rexhep_qosjaAkademik Rexhep Qosja në pjesën e dytë të intervistës për “Epokën e re” ka thënë se shkaku për përçarjen në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) është i dyanshëm: i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit dhe i Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.
“Më vjen shumë keq pse ka ndodhur kjo ndarje, madje, përçarje në PDK. Shkaku për këtë përçarje është i dyanshëm: i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, i cili po e drejton partinë pa demokracinë sot të pashmangshme në partitë moderne dhe duke kultivuar kultin e individit dhe e dyta, i Fatmirit dhe i Jakupit, që mendojnë, si Hashimi, se gjithmonë duhet të jenë të parët a të dytët në pushtet thuajse nuk ka të tjerë të aftë e të merituar për ato pozita”, ka thënë Qosja.
Pas kësaj ndarje, sipas Qosjes, humbja do të reflektohet në të dy anët. “Besoj se pas kësaj ndarjeje PDK-ja do të pësojë jo pak, kurse partia e Jakupit dhe Fatmirit do të fitojë edhe më pak!”, ka deklaruar akademik Qosja.
Në këtë intervistë Qosja ka folur edhe për kandidimin e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për kryeministër. Ai ka thënë se propozimin e Kryesisë së LDK-së, që Mustafa të jetë kandidat për kryeministër, e sheh si fyerje dhe nënçmim të rëndë të mendjes dhe të ndjenjave të shqiptarëve të Kosovës.
Akademik Rexhep Qosja e ka vlerësuar qeverisjen në Shqipëri të drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij, qeveria e sotme e Shqipërisë, në krye me Edi Ramën, e ka filluar një proces, në të vërtetë një reformë, me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. “E ka filluar procesin e nxjerrjes së Shqipërisë prej një gjendjeje anarkike, në thelbin e saj primitive, e për ta sjellë në një gjendje normale, emancipuese dhe të emancipuar. Ky është proces që, po s’u ndal prej ndonjë dhune fatale, do ta sjellë demokracinë e vërtetë dhe evropianizmin e vërtetë të shtetit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare – me politikën, me arsimin, me kulturën, me shëndetësinë, me ekonominë, me marrëdhëniet njerëzore të saj. Qeveria e sotme e Shqipërisë në krye me Edi Ramën e ka filluar edhe një proces me rëndësi të përtashme dhe historike për Shqipërinë dhe për Kosovën: e ka filluar procesin e integrimeve shqiptare, të integrimeve në radhë të parë arsimore, shkencore, kulturore, ekonomike, bujqësore, tregtare, teknologjike e të tjera”, ka thënë Qosja.
Në këtë intervistë Qosja ka folur edhe për situatën e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ai e vlerëson të nevojshëm formimin e një këshilli a komisioni, i cili do të merret me çështjen e diplomave të shkollave të mesme të disa pedagogëve universitarë, me dokumentet e magjistraturave e të doktoratave dhe me mënyrat e zgjedhjes e të përparimit në grada shkencore e pedagogjike të pedagogëve të Universitetit, mandej edhe të universiteteve private dhe, pse jo, edhe të instituteve shkencore, por edhe me mësimdhënien dhe punët e tjera të pedagogëve në Universitet.

“Epoka e re”: Mbasi jemi te zgjedhjet, mendoni se PDK-ja do të dëmtohet nga Fatmir Limaj dhe nga Jakup Krasniqi, të cilët kanë paralajmëruar krijimin e një subjekti të ri politik?
Qosja: Më vjen shumë keq pse ka ndodhur kjo ndarje, madje, përçarje në PDK. Shkaku për këtë përçarje është i dyanshëm: i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, i cili po e drejton partinë pa demokracinë sot të pashmangshme në partitë moderne dhe duke kultivuar kultin e individit dhe e dyta, i Fatmirit dhe i Jakupit, që mendojnë, si Hashimi, se gjithmonë duhet të jenë të parët a të dytët në pushtet thuajse nuk ka të tjerë të aftë e të merituar për ato pozita. Shumë dëshpëruese për mua ishin disa sjellje të Jakup Krasniqit, i cili fliste për vjedhjet në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme e, megjithatë, vazhdonte ta mbante detyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës që ia kishin dhuruar ato zgjedhje; i cili fliste për gjithë shpërdorimet dhe korrupsionin në procesin e privatizimit e vazhdonte ta ushtronte detyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili është dashur me Kuvendin ta komprometonte dhe ta ndalte atë privatizim kriminal! Praktika e tillë e ushtrimit të pushtetit në kushtet në të cilat një varg veprimesh e vendimesh i zhvlerëson dhe i komprometon vetë ushtruesi i detyrës kryesore është e paimagjinueshme në vendet demokratike dhe normale. Është e paimagjinueshme se duke e vazhduar ushtrimin e detyrës ai, kryetari i Kuvendit, i bën të ligjshme ato veprime penale! Besoj se pas kësaj ndarjeje PDK-ja do të pësojë jo pak, kurse partia e Jakupit dhe Fatmirit do të fitojë edhe më pak!

“Epoka e re”: Dhe një pyetje që lidhet me zgjedhjet. Si e keni parë nominimin e Isa Mustafës për kryeministër shumë kohë para se të mbahen zgjedhjet?
Qosja: Propozimin e Kryesisë së LDK-së, që Isa Mustafa të jetë kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve të ardhshme, natyrisht, në qoftë se LDK-ja i fiton këto zgjedhje, për çka ai farë Isa Mustafa po deklaron se është shumë i sigurt se do t’i fitojë, e shoh: e para si fyerje dhe nënçmim të rëndë të mendjes dhe të ndjenjave të shqiptarëve të Kosovës, që e dinë se kush është Isa Mustafa dhe të cilët do të detyroheshin t’i duartrokisnin edhe në Kosovën e pavarur zyrtarit shumë të përkushtuar të Rrahman Morinës dhe të Sllobodan Millosheviqit. Këso fyerje, kësi poshtërimi nuk do të lejonte asnjë popull i pjekur, asnjë popull historik evropian, madje as ballkanik! Dhe, e dyta, e shoh si mjerim politik dhe moral të atyre që e votuan gjoja me nëntëdhjetë e nëntë për qind, natyrisht edhe me votat e atyre të pranishmëve që nuk ishin anëtarë të Kryesisë së LDK-së. Dhe këtë mjerim të udhëheqjes së LDK-së, me të cilën Vetëvendosja po bën aleancë, e frymëzoi urrejtja e tyre primitive ndaj të gjithë atyre që tani e dy muaj po e bëjnë publike në gazeta e në radio e televizion jetën antikombëtare të Isa Mustafës në kohën e Millosheviqit e një kohë edhe të paraardhësve të tij, që atë, Millosheviqin, e sollën në pushtet! Kuku për ta dhe për ne që jemi të detyruar të shohin edhe të tillë duke bërë politikën e Kosovës!

“Epoka e re”: Ndër ata që me 99 për qind e votuan Isa Mustafën kryeministër të ardhshëm të Kosovës besoj se ishte edhe ai Florian Dushi që të ofendoi aq rëndë duke të quajtur “fundërrinë enveriste”, si nuk të kanë ofenduar as serbët gjatë vitit 1981 kur shkruaje kundër politikës, dhunës e terrorit serb dhe jugosllav në Kosovë?
Qosja: Emrin e asaj mendjeje katërkëmbëshe, që aq shtazërishëm qet të vjellat e tij në fytyrën e Enver Hoxhës në varr e të Rexhep Qosjes të gjallë ende, për herë të parë e kam dëgjuar mbas fyerjes që bëri në deklarimin e tij pas bisedës sime në ‘Express’, në të cilën, përpos të tjerash, i thashë disa fjalë edhe për ish-kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugova, i cili, siç po shihet tani, pas zbulimit të veprimtarisë mafioze të të birit – tani deputet i Kosovës dhe me subjektin e tij partiak pjesë e koalicionit qeveritar, ishte figurë partiake për jetën dhe veprimtarinë politike të të cilit do të dëgjojmë edhe shumë befasi të tjera të padëshiruara, në të vërtetë të zeza! Dy ish-miq të tij më thanë ditën e botimit të deklaratës së tij, se dikur ai farë Floriani ishte një mik i përkushtuar i dy udbashëve – njëri shqiptar e tjetri serb, të cilëve me gatishmëri rrogëtari ua plotësonte të gjitha dëshirat. Fyerja e një të tilli është nderim si për Enver Hoxhën historik ashtu edhe për vogëlsinë time, sepse të dy ishim shumë të urryer prej punëdhënësve të deklaruesit në fjalë. Nuk dua të them gjë më shumë për atë plehurinë që ia shet shpirtin shefit partiak, i cili për shërbimet e tij katërkëmbëshe e bën anëtar a nënkryetar, nuk e di ç’është, të Këshillit Zgjedhor të Kosovës!

“Epoka e re”: Akademik Qosja, pas ngjarjeve që ndodhën në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, mendoni se duhet të verifikohen të arriturat shkencore të çdo profesori?
Qosja: Së pari do të duhej të jetë e qartë se ato protesta të quajtura protesta kundër rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, nuk ishin protesta në thelb as kundër tij, as kundër shpërdorimeve dhe korrupsionit material, profesional dhe moral në Universitet: ato në të vërtetë ishin protesta kundër Qeverisë, kundër PDK-së dhe kundër Hashim Thaçit, të organizuara prej Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosje!-s me qëllim që t’i komprometojnë Qeverinë dhe PDK-në aq sa mund të komprometohen me atë agresivitet që u tregua në atë protestë. Organizuesit e protestës shpresonin se ashtu, me ato parullat dhe klithmat e protestuesve, ndër të cilët më së pakti kishte studentë, do t’i kthejnë gjithë studentët dhe prindërit e farefisin e tyre kundër Qeverisë, PDK-së e Hashim Thaçit tani dhe në zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka dyshim se kjo shpresë e këtyre organizuesve dështoi plotësisht dhe bëri të dështojë në radhë të parë Vetëvendosja me ithtarët nga radhët e saj dhe nga radhët e disa organizatave joqeveritare që u shquan si “oratorë” në protestë! Në mënyrë të veçantë shpresa e tyre u komprometua fort atë ditë kur disa militantë të Vetëvendosje!-s u futën dhunshëm në mësonjëtoren e pedagogut universitar, Milazim Krasniqi. Duke u hallakatur nëpër mësonjëtore, duke iu kërcënuar atij dhe duke e quajtur fashist e racist ata e treguan faqen e shëmtuar të Vetëvendosje!-s. Nuk ishte kjo hera e parë që partia Vetëvendosje! po përdor kërcënime, fyerje, gurë e drunj kundër atyre që ia prishin qejfin dhe hesapin. Kosovës i janë dashur njëqind vjet që ta krijojë policinë e vet dhe ushtrinë e vet, por Vetëvendosja nuk po ngurron të fyejë këtë polici, ta fyejë me fjalët që e cenojnë në sytë e dëgjuesve e shikuesve evropianë e amerikanë në Kosovë, nuk po ngurron të godasë me gurë e me çka i qëllon afër policët tanë thuajse ata janë policë të dikurshëm të Serbisë në Kosovë! Kosovës i janë dashur njëqind vjet t’i zgjedhë lirshëm deputetët e Kuvendit të vet e Vetëvendosja po turret kundër atij Kuvendi me qëllim t’ua rrëmbejë e asgjësojë mikrofonin, domethënë zërin, deputetëve – të të zgjedhurve të popullit të Kosovës. Në një vend demokratik, në një vend historik, nënçmuesi i tillë i sovranitetit të popullit do të kishte punë me gjyqin e jo me kryetarin e Kuvendit që u përpoq ta mbrojë zërin e deputetëve prej fyesit të tyre! Nuk ka dyshim se është koha që, më në fund, të thuhet: Vetëvendosja nuk po ngurron të përdorë metoda të partisë së ndaluar në Greqi, Agimi i Artë. Sipas mendimit tim, është koha të brengosemi mos do të vijmë në situatë që paqen, rendin, sjelljen politike racionale në Kosovë t’i mbrojmë jo vetëm me fjalë e lutje prej metodave agresive alla Agimi i Artë të Vetëvendosje!-s. Nuk do të doja në asnjë mënyrë të ndodhë kjo.
Në pyetjen tuaj se a duhet të verifikohen të arriturat shkencore të çdo profesori mund të përgjigjem sa vijon: Mbas gjithë atyre që tashmë dihen se prej viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur në Universitet bënte çka donte LDK-ja e deri sot, kur me Universitet kanë bërë çka kanë dashur LDK-ja dhe PDK-ja, paraqitet e nevojshme të formohet një këshill a komision, i cili do të merret me çështjen e diplomave të shkollave të mesme të disa pedagogëve universitarë, me dokumentet e magjistraturave e të doktoratave dhe me mënyrat e zgjedhjes e të përparimit në grada shkencore e pedagogjike të pedagogëve të Universitetit por, mandej, edhe të universiteteve private dhe, pse jo, edhe të instituteve shkencore, por edhe me mësimdhënien dhe punët e tjera të pedagogëve në Universitet.

“Epoka e re”: Sa është e nevojshme të hetohen plagjiaturat e profesorëve të universiteteve dhe të akademikëve?
Qosja: Është e nevojshme të formohet këshill a komision i veçantë për t’i parë dhe për t’i analizuar plagjiaturat në tekste universitare, në vepra të quajtura shkencore dhe kompilimet në tekste shkollore dhe në vepra shkencore. Këto janë çështje profesionale dhe morale, që heshtën prej vetjeve të pa etikë që mbajnë detyra drejtuese në institucionet ku punojnë plagjiatorët dhe kompiluesit. Në statutet e të gjitha institucioneve më të larta arsimore shkencore dhe shkencore artistike, plagjiatorët, kur dëshmohet plagjiatura prej Këshillit a Komisionit të caktuar për vlerësimin e veprave të tyre, përjashtohen prej atyre institucioneve. Kështu ndodhi para tre-katër vjetësh në Gjermani, në Hungari dhe në Rumani. Mos sot, një ditë kështu do të ndodhë edhe te ne.

“Epoka e re”: Si zakonisht, e shoh të arsyeshme t’ju bëj edhe tri pyetje për Shqipërinë. E para është pyetja: si i vlerësoni ditët e para të qeverisjes Edi Rama?
Qosja: Qeveria e sotme e Shqipërisë, në krye me Edi Ramën, e ka filluar një proces, në të vërtetë një reformë, me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën: e ka filluar procesin e nxjerrjes së Shqipërisë prej një gjendjeje anarkike, në thelbin e saj primitive, e për ta sjellë në një gjendje normale, emancipuese dhe të emancipuar. Ky është proces që, po s’u ndal prej ndonjë dhune fatale, do ta sjellë demokracinë e vërtetë dhe evropianizmin e vërtetë të shtetit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare – me politikën, me arsimin, me kulturën, me shëndetësinë, me ekonominë, me marrëdhëniet njerëzore të saj. Qeveria e sotme e Shqipërisë në krye me Edi Ramën e ka filluar edhe një proces me rëndësi të përtashme dhe historike për Shqipërinë dhe për Kosovën: e ka filluar procesin e integrimeve shqiptare, të integrimeve në radhë të parë arsimore, shkencore, kulturore, ekonomike, bujqësore, tregtare, teknologjike e të tjera. Ky është proces tepër, tepër i rëndësishëm, pavarësisht prej zërave anakronikë që u dëgjuan kundër tij. Popujt, gjithmonë e gjithkund, më së pari integrohen, mandej bashkohen, në kulturën e tyre, në shkencën e tyre, në letërsinë e tyre, në artet e tyre, në marrëdhëniet tregtare të tyre e, mandej, bashkohen në tërësi. Kështu ka ndodhur edhe në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare. Të jesh kundër këtij procesi të cilin, ç’është e vërteta, e solli dhe e projektoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të thotë të jesh kundër ardhmërisë së popullit shqiptar. Qeveria e sotme e Shqipërisë në krye me Edi Ramën, që është intelektual dhe politikan me ide dhe me nisma të tjera frytdhënëse, po pengohet shumë prej militantëve të opozitës siç po tregohen edhe më tej Sali Berisha, i gjunjëzuari i tij, Lulzim Basha, mandej ish-kryetari i Këshillit Zgjedhor, Ristani, ish-ministri i Drejtësisë, ish-ministri i Punëve të Jashtme. E ndonjë tjetër! Konceptet e tyre, në sajë të të cilave po e sulmojnë reformën rilindëse, demokratike dhe evropianizuese të Edi Ramës, më së shpeshti me rrena, me shpifje dhe me mosdurim, në thelbin e vet janë jokonservative, po reaksionare, të dështuara sot dhe të dënuara nesër shkencërisht dhe etikisht në historinë politike shqiptare.

“Epoka e re”: Ka bërë kryeministri Edi Rama ndonjë gabim që nuk do të duhej të bënte?
Qosja: Edhe shenjtorët bëjnë gabime e lëre më njerëzit e zakonshëm, e lëre më njerëzit e politikës. Në qoftë se ndonjë gabim ka bërë Edi Rama që unë s’kam arritur ta dëgjoj gjatë kësaj kohe të shkurtër prej se është bërë kryeministër, besoj se do t’i dëgjoj gabimet që eventualisht mund t’i bëjë në të ardhmen. Dhe do të reagoj ndaj tyre. Por, edhe gabimet e tij do të jenë gabime demokratike e jo të hallakatura e despotike si ato të paraardhësit të tij!

“Epoka e re”: Duke e njohur Berishën, si e shihni thirrjen e tij për protesta më 20 shkurt.
Qosja: E shoh si thirrjen e të humburit në shkretëtirë: nuk do të mbledhë aq ithtarë sa të shkaktojë në Shqipëri tollovinë politike dhe fizike që solli në vitin 1997. Popullit shqiptar, si po duket, i kanë ardhur në hundë britmat e tij: akuzat, kërcënimet, gënjeshtrat, trillimet, ofendimet e vetjeve të gjinisë mashkullore dhe femërore opozitare; me një fjalë e thënë, popullit shqiptar i kanë ardhur në hundë dështimet dhe lavdërimet e tij gjithnjë të kripura me gënjeshtra numërore dhe foljore! Dhe, me sulltanizëm të shekullit tetëmbëdhjetë! Populli më në fund e kuptoi taktikën politike të ish-kryeministrit që bazohej në djallëzinë mendjepaktë: çirru kundër Njeriut me qëllim që dhelprat ta hanë në paqe e rehati mishin e vjedhur, domethënë pasurinë popullore të Shqipërisë – siç po e hanë të Kosovës dhelprat e Kosovës! (FUND)