Do formohet Partia Shqiptaro-Amerikane në Maqedoni
Lobist dhe biznesmenë të shquar shqiptarë në SHBA do të kyçen në skenën politike në Maqedoni, duke formuar një parti të re politike, e cila do të mbështetet nga senatorë dhe kongresmenë amerikan, bën të ditur agjencia e lajmeve INA.
Subjekti i ri politik do të ketë një platformë të re politike, e cila do të jetë koherente me interesat gjeostrategjike amerikan në Ballkan pritet të dalë në skenën politike në Maqedoni. Iniciativa vjen nga lobistë dhe biznesmenë shqiptarë në SHBA, me origjinë nga Maqedonia, të cilët janë të njohur me aktivitetet dhe lobimet e tyre pranë administratës amerikane, sidomos për çështjen e Kosovës dhe Shqipërinë në NATO. Lajmi konfirmohet edhe nga drejtues të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Nju Jork dhe Çikago, të cilët kryesisht janë me origjinë nga Kërçova, Prespa, Tetova dhe zona të tjera të Maqedonisë.
“Disa muaj para zgjedhjeve do të lansohet projekti i themelimit të subjektit politik, i cili do të ketë një angazhim më serioz rreth mbylljes së çështjeve të hapura të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos rreth problemeve që janë krijuar në avancimin e plotë të statusit të shqiptarëve”, bëjnë të ditur burime për “INA”.
Në misionin e ri do të jenë të kyçur edhe senatorë amerikan, të cilët janë të respektuar pranë administratës amerikane dhe që kanë ndikim në politikën e jashtme amerikane. Senatorët janë kryesisht nga Illionis, Nju Jorku dhe Ajova, atje ku përcaktohet gjithnjë zgjedhja e presidentit amerikan. Strukturimi i subjektit të ri do të bëhet me figura të pakonsumuara politike në Maqedoni, ku në mesin e tyre në kryesi do të kyçen edhe personalitetet shqiptaro-amerikane, që do të mbajnë pozicione të larta.
Deri tani komuniteti shqiptar nga Maqedonia që jeton në SHBA asnjëherë nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë serioze për angazhim politik dhe vëmendje të veçantë për zhvillimet politike në Maqedoni. (B.S