tim_shkupiShkruan Musa Lamallari (Tim Shkupi)“…Shqiptarët janë pjesë shtetformues në Republikën e Maqedonisë. Të interesuar të implementohet marrëveshja e Ohrit.” – kështu foli Edi RamaNuk di shumë gjëra në Maqedoni, as me gënjyer jo, jam jashtë më shumë se 13 vjet, por në një gjë jam shumë i sigurt, sikurse që e përpunoi Dekarti në kohën e renesancës metodën e dyshimit, unë sot në këtë konstatim të Kryeministrit, Edi Rama, e besoj më shumë metodën e dyshimit të Dekartit francez sesa Edi Ramën, pasi provat e ditës së sotme më thonë te kundërtën e asaj që Edi Rama e ka marr si të vërtetë nga darka vëllazërore e atyre që mundohen për të mashtruar qytetarët shqiptar për dy dekada rresht me zënkat, injorancën dhe interesin e gjakut dhe sorrollakut të tyre, e nuk turpërohen se qytetarin shqiptar e kanë futur në greminë të dinjitetit social, ekonomik, politik, kulturor, kurse partitë e tyre janë shndërruar në ente punësimi në mungesë të vizionit politik dhe të zgjidhjeve të problemeve të përditshme të qytetarëve shqiptar në Maqedoni.

Ndaj unë dyshoj se shqiptarët janë shtetformues, amani ju qoftë mos më thoni se jam bërë i krisur dhe duhet në emër të ndonjë ideje të madhe konspirative kombëtare të pëlqej gënjeshtrën, mashtrimin e radhës që u servohet qytetarëve shqiptar në Maqedoni se janë element shtetformues.

Unë sot jam dëshmia vet, prova e hidhur e ballafaqimit me realitetin, shumë larg nga ajo e darkave vëllazërore mes atyre që komprometuan çdo gjë shqiptare nga injoranca dhe politika lokaliste pas vitit 2001.

Sot, pikërisht në vizitën e Edi Ramës, kur ai na thotë se jemi element shtetformues, u binda se nuk kam aftësi të mendoj qytetarisht, politikisht dhe njerëzisht (jo shqiptarisht, as islamikisht, as katolikisht) vetëm për një shkak: sepse nuk di të shkruaj kirilisht.

Pra, e pranoj botërisht, këtë dobësi timen. E kam lënë asgjë dhe nuk më ka hyrë në përdorim kirilishtja pas shkuarjes time në Londër në vitin 2000.

Por, ajo që më brengos si qytetar është pse nuk pranohet njerëzisht nga shteti unitar i Shkupit, pa dallim race dhe etnie, i atyre që kanë përgjegjësi politike se sulmi i emrave, mbiemrave shqiptar (por edhe të të tjera etnive) me shkronja kirilisht, që pothuajse çdo i dyti shqiptar ka problem si brenda ashtu edhe jashtë Maqedonisë në shtetet perëndimore, është e trashëguar nga kohrat e politikave asimiluese të projektuara në Beograd dhe të aplikuara në Vardarska banovinë.

Nuk dua të manipuloj me numra, statistika, por është evidente se njerëzit shqipfolës janë në të djathtë dhe në të majtë në institucionet e shtetit unitar. Janë të veshur kuq e zi, cicërimat e mobilëve i kanë me këngë të Ilir Shaqirit, kanë përmendore me kali e pa kali nëpër rrugë, historian e papagall historian që Hasan Prishtinën e vrasin për së dyti me dy tufa lulesh në një qoshe të Shkupit, por gjuhën, shkronjat latine, në kohën e teknologjisë së internetit, e kanë lënë gjuhë kusuritjesh, i kanë lënë germat latine, jo shqipe, germa të përqindjeve.

Për këtë nuk fajësoj personelin në Gjyq, as të tjerët që nuk flasin shqip, nuk fajësoj as përfaqësuesit e tyre politik, por thjesht fajësoj vetveten (jo juve të tjerëve, ju jeni mirë, jeni të gjithë në të Gjelbërtën, unë jam në të Kuqen dhe kënaqem me Like).

Pse heshtni dhe lejoni në shekullin njëzetenjë, dekadën e dytë, lehtë të mashtroheni me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Maqedonisë, që për injorancën e tyre të vuajmë të gjithë dhe të jetojmë me vezët e Taulant Capës në Tiranë, e jo me vezët e plakut të Kumanovës në rrugët e Shkupit.

Kjo injorancë e tyre bëhet më e neveritshme, më e bezdisshme, kur imponohet si vlerë në mjediset shqiptare se u takuan tre vëllezër, punët do të ndryshojnë, pasi darkuan, thyen ligjet e shtetit me cigare në duar, që sanksionohet me ligj, i sjellur nga vet ai. Kurse një tjetër pa fije turpi del para parlamentit na flet për flamujt kuq e zi, që munguan, kur ligjet e tyre janë të qarta. Ndaj këta dy taborë janë marrun vesh të mos merren vesh kurrë për interesin e shqiptarëve, sepse interesi i tyre është më i madh, derisa nuk ka statistika të sakta në Republikën e Maqedonisë, kush ha e kush pi në emër të shqiptarisë, punët do të jenë shulevek si punët e Taulant Capës…

O, Zot, sa keq kur Ebu Xhehlat i kemi në krye. Na ndihmo, por si? Kur mysliman ka me bollëk, e Islam ka shumë pak!

 

***

Sot isha në gjyqin e Shkupit për të legalizuar një vendim gjyqësor të Londrës, nuk mu pranua kërkesa nga shkaku se nuk ishte e shkruar kirilisht, por me shkronja latine. U detyrova aty për aty të kërkoj ndihmën e një mikes, të ma shkruan me shkronja kirilisht, kështu që e kuptova personalisht Marrëveshjen e Ohrit pas 12 vjetëve së çfarë do të thotë termi i shpikur “Bashkësi Etnike” si kategori kushtetuese në Republikën e Maqedonisë.

Mbajeni mend, jo u lindëm, por po Lindim, po Rritemi, po Jetojmë, po Plakemi, por edhe do të Vdesim duke e realizuar Marrëveshjen e Ohrit.

Një ditë Ahmeti dhe Thaçi do të kërkojnë shërbimet tona edhe ndër dërrasa të varrit, në kutinë e tabutit! Jazik më qoftë mua, e jo juve, se ju jeni të gjithë të mirë, pasi jeni në të gjelbër, e unë në të Kuqe!

E gëzofshim edhe për katër vjet tjera Marrëveshjen e Ohrit me Edi Ramën kryeministër, por kam shpresa, ishalla ndryshon diçka, për inati të Ahmetit dhe Thaçit!