Dhelpra i mpreh dhëmbët..
Shpëtim POLOZHANI
Për të burgosurit politikë në këtë vend ka vetëm një të vërtetë. Në Arkivin e Shoqatës së të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë Shqiptarë, janë të regjistruar mbi 24.000 persona të burgosur dhe të persekutuar politik nga ish sistemi komunist. Në rast se këta 24.000 persona kanë nga 20 njerëz në rrethin e vetë më të ngushtë, rezulton se, në një mënyre ose në një tjetër, çdo familje shqiptare në Maqedoni është e persekutuar politikisht. Kjo ishte procedura sa i takon “përpunimit” të të arrestuarve shqiptarë nga ish sistemi komunist. Arrestimi bëhej duke mbjellë terror dhe frikë kundër të gjithë shqiptarëve, jo vetëm kundër familjes së të arrestuarit. Ditët e para, i arrestuari “përpunohej” (kjo nënkuptonte: ushqim sa për të mbajtur shpirtin gjallë, kërcënime për jetën dhe familjen, tortura psikike, goditje në të gjitha pjesët e trupit, në veçanti në pjesët më vitale…….) në zyrat e policisë, ku inspektorët ndërroheshin çdo katër orë. Ata ndërroheshin për shkak të lodhjes nga torturat që ua praktikonin të arrestuarve.
Sipas ligjeve të asaj kohe, hetimet duhej t’i kryente gjykatësi hetues. Hetimet mundej të zgjasin deri në gjashtë muaj. Në rastet e akuzave për delikt politik, hetimet kryekëput i kryenin INSPEKTORË TË SHËRBIMIT TË SHTETIT. Edhepse, sipas ligjeve të asaj kohe, ndalohej tortura, ajo praktikohej me të madhe. Edhepse procedura hetimore ishte e afatizuar në gjashtë muaj, ajo mundej të zgjasë edhe më shumë. Sipas ligjeve komuniste, i arrestuari mundej të mbahet në polici deri në tre ditë. Të burgosurit politik mbaheshin në paraburgim derisa të donte sigurimi i shtetit. Ritheksojmë se, asnjë i burgosur politik, në fillim të paraburgimit, nuk ka pasur kontakt me gjykatësin hetues. Gjykatësi hetues i çdo lënde është një, kurse të gjithë të burgosurit politik i merrnin në pyetje më shumë inspektorë të sigurimit të shtetit. Shumë të burgosur politikë nuk kanë pasur asnjë kontakt me gjykatës hetues. Takimin e parë pas kryerjes së hetimeve e kanë patur me prokurorin publik dhe pas kësaj me trupin gjykues.
Të burgosurit politikë qëndrimin nëpër burgjet komuniste e kanë pjesën më të lavdishme të jetës së tyre. Të burgosurit politikë kanë qenë shumë homogjen dhe të organizuar. Kishim fonde të përbashkët dhe një hierarki të heshtur. Gjatë qëndrimit në burg, asnjë i burgosur politik nuk bëri as edhe një ankesë për falje ose ulje të dënimit ose beneficione të tjera. Homogjeniteti i të burgosurve politikë e mbante drejtorinë e burgut në gatishmëri të përhershme. Të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë janë krenarë që morën pjesë aktive në shkatërrimin e armikut më të madh dhe më të fortë të shqiptarëve në historinë më të re, ish Jugosllavinë. Të burgosurit politikë shqiptarë janë një nga pjesët më të lavdishme të historisë sonë, sikurse që janë edhe dëshmorët e luftërave në trojet tona. Ne nuk kërkojmë shpërblim dhe as rehabilitim. Ne nuk pendohemi për atë që e kemi bërë. Ne kërkojmë zhvleftësim dhe anulim të aktgjykimeve politike të ish sistemit komunist. Dënimet politike të ish sistemit komunist nga aspekti juridik ende janë në fuqi. Ne të burgosurit dhe të persekutuarit kërkojmë zhdëmtim material për zullumin që na është bërë. Kërkesat tona kanë bazë edhe në dy Rezolutat e Këshillit të Europës për dënim të krimeve të komunizmit dhe në Ligjin për lustrim. Shoqata jonë insiston që të lustrohen edhe gjykatësit, prokurorët dhe inspektorët zullumqar, të cilët shkelnin ligjet e asaj kohe, duke praktikuar torturën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Edhepse ata mundet të mos jenë gjallë, pasardhësit e tyre sot janë në pushtet falë të mirave që ua kanë lanë prindërit e tyre. Emrat e këtyre kodoshëve të publikohen në internet, sikurse që u bë në Poloni, Çeki…Me Ligjin për lustrim do të duhet t’u mundësohet të dëmtuarve politik që vetë t’i paraqesin pranë Komisionit për lustrim këta kodoshë zullumqarë.
Angazhimi i të burgosurve politikë dhe i luftëtarëve në politikë është një kapitull në vete dhe këtu aspak nuk duhet të njolloset Institucioni Dëshmor i Kombit dhe Institucioni i Burgosur Politik. Është gabim individual i luftëtarëve dhe i të burgosurve politikë, që u shkëputën nga trungu i Lëvizjes për Bashkim Kombëtar dhe u futën në ujërat e kontaminuar të interesave politike. Në rast se e ke shtëpinë prej qelqi, mos e gjuaj me gurë shtëpinë e tjetrit, thotë një fjalë e urtë popullore.
U apelojmë të gjithë personave publik, le të mos i njollosin ata që sakrifikuan më të mirën e vetes – rininë, për pazaret e politikës së ulët ditore. Kush mbjell stuhi, vetëm breshër korr, thotë ky popull që duket si i fjetur. Por, jo ai nuk fle, ai ua shkruan në faturë çdo gabim që e bëni ju “të zgjedhurit”dhe fatura do të paguhet një ditë. As Gadafi, as Ben Ali, as Mubarak dhe as Bashar nuk e mendonin se do të përfundojnë kështu. Ata i hynë në hak popullit të vetë, dhe një ditë, kur më së paku prisnin, e paguan faturën. “Fyerjet le të mos përdoren si argument, pasi ato nuk janë argument. Urrejtja është argument i të dobëtit, pasi peshorja nuk mund të peshojë vetveten. Është koha e fundit që të largojmë lakminë dhe smirën nga zemrat tona dhe t’i afrohemi më shumë njëri-tjetrit (shkrimtari shqiptar Remzi Zeqja). Dhelpra po i mpreh dhëmbët…
(Autorit është kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe i të Persekutuarve Politikë Shqiptarë në Maqedoni)