DOSJA
Kur një politikan premton se do të ndihmojë ose bëjë mirë popullit, vetvetiu parashtrohet pyetja a mundet një individ të ndihmojë ose bëjë mirë shumicës. Natyrisht se jo, nuk mundet, por mund ti ndihmojë vetes, dhe këtë asnjëherë nuk e premton, këtë e bën. Por kur një politikan vendos të dëmtojë, këtë e bën pa paralajmërim dhe vepron në mënyrë shumë efikase. Për të realizuar të keqen, dëmin natyrisht i nevojiten instrumente, dhe këta i krijon me lehtësi dhe shumë shpejt. Ideja më e përshtatshme për të dëmtuar në mënyrë më efikase, është ekskluzivizmi, pra të eliminojë tjerët. Vegla më efikase për eliminim është ajo-dosja. Politikanët e sotëm nuk e kanë zbuluar dosjen, por në mënyrë shumë efikase e kanë përsosur, sot me të vërtetë nocioni dosje ka arritur një perfeksionim. Kur menduam se socializmi e kulmoi dhe arriti të paaritshmen në krijimin dhe përdorimin e dosjeve, shumë shpejt e demantuan këta të sotshmit se kanë avancuar shumë. Në këtë rast është shumë të përmenden dosjet e kundërshtarëve të Titos, Enverit, Stalinit, Çausheskut dhe të tjerëve si dhe fatin e tyre, shumica u ekzekutuan me pretekst se udhëheqësit i bëjnë mirë popullit. Kush dhe si i krijon dosjet, për çka i përdorën? Në krye të hierarkisë qëndron ai, lideri që duhet të ndihmojë vendin(shtetin) ose më saktë ai vendosë të krijojë dosjet, për ta kontrolluar mendjen, idenë ose veprimet që mundë ta dëmtojnë atë, ose shtetin, se tani më ai identifikohet me shtetin. Ju kujtohet Luigji i XIV “l’etat c’ est moi” (shteti jam unë). Dosjet janë ajo pjesë fine e instrumentit për të mbajtur larg, njerëzit për punë të caktuara. Mirëpo, porosia dhe përdorimi i dosjeve është ajo pjesë që profilizon politikën, funksionimin e saj dhe cakton mënyrën e udhëheqjes, por ajo që është më e neveritshme dhe irrituese për shoqërinë është krijimi i dosjes, me pyetjet kush e formon, sa veta punojnë, si e bëjnë kurthin deri ku depërtojnë në personalitetin e njeriut dhe në fund kur dhe si do përdoret ajo. Shërbimet profesioniste që krijojnë dosje, janë njerëz me imagjinatë të bujshme, kreativë dhe mbi të gjitha besnikë. Besnikëria e tyre është i vetmi kualifikim dhe kusht për të punuar, shërbejnë me gjithë qenien, e kultivojnë armiqësinë, aty ku drejtohet gishti e prodhojnë armikun, pra e hartojnë dosjen. Këta njerëz janë besnikët e verbër të liderit, e identifikojnë atë me sistemin(shtetin) dhe e bindin veten se merren me një profesion sublim, dhe i shërbejnë të mirës. Karakteri i tyre profilizohet në veshë, sy dhe dëgjueshmëri. Punët tjera janë teknikë, rutinë dhe talent për të shëmtuar normalen. Faza më e rëndësishme në këtë punë është seleksionimi, por këtë nuk e bëjnë ata, ky nder i takon “shefit”, liderit, politikanit që i zgjedh armiqtë ose ata që duhet të eliminohen, largohen, pra fillon puna e të dytëve që nxinë personat e zgjedhur. Puna e nxirjes tani fillon të masivizohet, inkuadrohen kodoshët, shpikësit e të keqes, spiunët dhe hiena të ndryshme. Kreativiteti i hartuesve tani bëhet i egër, bashkohen faktet, ndodhitë, takimet, udhëtimet punët që mundë të bëhen, mendimet që mundë të zhvillohen veprimet që mundë të realizohen por që asnjëherë nuk kanë ndodhur, pra dosja është preventiva që mbron nga e keqja. Teoria e komploteve është baza e dosjeve dhe fillon me sintagmat e ke bë, nëse se ke bë, ke mundë ta bësh, nëse s’ke mund ta bësh, ke mundë të mendosh, pra në skajshmëri dënohet ideja, të menduarit se vepra nuk është e rëndësishme në këtë fazë se kur ekziston vepra aktivizohen instrumente tjera. Praktika e dosjeve në Maqedoni ka traditë të thellë, dhe është kultivuar me vëmendje të posaçme. Natyrisht aspekti etnik ka qenë i paevitueshëm. Rrallë ka shpëtuar ndonjë intelektual shqiptar pa dosje, ndoshta vetëm ata që kanë ndihmuar në hartimin e dosjeve më saktësisht kodoshët. Ndoshta për shqiptarët është më e saktë të flitet për një dosje kolektive “shqiptar”, pasi Maqedonia luajti një rol shumë të rëndësishëm në shpërnguljen e shqiptarëve dhe muslimanëve në Turqi, nderi për të hartuar dosje të tëra se ata janë turq, që duan të kthehen në vendlindje i takoi Maqedonisë dhe asnjë republike tjetër. Maqedonia në faza të ndryshme aktivizoi dosje të ndryshme, krejt me qëllim të rruajtjes së sistemit. Posaçërisht është i rëndësishëm elementi i laboratorit të eksperimenteve maqedonase ndaj shqiptarëve në kohën e diferencimeve ideo-politike, ku eksperimentet i bërë në Maqedoni, zbatohej më vonë në Kosovë. Traumat e dosjeve aktuale janë të rënda dhe eliminuese. Kur kryeministri i qeverisë merret me dosjet e funksionarëve të shtetit, situata është alarmante. Në të vërtetë në këtë rast, kryeministri privatizon instrumentet vitale të pushtetit, shërbimet e sigurisë, zbulimit, kundërzbulimit i familjarizon, me dajallarët, nipat, mixhallarët e vet. Se besnikëria është shtyllë pa të cilën vështirë udhëhiqet, posaçërisht tani kur rreziku dhe kriza rriten. Qeverisë çdo gjë duhet ti vihet në kontroll, pra edhe gjykata, ajo që është meritore dhe vendimprurëse edhe për dosjet në mes tjerash. Rëndë mashtrohet politikani shqiptar sot nëse mendon se nuk ka dosje. Ata krijohen, funksionojnë dhe mbajnë peng politikën shqiptare në Maqedoni. Vitet ’91 krijuan dosjet e dëshirës shqiptare të merret me politikë, vitet ’94 krijuan dosjet e arsimit shqiptar në Maqedoni, vitet ’97 krijuan dosjet e vullnetit politik shqiptar për të ndryshuar status, vitet ‘2001 krijuan dosjet e luftës, që sot mbajnë peng politikanë dhe funksionarë të qeverisë aktuale
