Deklaratat e përfaqësuesit të lartë dhe aparatçikut të PDSH-së dhënë në emisionit “Rruga drejt…” në ALSAT M më 11 shkurt të këtij viti dhe përpjekjet për të arsyetuar pjesëmarrjen aktive të PDSH-së në vendimet antishqiptare “të pyllëzimit” të territoreve shqiptare me kisha ortodokse sllavo-maqedonase, nuk janë vetëm deklarata të  z. Iljaz Halimi, por nxjerrin në shesh politikën antishqiptare që zihet në Kuzhinën Dora (Selia Zyrtare) të PDSH-së. Siç thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare “Çka ka shpija kallëzon fëmija!”.

Duke dëgjuar deklaratat e z. Iljaz Halimit teleshikuesit e vendbanimeve tjera shqiptare mund të kenë krijuar përshtypjen se PDSH-së nuk i intereson se çka ndodh jashtë Tetovës.

U garantojmë këtyre teleshikuesve se tetovarët e dinë se partisë private PDSH nuk i intereson asgjë tjetër pos  pronave të saja private. E ky interes i kalon caqet e qytetit të Tetovës. I kalon edhe caqet e Maqedonisë si shtet! Nuk është vendi për detaje!

Përpjekjet e fshehjes së gjurmëve mund të çojnë Patronin e kësaj partie të përjashtojë z. Iljaz Halimin pse i nxori të palarat e shtëpisë në çarshi!  Kështu nuk lahen mëkatet e mëdha të kësaj partie në degradimin e Çështjes shqiptare në Maqedoni!

Vetëm largimi i Patronit të kësaj partie dhe klikës mafioze që e rrethon mund të lirojë anëtarësinë e kësaj partie që të frymojë shqip!

Bashkimi Demokratik Shqiptar
12 shkurt 2010
Tetovë