Koha Ditore, në botimin e sotëm i bënë një vështrim rrallimit të kontakteve të drejtpërdrejta të shefit të ICO-së, Pieter Feith, dhe kryeministrit Hashim Thaçi.
Në tekstin e KD-së thuhet se ”Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, që njëherësh është edhe përfaqësues special i BE-së në Kosovë, ka rreth dy muaj që nuk është takuar në katër sy me kryeministrin, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur të shtunën një burim i sigurt brenda institucioneve qendrore te vendit”.
Relacionet mes dy zyrtarëve të lartë, sipas këtij burimi, kanë filluar të ftohen që nga dita kur shefi i ICO-së ka hyrë në zyrën e kryeministrit për t’i rekomanduar shkarkimin e një ministri të dyshuar për keqpërdorim të miliona eurove. Në atë takim, sipas tij, kryeministri Thaçi nuk është pajtuar me Feithin që ta shkarkonte pa fakte të verifikuara ministrin e dyshuar. Bastisjet që i janë bërë ditëve të fundit pronave të ministrit Fatmir Limaj dhe Ministrisë së Transportit e Postë-Telekomunikacionit, kanë dhënë për t’u kuptuar se dyshimet kanë rënduar pikërisht mbi Limajn.