Përfaqësuesit e PAMECA-s me drejtuesit e policisë para drejtorisë së Tiranës në 2011

Flamur Vezaj 

“Trajnimi familjarizues për Nënkomisarët e Policisë së Shtetit mori një kthesë prapa kur vetëm një numër i ulët i kandidatëve ishin të suksesshëm në provim”. Ky është njëri nga shumë problemet e evidentuar në raport progresin paraprak, që mban datën e 31 tetorit 2011 të përpiluar nga ekspertët e Misionit të Asistencës Policore të Komunitetit Evropian në Shqipëri, e njohur ndryshe si PAMECA III. Sipas këtij raporti 113 faqësh, që “Shekulli” ka arritur të sigurojë një kopje, mësohet se Policia e Shtetit krahas disa përmirësimeve ndër vite, vazhdon të vuajë nga korrupsioni, paaftësia profesionale, mungesa e nivelit arsimor, e bazës teknike dhe mjeteve të logjistikës, nga influenca politike, nga persona me pushtet dhe nga pagat më të ulëta në rajon. Të gjitha këto dhe problemet e tjera të renditura në këtë raport, të ndarë në katër komponent, “Rendi dhe Siguria Publike”; “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”; “Menaxhimi i Integruar i Kufijve” dhe “Krimet e Rënda dhe Krimi i Organizuar”, sipas PAMECA-së, vazhdojnë të sjellin pengesë në ngritjen dhe aftësimin e efektivëve të Policisë së Shtetit. Raport progresi analitik është përpiluar në dy faza. Ai i periudhës maj – nëntor 2011, që “Shekulli” po boton një pjesë të saj. Si dhe faza e dytë, nëntor 2011 – maj 2012, ajo e mbylljes së këtij projekti, ku ekspertët e huaj do të rendisin një listë të qartë të gjërave që Policia e Shtetit duhet t’i plotësoj për të shkuar drejt standardeve të Bashkimit Evropian. Në brendësi të këtij raporti 113 faqesh, analizohen me detaje të gjitha pikat e forta e të dobëta të Policisë së Shtetit dhe mundësitë e rreziqet që i kanosen efektivëve blu.

Një vend të rëndësishëm, ekspertët e PAMECA-së, në raport i kanë kushtuar pikave të dobëta të hetimit të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar nga Policia e Shtetit. “Procesi i mbledhjes së informacionit nuk është eficent dhe nuk siguron sasinë e informacioneve që kërkohen nga disa Drejtori të Policisë në Qarqe, për sa i përket dërgimit të informacioneve të vlefshme për krime dhe persona me precedent. Mungon gjithashtu një drejtori informacioni, që të drejtojë, kontrollojë dhe të marrë përgjegjësi për mbledhjen dhe kontrollin e informacioneve”, – thuhet në raportin paraprak. Gjithashtu, në raport nënvizohet mungesa e kompjuterëve për çdo punonjës të Policisë të lidhur me sistemin “Memex” (dosje personale). “Mungesën e procedurave të forta standarde operacionale për kontrollin e informacionit policor si dhe mos koordinimin e këtyre informacioneve. Mungesën e dëshirës së “shefave” për të siguruar një “furnizim” të rregullt dhe në rritje, me informacione nga policët e thjeshtë dhe nga specialistët e strukturave të hetimit. Ka mangësi të theksuar mbi provat shkencore, mungesë të artikujve të konsumit për Drejtorinë e Policisë Shkencore. Kapacitete të pamjaftueshme për provat e ADN-së. Ka një ndarje jo të drejtë të punës ndër specialistë, ku një pjesë e punonjësve mbajnë ngarkesën kryesore të punës së strukturave ku bëjnë pjesë. Si dhe ka një mungesë të rekrutimeve të punonjësve civilë që kanë njohuri në fusha të caktuara të shkencës dhe teknikës”, – thuhet në raportin paraprak, duke nënvizuar mungesën e fondeve për të siguruar dhe mbuluar këto pika të dobëta. Gjithashtu, në raport ekspertët theksojnë edhe faktin e pagave të ulëta të punonjësve të policisë, të cilat janë ndër më të ulëtat në rajon, duke bërë që korrupsioni të jetë i lartë. Ndërkaq, vendimmarrja për emërimet dhe gradimet e punonjësve të Policisë, sipas raportit, bëhen pa u konsultuar me specialistët, dhe ka një mungesë të theksuar transparence dhe objektiviteti. “Vihet re mungesa e dukshme e arsimit profesional në menaxhimin e personelit si dhe mungesë transparence mbi kriteret e emërimeve dhe transferimeve të punonjësve të policisë. Këto lëvizje dhe gradime bëhen me ndërhyrje nga jashtë, nga persona me pushtet për shkak të bindjeve politike, miqësisë, biznesit apo edhe korrupsionit”, – thuhet ndër të tjera në raportin e ekspertëve të huaj. Ndërkaq, ajo që vazhdon të jetë problem i theksuar prej vitesh, është mungesa e donacioneve për zhvillimin dhe trajnimin e ekspertëve të Drejtorisë së Policisë Shkencore në fushën e ADN-së. “Një burim fondesh u identifikua nga ekspertët e misionit të PAMECA-së, sidoqoftë për shkak të ndryshimit të personelit në organizatën donatore, kjo ofertë për dhënie fondesh u tërhoq, çka ka bërë që projekti trajnues të mbetët pezull”, – thuhet në raportin paraprak të PEMACA-së.

 

Në pikëkalimet kufitare mungojnë qentë anti-drogë

Problemet më shqetësuese, që ekspertët e PAMECA-së, kanë konstatuar gjatë analizës në pikëkalimet kufitare, kanë qenë disa. Ku më të theksuara, janë renditur mungesa e kontrollit të mallrave brenda makinave të mëdha në pikëkalimet kufitare dhe mungesa e qenve anti – drogë. Edhe në ato vende ku qentë anti – drogë kanë qenë prezent, ekspertët e huaj, kanë konstatuar se nuk ka pasur rezultat të mirë në zbulueshmërinë e lëndëve narkotike. “Mungon kuadri ligjor nga pikëpamja e zhvillimit të personelit (vendi i punës me gradat). Mungesa e specialistëve të kualifikuar në këto pikëkalime kufitare, mungesa e qenve anti – drogë, nuk ka një bashkëpunim ndërkufitar për mbrojtjen e të dhënave personale të individëve të caktuar. Nuk ka investime nga qeveria në këto pikëkalime kufitare, ku mungon edhe mbikëqyrja me kamera të sigurisë për mbikëqyrjen e kufirit.

 

PAMECA: Policia rrugore, më e korruptuara

Raport progresi paraprak i PAMECA-së, një hapësirë të konsiderueshme i kushton edhe Policisë Rrugore në vend, ku i cilëson si efektivët më të korruptuar dhe më të ekspozuar karshi presioneve politike dhe personave me pushtet. Ndërkaq, nënvizohet fakti se në këtë sektor janë edhe efektivët më të pa kualifikuar për detyrën që kryejnë, pasi janë emëruar për shkak të bindjeve politike, miqësisë, biznesit apo edhe korrupsionit. “Efektivët e Policisë Rrugore kanë ndërhyrje gjatë fazës së zbatimit të ligjit. Emërohen persona pa kualifikimin e duhur, vetëm për shkak të bindjeve partiake, miqësisë apo edhe biznesit. Nuk kanë trajnimin e mjaftueshëm për të ushtruar këtë detyrë. Ndër pikat e dobëta, që i karakterizon këto efektivë, është korrupsioni në radhët e tyre dhe kanë mungesë pajisjesh teknike gjatë ushtrimit të detyrës”, – thuhet ndër të tjera në raport. Rreziqet më të mëdha të këtij sektori, sipas raportit paraprak, janë influenca politike dhe ndërhyrje nga persona me pushtetin përkatës si dhe infrastruktura e dobët (kushtet e varfra të rrugëve, mungesa e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale, etj). Nga ana tjetër, ekspertët e PAMECA-së, trajnuan Njësinë për Kontrollin e Autostradave për mënyrën se si duhet të bëhet një pikë kontrolli në autostradë sipas modelit që përdorin vendet anëtare në Shengen, pasi kohë më parë efektivët e policisë në këto pika kontrolli kanë pësuar aksidente me pasoj edhe humbjen e jetës. Ndërkaq, në raport një vend të posaçëm zë edhe Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku ekspertët e PAMECA-së, kanë konstatuar, se këta efektivë kanë nevojë për mbështetje logjistike, si automjetet, uniforma, ambientet e stacioneve të policisë dhe ambientet e ndalim / arrestimit si dhe pajisjet e tjera të patrullës. Këta efektivë, sipas raportit, rrezikojnë të joshën nga korrupsioni dhe standardet jo etike në pikë kontrollet e ngritura prej tyre, pasi disa nga këto efektivë kanë mungesë kulture të komunikimit. Gjithashtu, edhe Patrulla e Përgjithshme priret t’i nënshtrohet ndërhyrjeve të njerëzve me pushtet për mos zbatimin e ligjit.      F.Vezaj

 

Policia: Nuk qëndrojnë problemet, raporti nuk është përfundimtar

Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, tha dje për “Shekullin”, se një raport i tillë nuk pasqyron realitetin. “Ai është një projekt-raport i hartuar gjatë vitit të kaluar, por që nuk është bërë i tillë”,- tha për “Shekullin” zëdhënësja e Policisë Laura Totraku. Ajo pohoi se disa prej problemeve të ngritura në këtë projekt raport, nuk qëndrojnë ashtu siç janë thënë. “Është një projekt raport paraprak shumë nga problemet e ngritura nuk qëndrojnë dhe presim raportin përfundimtar që duhet të dalë në fillim të muajit maj të këtij viti, kur edhe është afati i fundit i mbylljes së projektit”, përfundoi Totraku.  Drejtuesit e policisë nuk janë të njohur me këtë raport, pasi drejtorë të ndryshëm të Policisë, nuk pranuan të prononcoheshin pa njohur më parë raportin.

 

Bilbil Mema: PAMECA e prishi vetë shkollën e  policisë

Në lidhje me kritikat e progres raportit mars- nëntor të vitit të kaluar, në të cilën një ndër kritikat është edhe niveli i ulët i arsimimit i punonjësve të policisë, ish- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tha se Ligji për Policinë e Shtetit e përcakton qartë se çdo nivel grade në hierarkinë e Policisë nuk mund të merret pa fituar një nivel të caktuar arsimimi dhe kualifikimi. “Ne jemi i vetmi vend në rajon, që kemi prishur sistemin e arsimit policor. Në vendet e rajonit, pas ndryshimeve politike të sistemeve, shkollat i ristrukturuan dhe i përmirësuan. Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Akademia e Policisë u prish tërësisht”. Mema cilëson si përgjegjës për këtë problem krerët më të lartë të Policisë, por edhe vetë drejtuesit e misionit të PAMECA-s. “Ata vetë janë ideuesit e këtij sistemi. Më vjen mirë që po vetë ata e konstatojnë një fakt të tillë”,- tha Mema. Ai pohoi se një kurs të tillë, policor të nivelit bazë Shqipëria e ka pasur që në vitin 1972, ndërsa sot në Shqipëri, nuk ka asnjë të tillë, për llojet e ndryshme të policive që veprojnë në vendin tonë