DASH: Në Maqedoni po tensionohen raportet ndëretnike dhe ndërfetare
Departamenti i Shtetit sot i publikoi Raportet për vitin 2009 të vendeve rreth praktikimin e drejtave të njeriut. Raporti i vitit 2009 për Maqedoninë tregon përmirësim të sjelljes gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2008.
Raporti thekson përparimin e bërë në lidhje me dhënien e lejës dhe ofrimin e masave të nevojshme të sigurisë për organizimin e një marshi nëpër qendrën e qytetit në nëntor, e organizuar nga një organizatë joqeveritare me qëllim promovimin e tolerancës ndaj LGBT me moton ”dashuria është dashuri.”Poashtu në nëntor është i nënvizuar adaptimi i Planit Nacional për Integrim të Refugjatëve dhe të Huajve që fokusohet në strehim, arsimim, shëndetësi, mbrojtje sociale, punësim dhe zhvillim të komunitetit. Raporti poashtu cek përpjekjet efektive të qeverisë dhe organizatave joqeveritare për të luftuar trafikimin e njerëzve dhe ofrimin e mbrojtjes dhe asistencës për viktimat.
Raporti tërheq vëmendjen për sfidat e vazhdueshme në lëmi të ndryshme gjatë vitit 2009, duke përfshirë implementimin jo të plotë të reformave në gjyqësi, tensionet ndëretnike dhe ndërfetare, mospërmirësimi i kushteve në burgje si dhe mungesa e një ligji gjithpërfshirës kundër diskriminimit.
Raporti poashtu nënvizon mungesën e mbrojtjes adekuate për protestuesit të cilët në muajin mars e ngritën zërin kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e Kishës Orthodokse në qendrën e qytetit të Shkupit, e cila rezultoi në dhunë dhe efektivisht e pamundësoi mbarëvajtjen e protestës.
Raporti është një element thelbësor në përpjekjet e SHBA-ve për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë botën dhe ka për qëllim avancimin e përpjekjeve në të gjithë botën në ndalimin e abuzimeve, ndhihmë për vendet në forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë si dhe të nxjerrjes në pah të shteteve të cilat nuk i kanë arritur standardet ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. Të gjitha Raportet vendore për vitin 2009 përfshinë raportim të zgjeruar lidhur me kushtet nëpër burgje si dhe një raportim më të zgjëruar lidhur me diskriminimin ndaj lezbikeve, homoseksualve, biseksualve dhe personave transeksual (LGBT).
Dallimet rreth mbështetjes së qeverisë për ndërtimin e kishës ortodokse në sheshin e Shkupit i shtoi tendosjet ndëretnike dhe inicioi çështjen e përfshirjes të qeverisë në punët fetare. Tensionet midis maqedonasve dhe shqiptarëve po vazhdojnë të reflektohen në fushat sikurse janë arsimi, punësimi dhe participimi politik. Kjo konstatohet në përfundim të raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për respektimin e të drejtave të njeriut në vitin 2009.
Dje vonë pasdite sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton i shpalli konstatimet e amerikanëve për të drejtat e njeriut në 194 vendet e botës. Në pjesën për Maqedoninë, përmendet edhe protesta e ndërprerë kundër ndërtimit të kishës. Theksohet se demonstruesit që protestuan kundër, u përplasën me grupin që ishte për, kurse mungesa e mbrojtjes efektive nga ana e policisë e shtoi brengosjen për lirinë e bashkimit.
Janë tendosur marrëdhëniet midis shumicës maqedonase dhe pakicës etnike shqiptare konstaton departamenti amerikan i shtetit duke vënë në dukje ndër të tjera edhe tensionet në arsim.
“Më 16 gusht ndodhën përplasje të dhunshme midis grupit të tifozëve të futbollit, maqedonas etnik dhe të shqiptarëve etnik të lagjes që pasoi pas ndeshjes futbollistike në Shkup. Policia lokale ishte kritikuar se nuk intervenoi shpejt ndaj incidentit, por si do qoftë MPB-ja filloi hetimin dhe i mori në pyetje tetë persona të përfshirë në incident”, thuhet në raport.
Ndërkaq në pjesën e lirisë së shprehurit dhe të mediumeve në raport thuhet se ekzistojnë raporte se qeveria dhe biznesmenët në mënyrë indirekte ushtrojnë presion ndaj mediumeve dhe se gazetarët po praktikojnë vetëcensurë. Përmendet edhe se procesi gjyqësor kundër pjesëtarëve të MPB-së të cilët në vitin 2007 e sulmuan kameramanin e televizionit Alsat-M, përfundoi me një polic të liruar dhe dy të dënuar.
Reformat gjyqësore janë anuluar, kurse presioni politik dhe frikësimi po e pengojnë efikasitetin e gjyqësorit. Burgjet janë të mbushur përplot, kushtet në to janë të këqija, ndërsa midis nëpunësve të burgjeve është i përhapur korrupsioni, konstatohet në raport. Lidhur me fqinjin jugor, Greqinë, përmendet edhe pakica maqedonase.
“Qeveria nuk e njeh ekzistimin e dialektit sllav i quajtur maqedonas nga ana e atyre që e flasin në pjesën veriperëndimore të vendi”, theksohet në raportin e departamentit të shtetit, duke e regjistruar edhe incidentin gjatë promovimit të Fjalorit maqedonas-grek në Athinë që u ndërpre me dhunë nga anëtarët e grupit ultra-nacionalist, “Agu i artë”.