Federata Shqiptare e Futbollit përgatit dosjen e Apelit në Zvicër: Të pamundur të luanim
Pas stuhisë së UEFA-s, Shqipëria do të reagojë. Vendimi i para dy ditëve i organizmit europian të futbollit, sa u takon incidenteve të dhunës gjatë ndeshjes me Serbinë më 14 tetor, e vlefshme për eliminatoret kualifikuese të Europianit “Francë 2016” (3-0 në tavolinë për Serbinë, por edhe një penalizim i 3 pikëve në renditje për kombëtaren serbe, me detyrimin për të luajtur dy ndeshjet e ardhshme me dyer të mbyllura), është konsideruar i padrejtë dhe jashtë çdo logjike nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundit ka lëshuar një deklaratë për media, pas vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, ku e konsideron “qartësisht jo të drejtë” rezultatin 3-0 të humbur në tavolinë. Megjithatë, FSHF-ja ka njoftuar se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për këtë vendim të UEFA-s.
“Vendimi i UEFA-s nuk është i pranueshëm për FSHF-në, sa u takon ngjarjeve të datës 14 tetor 2014 në stadiumin “Partizani” të Beogradit, përpara gjatë dhe pas ndeshjes, lexohet në radhët e para të komunikatës për shtyp të FSHF-së. Është besimi ynë i patundur, që atje nuk ekzistojnë provat e mjaftueshme dhe arsyetimi ligjor, që çojnë në një vendim të tillë. Vendimi është qartësisht jo i proporcionuar, kundrejt shkeljeve që kanë ndodhur. Detaje të mëtejshme do të jepen kur të bëhet publik argumentimi mbi vendimin. Vendimi është dukshëm i orientuar, që të ndikojë rezultatet sportive të grupit eliminator, ndërkohë që fokusi kryesor, në këndvështrimin e FSHF-së, duhet të jetë atmosfera jashtëzakonisht e dhunshme dhe ngjarjet, që në mënyrë të pakthyeshme, ndikuan në ndeshjen e futbollit”. Ndonëse FSHF-ja nuk ka zbardhur plotësisht detajet e provave të apelit, ka përcaktuar disa pika si çështje të rëndësishme. “FSHF-ja është plotësisht e orientuar që ta apelojë këtë vendim tek autoritetet kompetente sportive, – vazhdon komunikata për shtyp. – Detajet e provave të apelit nuk mund të jepen përpara publikimit të argumenteve të vendimit, por disa çështje janë kategorike.
Droni fluturues
FSHF-ja nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin “Partizani”. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF-ja nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorit serb, brenda dhe jashtë stadiumit.
Siguria në stadium:
Nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Gjyqtari i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie, por sipas raporteve, nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtarëve të tjerë të UEFA-s, që siguria u rivendos. Fusha mbeti jo e sigurt.
Dëmtimet psikofizike
Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendas që hynë në fushë.
Ndëshkimi dhe racizmi
Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë dënimet. Një stadium që ofroi parulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale, u ndëshkua në mënyrë të njëjtë, me një baner të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar.
Braktisja e ndeshjes dhe delegati!
Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa evidente e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendas. Lojtarët shqiptarë nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi që takimi të vazhdonte. Ky pozicion është produkt fantazie. Skuadra shqiptare nuk refuzoi kurrë të vazhdonte ndeshjen. Lojtarët shqiptarë deklaruan se ata ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli.
Pamundësi dhe jo refuzim
Nuk ka referencë në raportet zyrtare që zbrazja e stadiumit ishte mënyra e përshtatshme për të vendosur kushtet e sigurisë. Nëse në opinionin e zyrtarëve të UEFA-s, kjo ishte gjëja e drejtë që duhej bërë, ata duhet të zbraznin stadiumin e më tej të rifillonin ndeshjen dhe të ftonin lojtarët shqiptarë në fushë, nëse ata i konsideronin lojtarët shqiptarë në gjendje për të luajtur. Vendimi për të mos luajtur nuk ishte një vendim që ne e morëm. Ne nuk mund të pendohemi për një vendim që s’kemi marrë. Ishte një pamundësi për të luajtur dhe jo refuzim.