Goshev: Pas 22 vitesh, më keq se para viteve '90
Ish-guvernatori dhe ish-ministër i Financave, Petar Goshev, vlerëson se pas 22 vitesh pavarësi, vendi nuk ka arritur të ketë një zhvillim të mirëfilltë ekonomik.Në një intervistë për mediat maqedonase, Goshev thotë se kjo gjendje i detyrohet disa faktorëve dhe ndër ta është debati i vazhdueshëm në temat politike dhe të sigurisë, që ka bërë të ngurrojnë kompanitë gjatë vendimit për të investuar.
Sipas tij, infrastruktura ekonomike është më keq se para viteve ’90, cilësia e arsimimit është më e dobët se ndonjëherë më parë, ndërsa rekrutimi i kuadrove në administratën publike dhe emërimi i funksionarëve, është proces tejet i keq.
“Sistemi gjyqësor është nën kontroll të tmerrshëm partiak. Pjesa më potente e popullatës po shpërngulet nga vendi dhe çështja e zhvillimit tekniko-teknologjik paraqitet në formën e incidenteve të rastësishme. Elitat politike janë pa kuadro të mirëfilltë, të pandershëm dhe pa vullnetin e mjaftueshëm për të kanalizuar një proces të debatit të mirëfilltë. Të gjitha këto nuk janë kushte për rritje të qëndrueshme ekonomike”, ka deklaruar Goshev