Eshtrat e Isa Boletinit arrijnë në Mitrovicë
Eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini dhe bashkëluftëtarëve të tij, janë nisur të premten nga fshati Veriq i Komunës së Istogut për në Mitrovicë, ndërsa me rastin e nisjes është mbajtur një ceremoni, ku përveç dhjetëra qytetarëve, kanë marrë pjesë edhe kryetarët e Komunave të Istogut dhe Mitrovicës, Haki Rugova e Agim Bahtiri.
Eshtratkanë arritur rreth orës 13:20 në Kazermën e FSK-së në Mitrovicë ku është zhvilluar ceremonia e pranim dorëzimit, por pa prezencën e mediave, me arsyetimin se është aktivitet i brendshëm i FSK-së.
Enver Boletini, i ka thënë KosovaPress-it përmes telefonit se familja tash veç ia ka dorëzuar eshtrat Armatës së Kosovës dhe gjithçka do të shkoj sipas itenerarit.
Ai nuk ka dhënë detaje shtesë, ndërsa jozyrtarisht mësohet se eshtrat do të qëndrojnë sonte në Mitrovicë.
Edhe familjarët tjerë u shprehen të gëzuar që më në fund po realizohet rivarrimi i heroit me ceremoni shtetërore dhe që Isa do të pushojë në vendlindjen e tij, ku tash e një kohë të gjatë e ka pasur varrin e hapur.
Xhevat Boletini, tha se edhe pse pas 100 viteve, familjarët dhe e gjithë Kosova, është e lumtur që më në fund heroi po kthehet në vendlindjen e tij.
Boletini: E dhe pse pas 100 viteve, u bë mirë
“Sot i pritëm, morëm dhe i sollëm eshtrat e Isa Boletinit pas 100 viteve dhe kismet do t’i varrosim më datën 10 në vendin e vet ku ka lindur në Boletin. U bë mirë edhe pse pas 100 viteve, kurrë nuk është vonë. Ne si familjarë, si Boletin, Shalë, si Mitrovicë dhe krejt Kosovë, jemi të gëzuar për këtë ngjarje që ndodhi pas shumë viteve sepse shumë e kemi pritur, por jemi të lumtur të gjithë që po e vendosim dhe pikërisht në vendin e lindjes në Boletin”, ka thënë Boletini.
Ai ka kërkuar nga të gjithë qytetarët të përmbahen nga çdo lloj provokimi, në mënyrë që kjo ngjarje të zhvillohet pa ndonjë ekces.
Ndryshe, aktivitetet në lidhje me rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit kanë filluar dje dhe do të vazhdojnë deri me 10 qershor. Një nga aktivitetet finale do të mbahet me datën 9 qershor në ora 15:00, ku do të bëhet pritja e eshtrave të Isa Bo letinit nga Këshilli organizativ i Mitrovicës dhe do të përcillen nga kalorësit gjatë tërë lëvizjes në qytet. Ndërsa, me datën 10 qershor kur edhe do të mbahet ceremonia e fundit, që nga mëngjesi do të bëhen homazhe para arkivolit të Isës, për të pasuar me ceremoninë përmbyllëse në stadiumin e qytetit, dhe prej aty në fshatin Boletin, ku do të bëhet ceremonia e varrimit.
***
Eshtrat e heroit Isa Boletini kanë arritur në Kazermën e FSK-së në Mitrovicë.
Aty po zhvillohet një ceremoni e pranim dorëzimit, ku po marrin pjesë edhe familjarët, megjithatë mediat nuk janë duke u lejuar me arsyetimin se është aktivitet i brendshëm dhe pa praninë e mediave.
Eshtrat e Boletinit nisen për Mitrovicë
Eshtrat e heroit Isa Boetinit janë nisur nga fshati Veriq i komunës së Istogut për në Mitrovicë.
Lajmin e bëri të ditur për KosovaPress, Enver Boletini, i cili tha se para 10 minutave kanë filluar rrugëtimin për në Mitrovicë.
“Eshtrat ua kemi dorëzuar FSK-së të cilët po i dërgojnë për në Mitrovicë”, ka thënë ai.
