DEPUTETI
Njëri nga çelësat e rëndësishëm për funksionim të demokracisë, posaçërisht asaj parlamentare është “madhësia e tij”, deputeti. Deputeti është i zgjedhuri i popullit që vë në funksionim Parlamentin, prodhon ligje, harton vendime, zgjedh organe ekzekutive, emëron gjykatës dhe shumë procese tjera që vë në funksion demokracinë, lirinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Natyrisht e kuptoni se flas për teori, kështu duhet të jetë. Por si është?
Çdo gjë fillon me ditën kur një i njohuri i mëhallës, duke mos e ditur se është militant i partisë bëhet kandidat i listës zgjedhore, dhe menjëherë tërheq vëmendjen se si nuk e paskemi njohur, nuk i kemi ditë kualitetet e tij dhe mbi të gjitha nderin dhe guximin për të na përfaqësuar. Fillimisht turpshëm del, viziton kafenetë dhe vendet frekuente, të duket, shihet dhe të komunikojë. Fushata zgjedhore i mundëson të premtojë çka ti teket, por mbi të gjitha të drejtat shqiptare, dhe me kujdes të lexojë tekstet e partisë, se rrezik është nëse tekstet i bën vetë, mundë të devijojë. Të drejtat e shqiptarëve bëhen alibi i pashtershëm i deputetit edhe atëherë kur ai vetë nuk beson se çka flet. Se pa këtë sintagmë nuk mundë të hyjë në politikë. Në momente të caktuara të fushatës zbulon adutet e veta të mëdha, e ata janë sharje të pandërprera të taborit të kundërt dhe akuza të pandërprera për paraardhësit. Sa më shumë të ofendojë, është aq më afër Parlamentit. Sharjet dhe ofendimet janë më efikase kur zgjerohen edhe në rrethin e kundërshtarit, se rrethi i keq prodhon edhe individë të këqij. Dhe një të diel ndodhin ato, zgjedhjet. Deputeti atë ditë është i qetë, i buzëqeshur, sharmon rrethin dhe familjen, del me familjen para kamerave dhe premton fitore, dhe ardhmëri më tjetër se kjo e zymta. Punët tjera të dielën i kryen partia, aktivizon ata që nuk janë të politikës, por e njohin terrenin, ndër punët më të rëndësishme, gjithsesi janë mbushja e kutive me kallashë ose pa ta, thyerja e kutive aty ku duhet dhe sublimja, numërimi i votave dhe hartimi i procesverbaleve.
Daullet, lodrat, zurlet dhe buritë e veturave janë përcjellësit besnikë të mbrëmjes kur festohet fitorja, eufori e paparë, ekstazë dhe ulërima të pakontrolluara, kështu mbushen sheshet në shenjë të fitores dhe mposhtjes së tjetrit, kundërshtarit. Nata pa gjumë është fillimi i karrierës së deputetit. Punët e rëndësishme bëhen natën, dhe ajo natë shpreh të gjitha lëvizjet e funksionarëve të partisë, deputetit por edhe admiruesve të partisë. Nata është festive, diku me fjalime të deputetit dhe liderit, por në një kohë më të avancuar të natës nisin telefonatat, ata që do të jenë instruktori kryesor i punës së deputetit, telefoni do të jetë përçuesi i ideve politike prej burimit deri te deputeti. Pra prej atij momenti deputeti e humbë lirinë e të menduarit, se tjetër kush mendon për te, por jo populli. Esullimi fillon me një karrierë të re, deputet.
Pavarësia, iniciativat dhe konceptimi i lirisë dhe drejtësisë duhet të jenë puna kryesore e deputetit, mirëpo në këtë faze të funksionimit, del para partia, se ajo e bëri deputet dhe ajo dikton, urdhëron, cakton dhe definon “Po”-në dhe “Jo”-në e deputetit. Tani fillon deputeti të shndërrohet në numër. Numri bëhet fataliteti politikës, cakton mazhorancën dhe minorancën(opozitën). Kështu fillon emri, mbiemri, autoriteti, dija të transferohen në numra, pra sa vota. Çfarë kahe u dha zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri vetëm një votë, një emër, një numër, Dritan Prifti, deputet i LSI -së. Me një telefonatë publike dhe kyçje të drejtpërdrejtë në emisionin zgjedhor televiziv, në mbrëmjen e numërimit të votave, përcaktoi fituesin e zgjedhjeve, zbuloi vjedhësit e votave dhe caktoi koalicionin e ardhshëm qeveritar, pra e detyroi LSI-në e Ilir Metës të bëjë koalicion joparimor, të interesit, u bashkuan e majta me të djathtën, si çudi shumë e rrallë në jetën politike. Në këso rastesh paraqitet interesi ai që i cakton këto lëvizje, dhe zakonisht popullit ky interes i prezantohet si interes shtetëror dhe i arsyeshëm. Por ky interes është i afatizuar, dhe ka dimensione tjera dhe nuk zgjatë shumë. Ardhmëria e vet z. Prifti dhe koalicionit PD, LSI do të jetë e shkurtër dhe traumatike. Prej kësaj kohe interesi i deputetit duhet për popullin të kuptohet si interes tij, pra i popullit. Deputeti në këso rastesh, e ato janë të shpeshta në jetën politike, si numër prezanton partinë ose më ngushtë se ajo, dhe assesi popullin ose elektoratin, ata që e votuan, dhe ia ndërruan jetën. Pas takimit të liderëve në Maqedoni, që u bë trend i paevitueshëm në politikën aktuale, shpeshherë mendohem se pse nevojiten deputetët, dhe si do të votojnë nëse eventualisht liderët merren vesh. Sërish liderët i transformojnë deputetët në numra, edhe atë susta të gjelbra për “Po” dhe të kuqe për “Jo”. Fuqia magjike e liderëve suprimon çdo gjë që është demokratike, e kjo lindë si nevojë e kësaj faze të privatizimit në shtetet në tranzicion. Privatizohen vlerat, patundëshmërit dhe si rrjedhojë logjike edhe partitë politike. Kush mundet sot ta kundërshtojë në ide, veprim, ose vendim politikë Gruevskin, Ahmetin, Cërvenkovskin, Thaçin dhe tjerët. Mirëpo, ky sindrom në vete ngërthen edhe zhdukjen e vetes, se privatësia kur ritet në sasi, bëhet e pakontrollueshme, shoqërizohet vetvetiu, se aftësitë e personit janë të kufizuara për një kontroll aq të madh, pra e zhbën vetveten, e shkatërron idenë, të qenurit pronar. Kështu Neroni e dogji Romën për të shkruar një poezi, Stalini vrau një mori njerëzish për ta ruajtur socializmin, Hitleri zhduku një botë të tërë për ta ruajtur racën etj. Dhe në fund ata ide u zhdukën si socializmi, dhe ngeli kujtesa e liderëve kriminel..
