image
Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme gjatë muajve tetor ose nëntor të këtij viti, nëse nuk gjendet një zgjidhje për çështjen e emrit. Kështu deklaroi kryetari i nderit i Partisë VMRO-Popullore Lubço Georgievski, duke shtuar se, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, varet nga BDI-ja, partnere në koalicionin qeverisës.
‘Fakt është se gjithçka varet nga BDI-ja sepse ndryshe nuk mund të zhvillohen zgjedhje. Jam thellë i bindur edhe pse partia në pushtet VMRO-DPMNE po bën provokime sistematikisht, mendoj se ata nuk janë të interesuar të mbajnë zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj se VMRO DPMNE i intereson që mandatin ta mbajë deri në fund dhe të vetmit që mund të çojnë Maqedoninë drejt zgjedhjeve të parakohshme, nuk janë ato protestat nëpër rrugë, nuk është as fuqia e opozitës qoftë ajo edhe e bashkuar, ajo është vetëm një parti, e ajo është BDI-ja. Unë mendoj se çelësin nëse do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme, e ka vetëm BDI-ja’, deklaroi Lubço Georgievski – kryetar nderi i VMRO-Partia Popullore.
Georgievski thotë se personalisht nuk pret që çështja e emrit me Greqinë, të zgjidhet shpejt. Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, atëherë ato do të mbaheshin pas Samitit të NATO-së në tetor, afat ky i cili po imponohet si afat joformal për kapërcimin e problemit të emrit kushtetues.