Demiri: Masa ndaj Kosovës, goditje nënçmuese e Gruevskit ndaj BDI-së
Raportet ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së kanë qenë të tendosura dhe do të rëndohen më tej pas situatës së krijuar pas masave të ndërmarrë ndaj Kosovës, ka vlerësuar analisti politik, Alajdin Demiri.”Kjo për arsye se BDI do të ndjehet e goditur dhe e përçmuar nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski. Pas kësaj, gjithsesi partnerët e koalicionit do të jenë gjithnjë e më agresivë, dhe kjo do të reflektohet në marrëdhënie të tendosura”, ka thënë Demiri, për “Zhurnal”.
Ai mendon se qëllimi i kryeministrit Nikolla Gruevski është që të ardhmen e afërt të shpallë edhe zgjedhje të parakohshme, me pretekst se marrëdhëniet ndërmjet partnerëve qeveritarë nuk po funksionojnë.
“Opozita maqedonase nuk mendoj se do ta shfrytëzojë këtë situatë kundër VRMO-së, sepse subjekt janë shqiptarët dhe Kosova. Ndërsa, opozita shqiptare duhet që të aktivizohet dhe mos ta lë të qetë as VMRO-në as BDI-në”, ka thënë Demiri.
Sipas Demirit, kjo situatë është krijuar për shkak se ka një qasje më shumë emocionale të përjetimit të shtetësisë së Kosovës nga ana e maqedonasve.
“Kjo tregon se Maqedonia nuk mund të ndërtojë raporte të fqinjësisë së mirë me shqiptarët. Prandaj ajo po luan me këto marrëzi të tipi të taksave ndaj qytetarëve, veturave e mallrave. Ndërsa, reciprociteti i Kosovës ishte normal, sepse duhej përgjigje me masa adekuate ndaj një fqinji i cili nuk sillet në mënyrë adekuate”.
Sipas Demirit, në këtë rast emocionaliteti i maqedonasve mbizotëroi racion politike duke e vënë Maqedoninë një një pozitë jashtëzakonisht të rëndë ndërkombëtare, ndërkohë që pozita e shqiptarëve është duke u avancuar vazhdimisht. Demiri ka theksuar se gjithsesi faza që do të pasojë do të jetë e rëndë për Kosovën, por më shumë për Maqedoninë. Sipas tij,ndaj kësaj situate duhet të reagojë edhe Shqipëria