(E Plotësuar)  

Një prej drejtuesve të Spitalit Ushtarak Sami Koçeku deklaroi sot se janë dy civilë të vdekur dhe me plumba në distancë të shkurtër. “Duhet të jenë armë të fuqisë së vogël dhe do të thotë se janë qëlluar nga afër”, u shpreh Koçeku. Sipas tij po vijnë vazhdimisht të plagosur ndërsa nga plumbat në trupin e dy viktimave duken se janë përdorur pistoleta të kalibrit të vogël.

Rama: Policia provokoi demonstruesit, ruani qetësinë, duhet një zgjidhje e situatës

Turma e qytetarëve u provokua. Kështu u shpreh sot kryetari i opozitës Edi Rama sipas të cilit është momenti për të gjetur rrugën e arsyes, për të gjetur qetësinë dhe sa më shumë arsyetim në funksion të zgjidhjes së domosdoshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e thellë.

Presidenti bën thirrje për qetësi dhe maturi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi reagoi para pak çastesh duke thënë se ai po ndjek me shqetësim të jashtëzakonshëm situatën e krijuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Presidenti i Republikës bën thirrje për qetësi dhe maturi! U bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që të qetësojnë demonstruesit dhe të garantojnë sa më shpejt të jetë e mundur rikthimin e rendit publik dhe mbështetjen e forcave të policisë, që të garantojnë ruajtjen e rendit, të institucioneve shtetërore dhe në mënyrë të veçantë, qetësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve, – thuhet në mesazhin urgjent të kryetarit të shtetit.

Presidenti Topi u bën thirrje faktorëve politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut dhe të marrin përgjegjësitë politike për ruajtjen e stabilitetit të vendit. Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët, jo të hapë plagë të reja!

Demonstrata, mediat e huaja: Situatë kaotike në Tiranë

Mediat ndërkombëtare kanë filluar të komentojnë demonstratën e mbajtur sot në Tiranë.

Gazeta “La Repubblica” ka shkruar në faqen e saj: “Ka përplasje në sheshin e Tiranës, mes protestuesve dhe policisë”.

“Tensione në Tiranë ku ka nisur protesta e organizuar nga PS për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, liderit të PD i cili akuzohet për korrupsion dhe që PS e cila kërkon zgjedhje të parakohshme. Një grup manifestuesish janë përplasur me policinë përpara selisë së kryeministrisë. Kundër policëve janë hedhur gurë dhe objekte të tjera. Policia ka përdorur gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën përpara selisë së kryeministrisë. Situata paraqitet e tensionuar”, shkruan gazeta italiane.