image

Mersel BILALLI-Të njohura janë rastet kur disa aktivistë kyç të organizatave ustashe kroate në botën e jashtme, janë likuiduar nga vet organizata apo bashkëpunëtorët e ngushtë të tyre, me bindje se të njëjtët kanë punuar fshehurazi për shërbimet sekrete jugosllave, pasi UDB-a përmes kanaleve të veta ka arritur që të krijoj një bindje të tillë përmes manipulimit me dokumente

E vërtetë që nuk është thënë në kohën e duhur është më e keqe se sa rrena. Kjo thënie nga mençuritë orientale, jo gjithherë përkon me pozitiven. Ka plot fakte kur e vërteta është thënë në kohë të gabuar, por po ashtu edhe kur rrena është thënë në kohë të vërtetë. Dosjet që tani mbijnë në çfarëdo oborresh sërish relativizojnë kufirin në mes të vërtetave dhe trillimeve. Opinioni i varfëruar materialisht e si pasojë e kësaj edhe shpirtërisht, tani edhe më tepër do të ushqehet me lugë të zbrazur, por e lyer me helm vdekjeprurës për një komunitet të tërë. Gjithsesi se do të lypen arsyetime se sa ka të vërteta në këto dokumente skandaloze me veti fluturuese?

Së pari nuk është tërësisht e sigurt se dosjet në fjalë janë autentike, pasi shërbime të ndryshme shtetërore të fshehta dikur aktive, fare lehtë kanë mundur dhe akoma munden që të njëjtat t’i fabrikojnë. E dyta, kushtimisht edhe sikur dosjet në fjalë të jenë kopje të origjinaleve, është shumë e mundshme që këto dokumente të jenë përpiluar qysh atëherë me qëllim të shkaktimit të përçarjeve, mosbesimeve dhe likuidimeve brenda organizatave ilegale të emigracionit me qëllim të dobësimit apo asgjësimit të tyre. Këtë metodë shumë shpesh e ka praktikuar UDB-a jugosllave ndaj organizatave ilegale, të cilat kanë vepruar në botën e jashtme. Të njohura janë rastet kur disa aktivistë kyç të organizatave ustashe kroate në botën e jashtme, janë likuiduar nga vet organizata apo bashkëpunëtorët e ngushtë të tyre, me bindje se të njëjtët kanë punuar fshehurazi për shërbimet sekrete jugosllave, pasi UDB-a përmes kanaleve të veta ka arritur që të krijoj një bindje të tillë përmes manipulimit me dokumente, e që në fakt ato veprime i kanë bërë krejtësisht persona të tretë me identitet dhe karakteristika të ngjashme me ndonjërit nga aktivistët e afërt të organizatës. Prej këtu, s’ka arsye që të njëjtat veprime shërbimet e fshehta të mos i kenë bërë edhe ndaj organizatave ilegale shqiptare.
Me siguri se edhe në organizatat shqiptare ka pasur të infiltruar të shërbimeve sekrete, por aspak nuk besoj se ata mund të jenë disa emra kyç që rrotullohen në dosjet famoze. Së paku nga asnjë segment nuk mund të konstatohet një natyrë e tillë e këtyre personave. Më parë kisha thënë se në emër të tyre, këto veprime i kanë bërë persona krejtësisht tjerë profesional, por duke u evidentuar në identitete të pjesëtarëve të organizatës në fjalë. Pra, janë bërë fabrikime që i janë përgjigjur karakteristikave dhe identitetit të personave që kanë qenë aktivistë të ngushtë në ndonjë organizatë ilegale.

Natyrisht që çështjet e dosjeve tani kanë dalë nga kornizat ligjore dhe institucionale dhe ata tani mbijnë nëpër kopshte e oborre, depërtojnë nëpër sokaqe e rrugica, kështu që në të ardhmen do të duhet harxhuar shumë energji në këtë problematikë të montuar për qëllime partiake, duke lënë anësh çështjet jetike. Disa informacione tjera flasin edhe për posedim të disa dosjeve të shërbimeve të fshehta të Maqedonisë për persona të caktuar, por edhe për familjarë të disa pretendentëve politikë, të cilat priten të publikohen në kohën kur menaxhuesit e këtyre dosjeve do ta vlerësojnë se është kohë më e përshtatshme për të arritur efektiva maksimale politike. Por, këtu duhet dalluar disa çështje tejet të rëndësishme.

E para, personat që kanë vuajtur dënime të gjata me burg, në favor të shkurtimit të këtyre dënimeve, avokatët e tyre për t’u treguar si të suksesshëm, klientëve të tyre u kanë sugjeruar të nënshkruajnë dokumente për bashkëpunim me shërbimet e fshehta, madje shpeshherë të dënuarit as që e kanë ditur se çka kanë nënshkruar (kanë menduar se nënshkruajnë vendimin për lëshim). Mandej shpeshherë edhe vet organet shtetërore kur kanë dashtë të shiten si humanë, të burgosurve u kanë sugjeruar nënshkrim të dokumenteve të tilla, madje duke u thënë se as që kanë detyrë që të bashkëpunojnë në të ardhmen.

E dyta, ndër nënshkruesit e dokumenteve për bashkëpunim janë gjetur edhe persona të cilët nga raste të caktuar (kërcënime dënimesh të rënda për ata apo familjarët e tyre) shpeshherë të montuar, kanë qenë të detyruar që t’i nënshtrohen terrorit psiqik dhe të pajtohen të nënshkruajnë dokumente për bashkëpunim. Pra, duke mos pasur rrugëdalje ata i janë nënshtruar kushtëzimeve të pushtetit, duke bërë veprime jashtë bindjeve të tyre.

Ligji i Maqedonisë për lustrim nuk ka të bëjë me këta persona, të cilët janë detyruar, mashtruar apo kushtëzuar përmes terrorizimeve fizike dhe mentale që të nënshkruajnë dokument bashkëpunimi, por gjithsesi se ka të bëjë me individ të cilët vullnetarisht kanë bashkëpunuar për privilegje të ndryshme, për pagesa parash, për karrierë, privilegje në punësim të familjarëve të tyre, për mbruje se janë të afërt me pushtetin etj. S’duhet të ketë falje as për ata që kanë punuar si punëtor në botën e jashtme, por njëkohësisht për privilegje të caktuara kanë punuar edhe për shërbimet e fshehta policore, duke shkelur mbi dinjitetin dhe fatin e personave të pafajshëm. Në të vërtetë, nëse dëshirojmë lustrim  të vërtetë, mu dosjet e këtyre dy kategorive personash do të duhet të na interesojnë.
Por, fakt është se tani këtu luhet një politikë jo e pastër që aspak s’ka lidhje me lustrimin, por shumë ka lidhje me situatën aktuale politike. Edhe po të jetë fjala për kopje të dosjeve origjinale (që atëherë të fabrikuara), parashtrohet pyetja se si paskan “mbirë” këto dokumente në oborre të ndokujt. A është ndokush akoma në link me këto shërbime, çfarë janë qëllimet e tyre, të veçanta e të përbashkëta etj etj. Po të bëhet fjalë për dokumente origjinale, ata vështirë se mund të vijnë në dorë të partiakëve pa ndihmën e bashkëpunimit të përbashkët të organeve të policisë së Maqedonisë dhe Serbisë. Kurse këto organe nuk mund të marrin këso veprimesh pa lejen e funksionarëve kyç shtetëror. Mbetet enigma përse mu për këtë çështje ditë më parë në Beograd udhëtoj presidenti i Maqedonisë?

Këtu me të drejtë dyshohet se qëllimi është vënia për murri drejtuesit e partisë shqiptare në pushtet, të cilët si duket edhe ashtu shumë dobët i luajnë këto lojëra. Pra, nga Hëna duket se qëllimi kryesor këtu është detyrimi që të heshtin drejtuesit e këtij subjekti politik nëse ndodhë që establishmenti vendimmarrës i pjesës maqedonase nuk do të bëjë kurrfarë kompromisi lidhur me emrin e shtetit me Greqinë.

Fakt është se po të mos ketë kompromis për emrin, kjo qeveri do të jetë e pjekur për vjelje, pasi opozita maqedonase me emblemën social do të bëjë çmos që ta gjunjëzojë VMRO-në e Gruevskit. Në këso kushtesh të trazirave sociale, turbulencave politike, humbjes së përkrahjes ndërkombëtare, fati i qeverisë aktuale mbetet në duar të BDI-së dhe ajo duhet të dijë mire që t’i luaj potezet politike të favorshme, e jo të përsëris gabimet e së kaluarës. Koncesionet aktuale që Gruevski duket se tani u bënë shqiptarëve (për mësimin e gjuhës së mjedisit, për sheshin Skënderbeu, për bustet, faltoret te klinika etj), duket se kanë për qëllim që ujkun ta prezantojnë si qengj. Por, e vërteta është se premieri turbo-nacionalist tani ka ndryshuar pllakën, jo se ka ndryshuar bindjet, por se s’ka kah ia mbanë. Prandaj kjo gjendje duhet me mjeshtri të shfrytëzohet. Duhet që fara e nacionalizmit të mbjellë nga ai, që tani është rritur në fryt të madh kungulli, atij t’i thyhet për koke. Dosjet janë pushkë propagandistike dhe pozicionesh. Që të mos dëgjohen pushkët duhet dëgjohen topat. Gjithsesi topat politikë.