image
Martinovski është munduar t’ua mbyllë gojën gazetarëve në momentin kur kanë parashtruar pyetjet lidhur me Kosovën, të cilat i ka vlerësuar si “provokim politik”
Afrim TANALLARI
 Konferenca e përbashkët e zv/kryeministrit maqedonas Vlladimir Peshevski dhe kolegut të tij serb, Mllagjan Dinkiq është vënë nën hije pas gafës së zëdhënësit të kryeministrit, Martin Martinovski. Ai është munduar t’ua mbyllë gojën gazetarëve në momentin kur kanë parashtruar pyetjet lidhur me Kosovën.
Martinovski për një moment ka marrë rolin e censorit, duke pamundësuar Peshevskin dhe Dinkiq të përgjigjen në pyetjen nëse Serbia bën presion ndaj Maqedonisë për të tërhequr vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Tentimi i tij ka dështuar dhe pas një konsultimi të shkurtër, Peshevski dhe Dinkiq kanë dhënë përgjigje diplomatike.
“Në takimin tonë biseduam për tema ekonomike dhe nuk biseduam për çështjen e Kosovës”, deklaroi Mlladen Dinkiq, zëvendës kryeministër në Qeverinë e Serbisë.
“Unë mundem vetëm ta konfirmoj atë që e tha kolegu im Dinkiq, se kemi biseduar vetëm për tema ekonomike”, shtoi Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë.
Por, Martinovksi nuk është ndalur vetëm në tentimin për të cenusuruar pyetjen për Kosovën. Pas përfundimit të pres konferencës, këtë pyetje të parashtruar Martinovski madje e ka vlerësuar si provokim politik.
Zëdhënësi shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë Shefik Duraku është distancuar nga sjellja e këtillë e kolegut të tij Martionvski, duke e vlerësuar si sjellje jokorrekte ndaj gazetarëve. “Kjo sjellje ndaj gazetarëve nuk është korrekte, sepse janë ministrat ata që duhet të vlerësojnë nëse duhet të përgjigjen në ndonjë pyetje, ose jo”, deklaroi Duraku.