image

 Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan dënoi ashpër sulmin e djeshëm të forcave izraelite ndaj karvanit të anijeve me furnizime për palestinezët. Në një fjalim para grupit parlamentar të partisë së tij, Erdogan tha se sulmi ndaj aktivistëve humanitarë, nuk do të mbetet pa përgjigjen e duhur nga Turqia. ‘Askush mos ta masë durimin tonë’, me këto fjali kryeministri turk iu drejtua qeverisë izraelitë, duke i bërë apel edhe një herë që të heqë dorë nga përdorimi i  armëve. Veprimin e djeshëm të forcave izraelite, Erdogan e cilësoi si terror shtetëror, duke shtuar se ‘Turqia nuk është shtet fisesh’. Erdogan thirri mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit të sigurisë, në të cilin morën pjesë ministri i Mbrojtjes, shefi i Inteligjencës dhe numri ‘dy’ i Ushtrisë. Ndërkohë edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar aktet që çuan në vrasjen e civilëve gjatë ndërhyrjes së ushtrisë izraelite në karvanin e anijeve që ishin nisur për në Gaza. Në deklaratën e miratuar pas një debati maratonë, Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për “hetime të paanshme dhe transparente”. Kjo deklaratë ishte më e butë se ajo që u kërkua nga Turqia, palestinezët dhe vendet arabe. Deklarata dënon “këto akte”, që rezultuan me humbjen e jetëve të të paktën 9 civilëve, dhe fton për hetime të menjëhershme dhe të paanshme. Ankaraja është veçanërisht e prekur, pasi shumica e viktimave raportohet se janë shtetas të Turqisë dhe qindra aktivistë të tjerë turq nga karvani tashmë gjenden në burgjet izraelite. Po ashtu, është e bllokuar edhe anija e tyre turke. Në deklaratën e miratuar thuhet se Këshilli i Sigurimit “kërkon” lirimin e menjëhershëm të anijeve dhe të civilëve, që mbahen nga Izraeli. Këshilli kërkon që Izraeli të lejojë qasje të plotë konsullore, për t’i lejuar vendet e shqetësuara të marrin kufomat e të vrarëve dhe personat e plagosur, si dhe të sigurohen për dërgim të ndihmave humanitare në Gaza. Izraeli filloi sot procesin e deportimit të qindra aktivistëve pro-palestinezë të ndaluar. Ministria e Brendshme tha se grupi i parë i 45 aktivistëve ishin përcjellë për në aeroportin e Tel Avivit.