bedri_islamiTogfjalëshin “hija e Buxhovit”, të cilin e vendosa në hyrjen e pjesës së dytë të këtij shkrimi, nuk e kam thjesht për hijen e një njeriu, sado i vockël qoftë ai, por për përfaqësimin që bart në politikën shqiptare në Kosovë. Me pak fjalë, mendimi është për hijen që lëshon ende mbi politikën e Kosovës politika e së djeshmes titiste dhe udbashe, përfaqësues tipik i së cilës nuk është prej ditës së sotme Buxhovi dhe që dashur-padashur rëndon mbi këtë politikë; e kam fjalën për atë mendësi dhe filozofi, e cila në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar u bë vetëdijshëm bashkëpunëtore e krimit dhe e pushtimit të saj, e kam fjalën për atë tabor njerëzish, shpeshherë edhe të njohur si intelektualë, të cilët vunë në shërbimin e pushtimit gjithë zellin e tyre, mjeshtërinë, forcën, veset dhe nuk hoqën dorë prej tyre edhe kur, jashtë dëshirës së tyre, gjendja u bë e ndryshme. Zakonisht, në botën e diplomacisë dhe të luftës njëkohësisht, këta njerëz u quajtën kolaboracionistë, në Kosovë u quajtën titistë dhe maja e tyre e politikës u quajtën udbash.
Një hije e tillë, e këtij skalioni të mjerueshëm, por të rrezikshëm, vazhdon ende sot mbi qiellin e politikës në Kosovë. Çdo gjë e ka një fillesë, çdo gjë ka një nisje, një përcaktim, kur forma bëhet më e qartë dhe kur gjërat dalin nga “shishja e dreqit”.
Në Kosovë ky është viti 1981, më saktë pranvera e këtij viti, e në fillimin e kësaj pranvere janë dy data, 11 mars dhe 2 prill. Ky është momenti kur ndahen mënjanë vizionarët, fillimisht më të paktë dhe, nga ana tjetër, zelltarët e pushtetit. Nga njëra anë do të jenë të burgosurit e kohës dhe të burgosurit e ardhshëm; në kahun tjetër do të jenë bukëshkelësit, udbashët, të privilegjuarit, të përkëdhelurit, që për të qenë pjesë e elitës politike, janë të gatshëm dhe shkelin mbi njerëzit vizionarë. Nga njëra anë do të jenë ata që e duan shtetin amë, Shqipërinë, pa marrë parasysh se cili regjim është vendosur atje; nga ana tjetër janë ata që duan ende serbizimin e Kosovës, që nuk shtyhen më tej se autonomia dhe kjo e fituar me gjakun e shqiptarëve dhe dhunën ndaj tyre; nga njëra anë është përgjigjja e Jusuf Gërvallës, “PA ASNJË DYSHIM”, pas pyetjes së medieve gjermane, nëse do të pranonit të bashkoheshit me Shqipërinë edhe po të ishte shtet kapitalist, monarki apo komunist; nga tjetër është grupi i njerëzve që mallkojnë Shqipërinë dhe thirrja e shefit të Jusuf Buxhovit, që në fakt është thirrja e tij, nëpërmjet Dushan Ristiqit, se” kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Nga njëra anë ndodhen idealistët që burgosen edhe me 10 vjet burg për një libër të zakonshëm të ardhur nga Shqipëria si, për shembull, “Prijësja e komitëve”, nga ana tjetër janë katër gazetarë të “Rilindjes”, të cilët kur kthehen nga Shqipëria grinden me njëri-tjetrin se cili do ta ketë nderin ta bëjë informacionin për UDB-në, pasi nga katër gazetarë, si kujton shkrimtari Mehmet Kraja, tre prej tyre janë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Ku ishte Buxhovi dhe ku ishin “buxhovët” e tjerë, kur në Kosovë po gatuhej në magjen e historisë? Ishte në Bon, kryeqyteti i Gjermanisë perëndimore, si pjesë e gazetës “Rilindja”, që nuk ishte asgjë tjetër veçse “Tanjug”-u në gjuhën shqipe. Ai ishte me mallkuesit, me fabrikuesit e ngjarjeve dhe, njëkohësisht, pjesë hetimore e njerëzve që donin ta ndryshonin historinë. Ai mund të jetë edhe më shumë se kaq, mund të jetë edhe pjesë denoncuese e lëvizjes çlirimtare dhe askush me mend nuk pret që një denoncues të dalë nga vetja, të tjetërsohet, kur ende pesha e mëkatit nuk rëndon të paktën në ndërgjegjen e tij.
Të gjitha ngjarjet që kanë ardhur më pas në historinë moderne të Kosovës, përfshirë edhe ato që po ndodhin sot, e kanë zanafillën, pikënisjen në vitin 1981. Aty, haptas tashmë, do të ndodhë procesi i diferencimit politik, qendra e të cilit do të jetë gazeta”Rilindja”, njëkohësisht, pas vrasjeve masive, do të fillojë edhe procesi i burgimeve të rënda, ku të burgosurit do të jenë pjesëtarët e forcave klandestine çlirimtare.
Edhe më parë në Kosovë kishin ndodhur procese politike masive. Vrasjet më të mëdha, masive të shqiptarëve, ishin bërë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në një kohë të shkurtër regjimi i Titos dhe i Rankoviqit, me ndihmën e shqipfolësve, do të vrisnin më shumë se 40 mijë veta. E saktësoj: më shumë se dyzet mijë veta. Por pas proceseve pastruese vrasëse jetike, regjimi serb në Kosovë kishte thirrur në ndihmë pikërisht mendimin politik të udbashëve të regjur, të paskrupullt dhe periudha nga viti 1968, pas demonstratave për flamurin dhe autonominë dhe deri në vitin 1981, do të jetë ajo nëpër të cilën, nga njëra anë vizionarët përgatiteshin për një betejë finale, ndërsa titistët dhe udbashët përgatiteshin që nëpërmjet një elite politike e intelektuale ta varroste përgjithnjë aspiratën e një pjese të rëndësishme të popullit shqiptar.
Buxhovi dhe përgjithësisht “buxhovistët”, (hej dreq, nuk e di pse më tingëllon si “koxixoxistët”) shpifnin mjerueshëm kur thonë e në këtë kohë e më pas 90 për qind e popullit ishin përkrah tyre. Nëse do të kishte qenë kështu do të kishim pasur të bëjmë me një popull pa histori dhe pa ndërgjegje kombëtare, të cilin as topat migjenianë nuk do të mund ta zgjonin pas pak vitesh dhe ta bënte njërën nga luftërat më të çmuara në fundin e shekullit të shkuar. Regjimi, të cilit i shërbente Buxhovi, kishte lejuar disa rregulla të lojës, të cilave, po t’u përmbaheshe, mund të jetoje rehat, por i shtypur. Të lejonte të dilje jashtë vendit, pasi ishe kontrolluar nga UDB-a, të lejonte të kishe një pronë private, por nuk të lejonte të ishe i lirë, nuk të lejonte as gjuhën e as flamurin, po të dilje sadopak jashtë këtyre rregullave, të shqepte në dru, të digjte, të burgoste dhe të vriste. Gjaku i derdhur më 2 prill 1981 dëshmoi se gjithçka që kishte qenë në sipërfaqe shpërtheu vrullshëm, regjimi hoqi maskën e tolerancës dhe foli me gjuhën e tankeve, rrugët e qyteteve të Kosovës u bënë edhe një herë vendi i gjakut të derdhur. Buxhovistët mbrojtën gjakun që u derdh nga pushteti si një gjë normale, pasi të vrarët, që kishin derdhur gjakun ishin, as më shumë e as më pak, irredentistë dhe nacionalistë dhe, si të tillë, lejohej edhe të vriteshin. Artikujt e gazetës “Rilindja” ishin në fakt licenca e pushtetit për të vrarë. Ndërsa të vrarët ishin idealistët e zakonshëm të Kosovës, të cilët nuk ishin ngritur për të bërë histori, por për gjërat normale që i takojnë çdo kombi, vetëvendosjen e tyre. Shkrimet e vitit 1981 e pas tij, po të lexohen sot edhe një herë, të bëjnë të mendosh se cila mendje djallëzore e mizore njëkohësisht ishte pas tyre, kush i kishte pjellë këta njerëz që nuk jepnin asnjë grosh për Kosovën, por përpiqeshin të vilnin çdo lot të saj… Çuditërisht nga kjo skotë, vrullshëm, filluan të dalin në sipërfaqe “demokratët” e ardhshëm, ata që, pasi e kishin shitur vendin, tani shpejtonin ta merrnin “patentën” nacionale të atdhedashurisë dhe të sakrificës. Kjo skotë vrapon edhe tani, në sinkron të plotë me Beogradin, dhe mjerimi i politikës është se, nëpërmjet një mijë rrugëve, ata ia kanë arritur të jenë pjesë dominuese në ekonominë e Kosovës dhe përmes një dere të hapur gabimisht, edhe pjesë të politikës së saj.
Pas vitit 1981, periudhë për të cilën rëndon më shumë Buxhovi dhe buxhovistët e tjerë në deklarimet e tyre, në Kosovë do të ndodhë një fenomen jo i rastësishëm: zgjimi i vetëdijes kombëtare, edhe nëpërmjet medieve të shtetit shqiptar, por më shumë një pleksje mes traditës së odës shqiptare dhe frymimit universitar. Viti 1981 e të tjerët pas tij nuk do të jenë vite të humbura në historinë e Kosovës. Ata do të jenë kohë e parapërgatitjes për ngjarjet madhore të vitit 1989, me gjithë dëmtimet e jashtëzakonshme që do të kenë. Në Kosovë, në vitet e pushtimit serb të pasluftës, do të dënohen politikisht, më shumë se 300 mijë veta, por dënimet më të ndjeshme, më të shpeshta dhe më të rënda, do të jenë pas vitit 1981. Në pretencën e të gjithë këtyre grupimeve të dënuara, nuk ka asnjë akuzë si grupe marksiste-leniniste: të gjitha akuzat janë ngritur si grupe kundërrevolucionare, nacionaliste, irredentiste, që synonin rregullimin federativ të shtetit, me mjete të armatosura ta përmbysnin pushtetin serb në Kosovë dhe që kishin qëllim të tyre republikën e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë.
Për ta bërë këtë sa më konkrete, po sjell, fjalë për fjalë, pjesë nga aktakuza ndaj 27 të pandehurve në prill 1986, pjesë e një grupi të lëvizjes çlirimtare, mes të cilëve edhe heronjtë, Fehmi Lladrovci e Shaban Shala. Ata do të gjykohen sepse “me qëllim të rrëzimit të pushtetit të klasës punëtorë dhe të punonjësve, minimin e rregullimit shoqëroro-ekonomik të përcaktuar me kushtetutë, prishjen e vllaznim-bashkimit e barazisë së kombeve e kombësive, ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit, nëpërmjet irredentizmit e nacionalizmit”, kështu shprehet kryetari i kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Tadej Radiqi, ndihmësi i tij Shefqet Bytyqi dhe Ismet Emra.
Më tej në procesverbalin përkatës mund të lexohet ende se “I akuzuari Fehmi Lladrovci, si në hetuesi ashtu edhe në seancën kryesore, pohon se e ka kryer veprën penale, e cila i vihet në ngarkim, se ka filluar të merret me veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar. Deklaron se për veprën e tij nuk pendohet dhe se qëndron pranë kërkesës së tij dhe shokëve të tij, që Kosovës duhet t’i njihet statusi i republikës dhe se kjo kërkesë është e drejtë”.
27 herë, nga të 27 të akuzuarit e më pas të dënuarit ashpër, përsëritet kjo deklaratë në sallën e gjyqit, në të cilin drejtuesit janë shqipfolës, torturues janë serbo-shqiptarët dhe, në të gjithë këtë zinxhir krimesh, më të ashpër dhe të panderë, janë gazetarët që shpifin, mallkojnë, licencojnë dënimet e ashpra.
Shumë vite më vonë avokatët e djallit serb do të përpiqen në një kor të përbashkët të fshihen pas emërtimit, se ata që u dënuan ishin “marksistë-leninistë” dhe se pikërisht për këtë duheshin dënuar. Një ndër ideatorët e kësaj teze meskine dhe të rrezikshme, që lindi pas vitit 1989, sidomos nga pllehnia e Buxhovit, do të rikthehet herë pas here aty ku e nisi, jo sepse nuk e di të vërtetën, por sepse pas këtij petku mund të fshihej e shkuara e tyre deri në krim.
Shteti serb, po ashtu një shtet komunist e më tej se kaq, sepse ishte nacionalfashist, çfarë u dëshmua pak vite më pas, nuk mund të dënonte askënd për të tilla pikëpamje, sepse ishte i mbytur deri në thellësi në krimin e tij. Përse lindi e gjithë kjo anatemë ndaj çlirimtarëve… ku ishte qëllimi i përdhosjes së vlerave çlirimtare dhe ku ishin bartësit e saj…përse në Kosovë, si askund tjetër, kjo klasë u bë më e pështirë, më e rrezikshme dhe më e dëmshme për vetë vlerat e kombit… si ndodhi që ajo gjeti përkrahje në Shqipërinë e pas vitit 1991… kur më përpara kishin gjetur përkrahje forcat çlirimtare… Për të gjitha këto le të vazhdojmë më tej, në ditët e ardhshme. (VIJON)
(Autori ishte kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës)