E paketuar ngutshëm
Sikur Maqedonia të mos kishte kaq shqiptarë sa ka, atë qëmoti do e paketonin krejt ndryshe në këtë Ballkan dhe mbase një pjesë e saj tani më do ishte në Evropën e bashkuar. Nëse Maqedonia nuk do ishte kjo “parcele” që shënon kërthizën e Ballkanit, e për të cilën shumë fqinjë të saj thonë se kanë “tapi” të vulosura me “myhyrin” historik për të dëshmuar se janë pronarët e saj legjitim, për të mbase fare nuk do interesohej as kryeplaku i Dibrës, e le më ministrat e BE-së. Pastaj, nëse Maqedonia nuk do e kishte Shkupin, këtë qytet – udhëkryq, nga shpërndahen damarët e tokës mbi këtë pjesë të Ballkanit, ajo do mbetej atë që në të vërtet edhe është: arë e formuar nga pjesët e mbetura të pronës së vëllezërve të ndarë, që kanë hequr dorë nga ato pjesë vetëm sa për t’i shmangur grindjet e mëtejme të ndërsjella. Pra, sikur Maqedonia të mos e kishte kryeqytet Shkupin, për të qëmoti do flitej si për një shembull që dëshmon se Ballkan është arë ku nuk mbinë fara e shteteve multietnike, se në këto hapësira vështirë merren veshtë edhe përfaqësuesit politik me të njëjtën përkatësi etnike, e le më ata që i ndanë gjuha, religjioni dhe e kaluara.
Por, Maqedonia është kjo që është, ajo nuk ka as det, e as ata që veten e quajnë maqedonas nuk janë në numër aq sa të mund të sillen me mospërfillje ndaj bashkëqytetarëve të tyre me përkatësi tjetër etnike. Maqedonia pra është kjo që është, me aq shqiptarë në përbërjen e saj, sa mjaftojnë që sa herë që të duan, ta problematizojnë ekzistimin e këtij shteti. Por, edhe duke qenë maqedonasit etnik popull numerikisht i vogël, e shqiptarët një pjesë e madhe e shqiptarisë që jeton jashtë kufijve të shtetit të vet amë, gjatë dy dekadave të kaluara, ky shtet ka lënë përshtypjen thuajse maqedonasit etnik janë në numër sa kinezët, e shqiptarët aq sa tibetanët. Dhe, këtë përshtypje e ka çdo vizitor që sot shëtit nëpër qendrën e Shkupit, e ku nga dita në ditë, shtohet numri i përmendoreve që glorifikojnë të kaluarën e munguar të popullit maqedonas – përmendore që mund t’i shohësh edhe nëpër qytetet e disa shteteve fqinjë – e të cilat mbase duan të lënë nën hije të kaluarën shqiptare të këtij qyteti, atë të kaluar kur as që janë përmendur shkupjan maqedonas dhe kur Shkupi ka folur kryesisht shqip.
Nuk ka dyshim se qytetet dhe shtetet nuk i takojnë të kaluarës, por të sotmes, ato janë pronë e atyre që sot ecin mbi tokë, e jo e atyre që prehen nënë të dhe, lavdia nga e kaluara vlen vetëm aq sa atë dinë ta mbrosh e ta shtresosh me vlera të reja të cilat ndërlidhen me të trashëguarat. Shikuar nga ky këndvështrim, ka kohë që shkupjanët shqiptarë u ngjajnë banorëve të një qytet të cilit qytet dikush ia ka vjedhur të kaluarën. Andaj ata sot jetojnë në thellësitë e plasaritjes që ndanë hutesën e tyre pse shqiptaria aq lehtë e “dorëzoi” Shkupin nga paqartësia pse politikanët e këtushëm shqiptarë kurrë nuk e kuptuan se Maqedonia në të vërtet është Shkupi, pse ata nuk e kuptuan me kohë se pasi të vendosen të gjitha përmendoret e Gruevskit dhe pasi në këtë qytet të ndërtohen të gjitha kishat e tij, atëherë e kaluara shqiptare e Shkupi do bëhet edhe më e largët se që është tani.
Pra, shikuar nga këndvështrimi i Shkupit që ka qenë gjatë shekujve dhe këtij që është sot, duhet pranuar se kryeministri aktual i Maqedonisë, Gruevski bëri për popullin e vet atë që nuk e ka bërë askush deri më sot: e bëri Shkupin të atillë që maqedonasit atë ta ndjejnë vetëm të vetin dhe të ketë përmendore të larta aq sa është e nevojshme të rritet vetëdija e tyre etnike. Me çka shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht duhet të pranojnë se nuk ia dolën ta pengojnë deshqiptarizimin e Shkupit, se duke u grindur mes veti me zjarrminë lokaliste, ata në të vërtet e humbën një pjesë të së kaluarës dhe të sotmes së vet. Pra, duke u grindur mes veti varësisht nga ajo se nga cili qytet ishte prijësi i partisë shqiptare në pushtet, shqiptarët e këtushëm nuk e kuptuan me kohë se Maqedonia ka atë shenjë njohëse që ka edhe Shkupi. Dhe duke e ditur këtë, Gruevski bëri më të vlefshmen për popullin e vet, i cili popull realisht edhe nuk mund të shkojë në Evropën pa kufij nëse përmendoret e heronjve që i mbanë për të vetët i ka në Sofje apo diku jashtë kufijve shtetëror.
Ajo që është më paradoksale sa i përket kryeqendrës së Maqedonisë, ka të bëjë me të vërtetën se Shkupi i cili sot ka sheshin e Skënderbeut, që Shkupi i cili sot ka Muzeun e Lirisë – apo siç e quajnë të UÇK-së – gjithnjë e më pakë është qytet që u takon edhe shqiptarëve, e gjithnjë e më shumë deshqiptarizohet. Edhe atë shkaku se politikanët e sotëm shqiptarë nuk e kuptuan me kohë atë që nuk e vërejtën dekada më parë kur ndihmuan projektin sllav që Tetova të jetë kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë, pra politikanët e sotëm nuk e kuptuan se Gruevski atyre ua jep me dy duar Shkupin e lashtë të ndërtuar anëve të lumit tani të padukshëm Seravë, por nuk u jep asnjë pëllëmbë nga qyteti nga ana jugore e lumit Vardar, e që sot është shenjë njohëse e Maqedonisë. Pra ata nuk e kuptuan me kohë se Gruevski realizon ndarjen e heshtur të Shkupit modernë e të zhvilluar maqedonas nga ai me lagjet shqiptare që kanë po atë infrastrukturë si në kohën e Perandorisë Osmane dhe që ta rikujtojnë si është jetuar dikur, por nuk të ngjason me standardet e jetesës së sotme që bëhet nga ana jugore e lumit Vardar.
Ku ta dish, mbase Gruevski më së miri e ka kuptuar se Shkupi në të vërtetë është Maqedonia, se ai që do arrijë ta ndajë këtë qytet, në të vërtet s’ka pse lodhte për tërësinë e këtij shteti. Dhe duke e ditur këtë, Gruevski ngutshëm e ndërton të kaluarën e këtij qyteti, ai ngutshëm i ngre përmendoret e kishat që do i mundësojnë popullit të tij që të mos e mbajë kokën kthyer nga kryeqendrat e shteteve fqinjë. Mbase këtë e kanë kuptuar edhe qendrat perëndimore që duan ta shpëtojnë këtë shtet, andaj tani duhet pritur që ato ngutshëm dhe pa shumë kalkulime Maqedoninë ta paketojnë ne NATO dhe EU. E që pastaj, Ali Ahmeti të lëvdohet se proceset integruese i ka ndihmuar pjesëmarrja e tij në qeverinë që i dha fund procesit të deshqiptarizimit të Shupit dhe se angazhimi i BDI-së ka qenë vendimtarë për ta çuar Maqedoninë në Bruksel. E me çka ai edhe një herë do na shpallë naiv neve që themi se për integrimin e ngutshëm eventual të Maqedonisë në NATO dhe BE, merita më të mëdha kanë diplomatët e huaj, ata që e kuptuan se vasalët qeveritarë shqiptarë nuk janë të aftë për asgjë, ata që mbase janë të vetmit që munden dhe dinë si t’i ndalojnë projektet e Gruevskit për ndarjen e heshtur të Shkupit dhe Maqedonisë.
