DR: Jeta në komunën e Likovës i ngjanë mesjetës
Demokracia e Re përmes një konference për shtyp sot hodhi kritika të ashpra në adresë të kryebashkiakut të Komunës së Likovës, Sadulla Durakut.
Kryetari i Këshillit Komunal të DR-së, Xhabir Islami tha se udhëheqësi aktual i komunës në fjalë nuk ka realizuar as edhe një projekt për mirëqenien e qytetarëve të kësaj ane.
“Komuna për momentin ka kryetarin më injorant në menaxhimin e Komunës. Ai nuk është në gjendje asnjë gurë të lëvizë në këtë komunë. Deri më tani nuk ka asnjë projekt të përgatitur për aplikim në thithjen e të mirave nga donacionet e vendit apo edhe ato evropiane”, tha Islami.
Ai tha se në këtë komunë, hedhurinat janë gjithandej, nata i ngjan mesjetës pa ndriçim publik, mungon infrastruktura elementare, asfaltimi, kanalizimi, uji për pije e shumë e shumë gjëra tjera.