Dy aktivistë të 'Realiteti'-t, 6 orë në ‘biseda informative’
Nga organizata joqeveritare ‘Realiteti’ akuzojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme se për gjashtë orë ka marrë në bisedë informative dy aktivistë të saj duke i kërcënuar se do ti largojnë nga vendet e punës ku punojnë nëse nuk ndërpresin aktivitetin në OJQ që veprojnë. Sipas kryetarit të kësaj organizate Valon Bela, aktivistët në ambiente të panjohura për 6 orë janë pyetur për punën e organizatës, aktivitetet që do t’i ndërmarrin si dhe udhëtimeve të tyre brenda dhe jashtë shtetit.
Nga ‘Realiteti’ të cilët dënojnë këtë akt, thonë se po punojnë në bazë të ligjit. Dyshojnë se kjo vjen si pasojë e aktualizimit të politikave siç thonë ata diskriminuese ndaj shqiptarëve.
“Po vetë fakti që 5 – 6 orë të mbajnë ty në lokacion të panjohur për familjarët, lokacion edhe për vetë kolegët aty ku kanë punuar ata është një lloj maltretimi dhe traumatizmi i vetë aktivistëve tanë. Me këtë konstatojmë se shteti ynë mund të jetë çfarëdo por ai nuk mund të jetë i lirë, i drejtë, demokratik dhe për të gjithë njësoj. Këso goditje të ulëta dhe klasike ndërmarrin vetëm qeveritë që nuk kanë kapacitet shtet formues”, Valon Bela – kryetar i OJQ Realiteti.
Nga MPB thonë se nuk janë të njoftuar për rastin dhe kërkojnë nga organizata ‘Realiteti’ që ta denoncojë atë në ministri. Prej atje thonë se ‘nëse konstatohet që policia ndaj aktivistëve të Realitetit ka tejkaluar kompetencat atëherë atyre do t‘u shqiptohen sanksione.’
Nga organizata joqeveritare ‘Realiteti’ thonë se edhe përkundër këtyre kërcënimeve, do të vazhdojnë me hulumtimin e politikave diskriminuese të institucioneve ndaj qytetarëve pa bërë dallime.
Meral Ismaili