Luan Shahollari rrëfen vizitat Franz Josef Shtraus: Ai ishte dhe mbetet një mik i madh i shqiptarëve, por ishte njëkohësisht dhe i pari politikan i lartë evropian që në vitet e komunizmit vizitoi Shqipërinë 

Leonard Veizi

-Brenda territorit shqiptar, kryeministri i landit gjerman të Bavarisë do të hynte nga pika kufitare e Hanit të Hotit, në një vizitë që u cilësua private. Ndërsa herën e dytë ai do të zbriste në aeroportin gjysmë civil e gjysmë ushtarak të Rinasit me një çarter personal, të cilën e pilotonte vetë. Në çantën diplomatike kishte disa projekte shumë të vlefshme, ndërsa në kokë kishte ndërtuar të gjithë skemën e bisedimeve diplomatike me krerët komunist të shtetit të vogël…

… Edhe pse i cilësuar si një diplomat, i cili kishte zgjidhur shumë çështje, kryeministri pozanti i Bavarisë, Franz Josef Shtrauss, nuk do të ishte tërësisht i suksesshëm në Shqipëri edhe pse projektet në çantën e tij diplomatike tregonin se nga bankat e Bonit, do të vërshonte sasia e mjaftueshme e dojçmarkave me të cilat do të realizohej një volum punësh i paparë në Shqipëri. Luan Shahollari, një ekspert me përvojë të madhe në fushën e ekonomisë, i cili për një kohë ka përfaqësuar qeverinë shqiptare për marrëdhëniet e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me palën gjermane, rrëfen tre vizitat e kryeministrit Bavarez, i cili gjithsesi mbërriti në Shqipëri, pikërisht në atë kohë kur nuk kish mundësi të kalonte kufirin asnjë person me pasaportën e një vendi i cili nuk kishte marrëdhënie diplomatike me vendin komunist:

Vendosja e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani Perëndimore, kujt duhet t’ia dedikojmë?

Kam qenë për një vizite punë 15 ditore në RF të Gjermanisë në dhjetor te vitit 1989 me cilësinë e zv/ministrit të ekonomisë. Në takimet e zhvilluara, sidomos ne Mynih, në qendrën e Bavarisë, ndjehej jehona e vizitave që Shtrausi kishte bërë në Shqipëri. Një gjë e tillë na krijoi të gjitha kushtet për të biseduar në mënyrë të hapur dhe me interes të ndërsjellë. Madje në atë kohë sapo kishte rënë edhe Muri i Berlinit. Pas kësaj, në Evropën Lindore e Qendrore dhe më vonë edhe tek ne ndodhen ngjarjet që përmbysen sistemet komuniste dhe që sollën regjimet demokratike. Në cilësinë e zv/ministrit të ekonomisë, unë kam përfaqësuar qeverinë shqiptare për marrëdhëniet e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me palën gjermane në vitet 2003-2005.

Sa herë do ta vizitonte Shtrausi Shqipërinë?

Politikani i lartë gjerman, kryeministri i Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus e vizitoi Shqipërinë tre herë në harkun e viteve 1984-1987. Vizitën e parë e bëri më në gusht 1984, të dytën në maj 1986. Herën e parë erdhi në rrugë tokësore me një tip xhipi nga Hani i Hotit, herën e dytë me një avion të vogël që e drejtonte vetë. Në të dy rastet vizita ishte jo-zyrtare.

Po vizita e tij zyrtare kur do të vinte?

Në nëntor 1987 ai erdhi për të takuar ish Presidentin Ramiz Alia dhe për ta uruar zyrtarisht për marrëdhëniet diplomatike, të cilat ishin vendosur më 2 tetor. Këto vizita, meqenëse nuk ishin zyrtare, u pasqyruan shumë pak në shtypin dhe median shqiptare. Në të kundërtën, media gjermane, nën kujdesin e vetë Shtrausit, i bënë një ‘marketing’ të mirë këtyre vizitave, sidomos të dytës. Për shkak se përmbajtja e bisedave nuk u bë publike në kohë, u mbuluan nga një lloj misteri, i cili vazhdon ende, duke i quajtur vizitat e tij si “një shans i humbur!”

Cilat ishin vlerësimet politike ndaj vizitave të tij? 

Vizitat e z.Shtraus, në formë turistike, nuk iu shmangën vlerësimeve politike. Maksi, njëri prej dy djemve të tij, është shprehur se udhëtimi në Shqipëri ishte një vendim që familja e tij e mori, sepse u voliste nga ana logjistike në itinerarin e pushimeve të verës 1984. Këtë e ka konfirmuar vetë Shtrausi në një intervistë dhënë Deutsche Welle më 1987, të gjetur para disa kohësh kohësh në arkiv. Ai thotë se ishte nisur si turist për të kaluar në Shqipëri, kur e pa veten të përfshirë në bisedime politike. Vizita të kësaj natyre turistiko-politike Shtrausi kishte bërë më parë edhe në vende të tjera ish-komuniste si në R.D. Gjermane, Çekosllovaki, Hungari, BS, madje edhe në Kinë, ku ishte pritur në nivelet më të larta shtetërore. Kështu vepruan edhe autoritetet shtetërore shqiptare: në takimin e parë atë e priti zv/kryeministri (i parë) Manush Myftiu, kurse në rastin e dytë, kryeministri Adil Çarçani. Sipas komentit të gazetarit Deutsche Welle, Shtrausi është treguar pragmatik në marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai është i ftohtë ndaj ideologjisë sunduese. Këto vizita, ndonëse jo-zyrtare, ndihmuan në njohjen më të mirë të vendit tonë në R.F. Gjermane dhe shpejtimin e hapave për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ju përmendët se vizitat e tij u përshkruan si një “shans i humbur” për Shqipërinë. Ai ishte vërtet i tillë?

Nga sa më lart nuk duket ndonjë “humbje shansi” në fjalët e Shtrausit. Përkundrazi ai tregon përparësinë e të qenit prej orës së parë të pranishëm në Shqipëri. Megjithatë kapitali privat gjerman, si para një çerek shekulli- në sistemin e ekonomisë të centralizuar dhe tani në ekonominë e tregut është treguar i matur për të investuar në sektorët e mësipërm përmes procesit të privatizimit të pronës shtetërore apo objekteve të reja. Shkaqet lidhen me mekanizmin kërkesë-ofertë, me çmimet e larta të mallrave gjermane si dhe me mangësitë tona në krijimin e lehtësive për të tërhequr kapitalin e huaj.

Ndërkohë vizitat e Shtrausit në Shqipëri ishin informate…?

Marrëdhëniet midis shteteve bëhen më të qëndrueshme kur mbështeten mbi baza institucionale. Ndonëse bisedat ishin jo-zyrtare u vunë re përpjekjet e Shtrausit për t’i vendosur marrëdhëniet midis dy vendeve mbi shina institucionale që sigurojnë perspektiva afatgjata. Ai sugjeroi zgjidhjen e shpejtë të çështjes të reparacioneve të luftës, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit teknik e financiar. Për këtë ai mori edhe angazhime personale për të ndikuar tek ministrat e tij në qeverinë federale. Nuk është e rastit që në vizitën e tretë ai vjen për të uruar presidentin shqiptar për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike (tetor 1987), që përbën një bazë të fortë ku mbështeten të gjitha marrëdhëniet e tjera bilaterale, përfshirë edhe ato ekonomike dhe financiare. Kjo është arsyeja që këto marrëdhënie u zhvilluan me ritme të shpejta edhe pas vdekjes së tij, duke u konkretizuar në marrëveshjen e bashkëpunimit teknik dhe financiar midis dy vendeve të nënshkruar një vit më vonë. Kjo tregon gjithashtu se vizitat e Shtrausit nuk ishin një shans i humbur por një hap në drejtimin e duhur për shpejtimin e lidhjes të marrëveshjeve dhe forcimin e bashkëpunimit me Gjermaninë e bashkuar pas vitit 1990, i cili ka ardhur duke u intensifikuar në shkallën më të lartë në vitet në vijim.

Sa i efektshëm ishte pushteti i Shtrausit në Gjermaninë Perëndimore?

Ndonëse një politikan me ndikim të veçantë, Shtrausi nuk ishte “violina e parë” në RF të Gjermanisë. Frenat e pushtetit real ishin në duart e kancelarit H.Kohl-kryetar i Unionit Kristian Demokratik (CDU). Për rrjedhojë edhe ndikimi i tij në zhvillimet midis dy vendeve mund të vlerësohet si ndihmës, jo vendimor.

Vlerësimi për ekonominë 

“Në Shqipëri jemi të pranishëm prej orës së parë”

Shtrausi paraqitet realist në vlerësimin e potencialeve ekonomike të Shqipërisë. Komentit të gazetarit të Deutsche Welle-s, se Shqipëria vazhdon të kundërshtojë bashkëpunimin me dy fuqitë e mëdha, me SHBA dhe me BS dhe se nga pikëpamja pragmatike gjermane duhej të përshëndetej ky akt, z. Shtraus i përgjigjet se “…kaq i madh nuk është biznesi me Shqipërinë, sa të gëzohesh që ata nuk kanë marrëdhënie me SHBA e BS”. Por, nga ana tjetër ai nuk i nënvleftëson ato; në të kundërtën i vlerëson realisht mundësitë ekonomike që ofron Shqipëria kur shprehet: “Tregu është natyrisht i vogël. Tani kemi të bëjmë vetëm me tre milionë vetë. Megjithatë, para 40 vjetëve ka pasur vetëm 1 milion njerëz. Nuk ka pse të presim këtu tregun e madh, me përfundim marrëveshjesh të mëdha. Por ne jemi që prej orës së parë të pranishëm. Shqipëria ka rezerva të konsiderueshme lëndësh të para, që për ne janë të domosdoshme, si për shembull krom. Shqipëria nga ana tjetër ka nevojë për mallra industrialë, ka nevojë për modernizimin e bujqësisë, për modernizimin e transportit. Ka nevojë edhe konsulencë teknike për shfrytëzimin e lëndëve të para. Edhe nëse tregu është i vogël – që të thuash se ne qëndrojmë të rezervuar për madhësi të vogla, se nuk preokupohemi për to – kjo do të ishte mënyrë e gabuar të menduari”.

Reparacionet e luftës, ngërçi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë

Por ku zhvillohej debati i zyrtarëve shqiptarë me përfaqësuesit e Gjermanisë Perëndimore? Rreth kësaj teme Luan Shahollari thotë: “Reparacionet e Luftës II Botërore, ky ishte ngërçi i marrëdhënieve diplomatike. Sipas qeverisë shqiptare, RF Gjermane duhej të paguante reparacione për dëmet e shkaktuara në vendin tonë gjatë pushtimit nazist, kurse sipas qeverisë gjermane kjo çështje ishte mbyllur me Marrëveshjen e Londrës mbi Borxhet e Jashtme të Gjermanisë të nënshkruar më 27 shkurt 1953 e cila rregullonte detyrimet për reparacionet ndaj 33 vendeve, por vendet e ish-Bllokut komunist u përjashtuan nga vlerësimi. Pala shqiptare e mbështeste kërkesën për analogji me Italinë, e cila, ndonëse në mënyrë simbolike, i njihte dëmet e shkaktuara në luftë. Sipas Traktatit të Paqes, të nënshkruar në Paris më 10 shkurt 1947, Shqipëria përfitoi 5 milionë USD reparacione nga Italia. Kurse pala gjermane nuk pranonte të paguante në parim reparacione. Po kështu, kërkesa për reparacionet bazohej edhe mbi informacionet jo të sakta për praktikat ligjore të përdorura në rastin e Polonisë apo Jugosllavisë. Për më tepër, qeveria shqiptare ngulmoi në kërkesa të përsëritura, (ndoshta dhe të fryra -miliarda marka) të cilat e shtynë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Shtrausi, me mendimet e tij hapura, sidomos në rastin e vizitës të dytë, ndikoi që qeveria shqiptare ta shikonte me një sy më realist këtë çështje”.

– See more at: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=17676&kat=103#sthash.FDNA4cxb.dpuf