeve të luftës në Ukrainë.
- Sergiy Kyslytsya, ambasadori i Ukrainës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka akuzuar Rusinë se qëllimisht po godet caqet civile duke vrarë civilët në zonat e banuara të Ukrainës. Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Rusia për të diskutuar pretendimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisin laboratorë të armëve biologjike, Sergiy Kyslytsya i tha Këshillit të Sigurimit se Rusia po kryen mizori.
Dita 15
- Presidenti uKrainas, Volodymyr Zelensky ka dënuar ashpër sulmin e së mërkurës në maternitetin e spitalit të Mariupolit, të cilin Moska vazhdon ta mohojë dhe sërish kërkoi zonë të ndalimfluturimit mbi vendin e tij .Vlerësimi zyrtar i SHBA-së për numrin e rusëve të vrarë në dy javët e para të luftës është nga 5,000 deri në 6,000, thonë zyrtarët amerikan, raporton BBC. Numri i trupave ruse të plagosura vlerësohet të jetë nga 15 mijë deri në 18 mijë, duke u nisur nga supozimet se shkalla e të plagosurve është zakonisht trefishi i shifrës së të vrarëve.Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës kanë arritur në Antalia të Turqisë, ku më vonë gjatë ditës pritet t’i zhvillojnë bisedimet për paqe, të parat e këtij niveli të lartë.
- Zv/presidentja amerikane, Kamala Harris ndodhet në Poloni, një ditë pasi administrata amerikane refuzoi propozimin e këtij vendi për të transferuar flotën e saj të avionëve në SHBA dhe jo drejtpërdrejtë në Ukrainë.
- Britania e Madhe thotë se Moskës i është dashur të dërgojë trupa rekrutuese në Ukrainë, pavarësisht insistimit të presidentin rus Putin se kjo nuk do të ndodhte.
- Raportohet se katër njerëz janë vrarë – në mesin e të cilëve dy fëmijë – pas bombardimit nga forcat ruse të një ndërtese banimi në afërsi të qytetit të Kharkivit, njoftojnë Shërbimet Shtetërore Emergjente të Ukrainës.
- Ukraina do të hapë shtatë “korridore humanitare” të enjten, për të ndihmuar civilët që të ikin nga qytetet e rrethuara nga forcat ruse, përfshirë qytetin e Mariupolit, ka thënë zv/kryeministrja Iryna Vereshchuk.
- Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka udhëzuar specialistët nga vendi i tij që të rregullojnë problemet e furnizimit me energji elektike në centralin bërthmor në Çernobil, në Ukrainë, njofton agjencia e lameve Belta.
- Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se në takimin e nivelit të lartë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, nuk është arritur ndonjë progres.Kërkesës së Ukrainës për hapjen e korridoreve humanitare nga Mariupoli dhe mundësisë së një armëpushimi 24 orësh, ministry Lavrov i është përgjigjur negativisht, duke thënë se nuk është në kompetencat e tij që të marrë vendime rreth këtyre kërkesave.Ministri rus Lavrov tha se civilët ukarinas po përdoren si mburoja njerëzore. Ai tha se operacionet ushtarake ruse po shkojnë sipas planit.Ministri ukrainas Kuleba tha se pala ukrainase është e gatshme që t’i vazhdojë bisedimet, në përpjekje për të arritur paqe dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe vuajteve të civilëve ukrainas.
- Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se ka vënë sanksione ndaj shtatë biznesmenëve të njohur rusë, përfshirë miliarderin Roman Abramovich.
- Rusia është larguar nga Këshilli i Evropës, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse. Në një deklaratë, ministria tha se shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë qenë “jo miqësore ndaj Rusisë”, duke i akuzuar ato për keqpërdorim të shumicës në komitetin e ministrave të Këshillit.
- Një konvoj me ndihma humanitare, që po provonte të arrinte në Mariupol, është kthyer mbrapa për shkak të luftimeve atje, ka thënë zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.Komentet e saj vijnë pas raportimeve të Këshillit të qytetit të Mariupolit se po vazhdojnë bombardimet ruse.
- Në kohën kur po vazhdon agresioni rus në Ukrainë, në Rusi po vazhdojnë protestat kundër luftës. Protestat që bëjnë thirrje për ndalje të luftës kanë vazhduar në mbi dhjetë qytete të ndryshme në Rusi, përfshirë kryeqyetin, Moskën.
- Autoritetet lokale në qytetin e rrethuar të Mariupolit kanë thënë se forcat ruse kanë filluar të bombardojnë “korridorin e gjelbër”, i cili ka për synim evakuimin e banorëve të Mariupolit.
- Sergiy Makogon, kreu i operatorit të rrjetit transit të gazit të Ukrainës (OGTSU) ka kërkuar që forcat ruse të tërhiqen nga dy stacionet e kompresorëve të gazit në Ukrainën lindore. Makogon tha se trupat ruse kanë marrë kontrollin dhe po mbajnë të bllokuar stafin në stacionet Novopskov dhe Kupiansk, duke thënë se pushtimi i linjave përbën një rrezik për furnizimet e burimit të energjisë në Evropë.
- Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë të enjten në Varshavë se SHBA-ja është e përgatitur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.
- Forcat ruse deri më tani kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, ndërtesa dhe asete të tjera fizike në Ukrainë, në vlerë prej të paktën 100 miliardë dollarë.
- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u ka thënë rusëve në një fjalim televiziv se nuk ka asgjë që vendi nuk mund ta zgjidh, përderisa federata ruse po përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare.
- Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutuan të enjten në Versajë të Francës mënyrat për të shkëputur varësinë e Evropës nga nafta dhe gazi rus, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
- Zyrtarët në Ukrainë thonë se forcat ruse kanë rifilluar bombardimet e qytetit në Mariupol, një ditë pasi një spital u godit nga një sulm ajror, duke lënë të vrarë të paktën 4 persona, përfshirë edhe një fëmijë.
- Ministria ruse e Energjisë ka njoftuar se një ekip i specialistëve bërthamorë të Bjellorusisë ka riparuar dëmet, duke rikthyer furnizimin me energji elektrike në termocentralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë.
- Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Polonia janë “të bashkuara” në politikën e tyre ndaj Ukrainës.
- Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko ka thënë se mbi 2 milionë banorë janë larguar nga Kievi.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur sot alarmin se lufta e Rusisë në Ukrainë ndikon në gati një të tretën e eksporteve botërore të grurit dhe elbit.
Dita 14
- Rusia tha se është e gatshme të sigurojë korridore humanitare të mërkurën për njerëzit që ikin nga Kievi dhe katër qytete të tjera të Ukrainës.
- McDonald’s, PepsiCo, Coca-Cola dhe Starbucks kanë ndaluar shitjet e produkteve të tyre në Rusi.Kompanitë e njohura amerikane iu bashkuan veprimeve të qeverisë amerikane për të sanksionuar Rusinë, për shkak të invazionit rus në Ukrainë.
- Qeveria britanike ka thënë se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shënuar “një sukses të konsiderueshëm” kundër aeroplanëve rusë. Kjo me gjasë ka parandaluar Moskën që të arrijë “çfarëdo kontrolli në ajër”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.
- Ukraina do të bëjë përpjekje që t’i largojë civilët përmes gjashtë “korridoreve humanitare”, përfshirë qytetin e rrethuar të Mariupolit, ka thënë zv/kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk. Përmes një video-mesazhi, ajo tha se forcat ukrainase janë pajtuar që t’i ndalin bombardimet në ato zona nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes.
- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps ka mohuar se Britania e Madhe po qëndron mbrapa disa shteteve evropiane kur bëhet fjalë për pranimin e refugjatëve nga Ukraina. Ai i ka thënë BBC-së se 760 refugjatë ukrainasë kanë arritur deri më tani në Britani të Madhe, duke mbetur mbrapa vendeve fqinje, përfshirë Irlandën, e cila ka pranuar mbi 2,000 refugjatë që nga fillimi i krizës. Ai ka argumentuar duke thënë se Britania “duhet ta dijë se kush po hyn në vend”.
- Kryetari i qytetit Sumy tha se civilët kanë filluar të ikin nga qyteti verlindor i Ukrainës me veturat e tyre private, pasi është siguruar “korridori humanitar”, për të dytën ditë me radhë.
- Një deputet ukrainas i ka thënë BBC-së se autoritetet lokale në qytetin e Mariupolit e kanë njoftuar se qyteti ka vetëm edhe 3 ditë furnizime me ushqime, përpara se të fillojë uria.
- Qeveria e Ukrainës do të ndalojë eksportin e mallrave bazike bujqësore, përfshirë grurin, misrin, kripën dhe mishin, sipas një rezolute të kabinetit qeveritar, që ka kaluar të martën. Ukraina është një prej furnizuesve më të mëdhenj në Evropë sa i përket produkteve bujqësore, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.
- Moska do ta arrijë qëllimin e saj për të siguruar një Ukrainë neutrale, por do të preferonte që këtë ta bëjë përmes bisedimeve, sesa përmes konfliktit, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
- SHBA tha se oferta e Polonisë për të dërguar avionët e saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë, përmes bazës ajrore amerikane në Gjermani, ngrit “shqetësime serioze” për të gjithë strukturën e aleancës së NATO-s.
- Presidenti i Turqisë, Regep Tayp Erdogan ka ofruar të ndërmjetësojë krizën në Ukrainë. Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë janë pajtuar të takohen për bisedime, të cila pritet të zhvillohen të enjten në Turqi.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka përsëritur thirrjen për aleatët e Kievit për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke paralajmëruar se nëse nuk vendoset kjo vendi i tij do të përballet me një “katastrofë humanitare”.
- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë 160 individë të tjerë, ligjvënës dhe biznesmenë rusë.
- Ukraina i bëri thirrje Rusisë për një armëpushim të përkohshëm të mërkurën për të lejuar riparimet e një linje energjetike në termocentralin bërthamor të Çernobilit, duke paralajmëruar se mund të ketë një rrjedhje rrezatimi nëse vazhdon ndërprerja e energjisë elektrike.
- Presidenti i Ukrainës ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e një “sulmi të drejtpërdrejtë” në një kompleks spitalor në Mariupol, pjesë e së cilit është edhe materniteti dhe pediatria. “Njerëz, fëmijë janë nën rrënojat,” shkroi Zelenskyy në Twitter, duke e quajtur “mizori” sulmin rus.
- Autoritetet në Kremlin kanë hedhur poshtë akuzat se po shkelin një armëpushim për të cilin u ra dakord për të lejuar evakuimin e civilëve, pavarësisht sulmit në spitalin e Mariupolit dhe vende të tjera. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Ukraina kishte bombarduar pozicionet ruse në periferi të Kievit, si dhe në Kharkiv, Mariupol dhe Sumy.
Dita 13
- Në ditën e 13-të të pushtimit rus në Ukrainë, ofensiva ruse po ngadalësohet, thonë autoritetet ukrainase, ndërsa banorët vazhdojnë të largohen nga qytetet e bombarduara.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy sërish ka folur për rezistencën dhe guximin e popullit ukrainas për ta mbrojtur vendin nga agresioni rus. Ai thotë se do të qëndrojë në Kiev dhe nuk do ta dorëzojë qytetin, komunitetin e Ukrainën, duke theksuar se nuk ka frikë nga askush.
- Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për organizimin e një korridori humanitar, për t’i lejuar civilët që të ikin nga Sumy, i cili është rrethuar pjesërisht nga forcat ruse. Të hënën u raportua për 9 persona të vrarë nga ky qytet. Armëpushimi, për të cilin janë pajtuar palët, pritet të zgjasë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 21:00.
- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se një zonë ndalim-fluturimi do ta dëmtonte si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë. “Nëse kemi një zonë ndalim-fluturimi, askush nuk fluturon”, tha Wallace.
- Njerëzit kanë nisur të evakuohen nga Irpini, një qytet në perëndim të Kievit, i cili ka përjetuar luftime të ashpra gjatë ditëve të fundit.
- Një analizë e Human Rights Watch thotë se sulmet e së dielës në Irpin sugjerojnë se janë shkelur ligjet e luftës nga Rusia gjatë bombardimit të qytetit, i cili ndodhet në perëndim të Kievit.
- Udhëheqësi i UNHCR-së, Filippo Grandi ka thënë se 2 milionë njerëz kanë lëshuar deri më tani Ukrainën, në kërkim të një vendi më të sigurt.
- Njësia e Intelegjencës së ushtrisë së Ukrainës tha se forcat ukrainase kanë vrarë një gjeneral rus në afërsi të qytetit të rrethuar të Kharkivit – komandanti i dytë i lartë rus që vritet që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë komente lidhur me këtë deklaratë të palës ukrainase. Ukraina thotë se forcat e saj kanë vrarë më shumë se 11 mijë trupa ruse. Rusia ka konfirmuar humbjen e 500 trupave. Asnjëra palë nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të viktimave ukrainase.
- Gjiganti britanik i naftës, Shell ka kërkuar falje për blerjen e një dërgese me zbritje javën e kaluar të naftës së papërpunuar ruse dhe thotë se do të tërhiqet tërërsisht nga çdo përfshirje në hidrokarburet e këtij vendi.
- Rusia ka paralajmëruar se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi vazhdon sanksionet ndaj naftës ruse.
- Antony Blinken ka thënë se është “urgjente” që vendet evropiane të ndalojnë së mbështeturi te energjia ruse, sidomos tani kur po vazhdon pushtimi i Ukrainës.
- Në ditën e 13- të të pushtimit dhe pajtimit për një armëpushim për të lejuar civilët të largohen nga qyteti Sumy dhe qyteti Irpin, që ndodhet në afërsi të Kievit, konvojet ruse vazhdojnë të mbesin larg Kievit.
- Banka Botërore ka miratuar një paketë kredie dhe grante prej 723 milionë dollarësh për Ukrainën, përderisa ky vend po vazhdon betejën kundër pushtimit rus.
- Të paktën 21 civilë, përfshirë edhe dy fëmijë, janë vrarë sot nga një sulm ajror rus në qytetin ukrainas Sumy. Autoritet në Ukrainë kanë njoftuar se civilët janë goditur në një zonë derisa civilët po përpiqeshin të evakuoheshin.
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur ndalimin e importeve të naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një hap tjetër në vargun e sanksioneve në rritje kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës. CNN raporton se Britania e Madhe pritet t’i bashkohet gjithashtu arministratës amerikane, në shpalljen e ndalimit të importeve të naftës ruse në Mbretërinë e Bashkuar.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është drejtuar Parlamentit britanik dhe është zotuar të vazhdojë të luftojë kundër Rusisë. Dy javë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, Zelensky citoi William Shakespeare, falënderoi kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe bëri thirrje për rritje të sanksioneve kundër Kremlinit.”Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbim. Do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht nga çmimi i kësaj”, ka thënë lideri i Ukrainës
- Drejtori për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës si “një katastrofë të madhe humanitare”.
- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të jetë kurrë i suksesshëm në pushtimin e gjithë Ukrainës. “Putini duket i vendosur të vazhdojë rrugën e tij vrastare, pa marrë parasysh koston”, tha Biden në konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë. Biden tha se Putini mund të vazhdojë luftën e ashpër, por Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për të. Ai shtoi se nëse SHBA nuk i përgjigjet sulmit rus, kostoja e lirisë për popullin amerikan do të jetë e madhe.
Dita 12
- Ukraina dhe Rusia pritet të vazhdojnë bisedimet. Palët janë takuar edhe dy herë të tjera, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por pa ndonjë rezultat konkret.
- Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi njoftoi se më shumë se 1,5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje që nga fillimi i ofensivës ruse.
- Ushtria ruse të hënën do t’i ndalë bombardimet dhe do të hapë korridoret humanitare në disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, Interfax, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Korridoret, të cilat gjithashtu do të jenë të hapura për qytetet Kharkiv, Mariupol dhe Sumy, po hapen pas kërkesës së presidentit francez, Emmanuel Macron, thuhet në këtë raportim.
- Ukraina thotë se propozimi rus për korridoret humanitare, për t’i çuar refugjatët në Bjellorusi apo Rusi është “tërësisht i pamoralshëm”.Qytetarët ukrainas duhet të lejohen që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre nëpërmjet territorit ukrainas, ka thënë një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
- Rusia tha të hënën se 6 korridore humanitare do të hapen përreth qyteteve ukrainase, për t’u mundësuar qytetarëve që të ikin.
- Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk ka kërkuar nga Putini për hapjen e korridoreve humanitare nga qytetet ukrainase për në Rusi dhe Bjellorusi, ka thënë zyra e Presidencës franceze.Moska më herët njoftoi për rrugët e evakuimit nga Kharkivi, Kievi, Mariupoli dhe Sumy, pasi Putini dhe Macroni zhvilluan një bisedë telefonike të dielën. Në njoftim u tha se veprimi është marrë si përgjigje ndaj një “kërkese personale” nga lideri francez. Por, Presidenca franceze i tha agjencisë së lajmeve AFP se një kërkesë e tillë nuk është bërë.
- Kryqi i Kuq kinez do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, ka thënë ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, duke përsëritur thirrjen për vazhdim të bisedimeve diplomatike. Ai ka thënë se miqësia mes Kinës dhe Rusisë është “e fortë” dhe se perspektiva për bashkëpunim është shumë e gjerë.
- Rusia ka refuzuar të dërgojë një delegacion në gjykatën e lartë të Kombeve të Bashkuara, në një seancë dëgjimore, pas kërkesës së Ukrainës që bën thirrje për detyrim të Rusisë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës.
- SHBA dhe aleatët janë të gatshëm “që të përballen me çfarëdo kërcënimi”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Këtu përfshihet edhe dërgimi i 7 mijë trupave amerikane në Evropë, si dhe ripozicionimi i të tjerëve “për të forcuar krahun lindor të NATO-s”.
- Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis ka bërë thirrje për vënien e embargos ndaj shitjeve ruse të energjisë. “Burimet e energjise që ne i importojmë paguajnë për operacionet ushtarake të rusëve”, ka thënë Landsbergis gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga aleatët e Kievit që të furnizojnë Ukrainën me avionë ushtarakë, si dhe të bojkotojnë naftën ruse, e po ashtu edhe eksportet e tjera.
- Rusia i ka thënë Ukrainës se është gati të ndalojë “menjëherë” operacionet e saj ushtarake, nëse Kievi përmbush një listë kushtesh të Kremlinit. Zëdhënsi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka thënë Reuters se Moska po kërkon që Ukraina të ndërpresë veprimet ushtarake, të ndryshojë kushtetutën e saj për të ruajtur neutralitetin, të njohë Krimenë si territor rus dhe të njohë republikat separatiste, Donetsk dhe Lugansk si shtete të pavarura.
- Kryeministri hungarez Viktor Orban ka nënshkruar sot një dekret që lejon vendosjen e trupave të NATO-s në pjesën perëndimore të Hungarisë.
- Ekipet negociatore të Ukrainës e Rusisë nisën të hënën një rund të tretë bisedimesh, ku është paralajmëruar se do të diskutohet për armëpushim dhe korridore humanitare.
- Autoritet në Ukrainë thonë se granatimet e vazhdueshme të trupave ruse po pengojnë largimin civilëve nga qytetet e rrethuara.
- Reuters raporton se në ditën e 12-të të pushtimit të Ukrainës, sulmet vazhdojnë, pavarësisht një propozimi nga Rusia për të krijuar rrugë të sigurta shpëtimi për civilët.
- Ambasadorët e Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën të shqyrtojnë ofertat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për t’u anëtarësuar në BE, duke filluar procesin e gjatë drejt pranimit të tyre final.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të mbajë një fjalim që po cilësohet si “historik” në parlamentin e Britanisë së Madhe. Përmes një video- lidhjeje, lideri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do t’u drejtohet deputetëve britanikë në një fjalim që Parlamenti e aplikon për herë të parë në këtë formë, duke pezulluar për këtë ditë punën zyrtare parlamentare.
Dita 11
- Situata në rajonin e Sumyt dhe në qytetin e Mariupolit është “në prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv “Ukraina-24”, të dielën në mëngjes. Në dy qytete në rajonin verior të Sumyt nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë, ka thënë këshilltari i qeverisë, Vadim Denisenko.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u tha ukrainasve se ata e kanë “përballuar goditjen” e pushtimit rus dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të luftojnë.“Duhet të dilni dhe ta dëboni këtë të keqe nga qytetet tona,” tha ai.
- Thirrja e tubimit erdhi së bashku me një lutje drejtuar presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të siguruar më shumë avionë luftarakë për Ukrainën.
- Një armëpushim i përkohshëm u shpall në qytetin jugor Mariupol, nga ora 10:00-21:00 me orën lokale, njoftoi Këshilli i qytetit. Sipas këtij njoftimi, civilët do të jenë në gjendje të evakuohen përgjatë një rruge për të cilën janë dakorduar, nga ora 12:00 me kohën lokale.
- Konflikti në Ukrainë mund të zgjasë me muaj, nëse jo me vjet, tha për Sky News zv/kryeministri britanik, Dominic Raab.
- Mbretëria e Bashkuar i detyrohet popullit të Ukrainës, Evropës dhe botës që të sigurohet që lufta në Ukrainë të mos përshkallëzohet, tha për BBC shefi i shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Sir Tony Radakin.
- BBC raporton se civilët po largohen nga qyteti Irpin, në veri-lindje të Kievit, nga bombardimet e shumta ruse. Po ashtu raportohet se së paku 3 civilë janë vrarë nga rusët në një urë të dëmtuar, të cilën po e përdorin për ikje.
- Këshilli i qytetit të Mariupolit, i cili njoftoi për armëpushim dhe përpjekje të re të evakuimit në mëngjes, ka konfirmuar se ky plan ështa anuluar. Sipas këshillit, granatimet ruse e kanë bërë të pamundur evakuimin e sigurt të civilëve.
- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai francez, Emmanuel Macron kanë biseduar të dielën sërish në telefon për 45 minuta, njofton presidenca franceze. Sipas palës franceze, Macron i ka bërë thirrje Putinit që t’i japë fund luftës dhe të sigurohen centralet bërthamroe të Ukrainës. Putin i tha homologut të tij francez se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj përmes “negociatave ose luftës”, tha presidenca franceze.
- Mëngjesin e së dielës Putin foli edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Mësohet se Erdogan e ftoi Putinin për ndërprerje të armiqësive.
- Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka paralajmëruar se forcat ruse po përgatiten të bombardojnë qytetin jugor të Odesës. Raportimet tregojnë për postblloqe të shumta ushtarake në qytet, por rrugët mbeten të qeta dhe kryesisht boshe.
- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar “disa” sulme në qendrat shëndetësore në Ukrainë, ndërsa disa të tjera janë duke u hetuar, tha drejtori i OBSH-së. “Sulmet shkaktuan vdekje dhe lëndime të shumta”, shkroi Tedros Adhan Gebrejesus në Twitter.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë me Poloninë për të furnizuar Ukrainën me 28 avionë luftarakë MiG-29, që do të mund të përdoreshin nga Forcat Ajrore të Ukrainës në përballjen e tyre me sulmet ruse.
- Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se deri më tani ka konfirmuar vdekjen e 364 civilëve në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
- Mbi 3,500 protestues rusë që kanë kundërshtuar luftën në Ukrainë raportohet se janë arrestuar të dielën në mbarë Rusinë, ka raportuar Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, duke cituar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se ka biseduar të dielën në telefon me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Ai e ka informuar Johnson për rezistencën ndaj agresorit rus dhe bashkërisht kanë diskutuar për ndihmën e mëtejme perëndimore për ushtrinë ukrainase.
- Ukraina e ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) se menaxhmenti në centralin bërthamor Zaporizhja është nën urdhrat e komandantit të forcave ruse, që po e kontrollojnë këtë objekt. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, tha se është “jashtëzakonisht i shqetësuar” lidhur me zhvillimet e fundit.
- Patrulla kufitare polake njoftoi se pothuajse 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina dhe kanë hyrë në Poloni, duke ikur nga lufta, e cila filloi më 24 shkurt.
Dita 10
- Kryebashkiaku i Mariupol, Vadym Boichenko, ka dhënë deklaratë emocionale pas njoftimit të korridorit humanitar nga qyteti i tij. “Nën kushtet e vazhdueshme të bombardimeve brutale të okupuesve, nuk ka zgjidhje tjetër pos t’u ofrojmë banorëve mundësinë që të largohen sigurt nga qyteti”, ka thënë ai.
- Mbi 66 mijë ukrainas janë rikthyer nga jashtë për të luftuar për vendin, thotë ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleskii Reznikov.
- Armëpushimi i dakorduar midis Rusisë dhe Ukrainës për lejimin e civilëve të largohen nga qyteti Mariupol nuk po mbikqyret plotësisht, njofton Këshilli i qytetit. Në një mesazh të postuar në Telegram, Këshilli thotë se luftimet po vazhdojnë në regjionin e Zaporizhzhia, ku edhe përfundon korridori humanitar.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehet i bindur se lufta do të përfundojë shpejt. Presidenti ukrainas, nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, ka thënë se së shpejti do t’iu thotë njerëzve që të kthehen në vendin e tyre.
- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace thotë se zona e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë jo vetëm se do ta rriste rrezikun për aleatët e NATO-s, të cilët do të mund të konfrontoheshin direkt me avionët rusë, por do të pengonte po ashtu mundësinë e Ukrainës të mbronte veten.
- Mijëra njerëz janë mbledhur në shumë qytete të botës për të protesuar kundër agresionit rus në Ukrainë. Protesta po mbahen në Zvicërr, Kroaci, Tajlandë dhe Britani të Madhe.
- Protesta u mbajtën edhe në Ukrainë, në Kherson, qytetin e okupuar nga rusët. Rreth 2 mijë njerëz dolën në rrugë për të protesuar nga mëngjesi. Ata marshuan drejt qendrës, duke mbajtur flamujt e Ukrainës dhe duke kënduar himnin kombëtar.
- Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një paraqitje televizive, thotë se cilido shtet që vendos zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të konsiderohet se është bashkuar në luftë në Ukrainë.“Çdo lëvizje në këtë drejtim do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur nga ai vend”, tha presidenti rus.
- Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm 400 njerëz u evakuuan nga Volnovakha dhe vendbanimet përreth gjatë armëpushimit afatshkurtë të së shtunës. Plani fillestar ishte evakuimi i më shumë se 15,000 civilëve nga rajoni gjatë armëpushimit të përkohshëm, i cili filloi në mëngjes.
- Ministria e Jashtme e Ukrainës fajësoi Rusinë për mosrespektimin e armëpushimit. Ajo i bëri thirrje komunitetin ndërkombëtar ta dënojë Rusinë për atë që e cilëson si “shkelje të rënde të marrëveshjeve për hapjen e korridoreve humanitare”. “Bombardimi i vazhdueshëm e bën të pamundur hapjen e korridoreve humanitare për evakuimin e sigurt të civilëve, dërgimin e ilaçeve dhe ushqimit”, thuhet në reagimin e ministrisë në Twitter.
- Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha të shtunën se pret rezultate pas bisedimeve që zhvilloi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se pret që në ditët në vijim të vendosen sanksione të reja ndaj Rusisë, por edhe që Ukraina të marrë armë të reja. Sekretari Blinken dhe ministri Kuleba janë takuar në kufirin midis Polonisë dhe Ukrainës të shtunën, dhe kanë biseduar për përpjekjet e Perëndimit për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të izoluar Rusinë, me shpresën që sanksionet do ta detyrojnë Moskën që t’i japë fund luftës.
- Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë raundin e tretë të bisedimeve për përfundimin e armiqësive të hënën, tha negociatori ukrainas David Arakhamiya.
Dita 9
- Të premten, autoritetet ukrainase thanë se një zjarr shpërtheu në një termocentral bërthamor në Ukrainë, pas bombardimeve nga forcat ruse.
- Zjarri u raportua se ka rënë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, që ndodhet në Enerhodar, në juglindje të Ukrainës. Centrali është më i madhi i këtij lloji në Ukrainë dhe përmban gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të vendit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
- Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi tha të premten se ndërtesa ishte një qendër trajnimi dhe “jo pjesë e reaktorit”.
- Shumë njerëz janë vrarë ose plagosur nga zjarri që shpërtheu nga bombardimet ruse të centralit bërthamor, njoftoi ministria e jashtme e Ukrainës.
- Shtete e Bashkuara të Amerikës e kanë quajtur të rrezikshëm sulmin rus në termocentralin më të madh bërthamor të Evropës. Në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha: “Me ndihëm e Zotit, bota shmangi për pak një katastrofë bërthamore mbrëmë”.
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar “pamaturinë” e Rusisë për granatimet ndaj një termocentrali bërthamor në Ukrainë dhe i ka kërkuar Moskës të ndalojë luftën kundër Ukrainës.
- Në ditën e nëntë të luftimit, Ukraina thotë se rreth 9,166 trupa ruse janë vrarë në konflikt. Kjo shifër u konfirmua edhe më herët nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se NATO do “të mbrojë çdo milimetër” të territorit të anëtarëve. Ministrat e jashtëm nuk përkrahën thirrjet e Ukrainës për një zonë ndalim-fluturimi për të luftuar pushtimin rus.
- Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar ata që kundërshtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë që të mos “ekzagjerojnë situatën”, duke vendosur më shumë sanksione ndaj shtetit të tij.
- Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar se Ukraina po përballet me “kriza shkatërruese humanitare”, teksa numri i viktimave po rritet dhe spitalet me vështirësi po e menaxhojnë situatën.
- Zyrtarët e qeverisë në Ukrainë kanë thënë se trupat ruse janë zmbrapsur nga qyteti jugor, Mykolaiv. BBC raporton se Forcat Tokësore të Ukrainës shfaqën pamje që tregonin rimarrjen e aeroportit të qytetit.
Dita 8
- Një zyrtar i mbrojtjes amerikane thotë se një kolonë masive me automjete ushtarake ruse pranë Kievit ka “ngecur” për shkak të mungesës së karburantit dhe ushqimit.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka publikuar një video natën vonë, duke lavdëruar guximin e qytetarëve në mbrojtjen e vendit të tyre.
- Një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë është nisur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë.
- Më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit, thotë OKB.
- Rusia ka pranuar për herë të parë se ka pësuar viktima ushtarake gjatë sulmit të saj në Ukrainë, rreth 500 personel ushtarak të vrarë dhe rreth 1,600 të plagosur.
- Franca kërkon nga qytetarët e saj ta lëshojnë Rusinë
- Edhe shtetet e tjera kanë këshilla të ngjashme për qytetarët e tyre.
- Zyra e Jashtme britanike “këshillon qytetarët e saj kundër çdo lloj udhëtimi në gjithë Rusinë”.
- Departamenti amerikan i Shtetit këshillon njëlloj. Sipas departamentit, janë disa faktorë, që përfshijnë “ngacmim të mundshëm kundër qytetarëve amerikanë nga zyrtarë të qeverisë ruse”.
- BBC raporton se qytetarët në qytetin e pushtuar të Khersonit kanë nevojë për ushqim, ujë dhe barna.
- Atletëve rusë dhe bjellorusë u ndalohet pjesëmarrja në Lojërat Paraolimpike në Pekin. Kjo vjen pas kërcënimeve të ekipeve tjera se do ta bojkotojnë këtë organizim sportiv, nëse Rusia merr pjesë.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një konference për shtyp, ka krahasuar SHBA-në me Hitlerin, për shkak të, siç ka thënë ai, “nënshtrimit të Evropës.
- Në një intervistë dhënë BBC-së, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, , Olha Stefanishyna, ka thënë se NATO është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e civilëve në vend, pasi po refuzuon të detyrojë një zonë të ndalimit të fluturimeve mbi Ukrainë.
- Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, e cila po qëndron në Lituani, ka thënë se ndalja e agresionit rus është një luftë “jo vetëm për lirinë dhe vetëvendosjen e Ukrainës”, por për “për lirinë dhe sigurinë e të gjithëve”. Ajo ka insistuar se “duhet të shkojmë tutje”, duke përfshirë ndalimin e të gjitha bankave ruse nga sistemi i pagesave SWIFT. “Duhet ta degradojmë ekonominë ruse”, ka thënë Truss.
- Volodymyr Zelenskyy ka njoftuar se 16 mijë luftëtarë të huaj i janë bashkuar forcave të Ukrainës.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy u ka kërkuar forcave ruse të largohen nga vendi i tij, duke i përshkruar si “ fëmijë të hutuar”.
- Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macro se Rusia me sukses do ta përmbyll misionin e demilitarizimit të Ukrainës dhe do ta bëjë atë neutrale, duke përsëritur se ky është qëllimi final i tij.
- Raundi i dytë i bisedimeve mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës nisën të enjten në Bjellorusi, në një zonë afër kufirit me Poloninë, dhe delegacionet negociatore përbëhen nga përfaqësuesit e njëjtë që zhvilluan të hënën raundin e parë të bisedimeve.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar homologut të tij rus,Vladimir Putin bisedime direkte, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës mes të dy vendeve.
- Delegacionet negociatore të Rusisë dhe Ukrainës kanë rënë dakord të enjten se ekziston nevoja për të krijuar korridore humanitare që ndihmojnë në largimin e civilëve nga zonat e fushëbetejave.
- Përderisa Ukraina po kërkon armëpushim dhe korridore humanitare për civilët, Rusia po kërkon që Ukraina të mbetet shtet neutral, të mos anëtarësohet në NATO dhe BE, në Ukrainë të zgjidhet një qeveri tjetër si dhe të largohet presidenti, Volodymyr Zelensky.
- Reuters raporton se pas 8 ditë pushtimi të Ukrainës vërehet një përparim i vogël në frymën e bisedimeve dhe vjen pasi sanksionet e Perëndimit po gausin gjithnjë e më ashpër shumë oligarkë rus të lidhur me presidentin, Vladimir Putin.
Dita 7
- Sulmet ruse në Ukrainë kanë vazhduar të intensifikohet me raporte për sulme të reja në të gjitha vijat e frontit. Sipas raporteve, parashutistët rusë kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, Kharkiv, ku që disa ditë po zhvillohen luftime të ashpra , përderisa ka njoftime se ushtria ruse ka hyrë edhe në qytetin strategjik Kherso, i cili gjindet pranë gadishullit të Krimesë.
- Njëkohësisht, kanë vazhduar sulmet artilerike dhe raketore kundër kryeqytetit Kiev , dhe kanë nisur sulmet kundër qyteteve Borodjanka dhe Zhytomyr.
- Gjatë ditës Moska tha se ka marrë “kontrollin e plotë” të qytetit Kherson. Kjo do të ishte rënia e qytetit më të madh ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus.
- Por, kryetari i këtij qyteti shkroi në Facebook se qyteti ështëi i rrethuar. “Ne ende jemi Ukrainë. Qëndrojmë të fortë”.
- Më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur brenda Ukrainës, përderisa rreth 700 mijë të tjerë kanë kërkuar strehim në vendet tjera. Më shumë se gjysma prej tyre kanë hyrë në Poloni, përderisa shumë të tjerë kanë arritur edhe në Rumani, Hungari, Sllovaki dhe vendet tjera.
- Shumë punëtorë ukrainas kanë bllokuar rrugën hyrëse për të mbrojtur termocentralin bërthamor në qytetin Enerhodar.
- Dmytro Orlov, kryetar i Enerhodarit, tha në faqen e tij në Facebook tha se banorët janë duke e mbrojtur termocentralin bërthamor.
- Autoritetet në Ukrainë kanë njoftuar se më shumë se 2,000 civilë janë vrarë deri më tani nga sulmet ruse, që filluan një javë më parë.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka paralajmëruar Perëndimin se një luftë e tretë botërore ‘do të jetë bërthamore dhe shkatërruese’, përderisa po intensifikohen pasojat ndaj Rusisë pas pushtimit të ndaj Ukrainës.
- Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë mund të cilësohen si “krime lufte”.
- Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka thënë se “çdo opsion është në tryezë”, përderisa ka theksuar qëndrimin e mëhershëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, por nuk do të dërgojnë trupa për të luftuar kundër forcave ruse.
- Një raund i dytë bisedimesh për një armëpushim të mundshëm mes Ukrainës dhe Rusisë është paralajmëruar të mbahet dhe palët kanë konfirmuar se përbërja e delegacioneve dhe vendi janë të njëjta.CNN raporton se raundi i dytë i negociatave për armëpushim mbahet në një zonë kufitare në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë.
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë sot se Rusia po godet qëllimisht civilët në Ukrainë, por nuk pranoi të komentojë nëse beson se ushtria ruse po kryhen krime lufte.
- Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila dënon pushtimin rus të Ukrainës. Nga aty i është bërë thirrje Moskës që të tërheqë menjëherë forcat e saj nga Ukraina. Rezultati, megjithëse ligjërisht jo detyrues, mbart njëfarë peshe politike globalisht, megjithëse është e dyshimtë nëse do të ndryshojë agresionin ushtarak të Moskës.
- Qindra persona dyshohet se kanë vdekur në qytetin jugor Maripol në Ukrainë, pas disa orë granatimesh të forcave ruse.
- Gjithashtu në jug, ushtria ruse po vazhdon sulmet në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit Kherson, por kryebashkiaku i saj, Igor Kolykhayev ka konfirmuar se qyteti ende mbahet nga forcat ukrainase.
Dita 6
- Më shumë se 350 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë gjatë pushtimit, sipas qeverisë së Ukrainës. Më shumë se gjysmë milioni njerëz e kanë lëshuar vendin, që nga fillimi i pushtimit.
- Forcat ruse nisin një sulm masiv ndaj një ndërtese qeveritare në qendër të Kharkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë. Të paktën 10 njerëz u vranë. Tetë të tjerë u vranë nga një sulm ajror në një ndërtesë banimi, thanë zyrtarët.
- Ushtria ruse vazhdon avancimin e saj të qëndrueshëm në Kiev, me imazhe satelitore që dallojnë një kolonë të blinduar, që duket të jetë rreth 65 km e gjatë, në ditën e gjashtë të sulmit.
- Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shfaqur disa pamje në rrjetin social Twitter nga sulmi raketor në qendër të Kievit, në Sheshin e Lirisë. Ministri e ka akuzuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin për krime lufte si dhe ka i bërë thirrje botës për izolimin e mëtejmë të Rusisë.
- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se Vladimir Putin është i përfshirë në taktika “barbare dhe pa dallim” për të targetuar civilët në Ukrainë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një video-lidhjeje, i është adresuar Parlamentit Evropian.Bombardimin e Kharkivit, Zelensky e ka përshkruar si krim lufte. Si pasojë e këtij sulmi, dhjetëra njerëz humbën jetën.
- Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka paralajmëruar banorët e Kievit se po përgatitet të godas disa lokacione në kryeqytetin e Ukrainës.
- Të paktën pesë persona raportohet të jenë vrarë nga një sulm rus në kullën e transmetuesve televiziv në Kiev, duke goditur objektet e transmetimit aty pranë, thonë zyrtarët ukrainas.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ka thënë sot se Rusia duhet të ndalë bombardimin e qyteteve të Ukrainës, para se të mund të fillojnë bisedimet e njëmendta për armëpushim, pasi raundi i parë i negociatave i kësaj jave nuk prodhoi ndonjë rezultat.
- Pentagoni ka bërë vlerësimin e fundit të pushtimit rus, duke theksuar për një epërsi të ndjeshme të forcave ajrore të Ukrainës në raport me ato ruse.
Dita 5
- Bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës pritet të nisin të hënën në kufirin me Bjellorusinë, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që thotë se 24 orët e ardhshme janë “vendimtare”
- Megjithatë, zyrtarët rusë dhe ukrainas përfundojnë rundin e parë të bisedimeve rreth mundësisë së një armëpushimi dhe se do të kthehen në kryqytetet e tyre për konsultime, para një rundi të dytë.
- Finlanda pajtohet të dërgojë 2,500 pushkë dhe 1,500 armë antitank.
- Ushtria ukrainase thotë se trupat ruse kanë ngadalësuar ritmin dhe sulmet.
- Të paktën 11 civilë janë vrarë në qytetin e Kharkivit, në lindje të vendit.
- Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të menjëhershme të trupave ruse, në kohën e fillimit të bisedimeve me Rusinë, në kufi me Bjellorusinë.
- Vatikani tregon gatishmëri për të “ndihmuar dialogun” në mes të Rusisë dhe Ukrainës, për t’i dhënë fund luftës, raporton një diplomat i lartë, thotë Al Jazeera.
- Kombet e Bashkuara njoftojnë për më shumë se gjysmë milioni refugjatë që kanë lëshuar Ukrainën për në shtetet fqinje, që nga fillimi i pushtimit.
- Bashkimi Evropian paralajmëron se 7 milionë njerëz mund të asgjësohen, nëse lufta zvarritet.
Dita 4
- Ukraina pajtohet që të mbajë bisedime me Rusinë, në kufirin me Bjellorusinë. Ky vendim vjen pas një telefonate mes Zelenskyt me liderin bjellorus, Alexander Lukashenko.
- Ukraina thotë se ka përzënë trupat ruse nga Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.
- Moska thotë se forcat ruse kanë rrethuar plotësisht qytetin jugor të Khersonit dhe qytetin Berdyansk.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkon nga fuqitë botërore që t’ia heqin Rusisë të drejtën e votës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi sipas tij, veprimet ruse në Ukrainë janë në prag të “gjenocidit”.
- Presidenti rus, Vladimir Putin,urdhëron ushtrinë ruse që t’i vendosë forcat e parandalimit – një referencë për njësitë që përfshijnë armë bërthamore – në gatishmëri të lartë.
- Të paktën 198 civilë ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë nga pushtimi rus, njofton kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Ukrainë. Sipas një agjencie të OKB-së, të paktën 64 civilë janë në mesin e 240 të vrarëve.
- Të paktën 198 civilë ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë nga pushtimi rus, njofton kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Ukrainë. Sipas një agjencie të OKB-së, të paktën 64 civilë janë në mesin e 240 të vrarëve.
- Elon Musk siguron që shërbimi i tij satelitor, SpaceX Starlink, të ofrojë internet në Ukrainë. Kjo erdhi pas një Tweet-i të një zyrtari ukrainas, i cili kërkonte ndihmë nga Musk, pasi Rusia kishte bllokuar internetin në Ukrainë.
- Polonia thotë se më shumë se 100 mijë refugjatë kanë kaluar kufirin nga Ukraina, që nga fillimi i pushtimit rus. Më shumë se 50 mijë të tjerë kanë kaluar në Hungari dhe Rumani.
- Aleatët perëndimorë vendosin sanksione gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, duke përfshirë bllokimin e disa bankave kryesore nga sistemi i pagesave SWIFT.
- Vendet evropiane, nga Suedia e deri te Franca, thonë se po bëhen gati ta mbyllin hapsirën ajrore për aeroplanët rusë.
Dita 3
- Rusia nis pushtimin e gjerë ushtarak në Ukrainë.
- Vazhdojnë sanksionet e fuqive të mëdha kundër Rusisë, duke targetuar bankat, rafineritë e naftës dhe eksportet ushtarake.
- Presidenti i Ukrainës zotohet se nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të luftojë për ta mbrojtur vendin.
- Rusia urdhëron trupat e saj që të përparojnë në të gjitha drejtimet. Nisin sulmet e koordinuara ruse në qytetet ukrainase, përfshirë edhe kryeqytetin, Kievin.
- Civilët ukrainas fillojnë të armatosen, në mbrojtje të vendit të tyre.
- Kryetari i Kievit thotë se nje raketë goditi një ndërtesë banimi, por nuk u raportua për të vdekur apo plagosur.
- Rusia tha se po bombardon infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.
- Minstria e Shëndetësisë e Ukrainës raporton se deri të shtunën nga forcat ruse janë vrarë 198 civilë, përfshirë 3 fëmijë.
- Presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi një memorandum për të ofruar 600 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme ushtarake për Ukrainën. Më vonë gjatë dites, Biden njoftoi edhe për 350 milionë dollarë shtesë.
- Gjermania dhe Holanda njoftuan për ofrim të armëve antitank për Ukrainën. Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me 1,000 armë të tilla.
- Deri të shtunën, 115 mijë refugjatë kaluan kufirin me Poloninë, duke lëshuar Ukrainën.
- Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëron se lufta Rusi-Ukrainë mund të zgjasë shumë dhe sipas tij, kjo luftë do të lejë “pasoja afatgjata”.
Dita 2
- Por, të premten, Zelensky lëshoi një video, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas, para ndërtesës presidenciale në Kiev, për t’i siguruar ukrainasit se ai dhe të tjerët, do të qëndronin në Kiev.
- Zyrtarët rusë thanë të premten se forcat ruse kanë rrëzuar 211 instalime ushtarake ukrainase, përfshirë 17 qendra komanduese, 19 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 39 radarë, 67 tanke dhe 6 aeroplanë ushtarakë.
- Më vonë të premten, ushtria ruse tha se ka pushtuar qytetin e Melitopolit.
- Ne ditën e dytë të pushtimit, banorët e Kievit filluan të ndjejnë frikë e terror kur disa predha artilerie goditën disa ndërtesa banimi në periferi të këtij qyteti.
- Mijëra ukrainas lëshuan vendin të premten, duke kërkuar strehim në shtetet fqinje.
- Të premten, Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkonte nga Moska që menjëherë t’i ndalë sulmet në Ukrainë dhe t’i tërheqë trupat. 11 vota ishin për, Rusia votoi kundër, ndërsa Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.
- Kombet e Bashkuara planifikojnë të kërkojnë 1 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, brenda 3 muajsh.
- Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron tha se BE ka vendosur qe të ndajë 1.5 miliardë euro si ndihmë ekonomike për Ukrainën.
- Presidenti amerikan, Joe Biden dhe partnerët e NATO-s u pajtuan të premten që të dërgojnë mijëra trupa në shtetet anëtare të pjesës lindore.
- Menjëherë të premten, SHBA, Britania e Madhe, Kanada dhe BE-ja thanë se do të vejnë sanksione ndaj Rusisë dhe liderëve të saj, duke ngrirë asetet e tyre.
- Të premtën u vendos që finalja e Ligës së Kampionëve nga UEFA të mos mbahet në Shën Petersburg të Rusisë, por në Paris të Francës.
- Po ashtu edhe Formula 1 nuk do ta mbajë garën e planifikuar në shtator në Sochi të Rusisë.
- Edhe shumë federata botërore të sporteve të ndryshme, anuluan pjesëmarrjen e Rusisë në garat e tyre për këte sezonë.
Dita 1
- Presidenti rus, Vladimir Putin, këtë ndëryrje e cilësoi si “operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës”.
- Pas kësaj ndërhyrjeje, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
- Vendet dhe institucionet më të fuqishme në botë dënuan njëzëri sulmin rus dhe u zotuan se do të jenë aleat të Ukrainës në këtë luftë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha të enjten liderëve të Bashkimit Evropian – përmes një video linku nga bukeri i tij – se kjo mund të ishte hera e fundit që mund ta shihnin gjallë.
Burimet: Al Jazeera, BBC, Reuters, RFERL
Lajme të ngjajshme:
Mediat në Serbi të tronditura: Biden i dërgon letër Vuçiqit, i kërkon ta njohin Kosovën
Ndëshkohen oligarkët e Putin/ Britania i vendos sanksione 13 miliarderëve rusë
Projekti 2.3 miliardë dollarësh në Detin Mesdhe
Varreza masive në Izium, Zelensky: Mes tyre ka dhe fëmijë, në trupa janë parë shenja dhune e torture