rexhep_qosjaAkademiku Rexhep Qosja shprehet se politika shqiptare karakterizohet nga konflikti, ashtu si pas viteve ’90. ”Kjo politikë e konfliktit, tani pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit të kaluar, për mendimin tim është bërë politikë patologjike” , shprehet ai për News 24.

Qosja vlerëson se qeveria ka punuar mirë, ndërsa opozita po përdor retorikë të ashpër.

“Për 9 muaj ne nuk dëgjojmë asnjë gjysmë fjale pozitive, të dobishme. Brenda kësaj kohe janë paraqitur ide, janë shprehur mendime” , shprehet ai.

Ndërsa në lidhje me grevën e urisë, që disa të larguar nga administrata kanë nisur para Kryeministrisë prej disa ditësh, Qosja thotë se ka prapavijë politike.

”Mendja e shëndoshë, ata që shohin me të dy sytë dhe ata që e kanë mendjen për të gjykuar të pavarur, mund ta supozojnë, mund ta marrin me mend se dikush pas shpinës së tyre punon.

Domethënë ka një forcë politike që mundet të mos jetë e vetme, mund të ketë edhe disa lidhje në Itali a Greqi, apo diku tjetër, që punon për të ndodhur diçka e tillë për të vështirësuar sa më shumë punë e qeverisë së sotme shqiptare, që ka filluar disa ndryshime shumë të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë. Të ardhmen e Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve në përgjithësi”, thekson akademiku Qosja.