Hajdutëritë e politikanëve shqiptarë, nga Ahmet Zogu te Sali BerishaFjalën “hajdut” dhe “kusar” e kanë përdorur vetë politikanët për njëri-tjetrin, duke akuzuar paraardhësit e tyre të pushtetit për vjedhjen e miliarda lekëve si edhe të tonelatave të floririt. Fjalën “hajdut” dhe “kusar” e ka përdorur Noli për Zogun, pastaj edhe shumë të tjerë për të. Në një raport të ish drejtorit të thesarit të asaj kohe, Zogu akuzohet se ka marrë me vete floririn e shqiptarëve. Zogu, grabitje me procesverbal
Aty thuhet se: “Me shkresën nr.7866/II, të datës 23.10.1937, u hap pranë Bankës Kombëtare kjo llogari relative e pafrytshme (e paprekshme) metal ari, ku depozitoheshin herë pas here dërgesat. I pari urdhër për prekjen e kësaj llogarie u bë me rastin e martesës së Mbretit Zog dhe kremtimit të 10- vjetorit të monarkisë. U morën 10.000 napolona floriri (në atë kohë 1 napolon floriri konvertohej me 20 franga ari), të cilat u shndërruan në kartëmonedha dhe u hodhën në treg. E gjithë sasia e monedhave të arit, të depozituara që në fillim deri në 6 prill 1939, në këtë llogari kapnin vlerën 648.535.80 franga ari. “Prej këtyne, me zbritjen e 200.000 franga ari, të përdoruna si ma sipër, mbeteshin 448.535.50 franga ari, gjendje mbi të cilën si mbas deklaratave të herë pas hershme t’ish ministrit Z.Kolë Thaçi, diftohesh n’interesim ish-mbreti i larguem”, – shkruan drejtori i Thesarit. Referuar relacionit të tij, thuhet se në muajt e parë të vitit 1939, pikërisht kur gjendja po rëndohej, ministri Thaçi, në varësi të urdhrit të Ahmet Zogut, bëri që llogaria e paprekshme, pra e ngrirë që u krijua nga të ardhurat doganore, të zhbllokohej për llogari të tij. Kjo u bë e mundur mes dy autorizimeve me nr. protokolli 2031/65 dhe nr.2031/79, në datat 31 mars dhe 3 prill të vitit 1939, ku vlera prej 448.535.50 franga ari, mund të tërhiqej në çdo moment nga ish-mbreti Zog. “Në mbrëmjen e ditës 6 si dhe përfundimisht, në mëngjesin e ditës 7, të prillit të vj.v (vitit të vjetshëm), vetë ish ministri z.Kolë Thaçi urdhënoj që e gjithë gjendja e treguese t’i dërgohesh e t’i dorëzohesh vetë ish Mbretit Zog I, që ndodhesh midis pjesëtarëve t’ish Këshillit Ministruer në shtëpin e z.Koço Kotta”, – shkruan drejtori i Thesarit. Në vijim të relacionit thuhet se arkëtari i përgjithshëm, z.Ramazan Berberolli, ndodhej në pritje në zyrë. Ai mori një telefon nga ish-kryeministri, i cili e pyeti për ministrin Kolë Thaçi që ishte larguar si dhe për çështjen. Pak minuta më vonë atë e telefonoi dhe ish-komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Shefki Shatku i cili e porositi arkëtarin e përgjithshëm të rrinte në pritje të urdhrave. Pak minuta më vonë arriti një makinë e Pallatit Mbretëror, shoqëruar nga dy ushtarë dhe një toger i Gardës, i cili quhej Selim Gjoci. Ky i fundit urdhëroi që arkëtari Berberolli të merrte në praninë e tij dhe të fuste në trajse, të gjithë sasinë e arit, dhe së bashku të shkonin e t’ia dorëzonin Mbretit Zog I. Sipas thënieve të ministrit Kolë Thaçi, këto para do të merreshin me një proces-verbal që do lëshohej nga Këshilli i Ministrave, i cili ishte mbledhur në shtëpinë e Koço Kotës. “Kështu n’automobilin që na priste jashtë zyreje, u përcollëm deri aty, ku gjetmë, ish Mbretin Zog I, midis ish ministrave z.Koço Kotta, Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku, Rrok Gera (Z.Kolë Thaçi mungonte), Abdurrahman Mati, Xhafer Ypi, Sotir Martini, Allaman Çupi, Ndoc Kurti, Jani Dallamango, Milto Noçka e të tjerë në prani të të cilëve i’u lëshuen për’anë ku ishte ndenjun vetë ish mbreti Zog I, 13 trajcat që mbajshin monedha ari”, – shkruan në raportin e datës 6 qershor 1939, ish-drejtori i Thesarit në kohën e Zogut.
Procesverbali
Sikurse kishte premtuar ministri i Financave Kolë Thaçi, shuma e frangave të arit tërhequr nga Banka do të merrej me procesverbal të firmosur nga Këshilli i Ministrave. Por në relacion shkruhet se gjendja në vend ishte jashtë kontrollit. Vinin lajme e telefona pafund për qëndrime luftarake, prishje urash, sheshesh, e në këtë panik, një formalitet i tillë nuk mund të zihej me gojë. “Rrethana në të cilën as kuejtë s’i-a mbante me i xanë me gojë formalitete të marrjes në dorëzim të monedhave në çashtje ish Sovranit që shifesh n’agoninë e Regjimit të tij që po përmbysesh…”, – shkruan drejtori i Thesarit. Sipas tij, u tentua t’i thuhej ndonjë fjalë Rrok Gerës, meqë ministri Kolë Thaçi mungonte, por edhe ky shtronte pyetjen se si mund t’i ndihmonte në një moment të tillë. Ndërkaq, Mbreti Zog dhe kabineti ministror, duke parë se ishin epiqendra e aeroplanëve që fluturonin në qiell, vendosën të shpërnguleshin në banesën e vëllait të tij, Xhelalit, bashkë me arin e tërhequr nga Banka. Arkëtarit Berberolli iu dha urdhri të shkonte në zyrë e të priste urdhra për tërheqje të tjera monedhash, ato ç’kishin mbetur, por pas largimit të menjëhershëm të kabinetit ministror dhe Zogut I, ai mbeti në shtëpinë e ish-kryeministrit bashkë me z.Xhafer Ypi. Duke u kthyer në shtëpi, ata takuan Kolë Thaçin dhe i treguan mbi ngjarjen. Arkëtari Ramadan Berberolli më pas shkoi në shtëpinë e Xhelal Zogut për të dorëzuar dhe reston e arkës, pra 118.195 franga ari. Ai qëndroi aty deri në orën 4.30 pas dreke për të marrë nga Mbreti Zog dhe kabineti ministror procesverbalin e të gjithë sasisë së monedhave që arrinin deri në 566.975.50 franga ari. Pasi u numëruan të gjitha, u bë e mundur që arkëtari të merrte në dorë një procesverbal dorë-marrjeje, që u nënshkrua nga major Allaman Çupi, adjutant i Mbretit Zogu I, i cili sipas drejtorit të Thesarit, Kelë Naraçi firmoste zakonisht për veprime të përkohshme.

Enver Hoxha dhe Ramiz Alia
Në të gjitha rastet dhe në prag të ngjarjeve të vështira, mendja e politikanëve shqiptarë ka shkuar gjithmonë tek floriri, njëlloj siç shkon mendja e atij që është duke u mbytur tek barkat e shpëtimit. Thuhet se Enver Hoxha, në vitin 1943 në Labinot, mori nga Fetah Ekmeçiu 4 qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. Në atë kohë Fetah Ekmeçiu ishte i ngarkuari i shtabit me çështjet e financës. Pak kohë mbas ngjarjes së sipërpërmendur Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të mistershme dhe trupi nuk ju gjet kurrë. Floriri i groposur më 1943 do të nxirrej nga Sami Baholli në vitin 1959 me porosi të Enver Hoxhës. Por e gjitha kjo duket si një shaka përpara grabitjeve të mëdha që janë bërë me arin shqiptar në vitet e sistemit komunist. Ramiz Alia akuzohet nga shumë politikanë për vjedhje të një pjese të thesarit. Por më shumë nga të gjithë, atë e ka akuzuar Berisha. Në atë kohë vjedhja e thesarit është bërë periodikisht duke u dërguar në Zvicër,ose duke u depozituar me emra të tjerë, kryesisht të fëmijëve të krerëve të shtetit. Duke lënë pas aventurën e Hoxhës me thesarin, ecim në kohë ku sipas dokumenteve rezulton se në periudhën 1988 – 1990 kanë lënë Shqipërinë sasi të tjera ari që kanë ikur kryesisht nga aeroporti i Rinasit. Më 7 qershor 1992, ish presidenti Berisha me anë të një letre i kërkoi autoriteteve zvicerane ndihmesën e tyre në lidhje me arin shqiptar që ndodhej në Zvicër. Për këtë qëllim guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti, autorizoi më 1 mars 1993, firmën ligjore “Poncet Varluzer” dhe partnerët anëtarë të Avokaturës së Gjenevës, që të vepronin në emër të autorizuesit për të zbardhur llogaritë e hapura nga Banka e Shqipërisë në Zvicër. Dhe raporti i dërguar nga avokatët e marrë me këtë çështje që ishin ishin Charles Poncet, Dominique Varluzel, Ereic Alves De Souza, oliver Peclard, Didier Bottge, Alan Levy, Izabel Hagman dhe Gisele Stanislas, pra ky raport thotë midis të tjerave: “Më 3 korrik 1989 me fluturimin SR 459 nga Tirana kanë mbërritur 3.100 kg ar. Kjo dërgesë ishte pritur dhe depozituar nga Shërbimi i Sigurimit. Ndërsa më 5 korrik 1989, kjo dërgesë u transportua në MAT SE CURITAS dhe u zhdoganua nga kjo e fundit. Hetimet pranë MAT kanë treguar se dërgesa ishte zhdoganuar duke përmbajtur lingotat e arit dhe të argjendit si monedhat me një vlerë prej 19,7 milion frangash. Gjithë dërgesa u çua me urdhër të “Union De Banque” Zvicër në Edelmetallschmelzerei në Mendrision. Pas të gjitha këtyre veprimeve, sipas Berishës është emri i Ramiz Alisë.

Hetime për thesarin 
Thesari është i popullit, por ai i duhet më tepër pushtetarëve. Kështu për të verifikuar Thesarin e Shtetit, Berisha inicioi në fund të vitit 1991 ngritjen e një komisioni të kryesuar nga Blerim Çela, me anëtarë, Gëzim Luli PD – deputet i Shkodrës, Behadin Bakalli PD – deputet i Shkodrës, Vehbi Gruda PD – deputet i Shkodrës, Teodor Keko PD – deputet i Tiranës, Qemal Disha PS – deputet i Matit, Sami Kushta PS – deputet i Librazhdit, Shkëlqim Cani PS – deputet i Ersekës dhe Thoma Miço “Omonia” – deputet i Sarandës. Ky komision raportoi se: “Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata para datës 28 nëntor 1944. Ish Mbreti Zog ka marrë me firmë 183 kg ar si të ardhura personale të oborrit nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat. Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasira janë mbajtur një herë në degët e Punëve të Brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar siç argumentuam më lart dhe shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e ajsbergut sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar që kanë dorëzuar ar, të cilit nuk i është bërë hyrje në thesar. Në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (“Historiku i Armës së Policisë”), pohohet me shkrim se janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato bëjnë 283 ton flori. Në fakt në thesar janë futur nga sekuestrimet vetëm 3.029 kg ar….Mungojnë 280 ton ar. Gjatë kohës së diktaturës komuniste janë bërë dalje 7.600 kg ar.. Kjo sipas të dhënave të mara nga drejtori i thesarit të shtetit… dhe janë përdorur për të blerë grurë 224 kg; janë përdorur për dikasteret e ndryshme 37 kg; janë humbur në kambizëm 4.072 kg; janë dhënë për tregëtinë e jashtme 3.200 kg për blerje mallrash. Asnjë përgjegjësi nuk është mbajtur për humbjet në kambizëm për 4 ton ar me vlerë 60 milion dollarë. Thesari i Shtetit është i shenjtë, me të nuk mund të luhet, ndryshe kushdo që e prek duhet të përgjigjet me kokë. Se si është përdorur 3.200 kg për blerje mallrash, kjo kërkon një kontroll të dytë nga organe të specializuara me autorizim të parlamentit”. Pas këtij raporti të gjithë ngritën supet dhe heshtën. Veprimet e tjera që u bënë ishin thuajse formale dhe jeta në Shqipëri vazhdoi si edhe më parë. Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha u dënuan në gjykatë me akuzën për shpenzime të tepërta për kafe, ose për telefona.

Fatos Nano dhe Levante CO
Blerim Çela deklaron edhe sot se, “Fatos Nano është pjesëmarrës në vjedhjen e ndihmave italiane ndaj popullit shqiptar”. Këtë akt mizorie, ndaj popullit të vet, mund ta bëjë kushdo, ose vetëm disa lloj njerëzish të veçantë. Por nëse njerëzit e tjerë të zakonshëm vjedhjen e ndihmave të popullit të tyre mund ta bëjnë me vështirësi, përkundrazi një politikan i modelit shqiptar këtë mund ta bëjë me lehtësi. Për këtë arsye, ish kryeministri i parë shqiptar pas ndryshimeve demokratike, Fatos Nano u arrestua në vitin 1992 nën akuzën e vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës. Sipas akuzës: “Fatos Nano ka favorizuar dhe ndihmuar firmën “Levante Co” në vjedhjen e ndihmave të dërguara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë gjatë viteve 1991-1992”. Kjo ndodhi pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, ku grupi i saj parlamentar ngriti me të madhe problemin e abuzimeve që kishin bërë disa ish-ministra të qeverisë teknike të kryesuar nga Kryeministri Vilson Ahmeti, të cilët u nxorën para gjyqit dhe u dënuan me burgime për shpërdorimet. Po kështu u denoncua edhe ish-kryeministri Fatos Nano, si fajtor për shpërdorime në miliona dollarë, të cilat kishin të bënin me ndihmat që kishte përfituar qeveria shqiptare nga donatorët e huaj në kuadrin e mallrave të shportës. Si rezultat i këtyre akuzave, ish-kryeministri Nano u arrestua më 30 korrik të vitit 1993, pas një flete-arresti të prerë nga prokurori i Tiranës, Arben Qeleshi. Pas disa muaj hetuesie, Fatos Nano doli para gjyqit, i cili e dënoi me 12 vjet burgim dhe kthimin e një sasie të madhe parash në arkën e shtetit. Nano e vuajti dënimin në burg deri në trazirat e marsit 1997, dhe në atë kohë, si shumë të tjerë dhe ai u largua nga vendi i dënimit. Sipas Rrëfimi i Rustem Gjatës, ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese në vitet 1992-1998 rezulton se: “Më 3 prill 1994, ai u dënua nga Gjykata e Tiranës për shpërdorim të pronës shtetërore, në përfitim të personave të tretë, sipas nenit 62 të Kodit të vjetër Penal dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, sipas nenit 110 të Kodit të vjetër Penal. Sentenca e prokurorisë ishte me 12 vite burg dhe ripagimin e 72 milionë e 573 mijë lekëve (7.2 milionë dollarë amerikanë), sentencë që e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit. Akuzat ndaj Fatos Nanos lidheshin me kohën shkurt-qershor 1991, kur ai shërbeu si zëvendëskryeministër e më pas Kryeministër, ndërsa në vendin që po kalonte kolapsin ekonomik dhe financiar, Italia fqinje solli ndihma ushqimore dhe mjekësore. Sipas prokurorëve, Fatos Nano përdori pozicionin e tij për të devijuar kontratën e furnizimit dhe të shpërndarjes së ndihmave nga tenderimi, tek një kompani italo-jugosllave, Levante & Co.SPA, drejtori i së cilës kishte lidhje me miqtë e Nanos. Kështu që kompanisë iu bënë favorizime joligjore, me mbiçmimin e ushqimeve, dhe koston e transportimit dhe të kontrollit të cilësisë, të cilat së bashku shkaktuan një dëm prej 72 milionë e 573 mijë lekësh shtetit dhe popullit shqiptar. Akuza për falsifikimin e dokumenteve zyrtare ishte bazuar te fakti se, Kryeministri kishte nënshkruar disa vendime, përkundër fakteve se këto vendime nuk ishin diskutuar fare në Këshillin e Ministrave”. Me ardhjen e të majtëve në pushtet, në vitin 1997, ai mori pafajësinë, duke përfituar edhe 70 milionë lekë si dëmshpërblim.

Ilir Meta ose Ilir Floriri 
Berisha e ka akuzuar i pari Ilir Metën për grabitjen e floririt të Kërrabës. Aq e vërtetë është kjo, saqë Berisha për ca kohë e thërriste atë, “Ilir Floriri” Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar aleatin e tij të sotëm më të ngushtë, për këtë grabitje. Ndërsa një nga ekspertët thotë se ndërsa Ahmet Zogu mori 183 kilogram ar kur u largua, në Kërrabë u vodhën 280 kilogram. Ende nuk dihet nëse kjo është një shifër e saktë, ndërsa hetimet për këtë krim nuk e zbardhën kurrë të vërtetën. Edhe Gjinushi e ka akuzuar shpesh Ilir Metën për floririn. Madje, në një dalje publike të kohëve të fundit, Gjinushi e ka përforcuar akuzën e tij ndaj Ilir Metës, duke futur brenda edhe Berishën. Ai ka thënë: “Ilir Meta bën pazar me Sali Berishën për të mbajtur gjallë korrupsionin. Është një marrëveshje, sipas etiketimit të bërë nga vetë dy protagonistët, të Sali Gërdecit me Ilir Floririn. Mjaftojnë këto etiketime për të kuptuar moralin e kësaj marrëveshje”, – tha ai. Ngjarja ka ndodhur pasi me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet vendoset që thesari i shtetit, që për 50 vjet qëndroi në tunelet e Skraparit, të zhvendosej në Kërrabë, aty ku në vitin 2000 ndodhi edhe vjedhja e parë publike e thesarit. Në mbledhjen e asaj dite në Kuvend lideri demokrat Sali Berisha akuzoi hapur qeverinë për vjedhjen e thesarit të shtetit. Për këtë Berisha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta, dhe të guvernatorit të atëhershëm të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Ish-kryeministri Ilir Meta, pas akuzave të njëpasnjëshme të opozitës, kërkoi që të evidentohet gjendja e thesarit. Rezultoi se vlera e arit që mungonte në thesar ishte e barasvlershme me 2 milionë e 800 mijë dollarë. Ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi se që nga viti 1997 nuk ishte kontrolluar gjendja fizike e thesarit dhe deri atëherë askush nuk kishte pse të dyshonte se thesari ishte grabitur. Sipas ish-kryeministrit Meta, ky thesar ishte cenuar në kohë të ndryshme dhe në të njëjtën mënyrë, dhe ka filluar shumë përpara vitit 2000. Meta tha se të dhënat të çojnë në vitin 1997. Pas zbulimit të shumës së vjedhjes hapet dosja “Thesari”. Prokuroria ushtarake nis hetime mbi autorët e vjedhjes së thesarit të Kërrabës. Akuzohen pesë banorë të fshatit Kërrabë. Njëri prej tyre akuzohej se e kishte vjedhur thesarin e shtetit, duke e ngarkuar mbi një gomar dhe pastaj e groposi në bahçe. Kështu, njeriu që jetonte sipër thesarit të floririt hante çdo ditë bukë me kos, ndërsa ditën që e arrestuan ai nuk kishte as këpucë për të shkuar në hetuesi. Por mbi Ilir Metën rëndon edhe akuza e bërë nga Dritan Prifti, i cili e kishte incizuar bisedën e plotë me të, në lidhje me tenderët. Sipas Priftit ky i fundit do të përfitonte 700 milionë. Por pas një odiseje qesharake, gjykata vendosi pafajësinë e Metës me rezultatin pesë me zero. Ndërkaq, tek njerëzit e thjeshtë doli fjala: “Ku shkel Iliri, vidhet floriri”. Aq më tepër kur tani ai është bërë floriri i vogël i Berishës. Në kabllogramet e ambasadës amerikane, Meta cilësohet si shumë i pasur dhe ekstremisht i korruptuar. Po ashtu dhe partia e tij cilësohet si jashtëzakonisht e pasur.

Sali Berisha
27 viktimat e Gërdecit që humbën jetën në tragjedinë e tmerrshme të pangopësisë shtetërore, nuk jetojnë më. Dhe ata nuk i dëgjojnë më ligjëratat e kryeministrit shqiptar kundër korrupsionit ndërsa të afërmit e tyre kërkojnë më kot nëpër gjykata zbardhjen e fajtorëve të krimit. Pak muaj më parë deputeti Sajmir Tahiri ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha si të korruptuar dhe fëmijët e tij, Shkëlzen dhe Argita Berishën si të përfshirë në korrupsion. Në datën 7 tetor 2011, Tahiri ka deklaruar se “Sali Berisha është i korruptuar, i biri dhe e bija janë të përfshirë në korrupsion”. Për këtë Tahiri ka kërkuar të merren si dëshmitarë në proces, ish Shefi i Shtabit Luan Hoxha, Mihal Delijorgji, biznesmeni Damir Fazlliç, etj. Por duket se në Shqipëri është tepër shpejt për të folur mbi drejtësinë dhe është tepër vonë për të vendosur shtetin e së drejtës. Sepse e keqja po keqësohet çdo ditë e më shumë. Mbi Sali Berishën rëndojnë akuzat e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, por tani kur të gjitha rrugët të çojnë në gjykatat e modelit shqiptar, është e sigurtë se drejtësi nuk do të ketë ndonjëherë. Sepse njeriu i fortë që zbriti nga Viçidoli, duket i vendosur që t’i konvertojë pronat e tij nëpër bjeshkë, me zonat bregdetare të plazheve, me mjedise turistike, apo me territore të tëra në Gjirin e Lalzit, etj. Mbi Berishën rëndojnë më shumë akuza se mbi këdo tjetër, megjithëse ai u thirr nga votuesit shqiptar në 2005, pikërisht si “dorë e fortë”, kundër korrupsionit. Shitja e objekteve strategjike si edhe shitja e territoreve ujore është gjithashtu një akuzë për qeverisjen e tij. Por këtu, kush kundërshton, ose kush del në protesta, vritet.

Topi dhe Spahiu
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Presidentit të Republikës, duke e akuzuar atë për marrje të shumave të mëdha parash për emërimet në pushtetin gjyqësor. “Çuditërisht nuk është përmendur zullumi i kryer, me çka është funksioni kryesor dhe real i Presidentit dhe KLD-së, së kryesuar prej tij: të ryshfetit përkatës për çdo emërim në këto poste”, thekson ai. Sipas Pollos, “Ky zullum është përcaktimi për herë të partë të hartës së çmimeve për postet e gjyqësorit, d.m.th. të ryshfetit përkatës për çdo emërim në këto poste. Kam biseduar me gjyqtarë, të njohur të mi; njerëz me profesionalizëm e integritet, të cilët plot trishtim më kanë thënë se Gjyqësorit do t’i duhet kohë e përpjekje për të dalë nga bataku ku është zhytur që nga viti 2007”. E njëjta akuzë është bërë edhe për Kreshnik Spahiun. Nga ana tjetër Berisha e ka akuzuar Topin se ka krijuar kooperativë bujqësore në mes të Tiranës për të përfituar prona si kooperativist. “Nëse e ka bërë veten kooperativist për të marrë prona ka bërë gabim fatal ai që ka mashtruar me ose pa dokumente për një gjë të tillë. Mora rastin konkret, nëse është përfituar pronë duke qenë në zemër të qytetit dhe e shpall vetën kooperativist, kujtoj se kooperativë bujqësore në qendër të Tiranës nuk ka pasur kurrë”- tha Berisha.

Gjendja e arit
Para disa kohësh Këshilli Botëror i Arit publikoi të dhëna e fundit për rezervat e arit për çdo shtet, përfshi edhe ato të Shqipërisë. Sipas këtij Këshilli, në fund të vitit 2010, rezervat e arit shqiptar ishin 1.6 ton, gjysma e asaj që ishin në vitin 2000. Të dhënat tregojnë se Shqipëria është një nga vendet me rezervat më të ulëta të floririt për frymë popullsie me vetëm rreth 20 dollarë për frymë. Në Zvicër ky tregues është 6 mijë dollarë ndërsa në Gjermani, Itali dhe France rreth 1800 dollarë. Për vite me radhë Shqipëria është mbajtur si një vend i pasur në flori, madje thuhej se rezervat shqiptare të arit në 1920, llogariteshin në 320 tonë, por një shekull më pas ato janë tkurrur me qindra herë.

Na mbytën hajdutët
Ky është titulli i një komedie të nobelistit Dario Fo, por vepra e tij nuk ka lidhje me Shqipërinë. Por politikanët që kanë drejtuar Shqipërinë, më tepër se sa kanë firmosur plane për zhvillimin, duket sikur kanë bërë plane për të grabitur pasurinë kombëtare. Kështu, Lulzim Basha, Dritan Prifti, Blendi Gonxhe, Skënder Gjinushi, Ritvan Bode, Genc Ruli, Gramoz Ruçi, Lufter Xhuveli, Anasatas Angjeli, Arben Malaj, etj, janë emrat e politikanëve të tjerë që janë denoncuar në gjykatë ose janë akuzuar publikisht nga kundërshtarët e tyre për afera korruptive, falsifikime, bashkëpunim me krimin, ose pjesëmarrje në korrupsion. Natyrisht, në gjithë këtë mozaik akuzash ka edhe spekulime. Sepse nuk mund të thuhet se çdo hajdut është patjetër ministër, por mund të thuhet e çdo ministër që pasurohet padrejtësisht me paratë e taksapaguesve është patjetër një hajdut. Por hajdut nga lloji i atyre që nuk preken kurrë nga drejtësia.  Ilir Bushi