Kandidati i së majtës shqiptare, Erion Veliaj ka shpallur dhe festuar sot fitoren në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës.

Me këtë ai braktisë postin e Ministrit të Mirëqenies Sociale duke u ulur në fronin e bashkisë më të madhe në Shqipëri, që deri tani po udhëhiqej nga Lulzim Basha, kreu i PD-së, që humbi thellë zgjedhjet e 21 qershorit.

Në fjalimin e tij të fitores, Veliaj falënderoi të pesë kundërshtarët e tij në garën për Tiranën, veçanërisht kandidatin e djathtë, Halim Kosova. Veliaj vlerësoi kontributin e Kosovës në zgjedhjet e 21 qershorit, duke i bërë ftesë për bashkëpunim.

“Për 30 ditë gjeneruam një fushatë qytetarë, nevojat që ne thamë diskutohen çdo darkë, duke dhënë shembull edhe për qytetet e tjera që, në fund shkuam te zgjedhjet më të lira, më të ndershme që, janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipërinë. Meritat për këto zgjedhje në Tiranë ka edhe kundërshtari ynë Halim Kosova që, meriton gjithë respektin për përpjekjet që bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij, që helmojnë politikën sonë, faleminderit Halim Kosova. Falënderoj edhe kandidatët e tjerë Gjergjin, Sazanin, Tafajn, Muslinë. I përgëzoj të pestë për garën dhe i ftoj që të mos ndihen humbës, por kontribuues të ndryshimit të Tiranës. I them me respekt doktor Halimit se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se na ndajnë e mezi pres bashkëpunimin”, u shpreh Veliaj.

Nga numërimi i votave të fundit  Veliaj kryeson me një diferencë prej 43,261 votash, apo 53.62 %) përballë kandidatit të djathtë, Halim Kosova me 38.94 %.

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka bërë këtë të martë deklaratën e parë pas numërimit të pjesës dërrmuese të votave, që i japin fitoren e padiskutueshme rivalit të tij, Erjon Veliaj.

Në fjalën e tij, doktor Kosova ka falënderuar stafin e fushatës për mbështetjen, ndërsa nuk ka ngurruar të urojë kandidatin fitues.

“Falënderoj ata të rinj e të reja që vajtën derë më derë në shtëpitë e qytetarëve. Falënderoj ekipin tim të fushatës që punoi me përkushtim. Uroj Erjon Veliajn për fitoren dhe shpresoj se ai do t’i mbajë premtimet e bëra”, ka thënë Kosova.

Ai ka ftuar numëruesit e opozitës që të vijojnë punën me përkushtim, pasi procesi i numërimit vazhdon me kandidatët e këshillit bashkiak.

Më tej, zoti Kosova u ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se angazhimi i tij në shërbim të interesave të tyre do të vazhdojë.