Ramadan PLLANA – DËSHMI TË KOHËS

(Me shkas ndaj shkrimit të Xhafer Durmishit « Fakte rreth Lëvizjes së Jusuf Gërvallës », publikuar në « Pashtriku.org » janar 2011)

Po e filloj këtë shkrim më këshillën dhe porosinë e të madhit Hasan Prishtina, të cilën e kam cituar shumë herë, me gojë e me shkrim : “…Kujdesuni për mendimin tuaj, sepse jeni përgjegjës para historisë…” Jam përpjekur dhe do përpiqem, deri në vdekje, që të jem sa më objektiv në kujtimet e mia, të cilat i kam emërtuar si DËSHMI TË KOHËS.  Mirëpo, faktori kohor, shëndetësor, material, pastaj edhe disponimi subjektiv e objektiv më kushtëzojnë shpesh në vazhdimësinë intensive të këtyre shkrimeve. Pothuajse qe tre muaj nuk kam lexuar në shtypin e përditshëm e në ueb faqet informative për shkakun se një vëlla imi më i madh se unë, Rexhepi, u shtri në spital, vitin e kaluar, dhe vdiq më 25 dhjetor nga sulmi në zemër. Isha dy herë në atdhe për këtë rast, njëherë sa vëllai ishte i shtrirë në spital dhe herën e dytë për pritjen e miqve, shokëve e dashamirëve që na vinin për të pame, me qindra në ditë, të cilët i falënderoj edhe një herë nga Zvicra, ku gjendem. Poashtu, siç është tradita jonë, kam pritur dhe pres për të pame edhe në familjen time të ngushte në banesën time. Në biseda, shumë miqësore, përveç tjerash, kemi biseduar edhe për shkrimet e mia që publikohen në ueb faqet informative, disa nga miqtë e shokët më kanë stimuluar, më kanë përkrahur moralisht, madje disa edhe më kanë bërë presion për botimin e shkrimeve të mia në disa libra, dhe e kam ndier veten shumë të kënaqur që shkrimet e mia e kanë  kureshtjen e miqve, bashkëveprimtarëve të mi, si dhe lexuesve në përgjithësi.

Mbi të gjitha kam kënaqësinë që shkrimet e mia u pëlqejnë ish- ushtarëve të UÇK-së, kolegëve të mi, si dhe disa historianëve , të cilët, përveç se i lexojnë edhe i shtypin si dokumente potenciale. Në disa ueb faqe, ku m’u kanë botuar kujtimet e mia ka edhe disa komente, për kënaqësinë time dhe për kureshtjen e lexuesve, po i huazoj vetëm dy prej tyre, të komentuara në shkrimin tim, METUSH KRASNIQI – SIMBOL I REZISTENCËS DHE I RIBASHKIMIT KOMBËTAR, në “Zëripress.com” më 10 nëntor 2009:  

 « lorik krasniqi 1971   |  Thursday, 31 December 2009 at 00:23

ju përshëndes unë jam nga familja e metush krasniqit e jetoj ne gjermani unë e kam njoft bacen metush mir dhe sot me dhemb shpirti se nuk e përjetoi pamvarsin e Kosovës por kam edhe një vërejtje te vogël për te gjithë shokët e metushit se janë duke ber pak për qitjen ne dritë te gjithë veprimtarisë se tij i cili sipas meje pa ofendim te tjerëve nuk ka zëvendësim përshëndetje nga Lorik Krasniqi »

“ kushtrimi   |  Friday, 05 November 2010 at 17:00

Përshëndetje!
Deshta vetëm ta përshëndes autorin mese origjinal (Ramadan PLLANA) qe deri me sot shkroi për atdhetarin dhe simbolin e ribashkimit te Shqipërisë natyrale Metush KRASNIQI. I nderuar zotri Ramadan PLLANA, ju keni bere shume, keni shkruar fakte ndërsa pas jush kane shkruar edhe te tjerët, s’do fakt edhe ky shefiku por shefiku me dy organizime e përmbledh një pune apo obligim te kryer për dëshmorin çka ne nuk pajtohemi me te kurrnjehere, ai kishte kopjuar një fragment të monografisë dhe e paska publikuar ne disa faqe interneti, ne shefikun se kemi ndaluar te shkruaj plot 24 vite por qe ja tash fale internetit dhe “copy-paste” edhe këtij i doli gjumi dhe iu hapen shtigjet.

Ne, u jemi mirënjohës te gjithëve qe shkruajnë por më së tepërmi atyre qe janë origjinal por sa i përket institucioneve te Kosovës, ato për punën, sakrificën dhe veprën përplot një jete te te pavdekshmit Metush Krasniqi ato mos qofshin fare ngaqë për te nuk kane bere as 0.0001%!

respekt dhe falënderime për zoteriun Ramadan Pllana dhe shumë të fala »

Me këtë rast dua të theksoj se kam me dhjetëra letra përkrahëse nga miqtë e mi, ish anëtarë të LNÇVSHJ-së dhe veprimtarë të të gjitha organizatave e grupeve të tjera që kanë bërë përpjekje për çlirim e bashkim kombëtar, këtu nuk është mundësia për t’i përmendur, sepse lista është e gjatë, nga ato letra miqësore mund të shkruhet një libër, po kam fituar edhe miq të rinj siç është Ramadan Latifaj, i cili e ka huazuar shkrimin në fjalë në uebfaqën dhe albumin e vet « Hogoshti » kompjuterik me një fotografi timen, pastaj Shefik Sadiku i cili më shkruan si një vëlla, -më shkruan dhe më thërret me telefon edhe Naim Dedinca nga Kanada e largët, djalë i atdhetarit të shquar Mehmet Dedinca, ish- aktivist i NDSH-së etj. Po e shtoj edhe një letër që më ka ardhur nga Nora Gashi, e cila më jep mjaft material historik, që më këshillon që mos të lëshohem shumë në personat të cilët nuk i njoh mirë, konkretisht fjala është për Xhafer Durmishin.

Komentet  tjera që janë publikuar në lidhje me shkrimet e mia, mund t’i lexoni në « Zëripress.com » si dhe në »Zemrashqiptare.net »  e cila e ka huazuar shkrimin tim etj…

Ka komente edhe në ueb faqet tjera dhe asnjë lexues nuk i vë në dyshim, as nuk i kundërshton pohimet e mia në lidhje me veprimtarinë time. Po, për çudinë e jashtëzakonshme, njëri nga ish anëtarët e LNÇVSHJ-së, jo vetëm që e mohon veprimtarinë time në KQ, por alla Sabri Novosellçe më « përjashton » nga ky KQ edhe më urdhëron e më shantazhon që të heq dorë publikisht nga disa pohime të mia, konkretisht aty ku flas për takimin tim me diplomatin shqiptar Bujar Hoxha duke më shkruar : » Ti nuk e ke takuar Bujar Hoxhën as me gjasë e as pa gjasë, dhe e ke munduar njeriun pa hak. Është mirë që këtë gabim ta ndreqësh vetë para se me ta ndreq të tjerët. Kam frikë se sulmimi i një personi që nuk e ke takua e dëmton besueshmërinë Tënde deri në njëfarë mase… » I përkujtoj miqtë, bashkëveprimtarët e lexuesit e nderuar se me Xhafer Durmishin kur nuk jam takuar për së afërmi, kemi komunikuar më shumë se dy vite, me anë të korrespondencës elektronike si dhe me anë të telefonatave për të ndriçuar disa aktivitete tona, të ndara në kohë e hapësirë, po ky pas dy viteve heq dorë nga miqësia ime, do t’i shihni në fund të këtij shkrimi letrat e fundit që kishim me te dhe do të jeni të njoftuar se unë në asnjë çast nuk e kam indinjuar personalitetin e tij, përkundër e kam respektuar, me nostalgji, si një bashkëveprimtar i heroit tonë Jusuf Gërvalla. Se ç’e trazojnë shkrimet dhe kujtimet e mia, unë nuk e di, por nga këto injorime që m’i bënë, nga sot nuk e konsideroj të denjë për miqësinë time. Gjatë bisedave telefonike e shkëmbimeve me letra, përveç disa mospajtimeve, në asnjë rast nuk ma ka mohuar se kam qenë në KQ. E, tani çka i ka rënë ndër mend të më sulmon me të padrejtë?! Për mos ta zgjatur më shumë po shkoj me deklaratat e tij në lidhje me aktivitetin tim  si kuadër në KQ të LNÇVSHJ-së :

Xhafer Durmishi : « Jusuf Gërvalla: “Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ (Komitetin Qendror-shën im).” (Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982, Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, 1997, faqe 452-454)  

   Nga faktet e painfektuara të Shefqet Jasharit rrjedh se Ramadan Pllana nuk e ka njohur Jusuf Gërvallën në asnjë mënyrë e as përmes profesionit, pasi këtë punë nuk e ka ditur as vetë Shefqet Jashari (lidhja e vetme e Ramadan Pllanës me udhëheqjen e Lëvizjes që duket edhe më mirë nën pikën 2 më poshtë). Nga letra e infektuar e Jusufit rrjedh se Jusufi është pranuar në Komitetin Qendror të LNÇKVSHJ pas  17 korrikut 1981, në të njëjtin moment apo me të njëjtin vendim së bashku me Shpendin, përmes Sabri Novosellës.

    “Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ”.  Kjo do të thotë se me gradë, në Kosovë, Ramadan Pllana ka qenë më i lartë se Jusuf Gërvalla. Por është modestia e tij tepër e madhe që e shtyn mos me i dalë Jusufit përpara, andaj edhe deklaron se është pranuar në KQ në të njëjtën ditë me Jusufin. Shtrohet pyetja: Pse Ramadan Pllana i shtrembëron faktet në mënyrë kaq të tejdukshme për personin kryesor të Organizatës së vetë, përkundër fakteve me shkrim të shkruara nga dora e Jusuf Gërvallës tri ditë para vrasjes?

Unë nuk do t’i komentoj fjalët e Xhaferit, vetëm do t’i faktoj argumentet e mia që i kam shkruar më herët, DËSHMI TË KOHËS, si dhe ndonjë pohim të huazuar nga bashkëveprimtarët tanë.

Në vitin 1978 në « Komitetin Qendror » pranohen edhe dy anëtarë, që kishin marrë besimin nga udhëheqësit e LNÇKVSHJ-së, dhe këta:

 1. “Sokoli”, alias, Jusf Gërvalla, në mesin tonë organizativ i njohur si Gazetari, i propozuar nga Sabri Novosella dhe

 2. “Qemajli”, alias, Ramadan Pllana, në mesin organizativ i njohur si Studenti i Frëngjishtes, i propozuar nga Shefqet Jashari.

1.     Më kujtohet mirë se, Gazetari ishte pranuar pak më herët se unë, sepse, Shefqeti më pat thënë, po atë vit, se e kemi pranuar Gazetarin në « Komitet » dhe ti je kandidat që së shpejti do të pranohesh. Në realitet, sipas kuptimit të normave organizative, ky «Komitet Qendror» do të mbetet fiktiv apo i imagjinuar, madje,  i pasqaruar historikisht edhe deri më sot, sepse nuk do të mbajë asnjë mbledhje gjatë veprimtarisë së tij edhe pse premtohej se në një ditë më të favorshme do të realizohej një mbledhje e tillë, d.m.th. e « Komitetit Qendror ».

2.     Nga përpjekjet e Sheradin Berishës, moderatorit të nderuar e shumë të vyeshëm të « Pashtrikut », që u mundua të shkruaj historikun e LNÇKVSHJ-së në shkëmbim letrash me Shefqet Jasharin vjen në këtë përfundim se  : «  Sa i përket strukturave të LNÇKVSHJ-së, mendoj se duhet definuar qartë ato. Unë aktualisht e di se anëtarë të LNÇKVSHJ-së ishin : 1. Metush Krasniqi, 2. Sabri Novosella, 3. Shefqet Jashari, 4. Jusuf Gërvalla, 5. Isa Demaj, 6. Ramadan Pllana, 7. Avdi Kelmendi, 8. Xhefer Durmishi, 9. Fehmi Rexhepi (vëlla i Elmaz Rexhepit), 10. Sheremet Saraqi, 11. Hysen Gërvalla, 12. Avdyl Lahu, 13. Sylejman Qyqalla, 14. Shaban Kelmendi dhe 15. Skënder Jashari.

Tani atë që e di nga Intervista juaj dhënë « Dritës » dhe nga letra që më shkruat, anëtarë të Komitetit Qendror të LNÇKVSHJ-së kanë qenë :

1.     Metush Krasniqi

2.     Sabri Novosella

3.     Shefqet Jashari

4.     Jusuf Gërvalla

5.     Ramadan Pllana

6.     Shaban Kelmendi dhe

7.     Sheremet Saraqi

………………………      Besigheim, 20 maj 2003

Sqarimi dhe plotësimi im, Ramadan Pllana :
1. Isa Demaj, edhe pse është dënuar me grupin tonë, nuk ka qenë anëtar i LNÇKVSHJ-së. Këtë e kam shkruar në kujtimet e mia nga burgu.
2. Shaban Kelmendi dhe Sheremet Sarqi nuk konsiderohen si anëtarë të KQ, pasi që i pari e ka ndërprerë aktivitetin në organizatën tonë, sipas pohimit të Shefqet Jasharit, kurse me Sheremet Saraqin, tashmë i ndjerë, kam biseduar shtruar, në prezencën e vëllezërve të mi, pas luftës, të cilin e kam pas edhe mik familjar dhe ai më ka thënë se nuk ka qenë anëtar i KQ. Këtu desha të shtoj se është harruar edhe emri i Mustafë Shytit, tashmë dëshmor, nga ana jonë, i cili ka qenë në një celulë me Sheremet Saraqin dhe Xhafer Durmishin. Po e shtoj se në disa raste Shefqet Jashari e thekson edhe Muhamet Tërnavën si anëtar të mundshëm të KQ, edhe me te kemi kontaktuar, unë e vëllai im, Xhemajl Pllana, dhe pas bisedave që kemi pasur me te ai ka thëne se e ka njohur Jusuf Gërvallën, bile na ka premtuar një shkrim për te, por nuk ka qenë as anëtar i thjeshtë i LNÇKVSHJ-së. Edhe këto janë hulumtime që i kam bërë me mundësitë e mia. Pra, dëshmia ime për KQ të LNÇKVSHJ-së e cila përputhet me pohimet e Shefqet Jasharit dhe me konstatimin e drejtë të  Sheradin Berishës dhe nuk shtrembërohen faktet, siç trillon Xhafer Durmishi. Këto janë disa nga të dhënat si dëshmi për organizatën tonë, tani do flas pak për aktivitetin tim në kuadër të KQ të « Pse Ramadan Pllana i shtrembëron faktet në mënyrë kaq të tejdukshme për personin kryesor të Organizatës së vetë, përkundër fakteve me shkrim”…

-Pohoj, me ndërgjegje të pastër se atë çka e kam thënë dhe shkruar në lidhje me kujtimet e mia janë, de fakto e de jure, të vërteta. Për mos ta lodhur lexuesin kureshtar e të nderuar për t’i rilexuar kujtimet e mia, si dëshmi kohe, po i jap disa aktivitete dhe detyra që i kam kryer, si anëtarë i KQ të LNÇKVSHJ-së :

1.   Qysh në fillim të aktivitetit tim në këtë KQ, m’u kanë dhënë disa tekste nga Shefqet Jashari, me gjasë të propozuar nga heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla, ndër ato edhe librin e Enver Hoxhës « Imperializmi dhe Revolucioni », të njëjtën libër ia ka dhënë edhe Sabri Novosella, Shefqet A. Dibranit nga Dumnica e Vushtrrisë.

2.   Më 12 mars të vitit 1979 nga KQ m’u ka dhënë detyrë, me gjasë sipas udhëzimeve të Jusuf Gërvallës, që të formoj Komitetin Qëndror të Rinisë së LNÇKVSHJ-së . Një detyrë e tillë nuk i jepet një anëtari të thjeshtë, pos një kuadri  të KQ dhe me përvojë e të besueshëm. Për këtë dëshmon si dokument i gjallë shkrimi im, si pamflet :

RINI SHQIPTARE, RINI REVOLUCIONARE !

 Ky shkrim është redaktuar nga Jusuf Gërvalla dhe publikuar në “Lajmëtari i Lirisë”, në janar të vitit 1981.

3.   Kam udhëtuar dy herë, jashtë atdheut, një herë në Francë. me gjasë me propozimin e heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvallës, dhe një herë në Turqi, me gjasë e pa gjasë, me direktivat e Sabri Novosellës, me pseudonimin « Luan Prishtina » për të kontaktuar me vëllezërit Tefik e Njazi Straja, e me « porosi » të heroit tonë të gjallë, Adem Demaçit. Për këtë udhëtim do të shkruaj në shkrimet e mëtutjeshme për të dëshmuar edhe njëherë se kam kontaktuar, me planifikim dinak, me gjasë e pa gjasë, edhe me Bujar Hoxhën.

4. Dëshminë për formimin e Komitetit Vendor të Lypianit, për të cilin kam shkruar, po e argumentoj me shkrimin e kryetarit të këtij Komiteti, shokut, mikut dhe bashkëveprimtarit tim e të Avdi Kelmendit,  Qemajl Aliut, ku dëshmon : « Bisedat, bashkëveprimi dhe aktivitetet tona u intensifikuan edhe më shumë veçmas pas njohjes me veprimtarin dhe atdhetarin e paepur Ramadan Pllana-Dani, nga Shishtarica e Vushtrrisë, anëtar i KQ të LNÇKVSHJ-së (diku kah fundi i vitit 1978). Nga Dani, Avdiu merr detyrë të themelojë Komitetin e Vendit të LNÇKVSHJ-së për Lipjan, në krye të të cilit do të më caktojë më vonë mua « shkruar  në « albaniapress.com » me titull AVDI KELMENDI ISHTE LOKOMOTIVË E ORGANIZIMIT TË MIRËFILLTË ILEGAL NË KOMUNËN E LIPJANIT

Publikuar më 21 dhjetor, 2010 në orën 23:42 ( )

5. Më 10 korrik të vitit 1979 Jusuf Gërvalla, heroi ynë kombëtar, kishte propozuar, me gjasë e pa gjasë, që ta shkruajmë parullën « Nini rren, Ylli nuk rren », për cilën kam shkruar e dëshmuar  në kujtimet e mia të titulluara si DËSHMI TË KOHËS.

Tani, për kësaj here, më mbetet edhe sqarimi, para  miqve e lexuesve të nderuar, për të vërtetën e këtij shtrembërimi historik që i bënë Xhafer Durmishi, pranimit të Jusuf Gërvallës, heroit tonë kombëtar, në KQ të LNÇKVSHJ-së, kur shkruan se:

« Nga letra e infektuar e Jusufit, rrjedh se Jusufi është pranuar në Komitetin Qendror të LNÇKVSHJ pas 17 korrikut 1981, në të njëjtin moment apo me të njëjtin vendim së bashku me Shpendin, përmes Sabri Novosellës.

    “Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ”.  Kjo do të thotë se me gradë, në Kosovë, Ramadan Pllana ka qenë më i lartë se Jusuf Gërvalla. Por është modestia e tij tepër e madhe që e shtyn mos me i dalë Jusufit përpara, andaj edhe deklaron se është pranuar në KQ në të njëjtën ditë me Jusufin. Shtrohet pyetja: Pse Ramadan Pllana i shtrembëron faktet në mënyrë kaq të tejdukshme për personin kryesor të Organizatës së vetë, përkundër fakteve me shkrim të shkruara nga dora e Jusuf Gërvallës tri ditë para vrasjes?”

Jusuf Gërvalla: “Tash ka dalë sheshit pezmi i madh  i popullit, gatishmëria e madhe për flijime të larta, ideja e luftës për liri është materializuar më shumë se kurrë. Sipas njohurive të mia të pakta teorike, më duket se tash, në vend të reduktimeve e të përkufizimeve, duhet të aplikojmë zgjerimin e furishëm të radhëve, ashtu siç thotë Lenini me një rast, madje në atë mënyrë që rekrutët e rinj të zënë vendin e luftëtarëve të rëndomtë, kurse ushtari i vjetër të zërë vendin e oficerit të ulët. Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit (Xhafer Durmishit-shën im) dhe timen në KQ (Komitetin Qendror-shën im).” (Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982, Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, 1997, faqe 452-454)”….  

Ky pohim i Xhafer Durmishit, se Jusuf Gërvalla, heroi ynë kombëtar, është pranuar në KQ të  LNÇKVSHJ-së  pas  17 korrikut 1981, në të njëjtin moment apo me të njëjtin vendim së bashku me Shpendin, përmes Sabri Novosellës është i pavërtetë, tendencioz dhe nuk i bënë nder heroit tonë kombëtar.

Xhafer Durmishi e shtrembëron të vërtetën me qëllim, kushedi se për çfarë arsyesh e trillimesh, duke u munduar që ta zënë vendin e heroit tonë pas vdekjes së tij. Jusuf Gërvalla, heroi ynë kombëtar, me thjeshtësinë e vet prej një njeriu tolerant e të kulturuar, i thotë këto fjalë me të vetmin qëllim për ta bindur Sabri Novosellën, i cili e sabotonte KQ dhe Lëvizjen duke mos lejuar që të hynin veprimtarë te rinj e energjik në KQ të LNÇKVSHJ-së, sikurse ishte Shpendi (Xhafer Durmishi) i preferuari i Sabri Novosellës. Më tutje në këtë letër Jusuf Gërvalla, heroi ynë kombëtar,në të njëjtën letër, vazhdon «  rinia jonë revolucionare po kërkon radhët e revolucionarëve të organizuar. Ajo do të kapet për radhët e të tjerëve. Më duket se Lëvizja duhet të mblidhet, t’i trajtojë me seriozitetin më të madh disa çështje vitale që dalin nga momenti aktual e që i kanë rrënjët në kushtet e ndryshuara shumë pas demonstratave të pranverës së shkuar. Mendoj se, Lëvizja duhet të përfshihet prej impulsesh të reja… »etj.

 Pra, de jure e de facto, del se të gjitha « Komitetet » që i ka përmendur Sabri Novosella kanë qenë fiktive, të trilluar, për interesa të tij private e klanore dhe se na ka gënjyer rrastë të gjithëve. Megjithatë, KQ i LNÇKVSHJ-së në përbërje të Metush Krasniqit, Jusuf Gërvallës, Shefqet Jasharit, Ramadan Pllanës si dhe të anëtarësisë së gjerë, të cilën e kam përmendur në kujtimet e mija ka bërë punë të sinqertë dhe pa hile. Për Sabri Novosellën do të shtoja edhe këtë pohim të vetë Xhafer Durmishit kur thotë se « Pëveç Sabriut, Jusufi nuk ka njohur asnjë kuadër më të lartë, as personalisht, as përmes ndonjë vepre. Natyrisht se Sabriu i ka folur Jusufit se ekziston Komiteti Qendror, kryetar e gjëra të tjera. (Faridin Tafallari « Terror…Dhimbje…Qëndresë… » faqe 326 ).

Kurse Faridin Tafallari, po në të njëjtën libër, faqe 72, shkruan : «… Çështja e arkës nuk ishte diçka që mund të nxirrte mosmarrëveshje midis nesh ; mosmarrëveshjet filluan te krerët, që nuk pajtoheshin për disa çështje të rëndësishme. Kështu Sabri Novosella fliste sikur të ekzistonte diku një Komitet qendror, i cili as nuk na udhëzonte, as nuk na mësonte. Kurse në të vërtetë pas këtij komiteti fiktiv, fshihej vet Sabriu. »

Të dashur miq e lexues të nderuar, unë nuk kam pasë ndërmend, as në ëndërr, që të polemizoj me Xhafer Durmishin, po ky pasi që më provokoi , më trajtoi e më injoroi në mënyrë nihiliste, e siç thotë populli «  ra një kashtë e i nxori gjashtë », unë do të vazhdoi që të shkruaj edhe për të gjitha, çka di e çka nuk di do t’i nxjerr nga libri i atdhetarit të paepur « « Terror…Dhimbje…Qëndresë… » e cila më mjafton për t’i ndriçuar të gjitha ngjarjet e errëta në lidhje më veprimtarinë e LNÇKVSHJ-së dhe të LRSHJ-së.

Zvicër, më 10 shkurt 2011