Kreu i qeverisë shqiptare, i pari për numrin e postimeve në Facebook.

Viti 2020 ishte viti që do mbahet mend gjatë në histori si viti që izoloi mbarë globin për shkak të pandemisë së Covid-19, por edhe si një ngjarje epokale sa i përket botës digjitale, me platformat interaktive online të cilat rezultuan të ishin e vetmja ndërlidhje dhe mënyrë komunikimi në pamundësi të kontaktit fizik të kufizuar sidomos nga periudha e karantinës. Takimet, mbledhjet, ndërveprimet përmes mjeteve digjitale rrëzuan për herë të parë këtë vit edhe mitin e zyrës, ndërsa rrjetet sociale njohën rritjen më të madhe të numrit të përdoruesve në kohë reale madje u panë si dobia më e madhe që prej krijimit të tyre.

Por si përkthehet për politikanët marrëdhënia dhe komunikimi publik përmes aplikacioneve digjitale në një vit të vështirë si ky që lamë pas, ku janë zhvilluar për herë të parë edhe fushata zgjedhore online, duke zbehur konceptin e takimeve fizike publike.

Sipas studimit më të fundit të të dhënave të popullaritetit dhe interaktivitetit në “Facebook”, të “Terradata”, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është politikani i katërt më i ndjekur në Evropë për vitin 2020, me 1.3 milion ndjekës, duke lënë pas liderë vendesh të fuqishme si Kryeministrin e Austrisë Sebastian Kurtz, Kryeministren e Norvegjisë Erna Solberg, apo dhe liderët e vendeve fqinje si Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, si dhe atë të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ndërkohë i pari sa i përket numrit të ndjekësve qëndron Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, i ndjekur nga Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte dhe pas tij në vend të tretë Kryministri anglez Boris Johnson.

Nga të dhënat e analizuara nga “Terradata”, kryeministri shqiptar, Edi Rama renditet i gjashti në Evropë për sa i përket numrit të reagimeve të ndjekësve, me 5.6 milion like, apo emocion, përgjatë vitit që lamë pas. Ndërsa një tjetër e dhënë mjaft interesante, ajo e postimeve në “Facebook” e rendit kreun e qeverisë shqiptare në vend të parë ndër liderët europianë me 812 post në vitin 2020. Për Shqipërinë ky vit që u mbyll, përveç pandemisë ishte dhe viti i rimëkëmbjes pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019, cka i atribuohet edhe një numri mjaft të lartë postimesh në Facebook-un e Kryeministrit Rama në kantieret e rindërtimit.

Sipas të dhënave profesionale analitike të Terradata totali i komenteve në faqen e Kryeministrit të Shqipërisë është 524.9K, ndërsa shpërndarjet e informacioneve të kreut të qeverisë në rrjetin Facebook për vitin 2020 arritën në 216.2K.

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në rrjetet sociale ka dhënë lajmin e mirë se procesi anti Covid në Shqipëri do të nisë në janar në Shqipëri dhe se vaksina është siguruar nga kompania “Pfizer”, por njëherësh ka shprehur zhgënjim ndaj Bashkimit Europian për diferencimin që i bëri Ballkanit, duke nënkuptuar dhe Shqipërinë.

Por pavarësisht këtyre, kryeministri thekson se Shqipëria ia doli dhe kjo falë diplomacisë që arritën.

Kryeministri Rama në Twitter:

“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar!

I papranueshëm moralisht, politikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!”

Rruga e Arbrit është një nga projektet më të rëndësishme publike që po realizohet aktualisht në Shqipëri. Projekti pritet të përfundohet vitin e ardhshëm, pavarësisht se nga 70 km gjatësi dhe 6 tunele për t’u ndërtuar, deri tani janë realizuar 54 km dhe 5 tunele.

Tunelet përbëjnë në total 10 km gjatësi të rrugës e cila kalon në një terren malor. Përfundimi i projektit parashikohet të kryhet vitin e ardhshëm. Tri ditë më parë është inauguruar ura e Vashës, e cila është më e larta në Ballkan. Bëhet fjalë për 152 metra lartësi, e cila tashmë është thuajse e përfunduar.

“Kemi marrë premtimin se do të mbyllet para afatit. 152 metra lartësi, ura më e lartë në Ballkan, por pritet që të realizohet një tjetër urë me lartësi 157 m, po pjesë e Rrugës së Arbrit”, shprehet ministrja e Transportit, Belinda Balluku.

Ndërkohë që janë hapur edhe 5 nga 6 tunelet dhe po punohet në tunelin kryesor të Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike do të ecet paralelisht me një by-pass panoramik për të mos shtyrë afatin e hapjes së rrugës vitin e ardhshëm

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku ditën e sotme kanë inspektuar një pjesë tjetër të punimeve në “By Passin” e Vlorës.

Sipas kryeministrit Edi Rama punimet në këtë rrugë po vijojnë me ritme të larta.

Ndërkohë Rama ka njoftuar se së shpejti do të rinisë aty ku u ndërpre nga Covid, gara e aeroportit të Vlorës (mbeten 12 ditë nga 60 për ofertuesit ndërkombëtarë) dhe më tej nisim Lungomaren 3 drejt Radhimës, aksin e ri Orikum-Dukat si edhe procesin për tunelin e Llogarasë – një kompleks kantieresh të reja që e çojnë në nivel Europian infrastrukturën kryesore të Vlorës dhe krejt zonës turistike të bregdetit Jonian.

“Në ByPassin Vlorë punimet po ecin me ritme të larta. Në kilometrin e parë ka nisur asfaltimi, ndërsa në pjesët e tjera po punohet për shtresat rrugore dhe veprat e artit.

Së shpejti rinis aty ku u ndërpre nga covidi gara e aeroportit të Vlorës (mbeten 12 ditë nga 60 për ofertuesit ndërkombëtarë) dhe më tej nisim Lungomaren 3 drejt Radhimës, aksin e ri Orikum-Dukat si edhe procesin për tunelin e Llogarasë – një kompleks kantieresh të reja që e çojnë në nivel Europian infrastrukturën kryesore të Vlorës dhe krejt zonës turistike të bregdetit jonian”, njofton Rama.

Ndërkohë ministrja Balluku është shprehur: “Pa kanë kërkuar shtyrje dhe ne e kemi pezulluar pa afat për shkak të Covid-19. Por besoj se edhe ky proces do të zhbllokohet deri në fund të qershorit. Duke qenë se është bllokuar vetëm pak dit para se të hapej. Koha e shfrytëzuar do të ruhet. Datat rimerren nga ku u ndërpre. Kanë ngelur 12 ditët  e fundit por ne do të lëmë diku 2-3 javë që të kenë mundësi që ata të sjellin dokumentet.”

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luiggi Soreca  ka reaguar pas hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Në një postim të gjatë në Twitter, Soreca thotë se nga sot Shqipëria ka një status të ri përballë Bashkimit Evropian dhe do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar që t’i bashkohet, sa më shpejt familjes europiane.

Teksa përmend faktin që shtetet anëtare në NATO kanë kërkuar që Shqipëria të marrë masat përfundimtare në disa fusha, i kërkon qeverisë që të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm.

Soreca thekson se krahas punës së qeverisë kërkohet edhe një përpjekje e gjithë shoqërisë, që do të ketë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, opozitës dhe shoqërisë civile.

Mesazhi i plotë i Luigi Soreces

Sot është një ditë historike për Shqipërinë. Shtetet anëtare kanë marrë vendimin unanim për të hapur negociatat e pranimit. Dëshiroj ta uroj Shqipërinë për hapin e madh të bërë drejt anëtarësimit në BE.

Ajo çka ndryshon nga sot është se Shqipëria ka një status të ri përballë Bashkimit Evropian. Tani e tutje, do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar që t’i bashkohet, sa më shpejt që të jetë e mundur, familjes që i përket.

Metodologjia e re e paraqitur nga Komisioni dhe përparimi i qëndrueshëm i bërë nga Shqipëria në muajt e fundit kanë qenë të rëndësishme për marrjen e vendimit të sotëm. Dua të theksoj veçanërisht frymën e kompromisit dhe unitetit të treguar nga të gjitha palët politike për reformën zgjedhore.

Cilat janë hapat e ardhshëm? Shtetet anëtare i kanë dhënë mandatin Komisionit që të fillojë përgatitjen e rregullave të lojës, e ashtuquajtura kornizë e negociatave. Shtetet anëtare kanë kërkuar gjithashtu që Shqipëria të marrë masat përfundimtare në disa fusha të rëndësishme në mënyrë që të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur Konferenca e parë Ndërqeveritare.

Tani është thelbësore që vendi të bashkohet dhe t’i realizojë këto masa. I takon kryesisht qeverisë të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm. Por kjo punë është një përpjekje e gjithë shoqërisë, që do të ketë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, opozitës dhe shoqërisë civile.

Muajt ​​e fundit kanë qenë shumë sfidues për popullin shqiptar. Tërmeti i 26 nëntorit ju goditi rëndë dhe kriza e tanishme COVID-19 po e trondit vendin. Por ju keni reaguar dhe po reagoni me sakrificë, kurajë dhe angazhim.

Edhe në këto çaste të vështira ju vështruat përpara dhe treguat vendosmërinë tuaj për të vazhduar rrugën drejt BE-së. 97% prej jush e bënë këtë të qartë shkurtin e kaluar.

Mesazhi juaj është dëgjuar në BE dhe nga shtetet anëtare, të cilat kanë treguar solidaritetin e tyre në Konferencën e Donatorëve në Bruksel muajin e kaluar.

BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë jush, si gjithmonë, me mbështetjen tonë politike, financiare dhe teknike, për t’i ndihmuar shqiptarët të përmbushin ëndrrën e tyre për t’u bërë qytetarë të BE-së. Sot, ne kemi hedhur një hap të madh më pranë këtij objektivi të përbashkët.

Kryeministri Edi Rama tha sot se duhet të shohim jo vetëm errësirën që ka sjellë pandemia, por edhe dritën e bashkimit me Europën.

Duke komentuar vendimin për negociatat, kryeministri shtoi se Shqipëria nuk mund të festojë në këtë kohë..

“Unë mezi pres ditën e çlirimit nga ky virus për të festuar. Më në fund eshtrat e rilindasve prehen të qetë në varrezat e dëshmorëve evropianë. Flamuri i Gjergj Kastriotit do të valëvitet si i barabartë” – tha ai.

Rama shtoi se ka marrë përgëzime nga homologët e tij për masat e marra dhe shpejtësinë e reagimit të Shqipërisë ndaj koronavirusit.

“Mi bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh kanë tone të forta për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të vëmendshëm. Nuk dua t’ju lodh, por duhet t’ju përcjell sa më shumë shqetësimin që kam për secilin prej jush. Ju jeni familja ime.

Ne nuk do ndalemi në plotësimin e çdo detyre deri sa të ulemi në dhomën e madhe të ndenjes të BE, ku fëmijët tanë luajnë në një kopsht me atë të fëmijëve të vendeve anëtare.

Më në fund do të valëvitet i barabartë mes të barabartësh flamuri kuq e zi i Gjergj Kastriotit. – tha Rama drejtuar qytetarëve.

Pas 46 testeve të kryera për COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv 6 persona, duke e çuar në total në 76 numrin e të infektuarve në Shqipëri. Referuar shifrave zyrtare të raportuara deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë, meshkujt janë më të prekurit në Shqipëri nga koronavirusi, ku përbëjnë 59% e të infektuarve, e ndërsa 41% janë femra. 6 rastet e reja janë vijojnë të jenë nga dy qytetet më të prekura, Tirana dhe Fieri dhe janë kontakte me pacientët e konifrmuar më herët pozitiv.

Ashtu sikurse u bë e ditur një ditë më parë, dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues, por edhe pas daljes nga spitali, ata do të vijojnë të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike kurën e përdorur. “Ministria e Shëndetësisë ka siguruar medikamente bazë, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT.

Terapia mbështetet në protokollin klinik, mbështetet në medikamentet që trajtojnë shenjat klinike, simptomatike si dhe preparatet anti-viral. Personat që kanë lënë spitalit do të ndjekin masën e vetëkarantinimit duke respektuar etiketën respiratore për 14 ditë dhe higjienën personale”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.

Sa i përket gjendjes shëndetësore të 37 pacientëve të shtruar tek infektivi, 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Tirana vijon të jetë qyteti më i prekur nga Koronavirusi me 55 qytetarë për t’u ndjekur nga Fieri me 8 të prekur, Durrësi 5, e ndërsa, Elbasani, Rrogozhina dhe Kavaja nga dy pacientë secili.

Spitali i dytë për COVID-19 është gati me një kapacitet prej 190 shtretësh, konfirmon Ministria e Shëndetësisë, duke çuar në total të shtretërve në dispozicion 310. Vetëm 76 prej tyre janë të zëna me pacientët që janë të shtruar në Spitalin Infektiv në QSUT.

Renditja e qyteteve më të prekura me koronavirus
Tiranë 55 qytetarë
Fier 8 qytetarë
Durrës 5 qytetarë
Lushnje 2 qytetarë
Elbasan 2 qytetarë
Rrogozhinë 2 qytetarë
Kavajë 2 qytetarë

Ministria e shëndetësisë u bën sërish apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin sa më shumë kontaktet, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të këtij virusi.

“Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale I drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital”, bën me dije Ministria, ndërsa ka rikujtuar edhe një herë dy numrat e kontaktit që janë vënë në dispozicion për qytetarët.

Për ata që kërkojnë informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19 duhet të telefonojnë në numrin 0800 40 40, e ndërsa për ata qytetarë që kanë shfaqur simptomë duket të marrin numrin e urgjencës 127.

O.J/DITA

I shëruari i parë nga koronavirusi ka lënë këtë të shtunë spitalin infektiv të Tiranës, i kthyer në qendrën ku priten të gjithë të prekurit me covid-19.

Pamjet e largimit të 53 vjeçarit i ka publikuar kryeministri Rama. Babai i pacientit zero rezultoi negativ dhe në testin e dytë të kryer, duke u bërë zyrtarisht i shëruari i parë nga virusi që ka bllokuar të gjithë Shqipërinë në shtëpi.

“I SHËRUARI I PARË DEL NGA SPITALI PËR T’U MBYLLUR NË SHTËPI PA DALË FARE 14 DITË, NËN VËZHGIMIN E MJEKËVE FANTASTIKË TË INFEKTIVIT”, shkruan Rama.

Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shkruan po në rrjetin social se babai i pacientit zero do të qëndrojnë në karantinë në banesën e tij për të paktën 14 ditë të tjera.

“#COVID-19 Pacienti i parë i shëruar sapo ka lënë spitalin Infektiv për t’u kthyer në shtëpi, ku do të qëndrojë për 14 ditë i vetëkarantinuar.

Mirënjohëse për punën e ekipit të #Infektivit që janë në ballë të betejës së vështirë me koronavirusin”, shkruan Manastirliu.

Kujtojmë se deri më tani janë të infektuar në total 76 persona, dy prej të cilëve kanë humbur jetën. Duke filluar nga kjo e shtunë e deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës, qeveria ka vendosur të mos lejojë asnjë qytetar nëpër rrugët e qyteteve./Express

Ka shkuar në 38 numri i të prekurve nga covid 19 në vend.

Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19.

Deri në këto momente janë testuar 505 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 38 raste:

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 22 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 5 raste
Rrogozhinë 2 raste

Prej tyre:

12 jane të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina)

Dy prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Kryeministri Rama u është përgjigjur në Twitter pretendimeve të Partisë Demokratike për paketën “anti-KÇK”.

Sipas tij, PD vë në dyshim kushtetueshmërinë e paketës antiKÇK, por që nuk përbën surprizë.

“As kanë parë gjë akoma po as kemi dëgjuar gjë akoma nga goja e tyre! Krimin e kanë mjet politik kundër qeverisë, por s’e kanë pasur kurrë në shënjestrën e tyre! Përkundrazi! E kanë ushqyer e janë ushqyer prej tij”, përfundon Rama statusin e tij.

?

PD ve në dyshim kushtetutshmërinë e paketës antiKÇK? Asnjë suprizë! As kanë parë gjë akoma po as kemi dëgjuar gjë akoma nga goja e tyre! Krimin e kanë mjet politik kundër qeverisë, por s’e kanë pasur kurrë në shënjestrën e tyre!Përkundrazi!E kanë udhqyer e janë ushqyer prej tij