Dy grevistë të tjerë kanë lënë dje ambientet para Kryeministrisë për t’u zhvendosur në spital
Greva e urisë ka pritur dje edhe një pjesëmarrës të ri, emri i së cilës tingëllon i njohur për të gjithë shqiptarët. Elsa Lila, këngëtarja e njohur shqiptare që banon në Itali, është shfaqur dje në mitingun e Partisë Socialiste dhe pas një fjale të përcjellë me emocione, ka deklaruar bashkimin me grevistët në çadrën që qëndron para Kryeministrisë që prej 30 prillit. “Unë e di mirë, Shqipëria do të bëhet zonjë, ashtu si ato zonjat e jashtëzakonshme që sot kanë nëntë ditë të ngujuara. Unë jam Elsa, këtë emër mora në lindje nga prindërit e mi, por sot kam edhe emra të tjerë, unë sot jam Shega, jam Olta, jam Elisa, sot jam Ledi, jam Ermonela, jam Flora, Anila, Mimoza”, ka deklaruar Elsa Lila ndër të tjera. Me një fjalim të përshkruar nga fraza prekëse dhe me frymë sentimentale, këngëtarja e njohur i ka dhënë një përmasë të re solidaritetit qytetar me grevën e urisë. Letra e artistëve drejtuar Ramës ka marrë kështu një përgjigje simbolike, e cila po dëshmon se politika në Shqipëri është gjithëpërfshirëse. Megjithatë Lila, ashtu si qëndrimet publike të ekipit socialist, nuk ka folur për politikë të mirëfilltë, por për një angazhim publik që preferon ta artikulojë aktin politik si mision që adopton të ardhmen përmes vizionit të progresit. “Sot, më lejoni motra dhe vëllezër, të jem një shpirt më shumë në barrikadën njerëzore përballë shurdhërisë. Sot dua të jem një zë më shumë në korrin e madh të lirisë, që nuk ka veshë të mos e dëgjojë, që nuk ka sy që të mos e shikojë, që nuk ka trup, mendje dhe shpirt të mos e ndjejë. Se sot ka ardhur ora e qytetarit”, deklaroi Lila, duke zbuluar ndërkohë edhe një vlerë të panjohur të saj në artikulimin politik të fjalës. Klima e re që ka frymëzuar prania e saj në grevën e urisë, është ndërthurur me disa zhvillime dramatike, që përndryshe janë normale në logjikën që karakterizon refuzimin për një kohë të gjatë të ushqimit. Elisa Spiropali është shoqëruar dje paradite për në spital pas ditëve të tëra në grevë urie. Një prononcim i Erjon Veliajt ka përcjellë realitetin brenda çadrës sipas protagonistëve të saj. Rëndimi i gjendjes shëndetësore po bëhet përditë e më shumë i dukshëm dhe një problem që përcakton formalisht atë që mund të quhet faza e dytë e grevës së urisë. Kështu vetëm dje, 5 grevistë janë shoqëruar për në spital duke e çuar në 14 numrin e atyre që janë detyruar të braktisin çadrën. Ndërkaq pas aktivistes së Forumit Rinor Eurosocialist, Elisa Spiropali, edhe një tjetër pjesëmarrës është transportuar për në spital, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Kujdesim Basha, 40 vjeç nga Kukësi është përcjellë në pasdite drejt spitalit, duke lënë pas ndërkohë mjaft grevistë që trajtohen me serum.