Hetimet hedhin poshtë deklaratat e Kryeministrit Berisha, ministrave Imami e Olldashi dhe mjekut Koçeku ditën e masakrës mbi protestuesit

Prokuroria e kryeqytetit, në orën 04:00 të mëngjesit të së shtunës, me ndihmën e një eksperti të policisë, ka bërë këqyrjen e ambienteve të brendshme të makinës së tipit “Benz” me ngjyrë jeshile, i cili ditën e demonstratës shkatërroi dyert e portës hyrëse të kryeministrisë.
Shkak për këtë këqyrje, sipas prokurorisë, është bërë deklarata e Ministritë të Transporteve Sokol Olldashi, i cili në një prononcim për media, ka deklaruar se makina ishte e mbushur me lëndë plasëse dhe po tentohej të hynte në kryeministri. Nga këqyrja e bërë nga njëri prej prokurorëve të grupit hetimor, ka rezultuar se në makinë nuk ndodhej asnjë send i paligjshëm. Në makinë janë gjetur vetëm predhat e armëve të shkrehura nga gardistët në momentin që makina në fjalë ka thyer dyert. Përveç kësaj makine, prokurorët kanë bërë këqyrjen e edhe të disa makinave të dyshuara, por, që rezultuan të ishin të pastra.

Pra, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka gënjyer kur duke folur për një televizion, tha pasditen e 21 janarit se protesta është nxitur e udhëhequr nga Rama. Olldashi tha se një makinë e ngarkuar me eksploziv i është drejtuar kryeministrisë. “Nëse do shpërthente, do ishte bërë batërdia”,- tha Olldashi. Ai tha se për fat nuk ka shpërthyer kjo makinë. Olldashi tha se janë paguar personat të inkriminuar.
Rezulton të ketë dhënë një dëshmi të habitshme edhe shefi i Urgjencës së Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku. Ai deklaroi për TV News 24 ditën e masakrës mbi protestuesit se viktimat janë qëlluar nga shumë afër etj. Kjo deklaratë e tij u rimor si “provë” menjëherë nga ministri Imami që foli në TV Klan për vrasje të protestuesve nga vetë Edi Rama dhe nga protestues të tjerë afër viktimave dhe pastaj nga vetë Berisha, që në orën 19.00 të datës 21 në konferencë për shtyp foli për të njëjtën gjë. Rezulton se Imami, Olldashi, Koçeku dhe Berisha të kenë përdorur çuditërisht të njëjtën gënjeshtër brenda një pasditeje.
Dje është tërhequr nga deklaratat vetëm Berisha. Në kundërshti të hapur me ato që deklaroi në 21 janar se nuk është qëlluar nga garda brenda kryeministrisë, dje kreu i qeverisë pranoi që është qëlluar sepse sipas tij “ka rregullore për brenda gardhit” etj.

Përplasja Prokurori-Polici për hetimet

TIRANË- Në kohën kur policia ka arrestuar 113 persona për akuzën e “kundërshtimit të forcave të rendit”; “goditje të forcave të rendit” dhe “organizim dhe pjesëmarrje në mitingje të paligjshme” ndaj efektivëve blu, institucioni i akuzës ka nisur hetimet për “kryerje të veprimeve arbitrare” me pasoja të rënda ndaj protestuesve, kalimtarëve të rastit dhe gazetarëve të pranishëm që po pasqyronin demonstratën. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të prokurorisë së kryeqytetit, të cilët shtuan se hetimi ndaj policisë ka ardhur pas kallëzimit të shumë qytetarëve për dhunë të ushtruar karshi tyre. Dhunë e cila ka sjell pasoja të rënda për shëndetin e disa personave, protestues, kalimtar të rastit dhe gazetarë.

“Disa qytetarë, kalimtar të rastit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mes tyre edhe deputetë dhe gazetarë të pranishëm, janë bërë pre e dhunës së ushtruar nga forcat ndërhyrjes së shpejt. Këta të fundit, rreth orës 17:00 të darkës i janë drejtuar trotuareve dhe lokaleve që ndodhen buzë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke arrestuar dhe goditur me shkopinj gome qytetarë të ndryshëm, mes tyre deputetë dhe gazetarë.
Jo vetëm në këtë rrugë, por, efektivët e policisë kanë ushtruar dhunë edhe në rrugën përball televizionit “Top-Channel” apo mbrapa piramidës, duke i shoqëruar dhe arrestuar këto kalimtar”,- thanë burimet nga prokuroria. Për këto veprime të policisë, kanë nisur hetimet, çka sipas tyre, polica nuk duhet të kryej veprime hetimore për shkak se është palë në këtë proces hetimi.

“Efektivët e policisë, paralelisht me institucionin e akuzës kanë shtrirë hetimet për gjetjen e “vrasësit” mes turmës së protestuesve, që sipas tyre, kanë sjell edhe vrasjet e tri personave. Përveç këtij hetimi, policia po kryen verifikime edhe ndaj 113 personave të arrestuar, ku disa prej tyre kanë qenë kalimtar të rastit dhe janë bërë pre e dhunës dhe më pas arrestimit të tyre”,- thanë burimet nga prokuroria, duke shtuar se në ditët në vazhdim do të zbardhet pozicioni i secilit në këtë protestë.

Për të zbardhur veprimet e secilit të arrestuar dhe atyre që ushtruan dhunë ndaj policisë, këta të fundit kanë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë për të printuar fotografitë e demonstruesve të dhunshëm karshi institucionit të kryeministrisë dhe efektivëve të policisë.