Demokracia e Re kërkon na BDI-ja e Ali Ahmetit që të pranojë kërkesat e këtij subjekti politik për regjistrimin e popullatës në Maqedoni.
“I apelojmë BDI-së që të reflektojë pozitivisht ndaj kërkesave të DR-së sepse këto kërkesa janë mbipartiake dhe nuk kanë qëllime të politikës ditore, janë kërkesa që burojnë nga vet qytetarët shqiptarë në vend dhe nga diaspora shqiptare, janë kërkesa të cilat garantojnë realitetin e regjistrimit të popullatës”, deklaroi zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha. Ai tha se, subjekti të cilit i takon ai kërkon shtyerjen e tajmingut të regjistrimit.
“Në rast se BDI-ja nuk e kupton esencën e kërkesave tona, atëherë në mënyrë pak më ilustrative do t’ia përshkruajmë vetëm aspektin e nevojës për shtyrje të tajmingut të regjistrimit: në muajin prill, ashtu siç propozon BDI-ja, rreth 30% e shtëpive në rajonin e Strugës janë të mbyllura për shkak se qytetarët shqiptarë përkohësisht punojnë jashtë vendit për të siguruar ekzistencën e familjeve të tyre, rreth 50% e shqiptarëve të rajonit të Pollogut poashtu përkohësisht qëndrojnë jashtë me të njëjtin qëllim, ndërsa po këtë fat e ndajnë edhe rreth 2/3 e popullatës të rajonit të Prespës dhe Manastirit, por edhe të Shkupit dhe Kumanovës”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, në qoftëse këto kërkesa të Demokracisë së Re nuk pranohen, atëherë do të detyrohen të zgjedhin rrugë tjera për të vetëdijesuar BDI-në dhe për t’i treguar se shumica e qytetarëve mendojnë ndryshe.
“Rrugë tjetër është rruga e demonstrimit të pakënaqësisë dhe shqetësimit të shqiptarëve përmes protestave popullore që t’i tregojmë BDI-së se situata është pak më serioze nga ajo që ata e mendojnë duke ndejtur në kolltukët e tyre në Parlament dhe në Qeveri”, shtoi Hoxha. (INA)