DR: Nuk njohim hetimet e njëanshme, të ulemi të gjitha subjektet kundër diskriminimit

Demokracia e Re është deklaruar sot lidhur me operacionin “Monstrum” të MPB dhe arrestimet spektakolare gjoja në zbulimin e estremistëve radikal islamik.

“Aksioni i djeshëm i policisë dhe veprimet në vazhdim kanë tronditur opinionin shqiptar me deklaratën e ministres Jankullovska se ende pa u kryer hetimet, na doli se gjoja qenkan persona islamistë radikal dhe ky ishte një ofendim për shqiptarët”, thekson DR.

Nënkryetari i kësaj partie, Abedin Zymberi deklaroi se në këtë situatë kur njerëzit ndodhen të arrestuar dhe ushtrohet torturë ndaj tyre për ti detyruar për të pranuar veprat që nuk i kanë bërë, DR kërkon mobilizim të gjithanshëm politik.

DR me këtë rast kërkon urgjentisht që të ndërhyhet nga ana e faktorit ndërkombëtar, të kërkohet hetime ndërkombëtare, përfshirë institucione të specializuara ndërkombëtare për hetime siç është edhe rasti i Byrosë Amerikane të Hetime FBI.

DR vlerëson se bëhet fjalë për një rast që nënkupton një manipulim të radhës dhe se kjo Qeveri është e interesuar për të krijuar destabilizim dhe për të larguar vendin larg NATO dhe BE-së.

“Gjithë kjo që po ndodhë në Maqedoni na rrit dyshimin se kjo Qeveri synon futjen e frikës tek shqiptarët dhe të mbulojë dështimet në planet e tjera”, theksoi Zymberi.

DR vlerëson se duhet të hiqet dorë nga proceset e montuara monstruoze të stilit të së kaluarës nga regjimi komunist dhe të ketë procese të pavarura dhe transparente me mbikqyrje ndërkombëtare.

“Jemi thellë të bindur se pretendimet e hedhura nga MPB nuk kanë të bëjnë aspak me shqiptarët. Shqiptarët nuk bëjnë vepra të tilla të shëmtuara as në luftë e as në paqe. Të akuzohen për monstrume femrat shqiptare dhe të thuhet se ato janë pjesëmarrëse në vrasje dhe luftime në Afganistan kundër NATO-s, është një ofendim dhe skenar tmerrues për shqiptarët”, thekson DR, duke apeluar se nuk i beson hetimeve të njëanshme për rastin e vrasjes së pesëfishtë.

Nënkryetari i DR-së, Abedin Zymberi shtoi se heshtja e partisë shqiptare në pushtet rrit dyshimin se ajo është bashkëfajtore për shkak të politikës së dobët dhe nënshtruese ndaj VMRO-DPMNE-së. DR apelon që të gjitha partitë politike shqiptare të ulen së bashku, të analizojnë situatën dhe ti thuhet stop politikës diskriminuese ndaj shqiptarëve