Drews: Jo aksion si ai i 25 korrikut
Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të jetë e përmbajtur dhe të mos ndërmarrë ndonjë aksion të ngjashëm me atë të 25 korrikut të vitit të kaluar, duke marrë parasysh pasojat e këtij operacioni.
“Ne të gjithë i dimë pasojat e 25 korrikut të vitit të kaluar dhe nuk besoi që njëri prej nesh e dëshiron një rezultat të tillë. Dhe, unë kam besim të madh në maturinë e qeverisë së Kosovës dhe besoi që me këtë maturi duhet të veprojmë”, ka thënë Erhard Drews, komandant i KFOR-it.
Ai këto komente i ka bërë pas vizitës në veriun e vendit, ku ka thënë se qeveria, me maturi duhet të parandalojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.
Shefi i Trupave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjenerali Erhard Drews, vlerësoi se situata në veri të vendit mbetet e tensionuar, ndërsa trupat e KFOR-it po e kryejnë punën e vet për t’i ofruar siguri popullatës në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
“Kam ardhur këtu që t’i vizitoi ushtarët e KFOR-it që janë të vendosur te lagjja ‘Tre rrokaqiejt’. Pas shpërthimeve gjendja është qetësuar dhe u jam shumë mirënjohës ushtarëve të mi që me prezencën e tyre kanë krijuar një mjedis të sigurt. Do të ketë ushtar aq sa unë e shoh të nevojshme. Nuk do të kisha thënë që pas ngjarjeve të fundit gjendja është përkeqësuar, por ne duhet të theksojmë se gjendja vërtetë është e tensionuar dhe secili për vete është pak sa i nevrikosur dhe secili qytetar po tensionohet më shumë aq sa po afrohen zgjedhjet serbe”, ka thënë Shefi i Trupave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjenerali Erhard Drews