Politika në vend pritet të përballet për herë të parë me një rast të paprecedentë, atë të djegies së mandateve të deputetëve, propozim i kryedemokratit Basha për grupin e tij parlamentar e aleatët. Por çfarë parashikon Kushtetuta e Republikës dhe a gjen zgjidhje në kodin zgjedhor djegia e mandateve.

Neni 71 i Kushtetutës thotë shprehimisht se, Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.

Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Referuar Kodit Zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ-në në rastin e dorëzimit të mandatit të deputetit, dhe kjo e fundit nis punën për zëvendësimin e vendit vakant të krijuar në parlament.

Neni 164 i Kodit Zgjedhor sqaron mandati i deputetit ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

“Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës” citohet në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

“Gjithashtu Kodi Zgjedhor parashikon se mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet më tej në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 2017 nuk pati koalicione ndërsa aleatët hynë në listat e kandidatëve të partive kryesore në vend.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD është vendosur pro djegies së mandateve.

Burime pranë PD thonë se votimi ka qenë unanim

Pas këtij veprimi kreu i PD lulzim Basha do të mbledhë Këshillin për vendimin përfundimtar.

Mbledhja e sotme nisi me kundërshtime të cilat u fikën pas ndërhyrjes së Berishës.

Deputetët Ervin Salianji, Agron Shehaj dhe Myslym Murrizi thanë fillimisht se mandatet nuk duhen djegur.

Por ka ndërhyrë ashpër ish-kreu i PD, Berisha i cili tha se PD do radikalizojë qëndrimet pasi Rama ka thënë që nuk ikën.

Ai madje është shprehur se “Rama meriton plumbin ballit”.

Pas fjalës së tij, nuk ka patur më kundërshtime për mandatet.

Shkon në 40 numri i personave të shoqëruar për veprime të dhunshme gjatë protestës së të shtunës në Tiranë.

Policia ka qenë në punë gjatë gjithë natës dhe ka kryer shoqërime të shumta edhe në Lezhë, Fier e Durrës.

Mbrëmjen e kaluar policia shoqëroi 20 protestues, disa prej të cilëve u arrestuan me akuzën për dhunimin e ambienteve publike.

Nga kamerat e sigurisë disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës dhe janë arrestuar.

Por shoqërimi dhe ndalimi i protestuesve ka shkaktuar tension e përplasje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe policëve. Deputetët e PD-së kanë kërkuar të takojnë protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i kanë ndaluar.

Kryeministri Edi Rama ka vazhduar edhe këtë të premte me akuzat ndaj paraardhësit të tij në detyrë, Sali Berisha.

Pak orë pas sulmeve të Sali Berishës ndaj Hashim Thaçit, kryeministri Rama ka komentuar deklaratat.

Përmes Twitter, Rama shkruan se Berisha e quan Presidentin e Kosovës argat, ndërkohë që vetë numëron një sërë ‘bëmash’.

Furnizoi me naftë tanket e Kasapit të Beogradit.

Bëri thirrje për të refuzuar Rambujenë.

Shpalli terroristë marksistë-leninistë luftëtarët e UÇK. Ibrahim Rugova s’denjoi t’i fliste më derisa vdiq.

Sot e quan Presidentin e Kosovës argat albanofob të Beogradit! Vesi del me shpirtin”, tha Rama.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka njoftuar se më 19 mars hapet gara për Prokuror të Përgjithshëm.

Ibrahimi ka zbuluar se deri më tani kanë aplikuar 11 kandidatë për SPAK, ndërkohë që kanë mbetur edhe 7 ditë afat.

Ai tha se SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm janë gati në muajin qershor, ndërsa qeveria është përgjegjëse për mungesën e zyrave.

SPAK së bashku me Gjykatën speciale do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.

Me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë kombëtare të hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane.

Kryeministri Rama në seancën e sotme në Kuvend ‘thumboi’  Sali Berishën, kur e pyeti: ‘N’ mundsh a e kalon Oqeanin?’ duke lënë të kuptohet se ambasada i ka hequr vizën për në SHBA. Gazetari Artan Hoxha u shpreh në Report Tv se sipas burimeve, Berishës dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në SHBA.

Ka pasur një lajm që ka qarkulluar që para dy javësh që ka një vendim nga DASH. Vendimin e merr DASH, në të gjitha rastet e deri tanishme e merr ky institucion. Është folur se është marrë një vendim edhe për ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij. Por në rastin konkret kjo qarkullonte si një lajm i pakonfirmuar. Në seancën e së hënës në parlament, nëse e kujtoni Rama bëri një insinuatë, i tha Berishës që të ka trullosur mesazhi që të ka ardhur, por nuk e vazhdoi më tej. E tha, mesazhi që të ka ardhur, ti e di nga të ka ardhur. Kjo është gjuha e koduar që përdorin politikanët.

Tani, sot kryeministri bëri kriptimin, publikoi atë që e hodhi javën e kaluar dhe pyetja që iu bë Berishës, n’ mundsh a e kalon Oqeanin? Duke lënë të kuptohet që SHBA e ka ndaluar udhëtimin e Berishës. Gjëja që më bëri të dyshoj ishte reagimi i Berishës, shpjegimi që nuk udhëton se nuk përfaqëson më zyrtarisht PD-në. Rama i tha: ti ke qenë në Bundestag. Informacioni është që DASH ka bërë një listë, që politikanët shqiptarë nuk do ta kenë kaq të lehtë këtë radhë. Çdo njeri që ka penguar reformën në drejtësi do të ketë masa. DASH e ka bërë publik vendimin në rastet e kaluara, ne nuk e kemi marrë vesh ditën kur është marrë. Burime thonë se ky vendim është marrë, por ne nuk e kemi parë.

Duke pasur parasysh eksperiencën e vendimeve të para, merret vendimi, merret pak kohë më pas publikohet. Deri tani njerëzit e ndaluar kanë qenë ata që kanë penguar reformën në drejtësi apo kanë pasur lidhje me afera kriminale. Vendimi thuhet se është marrë për familjen Berisha, por kjo gjë vërtetohet kur të dalë vendimi në faqen zyrtare. Nëse Rama e ka marrë përmes kanaleve diplomatike dhe e ka hedhur për lojë politike, mua nuk më duket shumë korrekte. Nuk do të doja të merrej një vendim i tillë, Berisha ka qenë dominuesi i politikës shqiptare për 30 vite, ka marrë të gjitha pozicionet më të larta. Por nëse është e vërtetë, kemi hyrë në fazën kur SPAK-u ka nisur betejën”, deklaroi Artan Hoxha.

Gazeta e ushtrisë amerikane, “Stars and Stripes” i ka kushtuar një shkrim lajmit se NATO ka nisur punën për ngritjen e një baze ajrore në Shqipëri.

Gazeta thekson se qëllimi i ngritjes së kësaj baze është kundërvënia ndaj influencës ruse në rajon.

“NATO pritet të zgjerojë prezencën në Ballkan- ku Perëndimi dhe Rusia janë ngërthyer në një betejë për ndikim- ndërsa Shqipëria përgatitet për të pritur të parën bazë ushtarake të aleancës në rajon”.

“Zyrtarët shqiptarë dhe amerikanë shënuan të enjten nisjen e fazës së parë të projektit prej 58 milionë euro për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës në qendër të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me standardet e NATO-s”.

Në shkrim theksohet se Shqipëria nuk ka avionët e saj dhe se prej vitit 2009 kur u bë pjesë e Aleancës, hapësira ajrore është monitoruar nga Italia dhe Greqia.

Më tej theksohet se investimi erdhi pasi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri një vizitë në Pentagon ku kërkoi ngritjen e një baze të SHBA ose të NATOs në rajon për t’iu kundërvënë ndikimit rus, por edhe interesave të vendeve si Kina dhe Irani.

“Rajoni ka qenë sheshbeteje për ndikim mes Perëndimit dhe Rusisë, e cila ka kritikuar lëvizjet për të zgjeruar anëtarësimin e NATO-s në këtë rajon, duke theksuar se kërcënon sigurinë rajonale,” thekson shkrimi.

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, ku kërkohen ambiente për zhvillimin e procesit mësimor, pasi një pjesë e studentëve vijojnë ngujimin në ambientet e këtij fakulteti në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre.

Sipas Dekanit, shumica e studentëve që mbajnë të bllokuar Juridikut vijnë nga fakultete të tjera.

“Ne ambientet i kemi të bllokuar jo vetëm me studentë të fakultetit tonë, të cilët në dijeninë time janë të paktë në numër, janë të shumtë ata që nuk janë të fakultetit tonë. Shpresoj nga dita e nesërme të nisë programi mësimor pavarësisht se do të jetë në ambiente të tjera.

Komunikuam me drejtuesit e Universitetit të Tiranës, rektori nuk na është përgjigjur. Unë e marr dhe nuk kam komunikim me të, vetë kam folur me ministrinë e Arsimit po shikojmë mundësinë që të na vihen në diospozicion ambiente të tjera për të zhvilluar programin mësimor”, tha dekani

Një grup studentësh mbajnë të bllokuar ambientet e fakultetit të Juridikut, ndërsa kanë vendosur karrige në derën kryesore të godinës.

Në mëngjes pati edhe një përplasje, pasi një grup tjetër studentësh kërkuan lirimin e ambienteve dhe rinisjen e procesit mësimor.

Një video që është filmuar në Poloni ka ndezur alarmin për mishin që konsumohet në të gjithë Europën, përfshirë edhe Shqipërinë, pasi tregon se lopët jashtëzakonisht të sëmura janë kontrabanduar në një thertore dhe shiten pa inspektim dhe vulë veterinare.

Gazetarët e “Superwizjer”, një program televiziv hetues polak transmetuan në kanalin e lajmeve TVN24, pamjet nga thertorja polake, pasi një prej gazetarëve i infiltruar që punoi fshehurazi në thertore për pothuajse tre javë, siguroi videon.

Polonia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit të BE, me produkte që gjenden edhe në tregun shqiptar, ndaj pamjet nga thertorja në rajonin qendror polak të Mazovisë janë kthyer në shqetësim madhor, pasi duket qartë se lopët janë aq të sëmura sa nuk janë në gjendje të dalin duke u zvarritur nga kamionët dhe në thertore përdoret një çikrik, me litarë të lidhur rreth brirëve apo këmbëve të tyre për t’i ngritur ose tërhequr.

Sipas “The Guardian” masakra e lopëve të sëmura duket të ndodhë gjatë natës pa asnjë zyrtarë veterinar në vend, një tjetër kundërvajtje e standardeve themelore. Punëtorët në thertore duket se heqin prova nga kufomat si plagët e presionit të gjakut dhe tumoreve që tregojnë se lopët kanë qenë të sëmura dhe të shtrira për ditë të tëra.

Ekspertët që kanë parë videon thonë se kjo ngre mundësinë e rreziqeve serioze të shëndetit dhe i kanë bërë thirrje qeverisë polake të veprojë shpejt për të njoftuar të gjitha shtetet e tjera evropiane.

Chris Elliott, profesor i sigurisë ushqimore në Universitetin e Queen në Belfast dhe themelues i Institutit për Sigurinë Globale të Ushqimit, i cili udhëhoqi rishikimin e pavarur të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për sistemet ushqimore pas skandalit të kalorësisë 2013, i tha Guardian: “Nëse ka ndonjë dëshmi se ky mish ka dalë nga Polonia, atëherë do të ketë potencial për një vigjilencë të sigurisë në mbarë Evropën, me përfshirjen e shumë agjencive rregullatore dhe potencialisht forcave policore nga e gjithë Evropa”.

Në 2017, sipas shifrave më të fundit të UN Comtrade, Polonia eksportuar më shumë se 415 milion kg mish viçi, me vlerë më shumë se 1.5 miliardë dollarë. Shifrat e HMRC për atë vit tregojnë se Britania e Madhe, një nga tregjet më të mëdha të Polonisë për mish, bleu 16 milion kg viçi (të freskët, të ngrirë dhe të brendshmet), me vlerë 64 milionë dollarë.

“The Indipendent” i  ka kushtuar këtë të dielë një artikull të gjatë Shqipërisë dhe problemeve të saj me trafikimin e lëndëve narkotike.

Borzou Daragahi, një korrespondent i gazetës që prej vitit 2002 kryesisht ka mbuluar çështjet e Lindjes së Mesme, Afrikës, por dhe Europës shkruan se Gangsterët shqiptarë konsiderohen si trafikantët më të mëdhenj në botë për keroinën, kokainën apo kanbisin. “Zyrtarët amerikanë  dhe ata europianë e kanë cilësuar Shqipërinë si furnizuesin e madh të kanabisit në Europë e njëkohësisht edhe si një pikë e rëndësishme tranziti për keroinën dhe kokainën. Bazuar në vlerën monetare të drogës së kapur, ka vlerësime se vetëm marijuana gjeneron 4 miliardë dollarë, gjysma e GDP-së së Shqipërisë”, shkruan gazetari.

Në reportazhin e tij, ai citon emra, ndërsa i referohet njëkohësisht edhe shumë zyrtarëve, që nuk kanë dashur të identifikohen.

Zyrtarët e rojës bregdetare, të cilët kërkuan që emrat e tyre të mos përmenden, thonë se duhet te jenë të kujdesshëm. Trafikantët janë shpesh të armatosur, edhe pse nuk i kanë përdorur kundër rojave bregdetare”, shkruan ai.

Më tej, artikulli vijon:

“Vitet 2015 – 2016 ishin të tmerrshëm,” thotë një zyrtar i lartë i rojës bregdetare. “Ishte Kolumbi”.

Në artikullin e publikuar pasditen e së dielës nga gazeta britanike, thuhet gjithashtu se sipas zyrtarëve shqiptarë, vetëm 10% e drogës që qarkullon brenda dhe jashtë vendit, arrin të kapet, ndërkohë që gazetari citon një diplomat të huaj perëndimor i thotë se ky numër nuk shkon më shumë se 5%, duke u lënë trafikantëve një pasuri të madhe, që lëviz nga Roterdami në Izmir.

Trafikantët e sofistikuar janë bërë aq të fuqishëm, sa që kanë lidhje në të gjithë botën”, thotë Alfonc Rakaj, një studiues mbi çështjet e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Është Kolumbia e Europës”, thotë një diplomat perëndimor. “Është prodhuesi dhe shpërndarësi i drogës në Europe. Është një narko shtet dhe ata do të humbasin shumë para duke dalë nga trafiku për të hyrë në BE”, thuhet në artikull.

Duke cituar sërish zyrtarë të BE, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur në reportazh thuhet gjithashtu se Shqipëria nuk është më një vend kultivimi, por është bërë një qendër investimesh, shpërndarjeje dhe rekrutimi.