Edhe një herë për sihribazët në mesin tonë
Shkruan: Musa Lamallari (Tim Shkupi)-Kohëve të fundit më lajmërohen miq dhe dashamirë në lidhje me qëndrimet e mia për shumë çështje, sidomos për punën e mediave dhe portaleve shqipfolëse në Maqedoni, por edhe për disa dukuri – harame tjera që janë paraqitur si vlera në shoqëri për të mbijetuar raca e vasalëve në sistemin unitar, që prodhon individë pa kurrizor. Këto tashmë i frikësojnë me varfëri dhe kamxhik të regjimit rininë dhe qytetarët shqiptar në shekullin njëzet e një, në dekadën e dytë, ku teknologjia dhe biznesi po mundohen të gjejnë ndonjë planet tjetër me ujë në universin e parë. Kur dikush shkelë mbi vlera, mbi normat e etikës në shoqëri, eksploaton racën njerëzore, dinjitetin e tyre social, kombëtar dhe fetar, qoftë nëse (ai dikushi) është ndonjë pjesëtar edhe i familjes sime, unë nuk do t’i dalë atij në mbrojtje, duhet të merr konsekuencat për mëkatin ose dëmin që ai e ka bërë. Prandaj, nuk bëj kompromise me magjistarët – sehirbazët e mediave dhe portaleve shqipfolëse në Maqedoni, që janë me vetëdëshirë të pozicionuara në shërbim të racës së vasalëve, të parave të pista të tyre, të injorantëve me lidhje partiake, qoftë VMRO ose SDSM. Thjesht, nuk më duhen, kështu si janë, jo që llogarisë në to, por do të më kanë halë në sy, pasi sihiret dhe magjitë e tyre, që mundohen të shpërlajnë trurin e qytetarëve, duke u dalë zotë racës së vasalëve dhe kriminelëve të tyre, do të ballafaqohen me të vërtetën, problemet reale shqiptare në Maqedoni, pasi shkrimet e mia nuk merrem me kalkulime, as që pretendojnë ndonjë kolltuk turpi. Nuk ju kanë faj germat e mia në letër pse ju keni pranuar mënyrën e pandershme me kalkulime për të mbijetuar, herë tek njëri, herë tek tjetri. Mua më vjen çudi, pasi thonë se janë të fortë, kanë TV, media dhe portale, pse reagojnë kaq zhurmshëm ndaj qëndrimeve të shqiptarëve të Diasporës, ndaj shkrimeve të mia dhe shkrimtarëve tjerë, që nuk kanë pranuar dekorata nga shteti unitar, ku diskriminohen qytetarët dhe aplikohen standarde të dyfishta në çdo segment të jetës shoqërore.
Shqiptaria, o vëllezër! Nuk bëhet me gënjeshtra, kalkulime, duke mbrojtur krimin e organizuar, prostitucionin, ryshfetin dhe bajraktarizmin. Duke e luftuar oponentin tënd shqiptar, që deri dje i ke shërbyer me devotshmëri, kurse sot për ndonjë interes personal, që shfaqet si ambicie e sëmurë patologjike në unin tënd, mendon se me gënjeshtra do të mund ta deskriditosh për një kolltuk turpi në parlamentin e sistemit të jonjëkohësisë në Maqedoni. Vlerat tona kombëtare nuk maten sepse ndonjëherë kemi pirë kafe bashkarisht, kemi ndonjë lidhje farefisnore, jemi të njëjtës lagje, ose qyteti, por maten me forcën e argumentit, të vërtetës se ku besojmë dhe sa kemi guxim si njerëz me fuqinë e imanit të luftojmë të keqen, të jemi kundër krimit, mashtruesve, fajdexhinjëve, përçarësve, uzurpatorëve, injorantëve, të cilët po na shiten si vlera në shoqërinë shqiptare në Maqedoni.
Nëse mendoni se BDI dhe PDSH deligjitimohen me peticione, gabim e keni. Ndaj mos i keqpërdorni idealet e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës për politikë ditore. Nëse mendoni se partitë e vogla, lokaliste dhe grupet tjerat pa vizion dhe koncept të qartë, sehirbazët dhe magjistarët e mediave dhe portaleve janë kundër racës së vasalëve me një nënshkrim në pëlhurën e bardhë të dorëzimit, atëherë nuk jeni gabim, por jeni të njejtë për të penguar rrugën e ndritshme të lirisë dhe bashkimit të këtij kombi. Njeriun, si qenie superiore, e bashkon ndërgjegjja shoqëror për punë të mbara, kurse shqiptarin e mirë e bashkon thirrja për bashkim dhe unitet në emër të njerëzores kundër bashibozukëve dhe injorantëve servile të regjimit.
