Stefan_FyleKomisionari i BE-së për Zgjerim, Stefan Fyle, e ka vlerësuar si një faqe të re fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.“Me nisjen e negociatave për MSA, ne po e kthejmë një faqe të re në marrëdhëniet tona. Kjo është njohje e qartë e progresit të arritur në Kosovë në reformat kryesore dhe përpjekjeve të konsiderueshme në normalizimin e raporteve me Serbinë. Komisioni synon t’i përfundojë këto negociata në pranverën e vitit 2014, ta inicializojë draftmarrëveshjen në verë dhe më pas ta dorëzojë propozimin te Këshilli dhe Parlamenti Evropian për arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Fyle.

Ai ka shtuar se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime reale për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Kosova tani duhet të përqendrohet në këto negociata dhe rrugën më tutje. Kosova duhet ta konfirmojë dhe ta sqarojë pozicionin e saj negociues. Ajo, po ashtu, duhet të vazhdojë të punojë në tetë fushat e tjera të prioriteteve të identifikuara në studimin tonë të fizibilitetit, në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë MSA-në dhe të jetë në gjendje t’i përmbushë obligimet që do t’i ketë. Unë besoj se Kosova mund ta kalojë me sukses këtë sfidë të re e të rëndësishme”, ka thënë Fyle.