Euro 2012, Spanja shkëlqen me Irlandën   Del Bosque rikthen Spanjën me sulmues të mirëfilltë në fushë, “La Roja” shkëlqen. Duket absurde ndoshta por kritikat ndaj teknikut spanjoll për ndeshjen e parë me Italinë justifikohen me përballjen e mbrëmjes ndaj Irlandës sepse me një numër 9 në fushë, Spanja shkëlqen dhe jep spektakël madje realizon edhe fitoren më të thellë të Evropianit, 4-0. Irlanda nuk është Italia por të paktën rastet nuk shpërdorohen dhe loja spanjolla ka një pikë referuese, Fernando Torres. Sulmuesi i Chelseat justifikon zbritjen në fushë si titullar me dy gola dhe forma e tij jep sinjale se Torres po rikthehet në sulmuesin e jashtëzakonshëm të kohërave te Atl. Madrid e Liverpool.

Në çdo moment ndeshja u kontrollua nga spanjollët që duket sikur vallëzojnë në fushë por edhe djemtë e Trapattonit rrezikuan në 2 apo 3 raste portierin Casillas që më shumë e ndoqi ndeshjen si spektator sesa si protagonist. Golat e tjerë për Spanjën u shënuan nga Silva (i jashtëzakonshëm veprimi gjakëftohtë i mesfushorit para porte) dhe Fabregas, me këtë të fundit që zëvendësoi Torres në sulm. Me këtë fitore Spanja merr kryesimin e Grupit C me 4 pikë po aq sa Kroacia por me golavarazhd më të mirë ndërsa Italia renditet e treta me 2 pikë, Irlanda asnjë pikë.